Kryetari i PD, njëherazi kryetar i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka uruar sot besimtarët myslimanë, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Urimin e tij për çdo shqiptar, pavarësisht nëse jeton brenda apo jashtë kufijve administrativë, zoti Basha e përcolli nga selia e Komunitetit Mysliman.

Zoti Basha kujtoi se janë aktet e mira, të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por me qëllim për të lënë diçka të mirë, ato që e bëjnë shoqërinë të ecë përpara.

“Çdo besimtari mysliman shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë e Preshevës, shqiptarëve që jetojnë kudo në botë, dua t’u uroj: “Gëzuar Kurban Bajramin”! Sjelltë kjo festë sa më shumë gëzim, hare dhe po kështu shëndet e harmoni, për gjithsecilin prej jush, familjet tuaja dhe për çdo shqiptar! Kjo është një ditë kur kremtohet dashuria për Zotin dhe dashuria për njeri-tjetrin, si një forcë më e madhe se dashuria për vetveten. “Zoti na ka bërë sprovë për njeri-tjetrin”- thotë Libri i Shenjtë, ndaj si kjo ditë, çdo ditë duhet të kujtojmë se janë aktet e mira, të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por me qëllim për të lënë diçka të mirë, për të bërë diçka të mirë, për njeri-tjetrin, për familjen, për shoqërinë, ato që e bëjnë shoqërinë të ecë përpara dhe që u falin lumturi, prindërve, fëmijëve dhe mbarë qytetarëve. Dua të falënderoj me këtë rast, të gjithë besimtarët, imamët dhe Klerin, të cilët bënë të mundur kremtimin e kësaj dite edhe sot, ndonëse në kushte jo optimale dhe shpresoj me ndihmën e Zotit, në vitet e ardhshme, çdo sprovë e mbetur, të tejkalohet me sukses!”

Duke iu përgjigjur interesimit të medias, lidhur me projektin e Xhamisë së madhe, ndërtimi i së cilës u ndërpre vetëm pak ditë para kremtimit të Kurban Bajramit,  zoti Basha ka uruar që qeveria dhe Komuniteti Mysliman të arrijnë të shndërrojnë në realitet ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës, i lënë në harresë për dekada me radhë.

“Pa dyshim, ka qenë një sprovë e madhe, një sprovë të cilën Bashkia e Tiranës, pas dekadash harrese e kaloi me sukses. Xhamia nisi punimet. Siç e dini, pas kësaj ka pasur një vendim i cili ka ndaluar punimet. Tashmë, çështja është midis Komunitetit Mysliman dhe qeverisë dhe unë uroj me gjithë zemër që projekti i Xhamisë të ecë përpara” – theksoi z. Basha.

Zoti Basha ka përcjellë urime për begati, shëndet, mbarësi dhe dritë për besimtarët myslimanë dhe çdo shqiptar, edhe nga selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Zoti Basha uroi që së shpejti të inaugurohet edhe tempulli i tyre, kryeqendra botërore e bektashizmit.

“Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, sot dua t’i drejtoj një thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave të këtij komuniteti të cilët përfaqësojnë pa dyshim një ndër virtytet më unike të kombit tonë, atë të tolerancës e gjithpërfshirjes dhe t’i uroj “Gëzuar festën e Kurban Bajramit!”, t’u uroj dhe shpresoj sa më shpejt të inaugurojmë edhe tempullin e tyre, kryeqendrën botërore të bektashizmit. Uroj që kjo festë, bashkë me lajmet e mira, të vazhdojë të rrezatojë dritë dhe mirësi, jo vetëm mbi pjesëtarët e këtij komuniteti të madh dhe të shtrirë anembanë Shqipërisë dhe trojeve shqiptare por mbi çdo shqiptar të çdo besimi fetar, mbi çdo shqiptar, krijesë dhe besimtari të Zotit!”