Kryetari i Partisë Demokratike i bën thirrje të gjithë shqiptarëve për të bashkuar zërin kundër kartelit më të rrezikshëm, kartelit të drogës

Shqipëria po kthehet në një Kolumbi evropiane përsa i përket sasive të jashtëzakonshme të drogës që po dalin nga vendi ynë dhe po mbërrijnë në destinacione të ndryshme të Europës. Droga prej 5.6 tonësh e kapur në Gjermani është një këmbanë tjetër alarmi që bie pas avionit të drogës, që mbeti në rërë si tregues i shkallës më sipërore të trafikut të lëndëve narkotike, të asaj me krahë dhe me helikë.

Partnerët tanë europianë, Gjermania, Italia, Greqia e shumë të tjerë janë shumë të shqetësuar për këtë situatë të rënduar të intensifikimit të trafikut të drogës nga Shqipëria.

Qytetarët shqiptarë janë të tronditur thellë për këtë situatë të paprecedentë, për këtë pikiatë, për këtë precipitim të situatës së narkotrafikut si asnjëherë më parë e cila kërcënon jetën dhe sigurinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre, të ardhmen e tyre.

Drogë do të thotë krim, drogë do të thotë kriminalitet, drogë do të thotë pasiguri, drogë do të thotë shkatërrim.

Opozita është në këmbë prej 8 muajsh duke denoncuar zhbërjen e rendit përmes goditjeve të strukturuara të Edi Ramës dhe kupolës së tij kundër Policisë së Shtetit, kundër ligjit dhe ligjzbatimit, duke denoncuar emërimet në poste kyçe jo vetëm në Policinë e Shtetit por të infrastrukturës shtetërore, të trafikantëve të dënuar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie për trafik droge.

Të vetmit që nuk ndajnë këtë shqetësim, janë Edi Rama dhe kupola e tij. Edi Rama dhe kupola e tij ka një shqetësim tjetër. Kanë shqetësim se si ti ikin përgjegjësisë direkte që ai dhe kupola e tij ka për shpërthimin e këtij skandali në përmasa të jashtëzakonshme të trafikut të drogës, se si të fshehin të vërtetën, se si të bëhen bashkëfajtorë përmes heshtjes dhe në përpjekjet mafioze për të mbyllur gojën e qytetarëve, të nëpunësve të ndershëm të këtij shteti, madje edhe të mediave dhe gazetarëve.

Kjo demaskon fare qartë Edi Ramën si përgjergjësin numër një për gjendjen e krijuar në vend ku gjithçka po shkon drejt përkeqësimit dhe e vetmja gjë që po lulëzon është narkotrafiku.

Partia Demorkatike me përgjegjësi të plotë ka parashtruar para shqiptarëve opsionin e zgjidhjes, që është largimi i Edi Ramës dhe kupolës së tij nga qeverisja e vendit. Largimi i tij si njeriu përgjegjës për situatën e krijuar është imperativ për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nga ankthi dhe kërcënimi i kartelit të vdekjes për lirinë dhe demokracinë, i kartelit të drogës. Prandaj Partia Demokratike ka thirrur një protestë të madhe popullore të premten e ardhshme në orën 11 para Kryeministrisë, dhe unë u bëj ftesë të gjithë qytetarëve shqiptarë, të majtë e të djathtë, pa dallim bindje politike, të bashkuar në këtë hall të madh që ka zënë Shqipërinë dhe shqiptarët, hallin e kartelit të drogës dhe narkotrafikut me lejen dhe symbylljen qeveritare, të bashkojmë zërin tonë për t’i thënë jo narkotrafikut dhe për të vënë para përgjegjësisë Edi Ramën dhe kupolën e tij.

E di se edhe deputetë socialistë e ndajnë këtë shqetësim. E di se edhe votues socialist janë të skandalizuar nga përmasat e këtij skandali. Partia Demokratike, unë si kryetari i saj, opozita nuk u zgjua një ditë dhe vendosëm të kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës se kështu na u tek.

Dorëheqja e Edi Ramës është zgjidhja imperative e këtij problemi dhe halli të madh që ka kapluar shqiptarët dhe Shqipërinë dhe që po thellohet nga dita në ditë, që është përmasa e paparë dhe e paprecedentë e narkotrafikut si tregues i faktit që Shqipëria është tashmë nën shënjestrën dhe nën kthetrat e kartelit më të rrezikshëm për liritë, për të drejtat, për të mirat e shqiptarëve, që është karteli i drogës.

Edhe njëherë, të premten në orën 11.00 dua të ftoj qytetarët shqiptarë në një protestë madhështore, më të madhen, që të përbashkojë çdo qytetar shqiptar pavarësisht dallimeve politike kundër kartelit të drogës, për Shqipërinë Europiane.