Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Është tragjik refuzimi i shtëpive botuese për të publikuar librin e Lelës për McGonigalin, por ai u bë monument i së vërtetës dhe apel për shqiptarët e ndërkombëtarët kundër korrupsionit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERIISHA NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË AUTORIT ALFRED LELA ‘MCGONIGAL-HISTORIA E AGJENTIT TË FBI NË TIRANË’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për korrupsion transnacional dhe SPAK-un për mosveprim në hetimin e dosjes shqiptare të ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

Gjatë promovimit të librit me autorësi të Alfred Lelës, “McGonigal – Historia e agjentit të FBI në Tiranë”, ditën e sotme, Berisha e cilësoi botimin si një dokument të rëndësishëm për të kuptuar përmasat e korrupsionit dhe lidhjet mes zyrtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

“McGonigali nuk është një individ. McGonigali është përfaqësues i zyrtarëve të atij niveli, shumë më të lartë se të atij niveli, të niveleve më të larta të ekzekutivit”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi në fjalën e tij emra dhe çështje të tjera, duke akuzuar zyrtarë e ish-zyrtarë për përfitime nga marrëveshjet me qeverinë shqiptare, si dhe për përfshirje në çështjen e fondeve IPARD. Sipas Berishës, fermerët shqiptarë janë lënë pa 140 milionë euro.

Berisha u ndal te dënimi i McGonigalit nga drejtësia amerikane, duke e cilësuar këtë si dëshmi se institucionet amerikane hetuan dhe ndëshkuan veprimet e tij. Në kontrast, ai akuzoi SPAK-un se nuk ka ndërmarrë veprime të ngjashme për dosjen që lidhet me Shqipërinë.

“Për McGonigalin, dosja fle, i ka rënë një okë pluhur dhe asgjë nuk bëhet”, u shpreh kreu i PD-së.

Sipas tij, mosveprimi i drejtësisë shqiptare lidhet me faktin se çështja prek, siç pretendoi ai, kryeministrin Edi Rama.

Një tjetër kritikë e Berishës ishte refuzimi i disa shtëpive botuese për të publikuar librin e Alfred Lelës. Ai e cilësoi këtë si një rast censurimi dhe presioni mbi botën e botimeve. Berisha tregoi se autori i kishte kërkuar ndihmë pasi nuk po gjente një shtëpi botuese të gatshme për ta publikuar veprën, ndërsa e inkurajoi që ta botonte vetë.

“Por libri u publikua dhe libri është monument. Libri mbetet, librat janë monumente”, tha Berisha.

Në pjesën përmbyllëse të fjalës së tij, kryetari i PD-së përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si “narkoshtetin më të konsoliduar të planetit”.

Ai akuzoi gjithashtu zhvlerësimin e lekut, duke theksuar se monedha shqiptare po dëmton ekonominë dhe se institucionet e mediat nuk po i trajtojnë këto probleme me vëmendjen e duhur.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të mos heshtin përballë korrupsionit dhe kapjes së institucioneve.

“Ne duhet të luftojmë, të luftojmë dhe vetëm të luftojmë”, deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se përgjigjen përfundimtare do ta japë sovrani.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe përshëndetje!

Së pari, dua të përgëzoj Alfred Lelën për librin që botoi, guximin që tregoi të transkriptojë në libër njërin nga problemet madhore të kohës, problem nga i cili shqiptarët sot paguajnë çmimin më të lartë, korrupsionin dhe korrupsionin transnacional.

Siç është e zakonshme që shkrimtarët i tërheqin gjithnjë më shumë historitë e spiunëve dhe të grave, dhe ky libër e ka këtë element brenda.

Por e vërteta është se McGonigali nuk është një individ.

McGonigal është përfaqësues i zyrtarëve të atij niveli, shumë më të lartë se të atij niveli, të niveleve më të larta të ekzekutivit, të ish-ëve më të lartë të ekzekutivit, të diplomatëve, bashkëshorteve, bashkëshortëve të tyre.

Për të qenë më konkret, nuk është më pak McGonigal Frederica Mogherini.

Dhe ky është vetëm një emër që unë dhashë.

Nuk është më pak McGonigal ata që ndanë paratë me Krifcën dhe bllokojnë hetimin e IPARD dhe lënë fermerët shqiptarë pa 140 milionë euro.

Nuk është më pak McGonigal ata që firmosin marrëveshje dhe shkojnë e marrin rroga nga ata sipërmarrje që u sigurojnë marrëveshjet.

Nuk është më pak McGonigal ata që kthehen në Shqipëri si klientelë e Edi Ramës apo i krijojnë atij audienca në forume dhe tribuna të ndryshme, në një kohë kur ai përfaqëson modelin më të shëmtuar të narkodiktatorit sot në Evropë dhe më gjerë.

Por McGonigal ka një specifikë, drejtësia amerikane ka vepruar.

Drejtësia amerikane e ka dënuar atë për veprimet që ai ka kryer në Shqipëri dhe me dosje të veçante.

Dosja e Uashingtonit e këtij agjenti special është dosja shqiptare.

Dosja e Nju Jorkut është dosja Deripaska apo ruse.

Pra, ky njeri i korruptuar, i papërgjegjshëm, që mori detyra nga Edi Rama kur ishte në detyrë, që nuk mund t’i merrte kurrë, u dënua nga ligji amerikan dhe drejtësia amerikane dhe sot është në burg.

Por më duhet të them se ky është i vetmi nga McGonigalët që ndodhet në burg.

Madje ka ndodhur, është e hidhur shumë, kur një ambasadore e korruptuar që shkruante raportet siç i thoshte Edi Rama, u vu nën hetim, arriti të korruptojë edhe shefin.

Fatmirësisht ai u dënua me burg, por kjo mbeti e lirë.

Tragjike është tjetra.

Refuzimi, tërheqja e shtëpive botuese për të publikuar librin e Alfred Lelës.

Larva, larva njerëzore janë këta.

Këta janë skllevër të një regjimi të transfiguruar njëlloj si në diktaturën komuniste.

Dhe një ditë, po ua rrëfej këtu, më vjen në zyrë e më thotë, si t’ia bëj, nuk ma publikon njeri.

Ta publikosh vetë, i thashë. Ti ke një shtëpi botuese.

Po çfarë do të thotë kjo?

Ti e di shumë mirë, i thashë, libri do publikohet.

Dhe dëgjoni tani, dy libra për McGonigalin, dëgjoni për herë të parë, përrallat e Blushit për Tiranën çajnë të gjitha ekranet, të cilat janë absolutisht një deformim vulgar i historisë së këtij qyteti.

Por ato nuk kanë çmim.

Kjo ka një çmim, ndaj dhe nuk duhet publikuar, ndaj dhe nuk duhet përmendur, ndaj dhe studiot e injorojnë, ndaj dhe asnjë lajm nuk e japin.

Ana tjetër e këtij libri është se McGonigal u dënua, FBI e hetoi atë hap pas hapi.

Futi edhe njerëz të cilët e markuan dhe e zbërtheu.

Të gjitha të dokumentuara.

Kurse Skapi i Tiranës, Skapi i partisë, asnjë hetim. Asnjë dënim, paçka se dosja ishte dosja shqiptare.

Për Skapin, ato nuk janë krime.

Pse? Se janë të lidhura me Padrinon, dhe çdo gjë që lidhet me Padrinon, është jashtë juridiksionit të tyre.

Turp, histori turpi.

Ku është Kushtetuta, ku është interesi kombëtar, ku është dinjiteti kombëtar.

Atë nuk mund ta mbrojnë kurrë kriminelë, atë nuk mund ta mbrojnë kurrë të inkriminuar dhe kjo është arsyeja.

Për McGonigalin, dosja fle, i ka rënë një okë pluhur dhe asgjë nuk bëhet.

Por libri u publikua dhe libri është monument. Libri mbetet, librat janë monumente.

Varet, ka edhe monumente të zeza.

Por ky jo, ky është një apel për shqiptarët, ky është një thirrje edhe për komunitetin ndërkombëtar.

Ka një poet rus, Sergej Esenin dy vargje ky thotë: Eh sa mace ka kjo botë, eh sa shumë.

Eh sa McGonigalë ka kjo botë, eh sa shumë.

Çfarë duhet të bëjmë ne?

Ne duhet të luftojmë, të luftojmë dhe vetëm të luftojmë.

Ne duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesit tonë kombëtar, në mbrojtje të interesit tonë publik.

Ne nuk duhet kurrë të hezitojmë, të heshtim.

Sot Shqipëria, sot që flasim, me të gjitha të dhënat ndërkombëtare, është narkoshteti më i konsoliduar i planetit.

Është më narkoshtet për sa i përket efektit të drogës në ekonomi se Kolumbia, se Brazili, se Meksika dhe se çdo shtet tjetër.

Po ky narkoshtet që negocion për integrimin në BE dhe anëtar i NATO-s, të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin.

A mund të bëjmë ne sikur nuk e shohim këtë?

Historia do të na ndëshkonte ne.

Do të ishte një tradhti e madhe ndaj interesit publik, interesit qytetar në qoftë se ne do heshtnim ndaj narkoshtetit.

Sot leku, që vlen 50 përqind më pak se në vitin 2013, në raport me euron dhe dollarin, është monedha më e fortë e planetit. Me distancë nga çdo monedhë tjetër.

Që po shkatërron në mënyrë progresive, të pandalshme ekonominë tonë.

Dëgjohet kund ndonjë fjalë përveçse në audienca të kufizuara dhe gazetarë? Jo.

Atëherë çfarë na mbetet ne?

Na mbetet të ngremë edhe më shumë zërin.

Na mbetet të mos rreshtim së denoncuari me të gjitha mundësitë tona, të bindur se kohërat i ka të shkurtra ky regjim.

Edhe njëherë i them Edi Ramës se i fundit do të flasë sovrani.

Ndaj dhe thyej sa të duash kocka të rinjsh aty, por përgjigjen do ta marrësh siç e meriton.

Artikuj të ndërlidhur
PD në Seli & Degë

Berisha paralajmëron Ramën: Fjalën e fundit e ka sovrani! 28 Nëntori po vjen, Dita e Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre. Duhet të bashkohemi, askush nuk fiton duke qëndruar veçmas. Vetëm PD është rritur gjatë këtyre 6 muajve

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E ‘RIPËRTËRITJES’ NË DURRËS EKSTRAKT Nga Durrësi, ku Partia Demokratike zhvilloi foltoren e ‘Ripërtëritjes‘, kryetari Sali

LEXO MË SHUMË
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale