FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po sfidon hapur drejtësinë dhe Kushtetutën duke marrë në mbrojtje Belinda Ballukun, për të cilën, mazhoranca ka vendosur të mos lejojë arrestimin nga SPAK.
Në konferencën me gazetarët ditën e sotme, Berisha deklaroi se Rama hoqi çdo maskë dhe u tha shqiptarëve se Balluku është e paprekshme dhe se drejtësia nuk ekziston.
Berisha e cilësoi këtë një sulm jo vetëm ndaj institucioneve të drejtësisë, por edhe ndaj qytetarëve shqiptarë dhe shtetit ligjor. Ai akuzoi Ramën për përfshirje në afera të mëdha korruptive, duke risjellë në vëmendje inceneratorin e Tiranës, koncesionet në shëndetësi dhe projektet infrastrukturore, të cilat janë realizuar me kosto shumë herë më të larta se në vendet e Bashkimit Europian.
Lideri demokrat tha se Parlamenti është i aneksuar nga qeveria dhe se drejtësia po pengohet të veprojë, ndaj zgjidhja mbetet reagimi qytetar. Berisha bëri thirrje për protestë më 12 mars para Parlamentit, të cilën e cilësoi si një kryengritje paqësore për mbrojtjen e shtetit ligjor.
Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha u pyet nëse drejtësia duhet të gjejë mënyra ligjore për të vepruar edhe pa miratimin e shumicës. Ai u shpreh se nëse ekzekutivi refuzon vendimet e drejtësisë, atëherë përgjegjësia për reagim i takon qytetarëve si sovran.
Berisha theksoi gjithashtu se opozita ka qenë në komunikim me partnerët ndërkombëtarë për situatën në vend. Ai përmendi vizitat e fundit të përfaqësuesve të institucioneve europiane dhe delegacioneve politike në Tiranë, duke thënë se ato kanë konstatuar probleme serioze me shtetin ligjor.
Sipas tij, refuzimi i mazhorancës për të bashkëpunuar me drejtësinë në luftën kundër korrupsionit rrezikon drejtpërdrejt procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.

FJALA E PLOTË
Të nderuar qytetare dhe qytetarë, sapo dëgjuat tërkuzën koprolalike të Edi Ramës për Lubi Ballukun, në fakt elegjinë e tij për veten e tij dhe për Lubinë.
Sot, Edi Rama hoqi çdo lloj maske dhe doli publikisht në mbrojtje totale duke vënë në peng Kushtetutën e vendit, ligjet e vendit, ndarjet e pushtetit dhe procesin e integrimit evropian.
Edi Rama iu tha shqiptarëve sot se Belinda Balluku është e paprekshme.
Se Skapi është një zero me bisht.
Se drejtësia nuk ekziston.
Dhe se ai nuk ka ndërmend të përfillë asgjë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Ai mori në mbrojtje totale veten e tij sepse de facto Lubia nuk ka qenë asgjë tejtër veçse noterja apo regjistruesja e të gjitha vjedhjeve 25-vjeçare të këtij kryehajduti.
Edi Rama sot sfidoi çdo shqiptar, sfidoi qytetarët shqiptarë.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, nuk është një sulm kryesisht nga Spakut, ndaj drejtësisë kjo që po bën sepse në këtë drejtim, drejtësia po përfaqëson ju, po përfaqëson ligjin dhe interesat tuaja.
Por ky është një sulm direkt ndaj jush, ndaj dinjitetit tuaj, ndaj lirive tuaja.
Ky është një sulm me të cilin Edi Rama u thotë ju se ai qëndron mbi ligjin dhe se ai si një narkodiktator i vërtetë vendos në këtë vend për gjithçka dhe për çdo gjë.
Ai, sot dëshmoi më shumë se kurrë se është i gatshëm t’i përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër qytetarëve shqiptarë dhe interesave të tyre në tërësi.
Dhe në veçanti për mbylljen e dyerve të integrimit të Shqipërisë në BE.
Nuk është çështje e Ballukut, edhe njëherë, asnjëri prej jush nuk duhet të pranojë këtë narrativë.
Është çështja direkt e Edi Ramës.
Vjedhjet e tij tejkalojnë miliarda.
Edi Rama është i vetmi kryeministër në Europë që ka ndërtuar vilën me themele 57 metra të gjata dhe oborr 8300 metra.
Edi Rama është i vetmi kryeministër në Europë dhe në botë që ka firmën e tij të zezë mbi objekte publike me vlerë 130 milionë euro siç është inceneratori i Tiranës që nuk ekziston.
Edi Rama ka firmën e tij të zezë, dorën e tij të zezë mbi koncesionet në shëndetësi me vlerë 630 milionë euro, gjobë e tmerrshme dhe shkatërrimtare mbi sistemin shëndetësor vetëm për pasurimin e tij.
Edi Rama ka firmën e tij në të gjitha tenderët e rrugëve të shembura sikur të ishin rrugë kashte, por të ndërtuara me çmime 8 deri 12 herë më të shtrenjta se në BE.
Edi Rama ka dorën e tij të zezë mbi shkatërrimin e Portit të Durrësit, një pasuri kombëtare prej 4 miliardë eurosh.
Ai u përpoq të tërheqë në aferat e tij korruptive NATO-n, por dështoi me turp dhe tani që janë oferta të qarta të partnerëve strategjikë, ai kërkon që portin e Durrësit për ta vjedhur ta ndërtojë me rusët apo me të tjerë që kanë interesa të ngushta strategjike me Shqipërinë dhe NATO-n.
Fjala e tij sot, dëshmoi edhe njëherë se është i gatshëm për çdo skenar dhe të mos paraqitet vetë para ligjit, para drejtësisë.
Ndaj dhe sot, për çdo qytetar shqiptar, fjala është e tij.
Fjala është e qytetarëve.
Parlamenti është totalisht i aneksuar.
Është një instrument i narkodiktaturës, i pushtuar nga Edi Rama.
Drejtësia shumëzohet me zero nga Edi Rama.
Ai, i garantoi qytetarët, se vjedhja nga qeveritarët nuk do të ndëshkohet.
Se vjedhja nuk do konsiderohet më krim për qeveritarët shqiptarë.
Fjala është vetëm e qytetarëve.
Me datën 12, e gjithë Shqipëria para parlamentit në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur vendi.
Zgjidhja është vetëm në duart e qytetarëve.
Unë kam bindje se shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike, njerëzit me integritet dhe njerëzit e ndershëm që jetojnë me djersën e ballit të tyre nuk do pajtohen kurrë me këtë vendim të Edi Ramës, me të cilin ai u thotë se vjedhja e tyre nga qeveritarët nuk mund të ndëshkohet.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Marsi Korreshi, Syri Tv: Grupi parlamentar i PS mori vendimin se Kuvendi do të bëhet mburojë dhe nuk do të lejojë SPAK-un të arrestojë Belinda Ballukun. A duhet drejtësia të përdorë ndonjë shteg ligjor për të vepruar edhe përkundrejt vullnetit të socialistëve në këtë rast, dhe si opozitë keni një thirrje ndaj drejtësisë shqiptare?
Sali Berisha: Tani, duhet të jemi të sinqertë. Nuk ka patur njeri më kritik në këtë platformë se unë, ndaj drejtësisë. Por në rast se ekzekutivi me kartonat e krimit vendos të mos pranojë vendimet e drejtësisë, i përket sovranit dhe jo drejtësisë, të thotë fjalën e vet.
Sepse drejtësia e tëra është një trup, ta marrim 300-400-500 sa janë 1000, dhe të gjitha hallkat e tjera janë në duart e ekzekutivit.
Në këtë kontekst, është sovrani ai që duhet të ndërhyjë me të gjitha mjetet kushtetuese demokratike për të bërë të mundur ushtrimin e pushtetit nga pushteti gjyqësor në Shqipëri.
Ndaj dhe, a do vazhdojë drejtësia të lëshojë urdhëra të tjerë për arrestin e Edi Ramës apo jo, unë nuk mund ta parashikoj këtë.
Një gjë është e sigurtë që, zgjidhja është vetëm në duart e qytetarëve. Kemi të bëjmë me fatin e çdo shqiptari, kemi të bëjmë më endërrën europiane të integrimit në BE të të gjithë shqiptarëve.
Ndaj dhe, cili do të jetë reagimi i drejtësisë në këtë rast, unë nuk mund të parashikoj, por detyra e opozitës, detyra e qytetarëve është të qëndrojë me të gjithë forcën në anën e kushtetutës dhe shtetit ligjor.
Marsi Korreshi: Ju keni thënë që, Edi Ramën nuk do ta rrëzojë as drejtësia, as ndërkombëtarët, por qytetarët. Por a po komunikoni dhe a po komunikon opozita me ndërkombëtarët lidhur me këtë situatë, lidhur me një refuzim zyrtar që mazhoranca po i bën arrestimin të Ballukut, kërkesës së SPAK?
Sali Berisha: E vërteta është se, ne kemi patur komunikim të vazhdueshëm për këtë problem. Por fatmirësisht, siç jeni në dijeni ka patur vizita intensive ndërkombëtare në Tiranë gjatë këtyre dy muajve të përqendruara, kryesisht në këtë çështje.
Ndaj dhe, shumë pak ka qenë e nevojshme, do të thosha brief-imi ynë. Ne e kemi bërë atë, unë po theksoj dhe njëherë; misioni fakt mbledhës i Partive Popullore Europiane i përbërë nga përfaqësuesit e 30 partive, që ishte pak ditë më parë në Tiranë, në konkluzionet e tij shprehet se, gjendja që gjetëm në Shqipëri ishte shokuese.
Të gjithë konstatimet e tyre në Shqipëri, përfaqësues të Parlamentit Europian që erdhën në një akt shumë të rrallë, shumë të rrallë, mision faktmbledhës. Edhe ata i pasqyruan në fjalimet, qëndrimet e tyre në Parlamentin Europian.
Po kështu Shqipërinë e kanë vizituar ministri i Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë dhe ministri për Europën i Republikës Federale të Gjermanisë.
Në këtë hark kohor të shkurtër e ka vizituar Komisioneri për Ligjin i Komisionit Europian.
Jam i bindur se nuk ka vend të lirë, se vendet e lira qëndrojnë fuqishëm për shtetin ligjor.
Ndaj dhe nuk mbetet gjë tjetër veç se falënderime për qëndrimet e qarta, të prera që kanë mbajtur.
Por siç jeni dëshmitarë, e kam paralajmëruar gjithnjë se, Edi Rama kurrë nuk do të pranojë të dorëzohet para drejtësisë.
Se Lubi Balluku është thjeshtë noterja, sekretarja e regjistrimit të vjedhjeve të tij, natyrisht ka përfituar prej tyre, por aty kryesor është Edi Rama.
Kështu që duhet tani sovrani të thotë fjalën e tij në mënyrën më të vendosur, më vendimtare.
Anisa Kadesha, TVSH: Z. Berisha, e pengon procesin integrues të vendit vendimi i sotëm i shumicës për të mos bashkëpunuar me drejtësinë në luftën kundër korrupsionit?
Sali Berisha: I bllokon proceset integruese. Absolutisht, i bllokon.
Edhe njëherë, nuk ka dyshim, pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjë një vend apo një vend tjetër, por nuk mund të kapërcejnë kurrë atë grup vendesh që kërkon shtetin ligjor dhe Kushtetutën.
Ka në këtë mes mbështetës edhe për pamfletin Rama-Vuçiç, që de facto do të thotë nxjerrje jashtë procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Serbisë.
Në thelb, edhe ajo është nxjerrje e Shqipërisë jashtë procesit të integrimit, kalimi i Shqipërisë vetëm në sfondin e tregtisë së lirë.
Kështu që për të dëmtuar, e dëmton në mënyrë palcore, por ju e morët vesh, Shqipëria si asnjë vend tjetër në planet hyri edhe në platformat e basteve, në Polymarket nëse do mbijetojë Rama vitin 2026 apo nuk do mbijetojë.
Unë u them atyre që vunë bastin që nuk mbijeton, do e fitoni bastin.
Shqiptarët do i japin duart Edi Ramës shumë shpejt.
Le të mbledhë të gjithë kartelet e drogës të botës, populli shqiptar do triumfojë mbi to.


