KRYETARI I PD-së SALI BERISHA BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi programin ekonomik dhe politik për zgjedhjet e ardhshme. Berisha u shpreh se, “gjatë këtyre javëve, ne kemi shpalosur programin e 100 ditëve të para, me të cilin ne synojmë të arrijmë një ndryshim shumë të rëndësishëm të gjendjes ekonomike të shtresave në nevojë si vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar, për çdo pensionist që merr nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo qytetar në ndihmë ekonomike”.
Njëra në pyetjet e qytetarëve që po ndiqnin bisedën e Berishës në rrjetet sociale kishte të bënte me situatën e ndërtimeve në Shqipëri. “Qëndrimi ynë është asnjë kullë dhe zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe narkoeurove”, tha kreu demokrat. Kryetari i PD ka komentuar edhe projektin per investime ne Sazan. Sipas kreut demokrat, “Rama po e përdor për të blerë influenca politike”.
Gjatë bashkëbisedimit, kryedemokrati u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kishin interesa të ndryshme, por theksi i tyre është vendosur tek ruajtja e votës dhe vota e diasporës.
“Ne po bëjmë gjithçka që ky të jetë një proces transparent dhe gjer tani hapat e bëra kanë qenë të tilla dhe kanë ecur. Por ne po ndjekim çdo hap. Duke ju përgjigjur interesit të një qytetari tjetër Berisha u bëri thirrje emigrantëve që të klikojnë në uebin e PD, në nënfaqen Diaspora Voton, për t’u regjistruar. “Ne po përpiqemi në mënyrë të përditshme të informojmë”, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
U bënë disa kohë që na ka munguar komunikimi direkt së bashku.
Ndaj dhe jam sot para jush për t’u përgjigjur të gjitha pyetjeve, për të dëgjuar komentet dhe mendimet tuaja.
Zhvillime të mëdha kanë ndodhur gjatë këtyre javëve.
PD po shpalos me sukses të veçantët programin e saj.
Gjatë këtyre javëve, ne kemi shpalosur programin e 100 ditëve të para, me të cilin ne synojmë të arrijmë një ndryshim shumë të rëndësishëm të gjendjes ekonomike të shtresave në nevojë si vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar, për çdo pensionist që merr nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo qytetar në ndihmë ekonomike.
Të vendosim rrogën minimale 500 euro, rrogën mesatare 1200 euro.
Të vendosim kartën e konsumatorit për të gjithë shtresat në nevojë, pensionistët, rrogëulëtit, kartë e cila është e barabartë me tre pensione, duke rimbursuar kështu TVSH-në e të gjitha gjërave bazë që blejnë pensionistët.
Do të rishqyrtohet në themel çmimi i naftës, jo për të kontrolluar çmimin, ne nuk kontrollojmë çmimin, por ju e dini se Edi Rama u merr qytetarëve shqiptarë 1.1 euro për çdo litër naftë dhe kjo është një nga taksat më të larta në botë.
Taksa ndër më të lartat në botë dhe kontrabanda e rreth 40 përqind të naftës që konsumohet në Shqipëri, bën që ju të paguani një nga çmimet më të larta në botë.
Kjo situatë do marrë fund, çmimi i naftës nuk do luhatet kurrë më shumë se 10 përqind më pak ose më shumë se çmimi në Kosovë dhe Maqedoni, që në mënyrë konstante është 30-50 përqind më i ulët.
Energjia elektrike do njohë edhe ajo ndryshime thelbësore në çmimin e saj.
Fashoja 300 kilovatë do rikthehet jo në 7.7 lekë, por në 7 lekë.
Për biznesin, do rikthehet nga 18 në 6 lekë.
Mbi fashon 300 kilovatë do vendoset një tarifë mbi 10 lekë.
Pra, do ketë ndryshime të mëdha në çmimin e energjisë.
Ndryshime do njohë edhe çmimi i ujit.
Këto janë paketa e emergjencës.
Por një program suksesi i vërtetë do të paraqitet për biznesin dhe fermat në Shqipëri.
Pra, në rast se ne po paraqesim para qytetarëve shqiptarë programin me të cilin shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri dhe me të cilin ne krijojmë një klimë miqësore për biznesin dhe suksesin e tij, pala tjetër është në një betejë të përgjakshme me njëri-tjetrin.
E vërteta është se ajo që po zhvillohet në pallatin e pushtetit të krimit ka reminishencat e betejave të mëparshme të zhvilluara gjatë diktaturës.
Numri dy i PS është de facto një kufomë politike e pakallur. Shfigurimi i njeriut arrin deri aty sa nuk guxon të akuzojë Edi Ramën apo Anesti Angonin, por akuzon familjarët e tij.
Pra, Edi Rama vetë, pavarësisht nga firmat që mori nga një delinkuent në Skapin e partisë, është në problematika të mëdha personale me McGonigalin. Është në problematika të mëdha me Olsi Ramën.
Pra, këta zotërinj nuk kanë çfarë u paraqesin qytetarëve përveçse avokatinë për krimet që kanë bërë.
Ne paraqesim para qytetarëve zgjidhjet absolutisht më të mira të problemeve të përditshme me të cilat ata përballen dhe të perspektivës së tyre.
Jam këtu për t’u përgjigjur çdo pyetje dhe për të dëgjuar çdo koment tuaj në këtë proces shumë të rëndësishëm të komunikimit me ju.
BASHKEBISEDIMI ME QYTETARET:
Petrit Zefi: A do të bëhen primaret për të zgjedhur kanindatët? Po nga diaspora do të ketë kandidat për deputetë? Kush më jep mua garanci që, votën time nuk do ta vjedhë Celibashi si përherë? Ai ka tjetërsuar votat në kuti për 25 vjet? Si do t’i mbroni votat që ky hajdut elektoral të mos i tjetërsojë?
Sali Berisha: Përgjigja e pyetjes së parë. Primaret së shpejti do të shpallen, janë të hapura për shqiptarët kudo që banojnë, në Shqipëri, diasporë dhe kudo që ndodhen.
Ne po bëjmë gjithçka për një proces transparent të votës së diasporës. Është garantuar një postë e paanshme në princip, një postë prestigjioze ndërkombëtare që do të transportojë këto. Ndërkohë mekanizmat e kontrollit të dyanshëm, në të gjitha etapat e numërimit të këtyre votave. Unë ftoj çdo qytetar jashtë vendit, që të ushtrojë të drejtën e votës dhe të ndihet krenar, se me votën e tyre kësaj radhe ka të gjithë mundësinë të firmosë rotacionin, ndryshimin. Primaret do të jenë të hapura për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Fatbardh Zotaj: A po punon PD me klerikë te feve të ndryshme në Shqipëri për të maksimalizuar votën, pasi PS ka kohë që u afruar me metoda që dihen.
Sali Berisha: PD ka një trashëgimi të veçantë, krahasuar me partinë tjetër. PD ka një trashëgimi, ajo lindi së bashku me besimet fetare dhe u lind dhe triumfoi së bashku me ringjalljen e këtyre besimeve në Shqipëri. Ka patur dhe ruan marrëdhëniet e respektit të dyanshëm më të vendosura, më të qarta. E kundërta, është partia tjetër, ka për trashëgimi, ndofta ndër më uniket në botë, rrafshimin e mijërave institucioneve të kultit, burgosjen, ekzekutimin, internimin të mbarë klerit të tre besimeve fetare dhe shpalljen e Shqipërisë si shteti i parë ateist në botë.
Flirtet me këtë parti janë shkelmim mbi martirizimin e klerit heroik shqiptar, janë shkelmim mbi vakëfet, vendet e shenjta, kishat, teqetë dhe xhamitë që njohën në Shqipëri, nën sundimin e kësaj partie një barbari të pashembullt në botë.
Xhafer Lami: Përshëndetje doktor, pyetja që dua të shtroj është një problem për të gjithë qytetarët për pronat e marra me ligjin 7501, edhe pse me ligj na takon, kurse për t’u paraqitur me certifikatë përkatëse nuk bëhet fjalë se na shohin si kundërshtarë politikë. Ose të thonë merr sekser ose ktheu votues për ne që të paraqiteni me certifikatë. Ky problem është krijuar që në kohën e Fatos Nanos. Kur të vijë PD në pushtet, çfarë do të bëjë me pronat e ligjit 7501 që nuk mund të pajisjen me certifikatën e pronës?
Sali Berisha: PD ka një zotim solemn, kompensimin financiar ose fizik të çdo prone, të çdo sipërfaqeje. I nderuar zotëri, gjatë viteve 2005-2013, ne rikthyem 2 miliardë e 577 milionë metër katrorë tokë. Ndërkohë kompensuam me dhjetëra milionë euro pronat e tjera. Ne zotëronim në atë kohë 75 mijë hektarë troje turistike për t’iu përgjigjur me kompensim pronarëve të tjera. Iu garantoj se kompensimi i pronarëve me euro, me çmim tregu tokën, ose me kompensim fizik dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, janë dy shtyllat kryesore të programit tonë.
Uesli Shurdho: Doktor, përshëndetje, a nuk do ishte mirë që në kryeqytetet e mëdha evropiane ku PD ka degë dhe është e organizuar, të hapë nga një mini-zyrë ku të sqarojë dhe regjistrojë votuesit emigrantë demokratë apo ata që do të votojnë për PD-në.
Sali Berisha: Do ta konsiderojmë shumë seriozisht sugjerimin tuaj të drejtë Uesli.
Alma Dimani: A janë të sigurta të dhënat në KQZ, që hedhin aplikuesit për të votuar?
Sali Berisha: Ne po bëjmë gjithçka që ky të jetë një proces transparent dhe gjer tani hapat e bëra kanë qenë të tilla dhe kanë ecur. Por ne po ndjekim çdo hap.
Fadil Keta: Përshëndetje z.Berisha, çfarë do të bëhet me votën e emigrantëve? Nuk jemi ende të qartë, duhet të punohet më shumë me sqarimin e votuesve të diasporës?
Sali Berisha: Ne po përpiqemi në mënyrë të përditshme të informojmë. Po organizojmë takime në të gjitha vendet, por kemi krijuar edhe një faqe të veçantë, e cila kërkon gjithsej 30 sekonda kohë dhe ju dërgon me email apo në Ëhatsapp, të gjithë instruksionin se si të regjistroheni në platformën e KQZ-së. Pra, ju lutem shumë, klikoni në uebin e PD, në nënfaqen Diaspora Voton.
Aty do merrni automatikisht udhëzuesin për mënyrën se si duhet të regjistroheni në KQZ.
Mendoj se kjo është forma më e sigurt dhe më e shpejtë e informimit tuaj.
Yzeir Miraka: Përshëndetje doktor, çfarë mendimi keni në lidhje me investimin strategjik të dhëndrit të Trump në Sazan në shumën 1.4 mld?
Sali Berisha: Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike.
Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit. Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim.
Drini Dresha: Doktor, jam emigrant në Itali. Ju flisni për minimumin jetik. Është thjesht premtim, apo angazhim serioz? Pasi unë çdo muaj, i çoj prindërve nga 150 euro që të ushqehen?
Sali Berisha: Drini, është absolutisht zotim solemn që do realizohet. Ne angazhohemi për një rishpërndarje të re të të ardhurave kombëtare, në një model në të cilin qytetarët të jenë përfitues kryesorë të tyre. Ne disponojmë të gjitha fondet, mundësitë dhe vullnetin për ta zbatuar këtë në 100 ditët e para të qeverisjes sonë.
Komisari Memo: Si do të bëhet shpërndarja e minimumit jetik tek të papunët? Papunësia dhe numri i të papunëve nuk është real, si do ta bëni?
Sali Berisha: Natyrisht do përdoren regjistrat ekzistuese të të papunëve. Sikundër do ndëshkohet me ligj spekulimi dhe mashtrimi. Nuk mund ta përfitojnë minimumin jetik ata që sigurojnë një pagë minimale 500 euro në muaj. Por ky lloj spekulimi nuk mund të pengojë kurrsesi shpërndarjen e re të të ardhurave dhe vendosjen e minimumit jetik për çdo shqiptar që merr më pak se 200 euro.
Iva Korini: Partnerët ndërkombëtarë ngrenë alarmin se, paratë e korrupsionit dhe krimit po pastrohen në ndërtim dhe turizëm/ Teksa në konferencën për shtyp të 30 vjetorit, kryeministri Edi Rama u shpreh se, ndërtimi dhe turizmi janë lokomotiva e ekonomisë sonë. Ai i fton sipërmarrësit të investojnë në kulla, por ndërkohë raportet e antimafias dhe ekspertët e fushës e cilësojnë ndërtimin si një lavatriçe të madhe parash që ka ekspozuar qytetarët përballë zhvatjes në çmime që nuk përkojnë me realitetin ekonomik në Shqipëri. Më të goditurit nga ky fenomen janë ata të shtresës së mesme. Pak ditë më parë, drejtori i një banke që njihet pranë familjes së kryeminsitrit tha se, ndërtimet do të vijojnë që të kenë çmime të larta. A do të jetë kjo kauzë e opozitës në parlament, dhe a do të kërkojë opozita komision parlamentar për pastrimin e parave në ndërtim si një tentativë ëpr të çliruar tregun?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. E vërteta është sot se ajo që duhet të jetë promotori i ekonomisë tonë dhe gjeneratori i zhvillimit, dmth prodhimi, është në një rënie progresive prej 3 vitesh me radhë.
Rënie që ka sjellë humbjen e dhjetëra mijëra vendeve të punës dhe thellimin e madh të deficitit tregtar, pra të eksporteve me importet.
Është e vërtetë që sot dy janë sektorët kryesorë, por këta dy sektorë de facto jo që nuk gëzojnë apo nuk ndihmojnë shumicën e shqiptarëve, por këta ndëshkojnë shumicën e shqiptarëve.
Më lejoni të shpjegoj shkurtimisht këtë.
Edi Rama pretendon se në Shqipëri kanë ardhur 10 milionë turistë në vit. Por 10 milionë turistë kanë të regjistruar 6 milionë net fjetje. Pra rezulton se kanë fjetur në Shqipëri gjysmë nate dhe ky është informalitet.
Këta 10 milionë turistë në shitjet e përgjithshme të restoranteve, hoteleve, etj, kanë krijuar rreth 160 milionë euro të ardhura në euro.
Nga këto 160 milionë euro në vit, TVSH e tyre është rreth 8 milionë euro. 8 milionë euro kanë përfituar qytetarët shqiptarë në taksa nga turizmi.
A mund të imagjinoni për një moment? Mijëra hotele, 100 mijë shtretër turistikë në hotele dhe AirBnB, të prodhojnë gjithsej të ardhura në taksat e shqiptarëve në nivelin 8 milionë euro.
Kurse qytetarët shqiptarë, për zhvillimin e infrastrukturës turistike të klientelës së Edi Ramës, shpenzojnë çdo vit 430 milionë euro.
Para e buxhetit, që përdoret për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, energjisë elektrike, etj, për resortet turistike, është 430 milionë euro në vit.
Pra, çdo qytetar shqiptar paguan nga taksat e tij për turist 230 euro në vit dhe fiton 4 euro në vit.
Kush fiton? Sigurisht fitojnë, fitojnë pronarët e hoteleve, resorteve, AirBnB, po këta nuk janë shumicë, këta janë pakicë e vërtetë. Këta janë maksimumi disa dhjetëra mijëra. Ndërkohë kur shumica është miliona.
Le të marrim pak ndërtimin. Çfarë ndodh me ndërtimin?
E kam shtruar dhe e shtroj disa herë pyetjen: kush përfiton nga kullat e Tiranës, monumente të drogës dhe korrupsionit. Çmimet në këto kulla për metër katror janë stratosferike, janë absolutisht shumë më të shtrenjta se në Bruksel, se në Vjenë dhe një seri qytetesh të tjera perëndimore.
Sigurisht në këto ndërtime punësohen punëtorët e ndërtimit, por këto nuk i blejnë dot shqiptarët. Këto janë mollë e ndaluar. Për të blerë një apartament në këto, një qytetar shqiptar duhet të punojë 104 vite.
Cili është qëndrimi ynë? Ai që ka qenë, asnjë kullë.
Dy, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Ekonomia shqiptare nuk ka nevojë për asnjë qindarkë narkoeuro.
Narkoeurot janë toksike për ekonominë shqiptare dhe të çdo vendi tjetër.
Ku do e bazojmë ne? Ne do e bazojmë në iniciativën e lirë. Ne do e bazojmë në një sistem fiskal që i jep frymëmarrjen më të madhe inicativës së lirë.
Ne do e bazojmë tek barra më e ulët fiskale për biznesin.
Ne do e bazojmë në garantimin e konkurrencës dhe garës së ndershme.
Ne do e bazojmë në një kuadër derregullator që lehtëson burokracinë, por edhe korrupsionin ndaj bizneseve.
Pra, do bëjmë gjithçka që motori i vërtetë i zhvillimit të ekonomisë të jetë vetëm prodhimi.
Do krijojmë fondin e mbështetjes së eksporteve.
Do heqim taksat për importet, për mallrat që eksportohen.
Çmimi i energjisë do zbresë në 6 lekë për biznesin nga 18 që është sot.
Barra e sigurimeve shoqërore do përgjysmohet.
Do rivendoset taksa e sheshtë 9 përqind.
Pra, ne do ndezim, do rindezim motorët e biznesit dhe do e shndërrojmë biznesin në promotorin kryesor të zhvillimit të Shqipërisë.
Ada Cena: Një problem i madh për prindërit që punojnë është mungesa e studimit për fëmijët në shkolla. Ju e keni në projekt lehtësimin e kësaj barre ne sistemin arsimor shtetëror.
Sali Berisha: Shqetësim shumë i drejtë dhe ne do e konsiderojmë shumë seriozisht, sugjerimin dhe shqetësimin tuaj. Ne kemi ndërmend që të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Në këtë kuadër këto fonde do ti përkushtohen në radhë të parë mësuesit dhe rrogave të tyre dhe pastaj të gjitha kushteve që nxënësit të mund të përvetësojë dijet. Çështja që ju shtroni është e drejtë, por më pas duhet të shihet çështja e ushqimit, që të marrë dhe ajo një përgjigje. Por transformimi i sistemit aktual arsimor, është një objektiv i pandryshueshëm i yni.
Pyetje: Keni një koment për faktin e partitë e reja refuzojnë çdo pakt me ju, pasi me sa duket jeni më i rrezikshëm për vendin se Edi Rama ka asgjësuar këtë institucion dhe votën e lirë, apo po mendoni që Rama po tenton të krijojë parti opozitare sipas modelit Vuçiç?
Sali Berisha: Gjithçka mund të them për këtë çështje, ne jemi të hapur. Por, më duhet nga ana tjetër të them se, çdo ditë që kalon këto forca politike, në një mënyrë apo një tjetër i vetëakuzon, pasi objektiv kryesor në sulmet e tyre këta vënë PD-në. Dhe mendojnë se, në këtë mënyrë do të fitojnë besimin e qytetarëve. Ndërkohë që qytetarët kanë të qartë se, problem kryesor nuk është opozita, është teza e Edi Ramës. Problem për Shqipërinë është kleptokracia, është narkoshteti. Mirëpo, cilat janë arsyet që këto forca politike vendosen në funksionin e opozitarëve të opozitës, le t’i gjykojnë vet qytetarët. Natyrisht, nuk është një rol i denjë, është një rol shumë kompromentues.
Kela Zguri: Si i konsideroni sjelljet e Ramës që i ulet në gjunjë Melonit të Italisë.
Sali Berisha: Një teatralitet i neveritshëm. Por mos u çudisni. Edi Rama është i aftë të marrë çdo vendim, të kryejë çdo gjest, të bëjë gjithçka për të forcuar sado pak pushtetin e tij.
Alkatraz Asmadeus:Si do të më mbroni ju mua kur unë të votoj për ju, por shteti do të më persekutojë, do të më ndjekë dhe do të më shkatërrojë jetën nëçdo aspekt?
Sali Berisha: Reformimi i këtij sistemi sorosian të drejtësisë, ndër më të korruptuarit në planet, ndër më politikët, është një nga objektivët kryesorë të programit tonë dhe e kemi shpallur se ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias, për ti dhënë vendit një drejtësi të varur nga ligji dhe të pavarur nga politika.
Xhemil Dogjani: Çfarë do të bësh për parkingjet doktor, sepse çdo makine merr çdo ditë nga një gjobë 20 mijë lekë?
Sali Berisha: Duhet të fitohet bashkia e Tiranës që të vendoset një sistem i ri parkingu dhe të përjashtohet çdo gjobë. Është plotësisht e mundshme, një sistem i bazuar në praktikën digjitale të parkingjeve.
Besnik Eski: Doktor, si do të bëni me pasurinë e shqiptarëve që vodhën rilindasit? Do i merrni dhe të ja jepni prap shqiptarëve?
Sali Berisha: Do bëjmë gjithçka që tu rikthehet shqiptarëve dhe ka shumë për ti rikthyer. Kur shikon hotele 20 katëshe, vila të panumërta, apartamente të fshehura, e morët vesh ju, që kryetari i bashkisë në Sky Toëer mbante apartament të paregjistruar, të padeklaruar. Por sa mund të ketë të tilla ai. Do të krijohen ekipe, do të jepen shpërblime për çdo informacion të saktë për pronat e këtyre qeveritarëve.
Do të ndërmirret një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar në mënyrë që këto pasuri tu rikthehen qytetarëve shqiptarë.
Pyetje: Doktor, si e shpjegoni ju që Prokuroria sekuestron celularin e Ajola Xoxës, dhe nuk ia merr telefonin Erion Veliajt? Si ka mundësi që ndaj tij nuk merret asnjë masë, ndërsa ndaj opozitës në tërësi Drejtësia vepron si hanxhar?
Sali Berisha: Duhet të kesh ndërgjegjen kriminale të Altin Dumanit, që të sekuestrosh 10-20-30 fatura dhe të mos veprosh për 130 mln euro të djegësit të Tiranës, i cili nuk ka as nam e as nishan. Imagjinoni ju Dumanistë që brohorasin Dumanin nga mëngjesi në darkë, se është shëndërruar në zagar të Edi Ramës për opozitën, imagjinoni pak çdo ditë malin e plehrave në Sharrë ku në vend të tyre duhej të ekzistonte djegësi dhe për të cilin qytetarët shqiptarë kanë dhënë 130 mln euro.
Kurse mercenar Dumani nuk guxon të formulojë as dhe akuzën më të vogël ndaj Erion Veliajt, përgjegjësit direkt së bashku me Edi Ramën, për 130 mln euro të zhdukura në kontot e tyre bankare, të vjedhura me pretekstin se do të ndërtonin djegësin e Tiranës. Pra, gjithçka zhvillohet sipas një skenari të urdhëruar dhe dirigjuar nga Edi Rama.
Natyrisht, asnjë dosje fijet e së cilës shkojnë direkt te Edi Rama nuk hetohet dot nga Dumanët e skapit të partisë. Përndryshe Rama e përdor si kundër opozitës, ashtu edhe brenda kundërshtarëve të tij brenda partisë.
Juto Juto: Përshëndetje, cili është programi juaj për familjet e reja. Rilindja vetëm është tallur me këtë detyrim si parti e majtë, për pasojë ka numër të ulët të lindjeve dhe migrim masiv të të rinjve. A keni ju një plan të mbështesni fëmijët deri në 18 vjeç, si në vendet e BE-së? Autoritetet akordojnë një pension 200-300 euro, nga informacionet që kam nga të afërmit në këto vende.
Sali Berisha: Mbështetja e çifteve dhe familjeve të reja, do të jetë një detyrim ligjor për qeverinë e ardhshme. Ky detyrim ligjor do të përfshijë kushtet të favorshme për strehimin e tyre. qeveria për ti dhënë një përgjigje serioze strehimit dhe një betejë kundër çmimeve stratosferike të narkoeuros në kullat që ndërtohen, do të ndërmarrë ndërtimin e banesave sociale, të cilat do të zbresin çmimin e ndërtimit në vlerat e përafërta me koston dhe fitimin e parashikuar.
Përveç kësaj qeveria do të bëjë çdo gjë për punësimin e të rinjve. Ju e shprehi drejt se mbështetja për fëmijët është një kusht shumë i rëndësishëm për një familje të re, që të mund të përballojë jetën. Padiskutim që do të vendoset bonus për çdo fëmijë dhe për fëmijën e tretë qeveria do të marrë përsipër shpenzimet e tij, nga lindja gjer në moshën 23 vjeçare. Për dy fëmijë do të ketë bonus që do të përcaktohet shpejt se sa do të jetë, kurse për fëmijën e tretë shpenzimet e plota do i marrë përsipër shteti.
Petrit Xhingollari: Doktor, pse nuk e ndihmoni popullin shqiptar të bëni dy ligje, kush vjedh taksat e popullit, dhe të sekuestroni të gjitha pasuritë e vëna me vjedhjet e parave të tendervae. Dënimi 25 vjet pa gjyq, shkurt dhe saktë.
Sali Berisha: Të falënderoj shumë për sugjerimin. Iu garantoj se korrupsioni do shpallet vepër penale e rëndë. Kjo mund të bëhet. Do shpallet krim i rëndë. Kjo do të presë me gërshërët e ligjit dorën e zyrtarëve dhe qeveritarëve që do guxojnë të futen në xhepat e qytetarëve.
Andi Velçani: Çfarë do të bësh ndryshe nga 2005-2013? Pse duhet të të votojmë prapë? Përsa i përket atyre që mendojnë se Rama ka bërë më shumë se sa ty, çfarë përgjigje iu jep?
Sali Berisha: Pyetja shumë e drejtë Andi. Në 4 vitet që vijnë, duhet të bëjmë shumë. Së pari një model i ri i shpërndarjes së të ardhurave kombëtare. Në qoftë se në vitet 2005-2013, ne u përqendruam në dyfishimin e rrogave dhe pensioneve dhe dolëm në krye të vendeve të rajonit, në gropën e madhe që krijoi Edi Rama gjatë këtyre viteve, është bërë e domosdoshme vendosja e minimumit jetik.
Vendosja e minimumit jetik dhe lehtësimi i shpejtë i të gjitha vështirësive ekonomike që ndjejnë qytetarët shqiptarë. Por me vendosjen e minimumit jetik, ne i japim goditje vendimtare mjerimit. Nuk ka mjerim më me 200 euro në muaj për qytetarin.
Mos harro se sot, studimet e UNICEF tregojnë se 46 përqind e shqiptarëve nuk ushqejnë dot si duhet fëmijët e tyre. Dhe 18 përqind nuk u japin dot 3 vakte ushqim. Pra, në qoftë se më parë nuk kishte minumim jetik, tani vendoset minimumi jetik për çdo qytetar.
Së dyti, ndërmerret një start i fuqishëm për të dalë në krye me rrogat dhe pensionet. Natyrisht do bëhet një punë shumë e madhe për biznesin. Ne e bazojmë zhvillimin e vendit tek ekonomia dhe biznesi. Në rast se ju flisni për turizmin, do më falni por do rikujtoj pak shifrat. Në vitin 2005 ka pasur 310 mijë turistë dhe vizitorë bashkë. Në vitin 2013 ka pasur 4 milionë e 700 mijë turistë. Pra ka pasur një rritje rreth 14 herë dhe nuk ishte koha e EasyJet. Sot pretendohet se janë 10 milionë turistë.
E vërteta është se në një analizë që është bërë, del se nga këta 10 milionë, afërsisht 5 milionë janë thjesht pasagjerë transit apo që nisen nga aeroporti i Rinasit. Megjithatë, edhe njëherë rikthehem, nga 10 milionë turistë të Edi Ramës, Shqipëria ka 6 milionë net fjetje. Pra, ky turizmi i tij është një piramidë mashtrimi apo informaliteti.
Ajo çka ne do bëjmë, do formalizojmë turizmin.
Për sa i përket qyteteve, Edi Rama ka shpenzuar për sheshet e disa qyteteve rreth 3 miliardë euro. Ajo është një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e Europës. Është vjedhur të paktën 90 përqind e shumës së investuar. Shtrim me rrasa guri dhe ka shndërruar sheshin e Tiranës, shesh në të cilin ka raste që skuqet veza. Pra, një shesh të tillë e ke vetëm në Jemen apo në shkretëtirë.
Edi Rama në punët e tij publike, ka adoptuar çmime të 10-fishta krahasuar me BE. Marrin fund këto.
Ajo që përpiqem të bëj, Shqipërinë në një korsi të shpejtë dhe të fuqishme prodhimi.
Nxitja e prodhimit në këtë vend është jetike dhe vendimtare për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të saj natyrore dhe njerëzore.
Besoj se dy terma nuk i dëgjoni ndonjëherë në gojën e Edi Ramës, fjalën zhvillim dhe fjalën prodhim.
Në qoftë se i referohet propagandës qeveritare, çdo jave ke lajme se X jaht, miliarderi dhe stërmiliarderi, erdhi në Durrës dhe darkoi apo drekoi me kryeministrin, sikur të ishin uzina të mëdha apo sipërmarrje high-tech. Kurse qendrën që shpenzuan dhjetëra miliona gjoja për high-tech te piramida e merhumit e kanë shndërruar në klube e kafene.
Pra, nxitja e investimeve, krijimi i një klime miqësore, shndërrimi i Shqipërisë në një vend të fuqishëm prodhues, do të jenë objektivat e 4 viteve që vijnë.
Andon Kello: Z.Berisha, sondazhi vjetor i Institutit Kombëtar Republikan nxjerr SPAK si institucionin më të besueshëm në Shqipëri, me 76% mbështetje, ndërsa sa i përket lidërve politikë, Edi Rama ka 35% besueshmëri, kurse Sali Berisha vetëm 14%. Si e shihni këtë sondazh?
Sali Berisha: Pollet janë një nga mënyrat më të shëmtuara të manipulimit publik. Po qe se rikthehemi para 5 nëntorit, ju e patë se si u shemb si piramidë gjigante mashtrimi, piramida e polleve që nxirrte fitimtare në të gjitha aspektet Kamala Harris dhe humbës të madh, Donald Trump. Në dijeninë time institutet nuk kanë kompani sondazhi, i porositin ato dhe vetëkuptohet se këtu, ato manipulohen njëlloj si media qeveritare. Dua të ju garantoj ju dhe të gjithë ata që na ndjekin, që ngjitja e PD gjatë këtyre muajve është ngjitja vertikale më e fuqishme e saj dhe po shkon drejt fitores, pavarësisht nga mashtrimet me polle, apo vajet e Edi Ramës, i cili vajtoi humbjen që e pret.
Uesli Shurdho: Doktor Berisha, cili do të jetë qendrimi juaj dhe i PD-së në lidhje me skandalet dhe vjedhjet me mikrokreditë dhe masakrat me krimet monstruoze, dhe vjedhjet e ilaçeve në Shëndetësi për sëmundjet kronike të rënda në veçanti?
Sali Berisha: Ligji, ligji dhe vetëm ligji. Ata që kanë abuzuar do marrin ndëshkimin shembullor në sistemin e mikro-kredive. Ata që kanë abuzuar me ilaçet dhe kanë vjedhur fondet e ilaçeve ata kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe do dënohen me një ligj të veçantë për krime kundër njerëzimit. Sepse ata bëjnë që të sëmurët të mos vdesin nga sëmundja, por të vdesin nga mungesa e ilaçeve për të mjekuar sëmundjet dhe ky është krim kundër njerëzimit.
Ani Malaj: Po me sheshin e Flamurit në Vlorë, në qoftë se do të vini në pushtet, a do të ndërhyni?
Sali Berisha: Sheshin e Flamurit, të cilin e gjymtoi një antishqiptar, ndoshta më i madhi që ka ekzistuar ndonjëherë në qeverinë shqiptare, do të jetë objekt i një referendumi lokal të qytetarëve të Vlorës. Pa diskutim që ajo burdungull që ka ndërtuar Edi Rama do rrafshohet me shpejtësi dhe pa asnjë mëdyshje. Por deformimet e mëdha që i ka dhënë sheshit, ato kërkojnë pastaj një studim se cila do jetë forma… Edhe rikthimi i sheshit siç ishte, është një mundësi.
Pyetja anonime: Ju keni deklaruar se nafta do të jetë me çmim si në Kosovë dhe Maqedoni. Si do ti mblidhni nga shteti taksat dhe tatimet nëse ulet çmimi.
Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Së pari, Shqipëria me 870 mijë automjete, ka zhdoganuar 550 mijë ton. Kosova me 440 mijë automjete, ka zhdoganuar 630 mijë ton. Pra, Kosova me dy herë më pak mjete, zhdoganon 80 mijë ton më shumë se Shqipëria.
I bie se Shqipëria të ketë të paktën 300-400 mijë ton kontrabandë që e bën qeveria.
Me këtë naftë kontrabandë, ne kemi pasur në vitin 2013, 2012, 2011 ka arritur gjer në 700 mijë ton zhdoganimi, dhe që ne prodhimin DD në Ballsh, të mos harrojmë këtë.
Ndaj dhe zgjidhja është duke prerë me gërshërë së pari kontrabandën e qindra mijëra ton.
Së dyti, duhet të dini ju se me dhjetëra, në mos qindra jahte, sheikësh dhe miliarderësh që vijnë dhe marrin naftë në Durrës dhe që i shtrojnë një drekë Edi Ramës, marrin naftë në Shqipëri rreth 500 mijë litra. Dhe e marrin naftë me çmim 500 lekë, tre-katër herë më lirë se qytetarët shqiptarë.
Merr fund, jeni të mirëseardhur, doni të vizitoni brigjet tona, por atë naftë që merrni ju, do ua çojmë fermerëve shqiptarë. Se ata po punojnë me parmendë për shkak të avionit personal të Edi Ramës.
Por, për dijeni, taksën e qarkullimit, në vitin 2012 ne e kemi pasur 70 lekë. Këta e ngritën në 270 lekë.
Nafta në vitin 2013 kushtonte në bursë 97 dollarë fuçia, kushtonte në pompë 140 lekë litri. Në vitin 2022, nafta kushtonte 97.2 dollarë dhe kushtonte në pompë 228 lekë.
Pra, ka një shpërpjesëtim të madh midis çmimit në bursë dhe çmimit në tregun tonë.
Në çdo lloj rasti, kurrë nuk e kam konsideruar mençuri që taksat t’i nxjerrësh tek energjia. Mundësisht sa më lirë.
Dhe kam bindjen më të madhe se ajo i rikthen ato në shumë mënyra të tjera.
Ndaj dhe unë thashë, barra fiskale do përgjysmohen. Ato taksa do merren nga kontrabanda në radhë të parë dhe informaliteti tjetër.
Fredi Bërdëllima: Nëse Rama ju fton në podcastin e tij, do ti shkoni?
Sali Berisha: Unë kam ftuar Ramën në televizion. Monologët e Ramës janë një neveri e vërtetë. Unë skam asnjë dëshirë që të takohem me të, por për hir të qytetarëve unë jam i gatshëm edhe në studiot televizive që nga mëngjesi deri në darkë, buqasin. Dua ta kem ballë për ballë dhe të vendosim qytetarin në mes dhe problematikat e tij.
Ju e patë që stari i vitit në debatin televiziv shqiptar ishin ato dy zonjat e nderuara që përfaqësuan në mënyrën më dinjitoze qytetarët e këtij vendi dhe e gozhduan si gënjeshtar në tryezën e debatit tek gazetari Fevziu, kur ai i përgënjeshtronte pa asnjë fakt, dokument dhe ato o nxirrnin të vërtetat. Prandaj ai nuk del, por po erdhi unë prap e ftoj atë.
Urdhëro shtoi e bëji dyfish monologjet në podcaste apo dhe në makinë flit me vete. Edhe ato shtoi, recito dhe Lubinë ditë për ditë. Por të dalim njëherë në shesh, të dalim ta shohim drejt njëri tjetrin edhe të na shohin qytetarët ne. Çfarë qëndron nga ato që them unë, dhe çfar qëndron nga ato që thotë ai. Ky është detyrimi që ata që kërkojnë votën, detyrimi që ata që duan të qeverisin kanë para qytetarëve shqiptarë.
***
Të dashur miq, u falënderoj shumë për pyetjet dhe u ftoj ta vazhdojmë këtë dialog së bashku me intensitet dhe në interesin më të mirë tonë, të shoqërisë dhe vendit.
Pres nga ju, me kënaqësi të veçantë çdo sugjerim që ju keni për programin e ardhshëm të PD, që ta bëjmë atë programin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë.
Por nga ana tjetër e kam një thirrje të veçantë për secilin prej jush, kontribuoni në një moment shumë të rëndësishëm, në të cilin shqiptarët jashtë vendit më në fund kanë të drejtë të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votës.
Kontribuoni në regjistrimin e tyre.
Ne kemi caktuar një normë për këshilltarët, për drejtuesit, për deputetët, për të gjithë, 100 emra.
Në pamje të parë duken shumë, por kur sheh në rrethin tënd të ngushtë familjar, kur del pak më tutje në rrethin e gjerë, konstaton se kjo kërkesë është plotësisht e realizueshme.
Në një takim që pata me këshilltarë, u shpreha se mund ta ulim, jo, thanë ata, sepse secili mendonte se sa shumë të larguar ka nga gjinia e tij, nga fisi i tij, nga shoqëria e tij.
Ndaj dhe iu ftoj që këto ditë të merrni përsipër kontaktin me çdo të njohur që keni dhe t’i luteni të regjistrohet në platformën e KQZ-së, të regjistrohet në platformën e PD, e cila kërkon gjithsej 30 sekonda dhe të jep në dorë, me email ose Ëhatsapp, një orientim se çfarë veprimesh do kryesh në platformën e KQZ-së.
Ju falënderoj dhe shpresoj të shihemi së shpejti.