Basha: “Zgjedhësit tuaj ju kanë votuar për premtimet që keni dhënë. Nuk ju kanë votuar për të zhbërë demokracinë, për të uzurpuar institucionet e pavarura, për t’i shpallur luftë opozitës, për të lënë Shqipërinë prapa kohe e jashtë Europës”.

 

Bashkë me qytetarët shqiptarë kemi parë shumë këto tetë muaj të qeverisjes Rama-Meta.

Por, po të perifrazojmë një shprehje të njohur të zotit Rama; shqiptarët nuk kanë parë gjë akoma në krahasim me atë që dyshja Rama-Meta u ka rezervuar të shohin këtë javë dhe në ditët në vazhdim.

Java që ka nisur dje ka agjendën më të ngjeshur të kësaj dysheje për uzurpimin e institucioneve të pavarura, për asgjësimin e ndarjes demokratike të pushteteve, për shkatërrimin e bashkëjetesës demokratike me opozitën duke refuzuar konsensusin me të për çështje madhore të demokracisë dhe integrimit europian të vendit.
Gjatë kësaj jave agjenda Rama-Meta ka paralajmëruar dhe kalendarizuar:•    Marrjen e të drejtës së propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së nga Presidenti i Republikës. Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një instrument kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, garanton rolin e saj në luftë për transparencë dhe kundër korrupsionit qeveritar.

Me marrjen e kësaj kompetence tw Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së, e fut atë nën tutelën e vet dhe legalizon kapjen e paligjshme që shumica orkestroi në Kuvend para dy muajsh.

•    Po këtë javë, shumica Rama-Meta ka programuar dhe futur në kalendarin e Kuvendit manipulimin elektoral dhe politik të hartës administrative territoriale të vendit, përmes një pseudoreforme, pa konsensus me opozitën, dhe kundër interesave të qytetarëve. Megjithë thirrjet tona të përsëritura për një reformë të vërtetë, me konsensus dhe për qytetarët, shumica si asnjëherë në këto 23 vite, e përsëris, si asnjëherë në këto 23 vite, refuzoi konsensusin në Kuvend, pra refuzoi bashkëjetesën demokratike.

•    Po dje, shumica i hapi rrugë miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit ku përkundër zotimeve fillestare u tërhoq nga transparenca e Tatim-Taksave, para KLSH. Pra institucioni më i rëndësishëm që mbledh paratë e shqiptarëve, mbledh taksat e tyre, lihet jashtë kontrollit, lihet jashtë transparencës. Ky qëndrim përkon edhe me vjedhjen kriminale të serverit të Tatim-Taksave me bekimin dhe urdhrin e qeveritarëve, dhe mohimin e transparencës parlamentare në mënyrë antikushtetuese, siç e tha edhe Gjykata Kushtetuese para disa javësh.

I gjithë ky revansh i shfrenuar i dyshes Rama-Meta përkon në kohë me amnistimin famëkeq të blerjes së votave në Korçë dhe tregon qartë se çdo tërheqje apo frenim i tyre është taktik, konjuktural, i shtirur. Tregon se nga një vesh ju kanë hyrë e nga tjetri ju kanë dalë sugjerimet dhe vërejtjet e opozitës dhe partnerëve tanë ndërkombëtare. Tregon se dëgjojnë vetëm sirenat e pushtetit absolut për veten e tyre. Tregon se kanë vetëm një gjë në mendje: si të vendosin sundimin e tyre mbi sundimin e ligjit.
Kjo është një javë e zezë për Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Republika Parlamentare e Shqipërisë, demokracia, shteti ligjor po kërcënohet si asnjëherë tjetër deri më sot nga rreziku i zëvendësimit me oligarkinë Rama-Meta.

Ndërkohë, edhe për kalendarin pas kësaj jave, dyshja Rama-Meta ka rifutur në programin e Kuvendit ndryshimet e njëanshme anti-reformë të ligjit të Nëpunësit Civil dhe po qarkullon projektligje për uzurpimin e kompetencave  të  Presidentit të Republikës në cilësinë e Komandantit të Forcave të Armatosura, projektligjin  për antireformën në Policinë e Shtetit dhe për kapjen e shërbimeve inteligjente.

Ky është momenti i një alarmi të madh për gjithë popullin shqiptar që ka dhënë dhe ka investuar shumë për demokracinë, për shtetin ligjor, për liritë dhe të drejtat njerëzore, dhe nuk mund të lejojë kurrsesi marrjen peng të këtij udhëtimi të madh 23 vjeçar drejt të ardhmes evropiane nga oligarkët e qeverisë, nuk mund të lejojë kthimin prapa.
Unë jam sot këtu për të informuar e ndarë me publikun, me qytetarët, me të gjithë burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të reja e lirë të këtij vendi, këtë alarm.
Jam këtu për të denoncuar publikisht autorët e këtij revanshi të pashembullt.

Jam këtu për t’i paralajmëruar në emër të Partisë Demokratike, në emër të opozitës shqiptare, në emër të gjithë shqiptarëve që kanë në zemër e në mendje idealet e lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, Shqipërisë europiane, paqes dhe mirëqenies në vend:

Hiqni dorë!
Hiqni dorë nga kapja e shtetit!
Hiqni dorë nga zhbërja e demokracisë parlamentare!
Hiqni dorë nga agresioni kundër votës së lirë dhe të barabartë!
Zgjedhësit tuaj ju kanë votuar për premtimet që keni dhënë. Nuk ju kanë votuar për të zhbërë demokracinë, për të uzurpuar institucionet e pavarura, për t’i shpallur luftë opozitës, për të lënë Shqipërinë prapa kohe e jashtë Europës.

Partia Demokratike, opozita, populli shqiptar nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim projektin tuaj ogurzi të oligarkisë.