Zgjedhjet e 14 majit/ Berisha thirrje qytetarëve: Dilni masivisht në votime dhe votoni për ndryshimin!

DEKLARATA PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË SELI

EKSTRAKT

Në një deklaratë për media, Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin masivisht në votime më 14 maj, dhe të votojnë për ndryshimin.

Lideri i opozitës u bëri thirrje në tërësi punonjësve të administratës, anëtarëve të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, dhe ccdo qytetari shqiptar që të votojnë ndryshimin dhe të mos ndjekin më Edi Ramën, të mos votojnë për këtë monizëm të plotë.

Një thirrje tjetër e rëndësishme e Kryetarit të PD, Sali Berisha ishte për të rinjtë që po braktisin vendin ccdo ditë. Berisha tha se këto votime janë për ndryshimin e jetës për ta, të bashkëmoshatarëve të tyre, dhe familjeve të tyre.

FJALA E PLOTË

Mirëdita!

Populli shqiptar thotë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Kështu provohet edhe premtimi i Edi Ramës për rritjen e rrogave, por këtë e ka provuar çdo shqiptar.

Unë jam sot këtu për një mesazh me të cilin dua t’iu drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë, demokratëve, qytetarëve të pa parti, socialistëve, të marrin pjesë ditën e diel në votime. U drejtohem me këtë rast në radhë të parë të rinjve të vendit.

Të gjithë të rejat dhe të rinjtë të cilët janë sot në Shqipëri, i ftoj të votojë më 14 maj ndryshimin, të votojnë të ardhmen, të votojnë për veten e tyre, të votojnë për bashkëmoshatarët që kanë braktisur Shqipërinë për shkaqe të lidhura direkt me politikat e Edi Ramës.

U bëj thirrje motrave, nënave, grave, vajzave të marrin pjesë më shumë se kurrë në këto zgjedhje. Të bëjnë gjithçka, që këto ditë që na ndajnë të jenë ditë përkushtimi të madh për të bindur edhe qytetarin e fundit që të votojë më 14 maj, të votojë ndryshimin.

Vota për ndryshimin është votë që çel dyert për një gjendje më të mirë ekonomike, për një konsolidim të familjes shqiptare. Për rroga më të larta, për shkollim më të, mirë për fëmijët, për kujdes shëndetësor më të mirë. Kiu bëj thirrje të gjithë burrave të marrin pjesë në këto votime, dhe të votojnë ndryshimin, sepse alternativa tjetër është humbja e vendeve të punës dhe largimin nga Shqipëria.

Biznesmenëve, gjithashtu iu bëj thirrje të votojnë ndryshimin që të çelin rrugën, të çelin dyert për një politikë të re fiskale nga kandidatët e Primareve, për një perespektivë reale për ndryshimin e këtij pushteti.

U bëj thirrje fermerëve të marrin pjesë në votime, të votojnë ndryshimin si kushti më themelor për të pasur sukses në fermat e tyre, si kushti i të gjitha kushteve për të pasur ato subvencione që marrin fermerët e tjerë në rajon.

Në tërësi u bëj thirrje punonjësve të administratës, anëtarëve të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të votojnë ndryshimin, të mos ndjekin më Edi Ramën, të mos votojnë për këtë monizëm të plotë.

I garantoj se secili prej tyre që ka zbatuar ligjet, do jetë i respektuar, por vota për Edi Ramën është votë për konsolidimin e narkoshtetit dhe pushtetit absolut të një njeriu të papërgjegjshëm.

Edhe njëherë, thirrja ime është të merrni pjesë në votime, mos dëgjoni njeriun që ka frikë dhe tmerr nga vota juaj. Vetë kjo thirrje duhet të zgjojë te ju përgjegjësinë e madhe që keni ndaj vetes, familjes dhe vendit dhe duhet ta ushtroni atë përgjegjësi me votën tuaj të lirë.

Zoti ju bekoftë! Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale