Deklarata e plotë e deputetit të PD-së, Eduard Halimi:

Deklarata e plotë e deputetit të PD-së, Eduard Halimi: “Fakte tronditëse dolën sot në mbrëmje në sytë e gjithë shqiptarëve, për manipulimin e paturpshëm të votimit në Korçë, për blerjen e zgjedhjeve, për shkeljen e Ligjit dhe të Kodit Zgjedhor. E gjithë Shqipëria, pa me sy dhe dëgjoi me veshë se si zyrat e Partisë Socialiste në Korçë paguanin ditën me diell 20 mijë lekë për çdo votë njëlloj si në 23 qershor. Me zë e me figurë, u kapën pagatorët qeveritarë, duke shpërblyer me 20 mijë lekë të vjetra votën në favor të Partisë Socialiste. Zakoni i keq i socialistëve mesa duket vazhdon. Denoncimi i “Fiks Fare”, është dëshmi e qartë se Qeveria e sheh votën e qytetarëve si një mall që duhet blerë. Ky denoncim dhe pohimi me zë në zyrat e PS në Korçë, është një tregues tronditës se kjo metodë e Partisë Socialistëve dhe e klientëve të saj financues të fushatës u përdor edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Shihni çfarë ndodhi në Korçë. Me gjithë praninë e ekzagjeruar të qeverisë në qytet përpara dhe gjatë zgjedhjeve, me gjithë presionin ndaj kujtdo të punësuari, sërish Edi Rama dhe të tijtë nuk ishin të qetë, dhe futën në lojë zakonin e tyre të vjetër, blerjen e votës me paratë e krimit. Dhe pavarësisht gjithë këtyre metodave kriminale e të neveritshme, në këto zgjedhje u shënua rekordi historik i mospjesëmarrjes, si protestë e heshtur e qytetarëve të Korçës. Partia Demokratike e konsideron blerjen e votës si shkeljen më të rëndë të ligjit, krimin me te rende elektoral, si goditjen më të egër ndaj elementit bazë të demokracisë që janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim të plotë e të gjithanshëm, të sekuestrojë menjëherë të gjithë dokumentacionin dhe regjistrat qe u panë nga të gjithë shqiptarët në zyrat e PS në Korçë dhe të kërkojë ndërshkimin më të ashpër ndaj të gjithë ekzekutorëve, organizatorëve, urdhëruesve, përfituesve dhe financuesve të këtij akti të rëndë. Partia Demokratike kërkon anulimin e zgjedhjeve në Korçë dhe përsëritjen e tyre, me kusht që të ofrohen garanci nga vëzhguesit, që Rama dhe të tijtë të heqin dorë nga zakoni i blerjes së votës siç u pa sot qartë nga të gjithë shqiptarët”. Pamjet e videos të transmetuar në televizion ku faktohet blerja e votës, klik: http://we.tl/jeRrqpZDdn