Pasiguria dhe kriza ekonomike  kanë mbledhur në një tryezë sindikatat, organizatat e të larguarve nga puna, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, përfaqësuesit e biznesit etj. Ne kete tryeze kane marre pjese edhe kryetari i PD Lulzim Basha e  drejtues te partive te tjera opozita.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë sot në tryezën “Ku po shkon Shqipëria, ekonomia në krizë, mirëqënie e kërcënuar, jeta e pasigurtë” të organizuar nga bashkimi i sindikatave të pavarura, organizatat e nëpunësve të larguar nga puna dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile.
Kryetari i opozitës dhe grupimet që morën sot pjesë në tryezë, ndanë shqetësimin për thellimin e krizës ekonomike, rënien e ndjeshme të mirëqënies, rritjen e cmimeve, shtimin e pasigurisë në cdo drejtim, dhe në vecanti, ndanë shqetësimin për mungesën e transparencës së qeverisë, mungesën e llogaridhënies dhe për faktin se qeveria nuk reagon ndaj kërkesave të shoqërisë.

“Kjo është një iniciative e përbashkët, duke marrë shkas edhe nga kërkesat e përsëritura të sindikatave të pavarura të Shqipërisë, për një diskutim të hapur në frymë konsultimi me qëllim bashkërendimin e hapave midis opozitës politike parlamentare shqiptare dhe grupeve të ndryshme të interesi, nisur nga një situatë gjithmonë e më e rënduar të ekonomisë, mirëqënies individuale, sigurisë, shtetit ligjor dhe demokracisë”, u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se qëndrimet e opozitës në Parlament dhe në cdo forum tjetër publik dhe mediatik të vendit, kanë të bëjnë me papërgjegjshmërinë, arrogancën e mazhorancës dhe konceptin e tyre oligarkik për shtetin që po materializohet si kosto, si kanosje ndaj fushave të ndryshme të jetës dhe bashkëjetesës në shoqërinë shqiptare.
“Përmes luftës së hapur kundër parimeve demokratike të qeverisjes së mirë, përmes refuzimit të bashkejetesës demokratike, ata po fusin konceptin e tyre oligarkik për shtetin që po materializohet si kosto për ekonominë e vendit, po materializohet si kosto për mirëqënien e shtresave të ndryshme, e të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare. Pra, po materializohet gjithmonë e më shumë si një rëndesë, si një peshë për qytetarët”, tha Basha.

“Pas 8 muajsh të qeverisjes Rama-Meta kemi një rritje të cmimeve të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme bazë që varion nga 11-15%. Rritja e taksave është shndërruar në rritje të cmimeve, ngrirja e pagave dhe e pensioneve ka ndikuar qartazi në rënien e fuqisë blerëse të personave të punësuar, dhe natyrisht të papunëve dhe pensionistëve. Një tjetër e dhënë zyrtare është fakti që buxheti tashmë i varfëruar i qytetarëve shqiptarë, po përdoret gjithmonë e më shumë për konsumin bazik të ushqimeve, gjithmonë e më pak për konsumin e të mirave dhe shërbimeve të tjera. Në këtë varfërim ndikojnë edhe politikat agresive, ofensivave gjobvënëse, të policisë, tatimorëve, KESH-it, e pothuajse cdo agjencie tjetër shtetërore, mbi bizneset dhe mbi qytetarët”, pohoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike denoncoi atë që e quajti shpunësimi, si filozofi e qeverisë që ka sjellë largimin në mënyrë të paligjshme nga puna të mbi 8 mijë burra dhe gra, të rinj dhe të reja, për ti hapur vend klientelës dhe klaneve dhe c’është më e rrezikshmja, për ti hapur vend personave me precedentë penalë, personave të shkarkuar për shkak shkeljes së ligjit, personave të dënuar për mashtrim, falsifikim, trafiqe dhe vepra të tjera penale. E gjithë kjo klimë ka dekurajuar sipërmarrjen shqiptare dhe të huaj, anulimin arbitrar i dhjetëra kontratave koncensionare. Pra dhjetra projekte zhvillimi.

Presidenti i bashkimit të sindikatave të pavarura, Gëzim Kalaja shprehu shqetësimin për pasigurinë e madhe të krijuar në vend për të drejtën e punës, dhe koston e madhe sociale që kanë sjellë disa akte të qeverisë, si vendimi i papritur për të nxjerrë nga tregu mijëra furgonë taksi, duke prekur kështu ekonominë dhe jetën e mbi 20 mijë familjeve shqiptare.
Më tej, Kalaja ka analizuar dhe detajuar situatën e vështirë të vendit.

“Të dhënat nga INSTAT flasin për një përkeqësim të vazhdueshëm të klimës me biznesin. Gjithashtu është rritur rrisku i sistemit bankar, borxhi publik është thelluar me mbi 70%. Ka ende shumë detyrime shtetërore të pakthyera. Punësimi ka pësuar ulje për tremujorin e katërt 2013 me plot 6 nivele. Po kështu papunësia në tremujorin e katërt të 2013 ka pësuar një rritje drastike me plot 42 nivele ndaj tremujorit të tretë të 2013. Kemi me mijëra të larguar nga puna në shëndetësi, administratë, në naftë, polici dhe kudo. Për të gjitha këto arsye, edhe bordi i drejtimit të FMN-së prezantoi në mars të këtij viti një paketë fiskale me 10 lloje taksash të reja që i bashkëngjiten atij të memorandumit. Me të gjitha këto qeveria formon 21 lloje taksash shtrënguese dhe kjo në këmbim të kredisë që kjo e fundit do të marrë nga FMN-ja.

Marrëveshja e arritur me FMN parashtron një sërë masash shtrënguese, të cilat do të bëjnë që të ndikojnë tek konsumatorët shqiptarë dhe tek shtresat në nevojë. Marrëveshjen e kemi njohur vetëm në internet, në kushtet e mungesës së një raporti të plotë zyrtar nga ana e qeverisë shqiptare. Kjo marrëveshje e ka zanafillën e vet në fundin e vitit 2013, në memorandumin e politikave financiare të lidhura mes qeverisë dhe FMN-së. Në themel ka rakordimin e kredisë prej 330 milion euro. Por dhënia e kredisë me terma të buta siç kjo e fundit pretendon e ka kushtëzuar qeverinë që të marrë një seri masash shtrënguese të forta, të aplikuara që në fillim të këtij viti.

Të tilla masa kanë të bëjnë me rritjen me 50% të tatim-fitimit mbi biznesin e madh, rritjen me 6.6% të çmimit të karburanteve kanë bërë që Shqipëria sot të ketë debinë më të lartë për karburantet në Evropën perëndimore. Rritja e akcizës mbi pijen dhe duhanin, taksat progresive mbi pagën nuk dhanë rezultatet e pritura dhe në buxhet realizuan 200 milion lekë më pak të ardhura krahasuar me dymujorin e parë të 2013. Me këtë situatë qeveria po e rrit edhe më shumë evazionin fiskal, informalitetin dhe korrupsionin. Ekonomia shqiptare realisht po perfomon shumë dobët. Viti 2013 u mbyll me 0.4% të rritjes së GDP-së.

Jam i detyruar ti transmetoj kësaj tavoline dhe arsyen kryesore se përse jemi këtu sot që deri tani ka një heshtje totale nga ekzekutivi “Rama”. BSPSH përballë kësaj heshtje do të fillojë protestat në lidhje me heshtjen e qeverisë dhe në lidhje me rendimin social-ekonomik që po i bënë shit-pazareve shqiptare.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare ka marrë një informacion se është shkarkuar nga puna, se është pushuar nga puna i gjithë lidershipi i sindikatës së pavarur të energjetikës së Shqipërisë dhe të gjithë kryetarët e sindikatave të hidrocentraleve dhe të pjesë veriore të Shqipërisë të cilët kanë lidhur kontrata të nivelit të dytë dhe janë larguar nga puna, plus informacionin që kemi që, që të gjithë anëtarët e bashkimit të sindikatës të pavarur shqiptare që kanë të bëjnë me administratën, që kanë të bëjnë me shëndetësinë, që kanë të bëjnë me arsimin janë të pushuar nga puna për shkak të pakënaqës
ive te shprehura”, tha Kalaja.

Zoti Basha theksoi se pozita shqiptare, PD do të mbështesin dhe do të bëhen pjesë e pandarë e këtyre protestave, së bashku me të gjithë shqiptaret të heqin dorë nga qeverisja propagandistike, ndërkohë që jeta e shqiptarëve bëhet çdo ditë e më e vështirë.

“Mendoj se ky lajm i fundit flet vetë. Ja, cila është zgjidhja që mendon se ka qeveria! Zgjidhja nuk është të hapë sytë e t’i japë fund verbërisë politike, të hapë veshët e t’i japë fundshurdhërisë politike, të nisë dialogun e t’i japë fund bunkerizimit dhe mungesës së transparencës, zgjidhja është që palën tjetër, atë që ngre problemin ta denigrojë deri në largim nga puna. Këtë qëndrim e shohim në mënyrë të përsëritur, në çdo fushë, në çdo sektor dhe grup interesi.

Ne jemi gati, jemi të vendosur dhe të përgatitur që të shpalosim bashkë me ju një aksion të gjerë politik, do të jemi në ballë të një aksioni të gjerë politik, në mënyrë që kësaj qeverie të papërgjegjshme dhe arrogante t’i tregojmë se nuk mundet më të ecë përpara si deri më sot; t’i tregojmë se durimi ka një kufi, se shqiptarët e lirë nuk mund të pranojnë të kthehet pas ora e lirisë, ora e të drejtave të tyre themelore dhe bashkë me të, të kthehet pas mirëqenia e tyre, siguria e tyre, siguria e jetës së tyre dhe e fëmijëve të tyre.

Në momentin që pala tjetër ka hedhur në erë çdo mundësi komunikimi normal, në momentin që pala tjetër ka zgjedhur injorimin apo akoma më keq shantazhin dhe ndëshkimin, penalizimin e zërit përballë, s’na mbetet gjë tjetër veçse të derdhemi në sheshe e në rrugë dhe ta bëjmë shurdhërinë dhe verbërinë e kësaj qeverie zero, me zërin e bashkuar të qytetarëve shqiptarë në protestë, në revoltë, në mbrojtje të të drejtave të tyre themelore”, deklaroi Basha.

Përfaqësuesit e biznesit akuzuan qeverinë se po u bën presion përmes seksereve për shlyerjen e borxheve ndërsa theksuan situatën e rëndë ekonomike në të cilën është futur vendi.
“Problemi më i ndjeshëm dhe kryesor i biznesit në vend, është rënia e konsumit, ose e thënë ndryshe, ulja e xhiros. Mendoj se shkak për këtë është bërë humbja e besimit, mungesa e likuiditetit, dhe këto vijnë nga mefshtësia e qeverisë për të bërë hapat e duhur për të përmirësuar situatën. Humbja e besimit sepse u bë një vit qeverisje e re dhe nuk po shohim asnjë hap të dukshëm dhe pozitiv në drejtim të ekonomisë, asnjë nismë konkrete për thithjen e investimeve dhe në gjithë këtë situatë ajo që duket që është më e preokupuara qeveria më fort është mbushja e  arkës, ose thënë ndryshe zbrazja e xhepave të qytetarëve nëpërmjet rritjes së taksave, tatimeve, rritjes së çmimit të naftës dhe së fundi rritja e çmimit të energjisë. Në fakt këto vendime nuk po mbushin as arkën dhe as ekonomia nuk po përmirësohet dhe si rrjedhim nuk ka se si të rritet konsumi në xhepat e qytetarëve.

Në lidhje me mungesën e likuiditetit, qeveria ka një vit që trumbeton shlyerjen e borxheve  dhe deri tani nuk ka bërë asgjë në lidhje me shlyerjen e borxheve ndaj biznesit, ka mungesë të theksuar të transparencës në lidhje me të. Ajo ka ndërprerë shlyerjen e borxheve që kur ka ardhur në pushtet, dhe ka nisur ankandet e sekserëve, kush jep 20%, kush jep 30% dhe kush jep më shumë do të marrë lekët e veta. 

Në fillim të rritjes së çdo detyrimi dhe takse na vjen më së fundmi, më e pasoportueshmja rritja e çmimit të energjisë. Rritja e çmimit të energjisë do të prekë shumë dhe vetëm shtresat e varfra dhe të mesme, për ta energjia do të rritet dyfish, ne kemi çmimin më të lartë të energjisë në rajon.

Një faktor tjetër që e rëndon shumë situatën ekonomike në vend është edhe situata e rendit dhe sigurisë, pasi kjo humb besimin tek shteti shqiptar. Një veprim shqetësues i qeverisë është ulja e Policisë së Rendit në Inspektoriat Tatimor, ndërkohë që rendi është duke u përkeqësuar në mënyrë dramatike, e vetmja gjë që është rritur ndjeshëm janë gjobat.
Ne nuk mund të ngopemi dhe të rrimë gjithmonë që të shohim që rezultatet e një qeverie janë vetëm daljet në TV dhe vetëm show”, u shpreh kryetari i shoqatës së biznesit të vogël.  
Përfaqësuesi i punonjësve të policisë të larguar nga detyra, Aleks Hajdari, shprehu shqetësimin për shkarkimet masive të mbi 600 oficerëve pa asnjë motiv apo referencë ligjiore, shumica e të cilëve të trainuar nga partnerët dhe organizatat më të njohura të zbatimit të ligjit në botë.

Përfaqësuesi i shoqatës së konsumatorëve, Altin Goxhaj, shprehu shqetësimin për mungesën e transparencës nga ana e institucioneve dhe pamundësinë për të marrë informacion për cështje që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve.

Themeluesja e shoqatës së nëpunësve të larguar nga administrata u shpreh se mijëra specialistë të specializuar dhe të aftë janë hequr nga puna pa arsye ligjore, dhe më e keqja, sipas Qafzezit është se kërkesat e tyre të vazhdueshme dhe protestat që kanë bërë nuk dëgjohen nga qeveria.

Përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar kërkuan gjithashtu më shumë vëmendje nga qeveria dhe u shprehën të pakënaqur nga sjellja e institucioneve në këto 7 muaj.

Përfaqësuesit e pensionistëve u shprehën të pakënaqur nga vendimi i qeverisë për ngrirjen e rritjes së pensioneve, dhe kërkuan rishikimin e këtij qëndrimi.

Sindikata e taksistëve 8 plus 1 u shpreh se ata janë të pasigurtë për të ardhmen e tyre, dhe se nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje me qeverinë. Ata u shprehën se ekonomia e mbi 20 mijë familjeve është në rrezik.

Përfaqësuesit e biznesit, vecanërisht në fushën e ndërtimit, u shprehën se mungesa e investimeve publike nga qeveria ka shkaktuar papunësi dhe varfëri. Gjithashtu, biznesi i ndërtimit u shpreh se pasiguria juridike që ka krijuar qeveria ka frenuar investimet private, dhe në këtë drejtim ka ndikuar edhe rritja e taksave.

Z.Basha pasi dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e ngritura, i siguroi grupimet e sindikatave, të larguarve nga puna, dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile se opozita gjendet në krahun e tyre, i kërkoi të pranishmëve të bëhen pjesë e rezistencës, të protestave kundër shurdhërisë së qeverisë, kundër pandjeshmërisë dhe cinizmit të saj, për të siguruar zbatimin e të drejtave të qytetarëve, zbatimin e ligjit dhe respektimin e shtetit ligjor e demokracisë.

Në përfundim, Basha tha se të gjithë duhet të bashkohemi rreth disa prioriteteve, që janë fëmijët e të papunëve që presin të ushqehen, pensionistët që mezi mbijetojnë, siguria ushqimore, siguria për jetën dhe siguria për pronën, transparenca, lllogaridhënia dhe angazhimi për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të situatës.
Kryetari i opozitës u angazhua që aksioni i përbashkët do ta bëjë qeverinë të japë llogari cdo ditë, jo një herë në 4 vjet, dhe ky aksion do t’ia kthejë qeverisjen qytetarëve.
“Nuk është populli që duhet të ketë frikë nga qeveria, është qeveria që duhet të ketë frikë nga populli”, deklaroi Kryetari i Partisë Demokratike.