Deklarata për mediat e zëdhënëses së PD-së Laura Vorpsi:

Me keqardhje vërejmë se argumentet e shumtë ligjorë e politikë të opozitës drejtuar dje me shkrim kryeministrit Rama dhe kryetarit të Kuvendit Meta kanë rënë në veshë që nuk duan të dëgjojnë.

Partia Demokratike përsërit se siç përcakton neni 101 i Kushtetutës, Akti Normativ nuk mund të ndryshohet nga Kuvendi. Ai ose miratohet siç ka ardhur, ose rrëzohet. Ndaj ndryshe nga rasti i një projekt-ligji që mund të ndreqet përmes procesit parlamentar, kjo është e pamundur me aktin normativ.

Është mazhoranca pra ajo që ka vënë kushte, dhe jo opozita. Shtyrja gjashtë muaj e hyrjes së ligjit në fuqi është kushti që Rama i ka vënë opozitës dy javë para se të conte ftesën për dialog.

Opozita nga ana e saj nuk ka vënë asnjë kusht, por i kërkon zotit Rama të heqë kushtin e tij, pra të tërheqë aktin normativ për të mundësuar dialogun.

Opozita i ka opsionet e zgjidhjes së kësaj krize dhe është e gatshme që nesër ti ofrojë ato në një tryezë parlamentare, por kjo ligjërisht është e pamundur dhe e pavlerë sa kohë akti normativ është në fuqi.

Konsensusi nuk është çështje numrash, por vullneti dhe vlerash të  bashkëndashme. Shqiptarët nuk i dhanë një shumicë të cilësuar kësaj qeverie. Nëse qeveria po tenton të fabrikojë  me marifete ekstrazgjedhore një  shumicë të cilësuar enkas për këtë rast, ky do të jetë një atentat i dyfishtë kundër konsensusit, me pasoja akoma më të rënda për vendin.

Nga qorrsokaku i aktit normativ nuk dilet me verbëri dhe arrogancë, por me mendje të hapur dhe me arsye.