Deklaratë e deputetit Bylykbashi për zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimin e mazhorancës për të mos lejuar hetimin parlamentar të trafikut të drogës

 

  

 

Mazhoranca rrëzoi dje kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor që synon të bëjë transparencë mbi rritjen e trafikut të drogës dhe përgjegjësit për këtë fenomen. Mazhoranca ngul këmbë që me komisionin marionetë të ngritur prej saj të hetojë denoncuesit e trafiqeve dhe jo përgjegjësit e tyre.

Po dje, për fatin e keq të mazhorancës, Gjykata Kushtetuese botoi vendimin e saj me të cilin shpalli antikushtetues vendimin e Kuvendit që rrezoi kërkesën e opozitës për komision hetimor që do të bënte transparencë mbi skandalin e vjedhjes së serverit të tatimeve nga njerëzit e Kryeministrit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dje sanksionon se komisioni hetimor është një e drejtë e pacënueshme e opozitës në rolin e saj kushtetues për të kontrolluar qeverinë dhe mazhorancën dhe se mazhoranca nuk mund ta pengojë opozitën të hetojë dhe të bëjë transparencë.

Rama dhe Meta kanë frikë nga transparenca mbi trafikun e drogës që po përmbyt rrugët, detin dhe ajrin, po alarmon Italinë dhe Greqinë fqinje dhe dje tronditi edhe Gjermaninë me sasinë rekord së drogës së kapur. Ky refuzim kokëfortë është një tjetër provë për përfshirjen e mazhorancës në narkotrafik.

Rama dhe Meta nuk mund të fshehin më avionin dhe fuoristradën e drogës që ngecën në rërën e Divjakës duke i transformuar në mushkonja dhe buburrecë. Ata nuk mund tu mbyllin gojën dhjetëra dëshmitarëve që denoncuan nga Gjadri, Bedati, Divjaka apo Kardhiqi. Ata nuk mund ta fitojnë betejën me median e lirë duke i kërcënuar me kokë të prerë dhie.

Rama dhe Meta nuk i mbyll dot gojën policive të alarmuara të vendeve fqinje që po kapin sasi rekord droge. Aq më pak mund t’ia mbyllin gojën opozitës duke i kërcënuar me hetim nga komisioni i tyre marionetë apo duke i mohuar në shkelje të kushtetutës ngritjen e komisionit hetimor.