FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIM ME TË ZGJEDHURIT VENDORË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur të zgjedhurit vendorë dhe këshilltarët bashkiakë në një takim në selinë blu, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit. ‘Kur ia dolëm të marrim 600 mijë vota në 2023, në këto zgjedhje do jemi forcë politike e një fitoreje të thellë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati i ka bërë një skaner buxheteve të miratura nga qeverisja e Edi Ramës në 12 vite, e akuzoi këtë të fundit se ka shpërndoruar 65 miliardë euro. Berisha denoncoi edhe investimin te unaza e madhe, që sipas tij, ka krijuar më shumë trafik edhe për shkak të pallatit të ministrit.
Kreu i PD-së Sali Berisha, në fjalën e tij gjatë mbledhjes me të zgjedhurit vendorë dhe këshilltarët bashkiakë në selinë blu, u ndal edhe te lufta e hapur tashmë në PS mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. ‘Erion Veliaj e mori me vete Edi Ramën për 36 orë! Kemi përballë një kundërshtar të diskredituar’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryedemokratik Sali Berisha, në takimin me të zgjedhurit vendorë dhe këshilltarët bashkiakë, u ndal edhe njëherë tjetër te programi ekonomik i PD-së, duke theksuar se me ardhjen e demokratëve në pushtet, do të vendoset minimumi jetik prej 200 euro dhe kjo shifër do të indeksohet me ligj për çdo vit. Një tjetër pikë e programit ekonomik të PD-së është edhe rroga minimale, e cila sipas Berishës, nuk do të ketë rrogë nën 500 euro në Shqipëri.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal edhe te vota e diasporës, e cila në këto zgjedhje pritet të jetë determinante në përcaktimin e fitores së opozitës. Duke sjellë rastin e një emigranti demokrat i cili kishte regjistruar 500 persona për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, Berisha u bëri thirrje strukturave të PD-së që të ndjekin të gjithë shembullin e tij.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt ju këtu, por dhe të gjithë këshilltarëve të PD-së, qeveritarëve vendorë të saj, zgjedhësve, atyre që u kanë votuar ju dhe t’ju uroj nga zemra një vit plot të mira, shëndet dhe fitore me 11 majin që vjen.
Si fibra institucionale e pushtetit, krahas parlamentit, këshilltarët dhe qeveritarët tanë vendorë janë institucione jashtëzakonisht të rëndësishme të opozitës dhe PD-së.
Me zgjedhjen tuaj si drejtues të qeverive vendore dhe këshilltarë, u shënua një hap i madh në dy aspekte.
PD korrigjoi atë gabim fatal që bëri me zgjedhjet lokale të vitit 2019, por nga ana tjetër PD faktoi apo realizoi të paimagjinueshmen.
Në ç’kuptim? Në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale. Në zgjedhjet e 14 majit 2023 ne hymë në zgjedhje pa vulë, pa flamur, pa emrin e kryetarit në fletë votimi, pa asnjë qindarkë financim. Pa përfaqësues tanë në gjysmën e komisioneve të numërimit.
Dhe ne si opozitë morëm 600 mijë vota, qindra mijëra këshilltarë. Fituam dhe disa nga bashkitë e vendit.
Pra, zgjedhjet që ishin parashikuar të ishin eliminimi përfundimtar i opozitës si faktor elektoral, në fakt shqiptarët provuan të kundërtën.
E vështirë shumë, pavarësisht nga propaganda mashtruese e qeverisë, por unë u them ju se është shumë e vështirë të gjesh një rast të tillë në histori, ku një forcë politike, e privuar nga të gjitha këto, të arrijë një rezultat që arritëm ne me 14 maj.
Në një kohë kur narkoqeveria përdori çdo lloj mekanizmi, përdori shteti elektoral kriminal dhe bandat e tij, përdori propagandën mashtruese, të gjitha këto, por mbi 600 mijë votues shqiptarë votuan kundër saj.
Pse ndalem në këtë analizë?
Ndalem në këtë analizë më së pari për të shprehur bindjen time më të thellë se sot forca politike, e cila në ato kushte, shto edhe izolimin më të thellë, më të pamerituar, ia doli të marrë 600 mijë vota nga shqiptarët, në këto zgjedhje do jetë forcë politike e një fitoreje të thellë. E një fitoreje të merituar.
Nuk kishte asgjë më të pamundshme se në kushtet e një diskriminimi total, e një terrori të vërtetë banditesk, e një shteti kriminal elektoral, e akteve më brutale, me listat, me bandat, me patronazhistët, me aktivistët, etj, të votoheshe nga 600 mijë shqiptarë.
Në historinë elektorale të këtij vendi ajo do mbetet habia elektorale e PD dhe opozitës.
Ku jemi sot?
Në 2023-shin ishim të përçarë, ishim pra pa emër në fletë votimi, ishim pa asnjë qindarkë financim, ishim në përballje me mafien më të rrezikshme të rajonit dhe botës me Xhorxh Sorosin.
Ndërsa sot jo që nuk jemi të izoluar, por jemi forca politike më e mbështetur me tre rezoluta ndërkombëtare, të cilat faktojnë një për një ato që kemi deklaruar përpara shqiptarëve në mënyrën më të përsëritur.
Ju jeni dëshmitarë, me të drejtë qytetarët kanë shtruar pyetjen, si po e mbroni votën, pse nuk po e mbroni votën.
Por sot secili prej nesh i thotë çdo shqiptari se në rast se tre rezoluta ndërkombëtare damkosën zgjedhjet në Shqipëri dhe deklaruan se Shqipëria zhvillon farsë elektorale, se në Shqipëri, shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët, unë mendoj se kjo është mbrojtje botërore e votës.
Jo vetëm shqiptare, por edhe botërore.
Ne ia dolëm t’i japim ndëshkimin e merituar ndërkombëtar atyre që prekën votën e shqiptarëve.
Cilido është i ftuar të lexojë rezolutat që sanksionuan narkoshtetin shqiptar dhe qëndrimin e tij ndaj zgjedhjeve.
Kjo është një arritje shumë e madhe.
Ju garantoj se pa procesin e 14 majit, kjo nuk do mund të bëhej.
Bëri gjithçka Edi Rama që të braktisim zgjedhjet, po të braktisje zgjedhjet do të thotë të braktisje betejën.
Beteja vazhdoi edhe pas zgjedhjeve, gjersa zgjedhjet morën dënim ndërkombëtar.
Pse u ndala në këtë analizë të shkurtër?
U ndala për të theksuar se PD dëshmoi një vitalitet të jashtëzakonshëm.
Përpjekje çnjerëzore u bënë për ta shuar këtë forcë. Ajo u bashkua, është në këmbë më e fuqishme se kurrë, shkon drejt zgjedhjeve më e sigurt se kurrë në fitore.
Për çdo shqiptar, ne sot jemi ata që bëmë avokatinë në radhë të parë të votës së tij.
Por bëmë avokatinë jo vetëm të votës, bëmë edhe avokatinë e pasurisë kombëtare, edhe të fondeve buxhetore.
Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi nuk kanë qenë në tryezën e operacionit siç janë qeveritarët e sotëm.
Secili më i damkosur se tjetri.
Si opozitë kemi bërë opozitën më efiçente që është bërë ndonjëherë në këtë vend. Me dokumente, me fakte.
Por pa asnjë lloj kompromisi.
Komisionet hetimore parlamentare nxorën të gjithë shëmtinë e vjedhjeve të papërmbajtura të qeveritarëve. Edhe tre jetë po të ketë Edi Rama, gur në qafë do mbajë djegësin e Tiranës, 130 milionë euro të zhdukura.
Asgjë nuk do mund ta shpëtojë atë nga ajo vjedhje e padëgjuar ndonjëherë në histori.
Edhe tre jetë po të ketë Edi Rama, afera e sterilizimit me Beqën e tij, me të cilën rritën çmimet e sterilizimit me 83 herë për të vjedhur, nuk i shpëton dot më.
Kurrë, të fluturojë në qiell dhe tokë Lubi Loti, nuk del kurrë, nuk shpëton kurrë nga krimet e shëmtuara që ka bërë duke ndarë një copë rrogë 13 kilometra në 14 lote për të vjedhur në çdo lot, siç bënte Edi Rama me lejet e ndërtimit.
Apo Erion Veliaj, i cili aplikoi në Bashkinë e Tiranës modelin më të padëgjuar të vjedhjes 100 përqind.
Po jo vetëm të vjedhjes 100 përqind të parave të buxhetit, por një krim shumë më i avancuar, të shkatërrimit të dhjetëra pallateve të qytetarëve të Tiranës, për të rindërtuar aty pallate me dyfishin e kateve dhe për t’u bërë miliarder me hotelin më të madh në Shqipëri, 20 kate me xham dhe kristal.
Pra, u zbuluan një nga një lidhjet e forta të krimit, filluan nga Edi Rama me Sinaloan e Meksikës.
Me bandat shqiptare në Aruba, në Dubai.
Për të mos thënë pastaj me Taulantin dhe kompani.
Pra, u ndala në këto për të thënë se opozita qëndroi, pavarësisht nga të gjitha format e presioneve, ajo i bëri gjyqin qytetar me dokumente kësaj qeverie.
Pse po ndalem në këtë? Po ndalem në këto sepse tani ne jemi në prag të zgjedhjeve të reja dhe tani jemi në kushte të pakrahasueshme.
Kemi përballë një kundërshtar të diskredituar, të demaskuar, të frikësuar gjer në palcë për krimet që ka kryer, për vjedhjet e tmerrshme që ka bërë, jo nga ne, por nga vetja e tyre.
Nga ana tjetër është opozita, e cila thashë, edhe në kushtet më të papërshtatshme, fitoi 600 mijë vota. Opozita, e cila shkon ne sigurt drejt fitores në zgjedhjet e 11 majit.
Kemi përballë një kundërshtar në gjirin e të cilit ka shpërthyer lufta e të gjithëve kundër të gjithëve.
Se si e si të mund të kapin peng njëri-tjetrit.
Të dashur miq, kur unë u deklarova 3 javë më parë se Velica e famshme e Harabelit, 4 ditë para se ta bastisnin, i tha shoqes së vet, le të guxojë Edi Rama se Erion Veliaj për tre orë e merr vete, dhe koha provoi se nuk iu deshën tre orë, por brenda 36 orëve, Erion Veliaj e mori me vete. Kjo është e vërteta.
Erion Veliaj me dosjen Zaho Koka apo me dosje të tjera, ato nuk i di unë fare, por di një gjë, që djegësin e Tiranës e kanë vjedhur së bashku, 130 milionë euro.
Di një gjë tjetër, që në këtë tokë nuk ka njeri që di më shumë për gjobat e Edi Ramës për ndërtimet sa ç’di Erion Veliaj. Nuk ka kryeministër në planet që të firmosë lejen për çdo ndërtim në territorin e Shqipërisë si Edi Rama. Të gjobisë për çdo ndërtim në territorin e Shqipërisë.
Këto Erion Veliaj i ka të regjistruara të gjitha.
Ndaj dhe nga një të persekutuar totalisht, që e shihnin si lebros, tani e marrin në krah dhe shkojnë në Itali dhe vende të tjera me të. Kërcen Rama nga sevdaja i thonë kësaj. Po këto janë punët e tyre.
Natyrisht këto janë edhe avantazh për ne, nuk mund të themi jo.
Tani nuk ka paqe midis tyre, jo.
Por ne, ecim të sigurt drejt fitores. Ecim të sigurt drejt fitores sepse ne faktuam që jemi njerëzit që bëjmë të pamundshmen të mundshme. Po!
Së dyti, ne kemi studiuar me shumë përgjegjësi të gjithë problemet e mëdha me të cilat
përballet qytetari shqiptar në këtë qeverisje.
Ju jeni anëtarë të parlamenteve vendore, ju duhet ta dini se narkoqeveria e Edi Ramës ka disponuar 65 miliardë euro.
A mund të imagjinoni ju se ç’do të thotë 65 miliardë euro për Shqipërinë?
Me 65 miliardë euro, nga 2013-a gjer sot, janë shpenzuar për rrogat gjithsej 200 milionë euro. Janë shpenzuar për pensionet gjithsej 220 milionë euro.
Por, në qoftë se marrim rritjen e çmimeve, pra në qoftë se marrim rritjen e çmimeve, çmimet janë rritur nga 10 gjer në 250 përqind të mesatares së BE.
Çka ka bërë që sirenat e varfërisë dhe mjerimit të ulërijnë në mbarë vendin.
Gjë që ka bërë që të zbresin nga njerëzit më të paguar në vitin 2013 në rajon, në njerëzit më të keqpaguar në rajon. Në njerëzit realisht, një pjesë, është tragjike studimi i UNICEF që thotë se 45 përqind e shqiptarëve nuk ushqejnë dot fëmijët me tre vakte.
Ju i keni ndjekur se cila është situata katastrofale në spitalet tona.
Unë ua them ju se qëndrimet e kësaj qeverie ndaj të sëmurëve në spitalin onkologjik janë absolutisht krime kundër njerëzimit.
Në qoftë se ti i lë aparaturat kryesore të mjekimit të këtyre të sëmurëve, ata nuk i merr sëmundja, i merr ti që nuk i mjekon ata. Që i privon nga ilaçet. Po u them ju, me keqardhjen më të madhe, kjo u zbulua nga një gazetar guximtar që ka meritë të jashtëzakonshme për atë që ka bërë. Por absolutisht nuk është vetëm në atë spital ajo situatë. Ajo situatë është e përhapur në shëndetësinë tonë.
Në akt të parë, në vitin 2013, ndryshuan ligjin. Ne nuk lejonim shitjen e ilaçeve që nuk shiten në dy vende të BE. Sa erdhi, për kushërirën e burrit që ndan paratë me të, e anulon ligjin dhe tregu është i mbushur me ilaçe absolutisht shumë të pasigurta. Natyrisht Vilma çdo ditë fiton miliona. Vendosi check-upin, i përjashtoi pensionistët nga check-upi me ligj dhe u jep pensionistëve një pension 170 euro pensioni mesatar në Shqipëri, 450 euro në Mal të Zi.
Le të thotë Edi Rama, si ka mundësi që pensionisti në Shqipëri, një vend me shumëfishin e pasurive të Malit të Zi, merr një pension të paktën tre herë më të vogël se ai. Si ka mundësi që pensioni në Kosovë, një vend sapo ka shpallur pavarësinë, është 30-40 përqind më i lartë se në Shqipëri?
Ju garantoj unë ju, se në qoftë se Shqipëria administroi gjatë këtyre viteve 65 miliardë euro, Kosova nuk ka administruar 30 miliardë euro. Por ka një gjë, çdo qeveri e zgjedhur nga qytetarët, ato të ardhura të mbledhura, ua kthen qytetarëve në radhë të parë. Ua kthen në pensione, në rroga, në shërbime.
Kurse këta i vjedhin, i vjedhin, i vjedhin.
Ndërtojnë rrugë me 10-fishin e çmimeve. Ndërtojnë shkolla me 10-fishin e çmimeve. Djegësi i Tiranës nuk ekziston, dy të tjerët nuk janë në funksion.
Nuk flasin për këto, po t’i dëgjosh, njëherë citon Rama, Lubinë, pastaj citon Lubia Ramën dhe besojnë se ua mbushin mendjen shqiptarëve.
Po nafta? Nafta më e shtrenjtë në Shqipëri se në Singapor. Nuk di një vend të dytë në botë që qeveria të tatojë 1.1 euro për një litër naftë. Ky atë bën!
Plus, një kontrabandë të papërmbajtur. Kosova me 440 mijë automjete, zhdoganon në vit 630 mijë ton naftë, Shqipëria me 870 mijë automjete, zhdoganon 560 mijë ton naftë. Pra, të paktën minimumi 300 mijë kontrandë.
Kjo është situata. Prandaj ikin shqiptarët. Ikin nga varfëria. Prindërit nuk kanë mundësi të mbajnë fëmijët e tyre.
Ky pakësim i tmerrshëm kombëtar ka në bazë vjedhjen e paimagjinueshme të tyre.
Mos harroni, Enver Hoxha, pjesën dërrmuese të buxhetit e fuste në tunele dhe bunkere, ishte paranojak. Kurse këta e vjedhin.
Se të administrosh 65 miliardë dhe të shohësh rrasa guri në disa sheshe të qyteteve të vendit dhe asgjë tjetër, tuneli i Llogarasë 20 km rrugë që i vuri edhe traun, unaza e madhe, e cila në vend që të çlironte trafikun, ka krijuar probleme të mëdha të trafikut sepse përfundon gjithë trafiku në grykë të shishes për shkak të pallatit të ministrit. Sepse aty te ‘Shqiponja’ është pallati i ministrit.
Pra, kjo është gjendja. Mund të flasim gjer nesër, por ne kemi zgjidhjen, ne me qytetarët do flasim për zgjidhjen.
Ne kemi zgjidhje të sigurta.
Dhe ne, iu garantoj ju se kurrë ndonjëherë nuk e kemi ndryshuar këtë vend më shpejt se sa do e ndryshojmë pas 11 majit.
3 muajt e parë ne vendosim paketën e emergjencës, 200 euro për çdo shqiptar dhe këta janë qindra mijëra.
Çfarë do të thotë 200 euro, është shumë? Jo, pak është. Por nuk ka më mjerim.
Me 200 euro ne i themi mjerimit nuk ke vend në Shqipëri.
Me 200 euro për person ne japim mundësi që çdo qytetar t’i ketë gjërat bazë, të mos ketë lista, të ushqehet dhe nuk është kaq.
Ky 200 euro do indeksohet me ligj, pra do indeksohet në përputhje të plotë me rritjen e çmimeve.
Jo vetëm kaq, ky 200 euro do shoqërohet me kartën e konsumatorit. Kjo do të thotë që të gjitha gjërat bazë që do blihen me TVSH, do u rikthehte TVSH-ja.
Thamë, ne do përmbysim shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri. nuk shkohet kështu. Po krijohej një hendek i tmerrshëm i cili ose po i përpinte në mjerim, ose po i degdiste shqiptarët nga Shqipëria.
Tani ne jemi në emergjencë ndaj dhe çdo rrogëulët, çdo person me 200 euro, çdo pensionist do ketë kartën e konsumatorit.
Sa është kjo? Specialistët thonë se është rreth 3 pensione, pra rreth 450 mijë lekë.
Nuk do jetë vetëm kaq. Energjinë elektrike, do rikthehet fasho e mbrojtura, jo me 77 sa ka qenë në vitin 2013, por me 70 lekë.
Do proporcionohet edhe çmimi i ujit. Se çfarë bënë këta? Këta për rrogat e larta u kujdesën në mënyrën më të zellshme. Këta rritën rrogat e larta në Shqipëri sa në Slloveni. Sllovenia ka rrogat më të lartat në rajon, në Shqipëri ka rroga të larta më të larta se në Slloveni. Nuk e bën asnjë qeveritar i përgjegjshëm këtë.
Pra, do shpërndahen të ardhurat. Natyrisht rrogat e larta nuk do rriten gjersa të arriten në proporcionin 4 me 1. Sot është 10, nuk duhej të ishte kurrë kështu.
Tani kemi rrogën minimale. Rroga minimale, për fat të keq është rrogë dominuese në Shqipëri, nuk do jetë më nën 500 euro. Jo. Çdo punëdhënës duhet ta dijë se nuk do mund të paguajë më në territorin e Shqipërisë njeri nën 500 euro. Po vendosim një standard që e ka çdo vend demokratik. Madje vendet e tjera e kanë me orë punë. Kjo është barrë për sipërmarrësit, por i garantoj se do lehtësohen me taksat, me tatim-fitimin, me taksën e importeve, me sigurimet shoqërore. Dhe natyrisht nuk do jetë i humbur nga vendosja e kësaj rroge. Por kjo rrogë do vendoset. Shqiptarët nuk do mund të paguhen më nën 500 euro.
Pra, ne do kemi programin tonë për të përndjekurit politikë.
Kemi punuar, por tani së shpejti do kemi një tryezë për ta se duam të dëgjojmë sugjerimet e tyre.
Do kemi programin tonë për pronarët. Janë rikthyer ligjet e vitit 1945 këtu. Po, po! Marrin fund ato.
Do kemi programin tonë për shëndetësinë, për arsimin. Programet tona do jenë transformuese.
Askush nuk duhet të ketë mëdyshje. Në një buxhet 8.2 miliardë euro, të lësh 16 milionë për pensionistët, nuk ka akt më cinik dhe të pashpirt.
Nafta, ua thashë, nuk do mund të shitet më shtrenjtë, plus minus 10 përqind se Kosova dhe Maqedonia. Ne prodhojmë 1 milion ton, Kosova dhe Maqedonia nuk prodhojnë një kovë naftë. E marrin në Durrës dhe u del më lirë atyre 30-40 përqind.
Pse e bëra këtë analizë? Duhet ta bëni kudo sepse ne më të vërtetë ne mund ta transformojmë shpejt Shqipërinë.
Shqipëria ka nevojë për shpejtësi, ka nevojë për ndryshime të shpejta.
Ne rikthejmë shpresën, pastaj një seri programesh të tjera.
Por të gjitha këto kërkojnë angazhimin tuaj çdo ditë, 24 orë, 7 ditë të javës.
Ju jeni qeveritarët e PD, parlamentarët vendorë të saj.
Në këtë fazë që jemi, pra krahas angazhimit tuaj për programin, detyra juaj është të regjistroni të gjithë problematikat lokale në mënyrë që ato të gjejnë pasqyrim në programin ekonomik, social të PD-së.
Detyra juaj është, lupën mbi këta hajdutë që nuk kanë të ndalur.
Iku Gjushi, ishte lule Gjushi sa vjedh ky Sako. Është si motër siameze me Veliajn. Apo Beneti, Pjerini apo ky i Elbasanit, apo ai Peleshi i Korçës. Pra, kudo.
Sot po hynte dhe dilte ajo e Lushnjes. Këta janë një bandë hajdutësh. Prandaj ju me lupë të gjithë veprimtarinë e tyre.
Koha është e ngushtë, 4 muaj janë, as 4 muaj nuk janë tamam.
Këto zgjedhje kanë një risi të madhe. Vota e emigracionit dhe diasporës.
A na ka gjetur të përgatitur kjo? Jo, nuk mund të themi se nuk kemi praktikë.
Por a është kjo një zhvillim historik? Po, është kjo sepse këtë vit e tutje mbi 1.5 milionë shqiptarë do ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në vendin e tyre, sidomos për ne, që jemi parti e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Tani, ky është një problem shumë më i madh sa mund ta imagjinojnë me, sepse përballë konstituencës kombëtare në Shqipëri që është 28 mijë km katrorë, është planeti. Shqiptarë në të katër anët e tij. Shqiptarë kudo.
Vetëm me angazhimin e secilit prej jush, e çdo drejtuesi, e çdo deputeti, e çdo këshilltari, e çdo
demokrati dhe demokrateje, ne mund të arrijmë ta shndërrojmë votën e emigracionit dhe diasporës në Levën e Arkimedit për fitoren e opozitës.
Nuk i duan këta, ata kanë ikur nga Edi Rama, ata kanë ikur nga vjedhjet e tyre, ata kanë ikur nga mospasja shumica e tyre.
Ja ku e kam këtu grafikun e tyre, i cili fakton se nga viti 2007 deri në vitin 2014, popullata në Shqipëri u rrit nga viti në vit. Nga viti 2009-2012, u rikthen në Shqipëri 180 mijë familje emigrantësh dhe emigrantët erdhën të votojnë.
Pra, ne këtë zbrazje të madhe që i ka bërë Shqipërisë me vjedhjen, ne do e ndalojmë, do e stopojmë. Po kjo kërkon kontributin e të gjithë këtyre që janë larguar, votën e tyre. Dhe ata do mund të marrin pjesë në qoftë se ne i ndihmojmë, orientojmë, kontaktojmë, flasim me ta.
Tani, që të jem konkret me ju, mbrëmë një deputete e jona, Elda Hoti më dërgoi regjistrimin që një demokrat i familjes së saj kishte bërë në Kanada. Sa thoni ju? 500 emigrantë. Këtij demokrati i shpreh mirënjohjen më të pakufishme, ama 500 emigrantë i kishte dorëzuar me listë. Një njeri ishte.
Si i kishte regjistruar? Ai ishte përkushtuar me të gjithë ata që njihte, një zinxhir.
Tani, në qoftë se ne nuk ndjekim shembullin e këtij demokrati, ne nuk i përgjigjemi detyrës që kemi.
Në çdo betejë, nuk ka gjë më të pazëvendësueshme dhe të rëndësishme se shembulli personal.
Edhe ju duhet të udhëhiqni me shembullin personal. Prandaj këtu bashkë do caktojmë një numër që do marrim për çdo këshilltar, i cili mjafton të mbyllë sytë dhe u them që në 98 përqind të rasteve ka rrezik të ketë më shumë jashtë se brenda nga njerëzit e tij.
Por, çfarë faktoi fushata e Donald Trump?
Fushata faktoi se kjo ishte një nga levat kryesore të fitores. makineria elektorale e presidentit Trump u bazua pikërisht në trungun familjar të secilit.
Pra, detyra jote është që të bësh kontrollin e drurit familjar dhe t’i bindësh ata që të votojnë. Në fakt i funksionoi shumë mirë se ka shumë mënyra përballje të tërheqjes në votim, por kjo mënyrë u faktua eficente. Atyre kjo u funksionoi.
Prandaj edhe ne, duke ndjekur procesin, duhet ta shndërrojmë këtë mënyrë në mënyrën kryesore të fushatës.
Me laps dhe letër, të gjithë xhinsin tonë familjar, me krushqi, me akraba, me çfarë kemi e çfarë nuk kemi dhe do e shihni ju si do i shumojmë votat ne.
Ndaj dhe ku janë dhe ku nuk janë shqiptarët, nga Afrika e Jugut, Zelanda e Re, në Kepin e Veriut, ne do bëjmë gjithçka që t’i regjistrojmë dhe mund t’i regjistrojmë.
Bëjmë një mision, i ndihmojmë të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, por i bëjmë bashkëautorë në një rotacion me rëndësi historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!