Basha: Rama mashtron, nuk kishte operacion policie, droga u mbeti në derë.

Basha: U konfirmuan akuzat e opozitës edhe për ata që nuk besonin

 

 

Prononcimi dhënë për mediat nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha:

“Ngjarja e djeshme është e jashtëzakonshme dhe ka tronditur e indinjuar thellë të gjithë opinionin publik, opozitën por edhe partnerët ndërkombëtarë. Nuk është, siç përpiqet të mashtrojë përsëri Kryeministri, një operacion policor. I madh dhe i vogël, shqiptar apo i huaj, tashmë e dinë se avioni ka pasur avari. Pra nuk e kanë kapur këta avionin por avioni u ka rënë në prehër, droga iu ka mbetur në derë.

Ky është një konfirmim i asaj që opozita ka thënë prej kohësh, që vendi në këto 8 muaj si asnjëherë më parë është shndërruar në një bazë të trafikimit të lëndëve narkotike me mbështetje dhe përfshirje të drejtpërdrejtë qeveritare.

Është një konfirmim i asaj që ka thënë opozita dhe Partia Demokratike edhe për ata qytetarë që nuk i kanë besuar këto akuza. Dhe në këtë kuptim padyshim ngre pikëpyetje të mëdha dhe të forta dhe shqetësime të jashtëzakonshme për presionet e raportuara dhe të dokumentuara ndaj gazetarëve, të kërcënuar me stil klasik mafioz, ndaj qytetarëve dëshmitarë okularë të cilët kanë parë faktet me sytë e tyre, kanë parë avionët e drogës me sytë e tyre, kanë parë furistradat e drogës të ecin nëpër rrugët dhe shtigjet e Shqipërisë, me symbylljen dhe bekimin e qeveritarëve.

Ka një indinjatë të natyrshme të qytetarëve shqiptarë. Ka një shqetësim të madh të mbarë opinionit publik. Sot unë kam mbledhur deputetë të Partisë Demokratike, kam qenë në kontakt me faktorë të opozitës, me partnerë tanë, me përfaqësues të mendimit qytetar, pasi kjo situatë e rëndë dramatike e vendit, është e papranueshme dhe kërkon përgjigje të menjëhershme. Një gjë mund ta themi me siguri; qeveria e Edi Ramës ka rënë. Moralisht, qeveria e Edi Ramës është rrëzuar”.