DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha ka bërë publike sot videon e tentativës të atentatit ndaj përfaqsuesit të PD, dhe ish-Kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, Salvador Kaçaj ditën e zgjedhjeve më 14 maj në Lezhë.
Berisha e quajti këtë një krim horror që është një tjetër dëshmi e fortë e farsës elektorale të 14 majit dhe krimit të veshur me pushtet.
Në video duken qartë atentatorët, të cilët i zënë pritë me një tjetër makinë, automjetit me të cilin po udhëtonte Kaçaj dhe më pas dalin dy atentatorë të armatosur gati për të qëlluar mbi Kaçajn.
Vetëm manovra e shoferit të automjetit me të cilin udhëtonte Kaçaj ka evituar pasojat e këtij krimi të veshur me pushtet.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se Rama është bosi i krimit dhe se mandatet e krimit nuk do të njihen kurrë nga opozita. Berisha tha se kjo video ëstë një akt-akuzë e rëndë për Ramën.
DEKLARATA E PLOTË
Mirëdita!
Aktet horror në farsën elektorale të 14 majit mbeten dëshmi flagrante e asaj që domethënë se në këtë farsë krimi u shndërrua në votë dhe vota u shndërrua në krim.
Më datën 14 maj këtu së bashku kam denoncuar atentatin e dështuar të organizuar nga bandat kriminale ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokrati Salvador Kaçaj, i cili po kalonte, së bashku me të birin po udhëtonte dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal.
Edi Rama reagoi menjëherë me një cinizëm, me një tallje ndaj këtij akti, se ky akt ishte një shpikje e Salvador Kaçajt dhe s’kishte ndodhur kurrë.
U desh kohë që të siguronim videon e këtij akti kriminal, dhe unë jam sot këtu për të paraqitur para jush këtë video në të cilën tregohet qartë se si i zunë rrugën makinës së tij, dhe se si kriminelët i zunë rrugën dhe të armatosur dolën për të kryer krimin makabër, por dështuan.
Kjo ishte mbrojtja që kreu i organizatës kriminale qeveritare iu bëri atentatorëve, mbrojtja publike.
Mos u çudisni që vrasësit me pagesë, të kenë qenë të pranishëm në sallë duke duartrokitur bosin e krimit shqiptar, Edi Ramën. Një gaz të veçantë, siç e patë në fytyrë, kishte Pirini, siç po e thërrasin zakonisht Pjerinin, i cili e dinë që mandati i tij qendron mbi krimin.
E dinë që nuk ka asgjë me vullnetin e qytetarëve të Bashkisë së Lezhës.
Paraqita këtë akt, paraqita këtë moment, sepse u desh shumë e shumë kohë që ne të mund të siguronim këtë video, aktakuzë e rëndë për Edi Ramën, Pjerin Ndreun, procesin zgjedhor, farsën elektorale të 14 majit 2023.
Kjo video, ky dokument vërteton edhe njëherë se mandatet e krimit kurrë nuk duhet të pranohen dhe kurrë nuk duhet të njihen.
Faleminderit!