FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në grupin parlamentar, trajtoi çështjet e reformimit të partisë, investimeve të huaja dhe zhvillimeve rreth zonës së Zvërnec, duke kritikuar qeverinë dhe Edi Rama për mënyrën e menaxhimit të territorit dhe projekteve strategjike.
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike po hyn në një ‘etapë të re’, duke theksuar nevojën për ripërtëritje dhe organizim të brendshëm. ‘Rruga e vetme e përmbushjes së misionit tonë kalon në ripërtëritje, vizion, modernizim, organizim’, tha ai. Sipas tij, opozita duhet të forcojë komunikimin publik dhe të kundërshtojë, propagandën e qeverisë, që pretendon se PD nuk ka program.
Duke folur për çështjen e Zvërnecit dhe investimeve të huaja, lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se PD ‘mbështet plotësisht investimet e huaja’, ndërsa u shpreh se, duhen respektuar standardet mjedisore. ‘Ne jemi për investime, jemi për mbrojtjen e mjedisit dhe për njohjen e të drejtës së pronës në çdo metër katror’, deklaroi ai. Ai kritikoi mënyrën e trajtimit të investitorëve në Shqipëri, duke u shprehur se, vendi po humbet investime për shkak të korrupsionit dhe pasigurisë ligjore.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh se, ka një përpjekje të organizuar për largimin e investitorëve nga vendi. ‘Kjo është përpjekja për të larguar investitorin nga më të fundit nga Shqipëria, e koordinuar nga Agasët, Hysentë, koskat e mafies shqiptare’, u shpreh ai.
Kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi projektin e Zvërnecit dhe investimet me ndikimin në mjedis. Ai paralajmëroi se zona mund të rrezikojë atë që sipas tij është një degradim mjedisor. ‘Druhem se mafia shqiptare do ta shndërrojë Zvërnecin në një Ksamil të dytë’, tha Berisha. Ai gjithashtu kritikoi ndryshimet në zonat e mbrojtura, duke pretenduar se qeveria ka ulur sipërfaqet e mbrojtura dhe ka ndryshuar balancat e zhvillimit territorial.
Lideri i demokratëve Sali Berisha u ndal edhe te ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, duke u shprehur se, sipas tij projekti nuk është vendosur në vendin optimal dhe se do të dëmtojë habitatin natyror. ‘Aeroporti aty nuk mund të ndërtohej kurrë, sepse shkatërron habitatin e shpendëve’, tha ai. Berisha theksoi se çdo zhvillim në zona natyrore duhet të bëhet sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe me konsultim të komunitetit lokal. ‘Ndërtimet në këtë zonë do bëhen në përshtatje të plotë me peizazhin’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:
Zonja dhe zotërinj deputetë.
Ne pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re.
Në një kohë të re në të cilën kërkohet që çdonjëri prej nesh të përsërisë nga mëngjesi në darkë, jo një, por qindra herë fjalën: ripërtëritje, vizion, modernizim, organizim.
Rruga e vetme e përmbushjes së misionit tonë kalon në këto drejtime.
Kilometri i fundit i maratonës sonë do mund të përshkohet me sukses vetëm atëherë kur ne, në radhë të parë ne si deputetë, pas të gjithash ne si deputetë, ne si drejtues dhe më pas drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Demokratike në çdo nivel, do ndalen t’i përsërisin vetes këtë moto.
Dhe çfarë duhet të bëjmë ne?
Kjo është rruga e sigurt që ne të përballemi me sukses me pushtetin dhe regjimin e kalbur të Edi Ramës. Kjo është rruga e sigurt e transformimit të opozitës, e vitalizimit të saj, e mbjelljes kudo të shpresës për shqiptarët.
Rruga e cila çon Partinë Demokratike në përmbushje të plotë të misionit të saj, rikthimit të votës së lirë dhe fitores së saj në zgjedhjet e përgjithshme.
Mendoj dhe besoj se në këtë moto ka gjithçka reale, gjithçka plotësisht të arritshme dhe gjithçka jetike të domosdoshme për ne.
Nuk janë dhe nuk do të jetë askush tjetër përveç nesh që do zhvillojmë, do promovojmë vizionin e kësaj partie.
Nuk është askush tjetër përveç nesh që do modernizojë në çdo segment këtë parti. Nuk është askush tjetër përveç nesh që do riorganizojë plotësisht Partinë Demokratike.
Përgjegjësia është më e madhe se kurrë, përgjegjësi e jashtëzakonshme para shqiptarëve, para demokratëve, para miqve tanë kudo që ndodhen.
Ndaj dhe unë kërkoj nga ju që çdonjëri prej jush të ketë axhendën e tij të bazuar në këtë platformë. Së bashku do përpunojmë standardet dhe kriteret e vlerësimit të punës së secilit prej nesh.
Pse votoi Kuvendi për këtë moto? Votoi se e ndjeu nga shpirti i njerëzve.
Delegatët dhe qytetarët kërkojnë nga ne ripërtëritje, kërkojnë të shumëfishojmë forcën për të paraqitur dhe mbrojtur vizionin tonë, kundër një propagande që mashtron nga mëngjesi në darkë se Partia Demokratike nuk ka vizion, nuk ka program.
Kjo është e pavërtetë, ne kemi një program të shkëlqyer, por armiqtë tanë nuk janë vetëm mediat e kontrolluara nga qeveria që shpifin. Heshtja jonë është e papranueshme.
Ndaj duhet një shumëfishim i të gjithë potencialit tonë në komunikim dhe mbrojtje të vizionit tonë.
Të nderuar deputetë, ne duhet të transkriptojmë në ligje, të gjitha problematikat e mëdha me të cilat përballen qytetarët, me të cilat përballen prodhuesit, me të cilat përballen fermerët.
Të diktuara fund e krye nga korrupsioni edhe vjedhja e qeveritarëve. Dje unë takova një përfaqësues tonin dhe më foli për ambalazhin. A mund ta imagjinoni ju se çfarë gjobë të tmerrshme iu marrin atyre për ambalazhet? Vetëm për ambalazhin, për arkat.
Një sistem hajdutësh, i shndërruar në rregulla se si e si të rëndojnë mbi ta. Po kjo është në çdo sektor, në çdo fushë.
Ndaj dhe ne kemi këtë platformë dhe mbi bazën e saj opozitarizmin në Shqipëri do ta ngremë në një nivel të ri, të paparë ndonjëherë më parë.
Të nderuar deputete dhe deputetë.
Prej disa ditësh është shndërruar në çështje kombëtare dhe ndërkombëtare problemi i Zvërnecit.
E gjykoj të domosdoshme të paraqes dhe njëherë para jush qëndrimin tonë. Qëndrimin tonë. Ta paraqesim haptas me sinqeritet të plotë dhe unë besoj se përputhet plotësisht me programin e Partisë Demokratike.
Kërkoj nga ju mirëkuptimin të kthehemi dy apo tre vite më parë kur është dhënë lajmi.
Që kompania ‘Affinity’ e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Trump, në atë kohë se nuk ishte në pushtet, ka treguar interes të veçantë dhe do të investojë në Sazan dhe Zvërnec, në atë kohë u tha 2 miliardë a diçka e kësaj natyre.
Reagimi im ndaj këtij lajmi ka qenë ky.
Pavarësisht se ai ishte në opozitë, plotësisht dakord. Pse? Që të jemi të hapur me ju. Kam thënë vetëm një fjalë, sepse i ka paratë. Sepse thuhej që fondi Saudit, fondi Saudit i investimeve fondi Saudit, janë fondet publike të investimeve, është fond trilioner. Ai ka triliona dhe natyrisht paratë ishin.
Unë arsyeja bazë pse kam thënë po, ka qenë kjo dhe e kam lidhur me paratë. Me këtë unë absolutisht nuk kisha asnjë dyshim se Edi Rama po blinte influenca politike.
Nuk dyshoja fare në këtë. Por përsëri për mua interesi kombëtar, interesi i vendit dilte mbi këtë. Dilte mbi këtë.
Investimi pasi ishte përzënë kompania Omnix, për të cilën ndjeja këtë keqardhjen më të madhe, që kishte të përgatitur 1.5 miliardë euro investime në Gjirin e Lalzit dhe e përzuri, e kam marrë vesh mbrapa, mafia shqiptare. Mafia shqiptare. Iku ai.
Edhe ai investitor nga Katari ishte me sa di unë. E mori, ia thyen kockat, ia bënë përshesh kockat përfaqësuesit të tij tek ura e Limuthit, Rrumi. Po dikush më thotë nuk iku për këtë, por iku se atje në kufijtë përreth i doli mafia shqiptare dhe tani do marrësh këtë, o do marrësh atë, me një fjalë krejtësisht e përzunë.
Iku! 1.5 miliardë.
Dhe u tha që investimi në Zvërnec është krejtësisht marrëdhënie private. Përsa i përket ishullit, ata që qajnë, elitarët e Sazanit, ata janë një grup hipokritësh, për të cilët le të derdhin lot krokodili sa të duan, se Sazani në mënyrë absolute, se jam marrë vetë direkt edhe paraardhësi im është marrë, Fatos Nano, ia u kemi ofruar investitorëve dhe nuk është një investim i thjeshtë.
Asgjë nuk prishet aty o miq.
Ka në mënyrë të çuditshme Sazani është kjo.
Nuk janë as brigjet as deti, është ajo bimësi e mrekullueshme në një ishull pa ujë.
Bimësia është, ka një bimësi e cila do ruhet. Pra, Sazani është tokë publike.
Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, kanë banuar. Dakord.
Pra ne mbështesim investimin e huaj.
Por ne jemi parti që qëndrojmë plotësisht për respektimin e mjedisit. Dhe, mjedisorëve u them se, është kjo parti e cila zonat e mbrojtura të Shqipërisë i shtriu nga 3% në 16%. Është kjo parti, që i rriti nga 3% në 16%.
Kurse ky që ka ardhur mbrapa, ky ka hequr 110,000 hektarë zona të mbrojtura nga bregu dhe i ka shtuar nja qindra hektarë në malet mbrapa Dajtit.
Sepse tani, gjoja sipërfaqja e mbrojtur qenka 17% thonë. Ama ç’ka bërë?
Të gjitha ato që ishin për t’u mbrojt i ka heq nga zonat e mbrojtura dhe ka futur, nuk them se s’janë, ka futur pastaj vargmalet nga Dajti gjer në Bulqizë.
Mirë, dakord, po problemi është se ku janë shanset.
Tani, përsëri në këtë, pra ne jemi, kemi qenë, mbetemi parti e mbrojtjes duke konsideruar mjedisin të barabartë me shëndetin e njeriut.
Por Bashkimi Europian, që në vitin 2000, në dokumentet e saj ‘Natura 2000’, ka të përcaktuara qartë të gjitha qëndrimet që mbahen ndaj rezervateve të paprekshme, që Shqipëria ka vetëm dy të tilla, Lumin e Gashit dhe Karrdhiqin, s’ka të tjera.
Ndaj zonës së dytë, që janë parqet kombëtare e të tjera, gjer te zona e pestë që janë peizazhet natyrore.
Peizazhet natyrore.
Tani miq, çdo njeri që njeh Shqipërinë, unë besoj, edhe mund të jem i gabuar, po vend mbi tokë
me peizazhe natyrore më shumë se Shqipëria nuk ka. Nuk ka.
Nga mali i Milesë, gjer në Çerem, gjer në Markofshe, Dobërdol, Theth, Vermosh, në të katër anët. Nuk ka një vend tjetër të ketë peizazhin dhe të jetë peizazh si ky vend.
Zvërneci, Pishporo, kudo.
Atëherë, atëherë, cila është detyra numër një e qeverisë? Detyra numër një e qeverisë të bëjë çdo gjë për të ruajtur mjedisin. Dhe zhvillimi, zhvillimi në konceptin tim, të bazuar në dokumentet e Bashkimit Europian, zhvillimi në përputhje me peizazhin mjedisor.
A mund të zhvillohen në zonat e peizazhit? Mund të zhvillohen.
Është e njohur, Bashkimi Europian ka përcaktuar, më falni, ka përcaktuar standardet se si zhvillohet zona e peizazhit.
Ka vlerësim, në katër shkallë kalon vlerësimi për zhvillimin e zonave të peizazhit. Janë të njohura këto. Pra, doktrina nuk e përjashton, sidomos ne se a mund të themi ne tani që t’i lëmë të ndërtojmë vetëm në shkrepa ose në prozhme? P
ra, por ne duhet t’i zhvillojmë ato në përputhje me peizazhin, në përshtatje të plotë me peizazhin.
Nuk ka qeveri që mund të privojë shqiptarët nga zhvillimi në përputhje me peizazhin i zonave të peizazhit natyror. Janë të pafundme miq.
Po ju jap një shembull këtu. Thethi dhe Valbona, jo në peizazhe, janë në parqe kombëtare të dyja. Mund të ketë dhe gjetiu. Po ama, a nuk është një barbari ajo që ka ndodhur në Ksamil?
Imagjinoni tani, çfarë i druaj unë, duhet të jemi të hapur me ju këtu.
Zvërneci.
I druhem jashtëmase se mafia shqiptare do ta shndërrojë në një Ksamil të dytë.
Nuk e dini, është e pamëshirë! Dhe ajo do ishte dramë e vërtetë për ne.
Nga një bizhu e vërtetë botërore, mund të shtrohet në një Ksamil të dytë.
Një Ksamil të dytë. Pse e druaj unë këtë gjë?

Po cili do kishte qenë qëndrimi i Partisë Demokratike, i qeverisë sonë dhe i yni në raport me Zvërnecin?
Unë ju them, jo, ai peizazh ne do ta zhvillojmë. Në përputhje me peizazhin. Në kushte të plota, po aeroportin aty s’e ndërtonim kurrë. Kurrë. Që të jemi këtu të qartë, zotërinj deputetë duhet të jeni shumë të qartë.
Më falni, kontrata me aeroportin do të përfundonte nga viti 2017 apo 2016 s’mbaj mend tani mirë dhe ne po përgatiteshim për të ndërtuar aeroportin e Vlorës. Dërguam grupin ne.
I ndjeri Sokol Olldashi krijoi grupin. Dhe grupi u kthye. Aeroporti nuk mund të ndërtohet aty ku ka qenë ushtaraku.
Aeroporti, sipas këtij grupi multidimensional, do të duhet të ndërtohet te kthesa e Levanit. U gjet toka për ndërtimin e tij, nuk kishte asnjë lidhje as me lagunën, as me Vjosën, as me Pishporon dhe i shërbente jo vetëm Vlorës, por i shërbente Beratit, i shërbente Gjirokastrës, i shërbente Jugut, i shërbente dhe Fierit të kompletuar me një fjalë.
Ishte dhe më i fizibël. Të njëjtën gjë dhe në fakt pothuaj të njëjtit grup ekspertësh ishin po ata, krijoi dhe lubia në 2017-ën.
Dhe ata u kthyen dhe i thanë domethënë 80% e atij grupi, ishte me mendimin se aty nuk mund të ndërtohet aeroporti. Nuk mund të ndërtohet aeroporti sepse shkatërrohet habitati i shpendëve.
Propozuan që aeroporti të ndërtohet te kthesa e Levanit. Toka pafryt ishte aty, çdo gjë ishte e mundur. Ata i nxorrën me lecka.
Sepse Edi Rama kishte vendosur që të ndërtonte aeroportin aty ku kishte zbritur me baba Pilon me avion kur shkonte në Dhërmi.
Dhe u rikthye tek instinktet e tij.
Aty aeroporti përmbytet. Ju them unë, me fakte përmbytet.
E dyta, Një aeroport me një trafik, shkatërron përfundimisht habitatin e shpendëve. Ikin. Avionët vijnë mbi lagunë. Imagjinoni ju tani se si mund të rrinë aty shpendët më. Pra, një kjo. Çfarë ndodh tani që ta dini miq?
Për çdo investim të huaj bëmë një ligj. Bëmë një ligj, sipas të cilit kur qeveria miratonte projektin, jo projektin, planin, idenë e investimit, bazuar kjo në dokumente shtetërore zyrtare të kadastrës, origjinale jo të falsifikuara, atëherë asnjë njeri nuk mund të kishte asnjë pretendim ndaj investitorit, përveçse ndaj shtetit.
Të gjitha pretendimet ndaj qeverisë. Pse e bëmë këtë? E bëmë këtë se i merrnin peng.
Vinte i huaji, investitori i huaj, edhe blinte tokën, i bënte të gjitha veprimet, i dilte i forti. I thoshte ‘jo s’janë të tuat këto, o kaq ose këtu s’mund të ngulësh dot ti’.
Që kur bëmë këtë ligj, i forti nuk i thotë më tokën, nuk i afrohet dot asnjë investitori. Kishte pretendim, mund të ndodhi që vërtet ka parregullsi në dokumente, hajde tek ne.
Të paguajmë, të dëmshpërblejmë me çmimin e tregut çdo metër katror. Çfarë ka bërë ky zotëria? Ky e injoron këtë. E injoron, prandaj dhe ikin investitorët njëri pas tjetrit.
Absolutisht asnjë investitor i rëndësishëm, përveçse një në kushte ultrakorruptive, është tjetër ai do të dalë kjo. Nuk ka investuar në Shqipëri gjatë 13 viteve.
TAP-i është gjithçka kontratë e qeverisë së mëparshme, Devolli është kontratë e qeverisë së mëparshme, Fani është kontratë e qeverisë së mëparshme, Ashta e ndërtuar. Pra ikin.
Ky zotëria në këtë proces që duhet të ishte një zhvillim, ta quajmë festiv për shqiptarët, që investoheshin dy miliardë apo tre miliardë sa thotë tani, ky e ka shtruar këtë në procesin më të mbyllur.
Më të mbyllur.
O zotëri, aty është, pavarësisht se si e ndryshon ti ligjin, po aty është peizazh i mbrojtur. Ç’është kjo që sa të duash ti, natyra ashtu e ka atë.
Atëherë do ulesh me mjedisorët dhe do u japësh garanci. Do t’u thuash që ju nuk jeni që të ndërtohet fare, ne do ndërtojmë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Hajde t’i bëjmë llogaritë, ka pra, ‘Natyra 2000’ përcakton qartë ato. Se ky jep e thotë jo ajo, Porto kjo, Porto ajo.
Ka të përcaktuara, më kupton apo jo?
Dhe kjo zonë e bën Shqipërinë të famshme në botë. Absolutisht e bën. Jua them unë se është një zonë fantazi natyrore. Është një mrekulli, mrekulli. Po e bën të famshme me kusht që mos ta shëmtosh, mos ta shkatërrosh, me kusht që ta zhvillosh në përputhje me të gjitha kushtet. Nuk flet ky.
Herën e fundit, në fjalën e tij tha, ‘Unë’ tha ‘ju kam thënë atyre që të zgjidhin problemet me pronarët’. A e dini si është puna e pronarëve është aty t’ju them unë ju?
Dy burime më thonë, që në qoftë se merr pretendimet e njerëzve për pronësi në atë zonë, t’i marrësh të gjitha në sipërfaqe bëhen nja 28 mijë kilometra katrorë.
E si mund ta zgjidhi i huaji këtë a më thoni mua? Si mund ta zgjidhë atë? Me hajdutë si Pëllumb Petriti, Alket Hyseni.
Kur unë i thosha kryemafiozi i Jugut, Ergys Agasi, e të tjerë, ku janë ata? Aty ligji dhe shteti duhet të jetë garanti.
Ndaj dhe me ato frazat që kishte futur ai pardje, që ‘atyre u kam thënë që ato çështjet e pronësisë duhet t’i zgjidhni ju’. Aty s’ka njeri që i zgjidh çështjet e pronësisë.
Po shko atje pyesni njëherë, s’i zgjidh dot kush. Po pse s’i zgjidh dot kush? Sepse kanë ndryshuar 17 drejtorë kadastre në Vlorë. Vetëm për këtë arsye, nuk ndodh në botë, je në Guiness.
Kryen porosinë, ik. Merr një strajcë me para. Emëro tjetrin, kryen porosinë, ik, merr një shpërblim me para.
Atëherë, aty duhet të jetë shteti që duhet të garantojë. Nuk i thuhet fare siç thotë ai që ‘unë ja u ktheva këtë projekt’. Jo, jo, qeveria ka detyrim. Kur vendos, të thotë ‘ndërtimet në këtë zonë, peizazh natyror, do bëhen në përshtatje të plotë me peizazhin’.
Nuk i thuhet fare, siç thotë ai që ‘unë ua ktheva këtë projekt’, tha, ‘jo, jo’.
Qeveria ka detyrim kur vendos, të thotë: ndërtimet në këtë zonë, peizazh natyror, do bëhen në përshtatje të plotë me peizazhin.
Ua them unë ju, edhe në parqet më të mbrojtura ka ndërtime në përshtatje me peizazhin.
Ka hotele në përshtatje me peizazhin, ka vila në përshtatje me peizazhin. Po ky këto si bën.
Ndaj dhe shqetësimi i përgjithshëm, zero transparencë. Kishit parë ju ndonjëherë?
Pyeteni pak memorien tuaj: keni parë ju zonë të rrethohet, të zhvillohet, të rrethohet me tela me gjemba? Po si mund të ndodhi kjo? Si mund të ndodhi kjo?
Çfarë po ndërton ti aty? Kamp përqendrimi po ndërton? Dhe bën sikur s’e ka ditur. E ka urdhëruar vetë.
Telat me gjemba i ka urdhëruar vetë. Atë që ndodhi, e kapën tjetrin, e rrëmbyen, tjetrin jashtë rrethimit. Kush gënjeu? Gënjeu Skënder-Balluku.
Gjersa dolën videot e aktivistëve, të cilët faktonin që ai ishte jashtë rrethimit. Shkuan, e kapën. Të dënueshme përpjekjet për ta paraqitur këtë si një përpjekje të Greqisë.
Së pari njëherë, banorët e Zvërneci, ai që ndihet shqiptar, ndihet shqiptar, ai që ndihet grek,
ndihet grek. Jeton në një vend që ka të drejtë të plotë të mbrojë identitetin dhe origjinën e tij.
E thoshte njëri shumë bukur aty: unë jam shqiptar dhe jam grek. Pikë.
Çfarë kemi ne me atë?
Po përçmim dhe përbuzje më të madhe se aq sa që të çosh telat me gjemba ti aty. Kjo është ajo oferta miqësore që u bën ti atyre? Çfarë po bën ti aty? Pushtim po bën ti aty në Zvërnec?
Ti po bën një investim që ata duhet ta pëlqejnë dhe të jenë të sigurt që në qoftë se aty bëhej, ndiqej ajo praktikë që përcaktojnë ligjet.
Praktika që përcaktojnë ligjet. Ju garantoj se s’ndodhte kurrë kjo.
Ligjet përcaktojnë, konventa e Aarhusit kërkon komuniteti, ulesh me komunitetin, t’i shpjegosh komunitetit: kaq do përfitojmë.
Kemi patur rastin e hidrocentralit të Devollit, kompania merrte përsipër shërbime ndaj komunitetit, ndërtime ndaj komunitetit dhe kudo. Po kështu, kjo është praktika. Në vende jo diktatoriale kështu veprohet.
Kurse ky i detyron ata, e detyron atë tjetrin të flasë me fytyrë nga rrethi i ullirit, nga frika.
Po, e patë? I bënte intervistën, i kthyer me fytyrë që të mos dilte edhe fliste në mënyrë të arsyeshme.
Po ama kishte frikë, tregonte fytyrën.
Shiko çfarë ka mbjellë ky atje. Pra, zero marrëdhënie publike, transparente dhe zbatim.
Në fund, unë e thashë dhe në parlament, po jua them dhe ju këtu: kjo është përpjekja për të larguar investitorin nga më të fundit nga Shqipëria.
Dhe ju garantoj që kjo përpjekje është e koordinuar nga Agasët, nga Hysentë, nga koskat mafioze të mafies shqiptare.
Ne qëndrojmë, jemi për investime, jemi për mbrojtjen e mjedisit, jemi për mbrojtjen dhe njohjen e të drejtës së pronës në çdo metër katror, të dëmshpërblimit.
Në qoftë se banori ka marrë tokën me 7501-shin, shikoni tani, banorët akuzojnë një padrejtësi
të padëgjuar, shumë të madhe, që e vërteta është se shkon dhe deri tek qeveria jonë në
kuptimin që: i kanë marrë, thotë, formularët e 7501-shit, por na thanë se e keni në përdorim.
Tani, kjo do hetim, kjo do hetim. Por toka e ndarë me 7501-shin është dhënë absolutisht në pronësi dhe vetëm në pronësi.
Toka e fermave bujqësore është absolutisht në përdorim dhe u është dhënë dy vite më prapa me një dekret presidencial, u është dhënë në pronësi të gjithë fshatarëve që kanë qenë punonjës në ferma.
Ndonëse ajo, për hir të së vërtetës, në një pjesë të mirë të saj ishte tokë shtetërore, se ishte çel, male të hapura e kështu me radhë. Por, e nisur nga e drejta e posedimit, kur e ke punuar për shumë vite, edhe në ligjet e vjetra shqiptare është ajo, kur e ke punuar shumë vite të lind një e drejtë tjetër dhe ne ua dhamë atë.
Tani pse u kanë dhënë atyre, kush i ka aty, çfarë po ndodh? Nuk e di, do sqarohet. Unë e dëgjova njërin prej tyre, tha i kam shkruajtur dhe Sali Berishës tha, dhe ai nuk gënjeu. Ka shkruajtur me siguri, m’ka kthyer përgjigje tha.
Por, kjo çfarë ka. Kjo ka zgjidhje. E ke formularin? Po. Urdhëro paratë. Metër për metër, për çmimin e tregut. Se investimi është interes i mbarë Shqipërisë.
Nuk flasin me ta. Shkojnë e rrethohen aty edhe nuk thotë një fjalë. Kush tha që mund të pranojë në këtë mënyrë. Dhe flet tjetri me kamerë mbas shpine nga frika.
Pra, ne dënojmë dhunën, respektojmë të drejtën e çdo njeriu për protestë.
Natyrisht, ne i mbështesim absolutisht investimet e huaja.
Ne respektojmë dhe mbështesim të drejtën e pronarëve në çdo metër katror.
Sikundër, të gjitha standardet e kërkuara në zhvillimin e zonave të peizazhit natyror, ose dhe zona të tjera të mbrojtura, të cilat janë tashmë të njohura, ne kërkojmë që ato të respektohen.
Dhe jam i bindur, jam i bindur se ata që vizitojnë atë zonë, ata e kuptojnë që madhështia, e vërtetë e zhvillimit të asaj zone qëndron në respektimin e peizazhit.
Po, respektimi i peizazhit nënkupton të ruash një për një pemët, bimët, të marrësh masat të mos shqetësosh habitatin. Gjer dhe në krijime të sipërfaqeve ekuivalente të habitateve në zona të tjera.
Janë të përcaktuara, i ka të përcaktuara legjislacioni europian, i ka të përcaktuara shumë qartë këto. Po ky siç e ka që ka interesa, ai është si një kuçedër i pangopur, në asgjë. Kush i merr vesh ato se çfarë bën ky.
Pra unë e quajta të nevojshme të bëj para jush këtë sqarim.
Thashë dhe njëherë, njerëzit duhet ta kuptojnë se nuk ka mafie më të pamëshirë se ajo që e bëri Ksamilit ashtu siç e bëri. Se ajo që bëri Gjirin e Manastirit, e të tjerë.
Dhe po të jetë puna, për të shkatërruar peizazhe e mjedis, barbaritë e mafies shqiptare kanë kufi vetëm qiellin.
Duhet të jemi të guximshëm, duhet të jemi të sinqertë, duhet t’i themi gjërat siç janë.
Nuk na e kanë prishur, nuk na e kanë bërë Ksamilin të huajt në atë mënyrë.
Nuk e bëjnë Gjirin e Manastirit të huajt. s’është e vërtetë tha.
Kurse përsa i përket atyre grupeve të opozitës kundër opozitës, ata janë mjerimi, mjerimi i vërtetë i politikës dhe i qytetarisë shqiptare.
Nuk duhet t’ia u varim fare.
Faleminderit.

