Reagim i kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka, pas konferencës për shtyp të Ministrit të Brendshëm Tahiri

 

 

Pas informacioneve se Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po jepte dorëheqjen, ky i fundit zgjodhi të vetëdiskreditohet edhe më shumë përpara qytetarëve në konferencën për shtyp. Me urdhër te Edi Ramës, Tahiri përgënjeshtroi sot vetveten dhe atë që tha dje duke pretenduar se droga u kap nga një operacion policor. I madh dhe I vogël, e di fare mirë se avionit iu thye rrota duke i lënë në derë qeverisë drogën. Droga në Shqipëri transportohet me avionë, gomone dhe furgonë. Vetë policia njoftoi dje për kapjen e një gomone në Vlorë, ndërkohë që po dje në anë tjetër të kufirit, policia greke kapi 360 kilogram hashash të nisur nga Shqipëria. Që vendi po mbytet në drogë këtë e dinë të gjithë. Ngecja në rërë e avionit qeveritar të drogës dhe parave të krimit, mu në plazhin e Divjakës, ka konfirmuar tashmë edhe para më skeptikëve atë që opozita dhe Partia Demokratike ka thënë prej kohës se në Shqipëri karteli i drogës është bërë njësh me qeverinë e Edi Ramës dhe anasjelltas. Edi Rama po përpiqet më kot të fshihet prapa supeve të rrudhura të Braçes dhe Tahirit. Në sytë e çdo shqiptari ai dhe qeveria e tij kanë rënë.