BASHKËBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA
ESKTRAKT
Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka lëshuar sot akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të kësaj të fundit që të rikthejë në detyrë, Belinda Ballukun. Gjatë fjalës së tij, ai e cilësoi këtë vendim si një akt pa precedent, jo vetëm në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik në Shqipëri, por edhe në standardet demokratike europiane, duke theksuar se ‘në një akt që shkelmon interesin personal, direkt të çdo qytetari shqiptar, Edi Rama i imponoi Gjykatës Kushtetuese të firmosë licencën për vjedhjet nga ai dhe ministrat e tij’.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, vendimi nuk përfaqëson një akt juridik të pavarur, por një ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike mbi pushtetin gjyqësor. Ai deklaroi se ‘ai vendim i Gjykatës Kushtetuese, i shkruar në zyrën e Edi Ramës, pas presioneve të jashtëzakonshme dhe paritjes me shuma më marramendëse, është një licencë për Edi Ramën, familjen e tij dhe ministrat e tij që të vjedhin sa më shumë shqiptarët’.
Sipas kryetarit të PD-së, ky vendim ‘tejkalon dhe mbikalon të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar’, duke i hequr gjykatave të zakonshme tagrin kushtetues për shqyrtimin e masave të sigurisë dhe duke e shndërruar Gjykatën Kushtetuese nga ‘gjykatë e të drejtave të njeriut në gjykatë që autorizon vjedhjen e qytetarëve shqiptarë’.
‘Duke anuluar pezullimin dhe duke i dhënë kohë që të falsifikojë e manipulojë dokumente, Gjykata Kushtetuese i dha de facto Edi Ramës licencën të vjedhë pa siklet, të vjedhë sa të dojë’, u shpreh lideri i opozitës gjatë bashkëbisedimit me qytetarët. Sipas tij, ky vendim është një goditje ndaj luftës kundër korrupsionit, duke krijuar, sipas tij, një realitet ku ‘Edi Rama dhe ministrat e tij nuk do të kenë më asnjë lloj kufizimi’.
Lideri i opozitës Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që ti bashkohen Partisë Demokratike në protestën e 22 Dhjetorit, pasi sipas ti; ‘Nuk kemi më ç’të presim as nga gjykatat, as nga prokuroria’. Për kryedemokratin, 22 dhjetori do të jetë dita e nisjes së një beteje që ‘do të ndërpritet vetëm me rrëzimin e këtij pushteti, krijimin e qeverisë teknike dhe rikthimin e votës së lirë’.
FJALA E PLOTE:
Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj një të diel të mbarë.
Së dyti, dua të ndalem shkurtimisht në disa zhvillime të pashembullta në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik në Shqipëri, por dhe në historinë e Europës dhe më gjerë.
Në një akt që shkelmon interesin personal, direkt të çdo qytetari shqiptar, Edi Rama i imponoi gjykatës Kushtetuese të firmosë licencën për vjedhjet nga ai, ministrat e tij.
Ai vendim i Gjykatës Kushtetuese i shkrojtur në zyrën e Edi Ramës, pas presioneve të jashtëzakonshme dhe paritjes me shuma më marramendëse, në kuptimin më të vërtetë të fjalës, është një licencë, për Edi Ramë, familjen e tij, ministrat e tij, që të vjedhin, vjedhin sa më shumë shqiptarët.
Vendimi i shkrojtur në zyrat e Edi Ramës, tejkalon, mbikalon, të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar, i cili ka tagrin në përputhje me Kushtetutën të shqyrtojë masat e sigurisë, Gjykatës së Apelit dhe asaj të Lartë.
Duke anuluar pezullimin e Lubi Ballukut, duke i dhënë dhe 1 muaj e gjysëm kohë, asaj që të falsifikojë, manipulojë çdo dokument të vjedhjeve të saj kolosale me Edi Ramën direkt dhe me të tjerë, defakto Gjykata Kushtetuese i dha licencën Edi Ramës të vjedhë pa siklet, të vjedhë sa të dojë.
Gjykata Kushtetuese nuk mund të hiqte kurrë masën e pezullimit pa u shqyrtuar ajo në shkallët e tjera të sistemi gjyqësor.
Kjo gjykatë u kthye nga gjykatë e të drejtave të njeriut, në gjykatë që autorizon vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.
Së dyti, pas këtij vendimi, Edi Rama dhe ministrat nuk do të kenë më asnjë lloj kufizimi. Pas kësaj goditje shkatërrimtare që i dhanë akuzës, ata janë të qetë se akuza nuk do mund të ngrihet më kundër tyre që ti dëmtojë.
Nga ju mund të ketë që mund të pyesë se, pse prokurori nuk lëshoi që në fillim urdhër-arresti për Lubi ballukun. Nuk e lëshoi sepse Edi Rama nuk do pranonte kurrë arrestin dhe heqjen e imunitetit.
Unë e thashë që në fillim, kjo ishte një masë e zbutur ndaj tyre, kurse me arrest do veprojë si me Saimir Tahirin.
Jo që nuk lejoi arrestin, por e vonoi mbi 1 muaj autorizimin për kontrollin e banesës, pasi Saje Qorri i zhduku të gjithë dokumentet e pjesëmarrjes së tij në trafikun e drogës.
Pra, për të gjithë ata që besojnë se vjedhja e taksave të shqiptarëve, pasurive të tyre publike janë shkak themelor i varfërimit dhe mjerimit të tyre, nuk ka më asnjë shpresë, për luftën kundër korrupsionit, përveç vullnetit të tyre.
Dje në mbledhjen e kryesisë së PD u vendos që ti drejtohemi qytetarëve për fillimin e protestave në datën 22 dhjetor, ku të bashkohen shqiptarë të të gjitha bindjeve, por që guxojnë të shprehin zërin e tyre kundër vjedhjes së parave dhe pasurive të taksëpaguesve shqiptarë dhe qytetarëve.
Në Bullgari e përmbysën qeverinë. Nuk është e vërtetë që kryeministri kërkoi të bllokojë vendimin e gjykatës, por kryeministri duke marrë përgjegjësi për aktin korruptiv të ministrit të tij, dha dorëheqjen dhe e çoi vendin ne zgjedhje.
Kurse Edi Rama i tmerruar sepse është direkt njeriu që ka ndarë paratë me Lubi Ballukun, i dha një goditje fatale luftës kundër korrupsionit.
Qytetarë dhe qytetare, na përket ne të ngremë zërin tonë, na përket ne të mos pajtohemi kurrë me këtë situatë.
Por unë këtu, para jush do të përsëris, do të shtrojë përsëri çështje.
Ne faktuam me dokumente të pakundërshtueme, por dhe raporte ndërkombëtare më serioze se në Shqipëri u zhvilluar një farsë elektorale, se Edi Rama zgjedhje nuk zhvillon, se pushteti i tij qëndron mbi votën e grabitur, duke organizuar në periudhën e ndaluar me ligj, para votimeve 4533 përfshirë ditën e votimit me 7 mln euro, ‘Giro d’Italia’.
Duke u dhënë dhuratë për votë 100 euro, 760 mijë pensionistëve.
Duke arrestuar në vitin elektoral, dy liderët e partive kryesore opozitare dhe duke vendosur në proces penal pa asnjë fakt të ri, kryetarin e partisë së tretë.
Duke mobilizuar të gjithë administratën e tij, si polici terrori vote. Duke punësuar përkohësisht dhe duke dhënë dhjetëra mijëra certifikata pronësie, leje legalizimi, ndërtimi.
Edi Rama përdori të gjitha bandat të cilat futën në parlament, një për një 28 deputetë.
Manipuloi në mënyrë monstruoze votën e diasporës.
Pra dhunoi nen për nen parimet themelore të Kartës së Kopenhagënit të vitit 1990 për zgjedhjet. Kodin Zgjedhor, platformën e këshillit të Europës për zgjedhjet dhe kodin e Venecias.
Të gjitha këto dëshmojnë përfundimisht se zgjedhjet me Edi Ramën janë iluzion. Nuk mund të ndodhin kurrë zgjedhje, përveç se farsë.
Prandaj PD-ja ju bën thirrje ju demokrateve e demokratëve në radhë të parë, por dhe çdo qytetari që e konsideron votën e lirë, si zemrekun e demokracisë të nisim me 22 betejën tonë e cila do të ndërpritet vetëm me rrëzimin e këtij pushteti, krijimin e qeverisë teknike dhe votimin e lirë të shqiptarëve, në të cilat në mënyrë absolute, PD do të fitojë zgjedhjet.
Si ka fituar kurrë zgjedhjet Edi Rama.
Por kësaj here, njëlloj si në vitin 2001, ne arritëm tu vërtetojmë shqiptarëve dhe mbarë botës se ky i vodhi zgjedhjet, ky i dhunoi zgjedhjet.
Ndaj na takon ne tani, beteja për votën tonë.
Ndërkohë, shkurtimisht dua t’ju njoftoj se zgjodhi pa firmat e opozitës Avokatin e tij të Popullit, duke marrë edhe atë grimcë pushtet që kishte mbetur i ndarë.
Unë e kam theksuar dhe theksoj se firmosja e kandidaturës së Endrit Shabanit ishte një gabim, akt i nxituar, i cili ndodhi në një periudhë kur u krijua një lloj koalicioni për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës.
Megjithatë, nuk është ajo firmë që bëri të mundur zgjedhjen e Endrit Shabanit, se ajo firmë u tërhoq po me firmë nga të gjithë ata që i kishin vendosur firmat. Pra, njëra anë është një nxitim dhe gabim për të cilin unë kam kërkuar dhe kërkoj prapë ndjesë, por ana tjetër është zgjedhja, nuk u bë nga firmat se firmat u tërhoqën.
Ndaj dhe cilido që beson se ai u zgjodh nga firmat e Partisë Demokratike, mashtron veten. Ai u zgjodh nga Edi Rama pa firmat e Partisë Demokratike sepse ato firma u tërhoqën një për një po me firmë nga ata që kishin firmosur.
Natyrisht me këtë Edi Rama tregoi se çdo lloj çdo lloj negociate, çdo lloj ideje për zgjedhje, reformë territoriale është iluzive dhe Partia Demokratike i përgjigjet atij në mënyrën më të merituar. Ne kemi vetëm një rrugë, protestën, protestën dhe vetëm protestën për largimin e tij nga pushteti.

PYETJE PERGJIGJE ME QYTETARET ONLINE
Sinan Belba: Doktor, Edi Rama tha sot se nuk i kishte lënë një ditë oficerët e BKH-së që të mos futen brenda selisë së kryeministrisë për të sekuestruar dokumentet për hetimet. Ku i fle Ramës lepuri që po bën presione nga të gjitha anët?
Sali Berisha: E vërteta është që Edi Rama i ka penguar dhe unë e kam denoncuar në kohë bllokimin që u bëri oficerëve të BKH-së për t’u futur në kryeministri për të konfiskuar dokumenta krimi.
Duket se më vonë është ndërhyrë dhe kur kanë shkuar herën tjetër, Edi Rama ka kërkuar çarmatosjen e tyre, se ai vuan nga fobira. Ai ka menduar se për shkak të atyre që ka kryer dhe mund ta arrestonin, mund të sillnin urdhër-arresti a ndonjë gjë të tillë dhe i ka detyruar të lënë, siç thotë ai, patllaket me përçmim, t’i lënë tek oficeri i rojës, çka nuk ka ndodhur ndonjëherë.
Po këto janë fobitë e Edi Ramës, sepse Edi Rama, në qoftë se Lubi Balluku është bërë e qartë në tunelin e Llogarasë se, si ka vepruar me drejtorin e përgjithshëm të rrugëve për tenderin e tunelit të Llogarasë, Edi Rama është shumë më i lidhur në këtë aferë sesa Lubi Balluku.
Edi Rama ka marrë Lubi Ballukun e ka çuar në Ankaranë. Në Ankara është Edi Rama që ka organizuar takimin me kompanitë të cilave ua dha tenderin me Lubia, 50 milionë euro më shumë.
Kështu që Edi Rama në fakt, në të vërtetë po mbron vetëm veten e tij.
Po Edi Rama ka afera të tmerrshme të tjera. Ai që Arben Ahmetaj e ka quajtur kopshti privat i Edi Ramës apo Akshin. Ai është një nga, një nga epiqendrat më mafioze të korrupsionit, ku me regjistrime kunati i Edi Ramës ka fituar qindra milionë.
Ku Geron Meçe është me regjistrim, ku thuhet se bashkëshortja e Edi Ramës është e implikuar në diktimin e fituesve të tenderave. Ku janë grabitur dy biznesmenë, njëri prej tyre është në Gjermani. Ku zv/drejtori i përgjithshëm, u mor peng dhe u mbajt orë të tëra në Elbasan sepse duket të kishte folur në Skap.
Ku kërkua të zhdukej dosja ku përflitej edhe vetë Linda Rama. Tani imagjino ti po të shkojnë këta në Surrel edhe t’i kërkojnë dokumentet. Pra, halli i Edi Ramës është shumë i madh, shumë i madh. Ndaj dhe ai doli tani me të gjithë potencialet e tij, terrorin, frikën, paratë dhe mori licencë për të vazhduar vjedhjen me gjykatë.
Qytetar: Mirëdita doktor Berisha. Çfarë rruge ligjore do ndiqni tani ndaj Lubi Ballukut si parti e grup parlamentar, pasi Gjykata Kushtetuese e shokut Rama mori vendim sipas urdhërit të tij. Ditën e mirë.
Sali Berisha: Rruga e vetme, i dashur mik, për Partinë Demokratike dhe për çdo shqiptar është rruga, rruga dhe vetëm rruga. Kjo është rruga e vetme ligjore, mbasi Gjykata Kushtetuese mori pushtetet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë nën diktatin e Edi Ramës dhe i hoqi asaj pezullimin.
Mos të ketë kush iluzion se një fletë-arrest, një mandat arresti nga Skapi për Lubi Ballukun do pranohet nga Edi Rama. Ai do hidhet poshtë siç u hodh mandati ndërkombëtar i arrestit nga antimafia italiane për Saimir Tahirin.
Prokurori që kërkoi pezullimin, në përputhje të plotë me ligjin dhe kushtetutën e vendit, në përputhje të plotë me praktikën europiane dhe botërore, të përsëritur shumë e shumë herë, e bëri atë masë të zbutur vetëm e vetëm i bindur se, nuk lejonte arrestimin Edi Rama.
Tani Edi Rama firmosi në Gjykatën Kushtetuese licencën për të vazhduar vjedhjet.
I dashur mik, nuk kemi më çtë presim, as nga gjykata e as nga prokuroria.
Rruga dhe vetëm rruga duhet të jetë ligji ynë, deri sa të shpëtojmë nga këta hajdutë, që zyrtarizuan me vendim gjykate vjedhjet dhe abuzimet si në Shqipëri.
Qytetar: Doktor, kur të fillojnë protestat, do të ketë edhe revolta, çadër përpara kryeministrisë, bllokim rrugësh? Se Edi Rama me votë nuk rrëzohet. As dhe me protesta paqësore nuk rrëzohet. Si do të veproni sepse jemi lodhur doktor. Ju lutem një përgjigje.
Sali Berisha: E ke të drejtë shumë. 13 vite opozitë janë topitëse. Por prapë, sot është koha e misionarëve, e atyre që janë të vendosur të sakrifikojnë për idealet e tyre.
Çfarë kemi sot në dallim nga vitet e mëparshme? Zgjedhjet e vitit 2025, nuk janë zgjedhjet e para që i merr Edi Rama si farsë. Jo. Ai ka marrë të gjitha zgjedhjet e mëparshme nga 2017-ta gjerë sot, po me farsë elektorale.
Por kemi një dallim të madh. Cili është dallimi i madh? Dallimi i madh është se këto zgjedhje, në ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar janë farsë. Edi Rama bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme që të ndryshonte raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe dështoi plotësisht. Tani Europa, bota pret nga ne t’i dalim zot votës sonë.
Të gjitha format e protestave do të përdoren dhe duhet të përdoren. Kurrë ndonjëherë më shumë, vendi nuk ka patur nevojë për kreativitetin, për guximin dhe vendosmërinë e idealistëve shqiptarë.
Betejë për të rikthyer votën e lirë, betejë për shpëtimin e familjes shqiptare. E para për shpëtimin e demokracisë me votë të lirë, për shpëtimin e familjes shqiptare nga ligji i sapo miratuar, për shpëtimin e Shqipërisë nga rrënimi përfundimtar i saj.
Kështu që është koha e misionarëve, por një gjë ju siguroj, se Partia Demokratike gjersa të realizojë këtë qëllim, do të qëndrojë vetëm në funksion të tij. Protestë, protestë dhe vetëm protestë.
Tasim Hasa. Doktor, prej gati më shumë se një jave, Adriatik Lapaj me një grup të rinjsh po protestojnë pa reshtur para kryeministrisë. Ju vetë dolët dhe dënuat dhunën ndaj protestuesve. Në protestën që ju do të zhvilloni, Lapaj përfshihet apo përjashtohet?
Sali Berisha: Lapaj nuk përjashtohet dhe unë e përshëndes atë dhe e kam përshëndetur, edhe gjestin e tij, edhe aktin e tij dhe protestën e tij të drejtë.
Hasani nga Britania e Madhe. Doktor, keni ndonjë informacion pse nuk ka shkuar më Rama në Amerikë? Edhe këtej nga Anglia sikur nuk po e shohim më.
Sali Berisha: Informacione dhe lajme të këqija për Edi Ramën ka shumë. Por, gjersa ai qëndron në karrige, duhet të them haptas, nuk na nderon, por është turpi ynë. Nuk duhet ta tolerojmë më tej.
Tani ujërat janë kthjelluar. Tani Edi Rama para Europës dhe botës është dhunuesi i zgjedhjeve të shqiptarëve, i votës së lirë të shqiptarëve.
Dje media më e madhe e Shteteve të Bashkuara Fox Neës, raportonte se rikthejnë në detyrë zv/kryeministren e akuzuar për korrupsion, duke bërë luftën e luftën kundër korrupsionit një iluzion në këtë vend.
Mos harroni se 5 ditë më parë, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit të organeve të drejtësisë, u tha shqiptarëve se lufta kundër korrupsionit është përparësi për presidentin Trump.
Dhe Edi Rama, për të shpëtuar për lëkurën e tij, nuk pyet për asgjë. Pra, ne duhet t’i japim përgjigje Edi Ramës.
Leon Thanasi. Doktor, dje u zhvillua mbledhja e kryesisë dhe me sa morëm vesh nga mediat ka pasur debate. Ju keni paralajmëruar mbledhje të Këshillit Kombëtar dhe situata mund të përkeqësohet. Një përçarje tjetër do të ishte vetëvrasje për Partinë Demokratike. Besoj se duhet të ulni gjakrat.
Sali Berisha: Faleminderit shumë. Ju siguroj se mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive. Rendi i ditës i kësaj mbledhje ishte qëndrimi i PD-së pas vendimeve shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit të Edi Ramës.
Ishte thirrja e Këshillit, mbledhjes së Këshillit Kombëtar, për vonesën e të cilit ka patur kritika, por siç kam theksuar dhe theksoj përsëri, ajo vonesë ka patur lidhje vetëm me një faktor. Dhe ky faktor ka qenë raporti ndërkombëtar për zgjedhjet, mbasi Edi Rama po bënte një betejë të egër kundër vëzhguesve dhe do përdorte çdo lloj diskutimi që mund të bënin ne brenda, për t’u fakt, për t’u thënë atyre që këta e kanë fajin vetë dhe jo unë që ju kam vjedhur zgjedhjet.
Dhe është vepruar shumë drejtë. U ripërsërit për herë të dytë. Mbrojtja e votës.
U mbrojt e 2001-shit, u mbrojt e 2025-it. Dhe kjo ishte një detyrë shumë e vështirë, por që u realizua plotësisht në interesin e çdo shqiptari.
Nuk ka një përçarje, ju garantoj. Po, pas zgjedhjeve pati të quajtur demokratë që hanë turpin me bukë dhe vrapuan e u punësuan në administratën e krimit. Pati të tjerë të cilët vendosën të mos merren më me politikë, por të ndjekin jetën e tyre. Pati të tjerë të cilët flirtojnë me qeverinë për kontratat që kanë.
Por unë dua t’ju them ju që absolutisht kjo parti ka dhe do ketë vetëm një qëllim; Idealin tuaj të lirisë, rikthimin e votës së lirë dhe fitoren e PD-së. Kjo parti s’mund të qëndrojë dhe nuk do të qëndrojë për kontratat e asnjë njeriu. Jo. Kontrata jonë është me qytetarin shqiptar, për lirinë, për familjen, për Shqipërinë.
Kjo është për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë.
Ndaj dhe asnjë shqetësim i dashur mik nuk duhet të kesh.
Ata që zgjedhin për t’u bërë zhurmues në favor të Edi Ramës duke mashtruar, duke manipuluar elementë që kanë punuar haptas kundër PD-së, kanë punuar për deputetë të Partisë Socialiste, madje kanë dalë dhe kandidatë në bashkinë e Tiranës kundër kandidatit të Partisë Demokratike.
Ata janë fals. Nuk janë demokratë, s’kanë asgjë të përbashkët me idealet tuaj të dashur mik, as me të miat.
Por dhe njëherë, kjo është koha e misionarëve. Fat të madh kanë ata që pranojnë misionin, dhe do fitojnë.
Arti Caku: Deri kur do të vazhdojë Partia Demokratike kështu duke bashkëpunuar me Partinë Socialiste si kodi zgjedhor me lista të mbyllura, me njerëz që i urren populli dhe demokratët e thjeshtë duke i emëruar pa vullnetin e demokratëve, me reformën territoriale, me firmat për avokatin e popullit, me mosmbajtjen e përgjegjësive të asnjërit prej për humbjen e zgjedhjeve?
Sali Berisha: Edi Rama firmosi fundin e këtij bashkëpunimi. Ke të drejtë. Nuk ishte vendim i lehtë. Por ne, duke menduar se interesi i qytetarëve është të kenë një avokat që mbron të drejtat e tyre në këtë shtet ku dhunohen nga mëngjes gjerë në darkë, të drejtat.
Duke besuar se, ne e dimë shumë mirë që nuk është ligji që ka fajet, por prapë përmirësimet janë të domosdoshme me ligjin e zgjedhjeve apo reformën, por me aktin që kreu Edi Rama, zgjedhjen e Shabanit Avokat Populli, pasi opozita kishte tërhequr firmat ndaj tij, pra pa firma, ai tregoi se çdo formë bashkëpunimi me të është thjesht fiktive, thjesht fasadë.
Dhe kryesia e Partisë Demokratike mori dje vendimin të ndërpresë çdo lloj bashkëpunimi me, me mazhorancën e krimit apo pseudo-mazhorancën.
Megi Zoga. Do të rikthehet Berisha si lider i vërtetë, i vendosur, pa kompromis dhe duke udhëhequr Partinë Demokratike me stilin e tij origjinal. Këtu nënkuptohet rikthimi në stilin politik që e bëri Berishën të njohur, drejt vendimeve të forta, të drejtpërdrejta dhe shpesh dramatike, që nuk shmangin konfrontimin kur është e nevojshme.
Sali Berisha: Pas raportit ndërkombëtar për zgjedhjet, me të cilën ne përmbushëm një zotim shumë të vështirë, sepse ti mund të dënosh zgjedhjet, por në qoftë se ato nuk përputhen me raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë, beteja vështirësohet tmerrësisht.
Se jep argumentin që nuk është një betejë për parime, ideale dhe vlera, por një betejë për karrige.
Ne tani kemi çdo të drejtë t’i kthejmë betejës gjerë në fitoren tonë të plotë.
Dhe ju garantoj që sot jam më i motivuar se kurrë në këtë betejë. Unë, e dashur mike, e kam ditur dhe e kam thënë me dhjetëra e dhjetëra herë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
E kam deklaruar këtë me dhjetëra e qindra herë para zgjedhjeve. Por ajo që na mungonte, na mungonte pikërisht dokumenti ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar i dhunimit të zgjedhjeve.
Tani është gjithçka në guximin tonë, në vullnetin tonë, në përkushtimin tonë.
Jani Pero: Doktor, mendoni se drejtësia do arrijë te Rama me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK?
Sali Berisha: Asnjë ndryshim nuk bën. Sepse Rama me licencën që mori në Gjykatë Kushtetuese, Rama mbylli çdo mundësi që ai, familja e tij, ministrat e tij të mund të penalizohen për vjedhjet që bëjnë. Na përket ne dhe vetëm ne.
Duhet ta pranojmë një fakt, duhet të pranojmë se prokurori që kërkoi pezullimin, foli me gjuhën e ligjit. Nuk u tërhoq para kërcënimit që i bëri Lulim Balluku, bandat e saj. Para kërcënimit soft të Altin Dumanit, para telefonatës kriminale të Edi Ramës. Nuk u tërhoq.
Por ky akt i tij, u zerua.
Por ky akt ama fton çdo qytetar të ngrihet, për të mbrojtur jo ligjin thjeshtë, jo kushtetutën thjeshtë, por për të mbrojtur interesin e tij personal.
Për të parandaluar vjedhjen e tmerrshme që po bën kjo qeveri.
Qytetar: Çfarë prisni nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese me 22 janar për Belinda Ballukun?
Sali Berisha: E mori vendimin. Vendimi me 22 janar duhet të ishte për masën e sigurisë, por masa e sigurisë u hoq. Pra, është vendim post-mortem, pas vdekjes, s’ka më asnjë vlerë. Edi Rama fitoi. Pariti.
Janë derdhur shuma kolosale, është bërë gjithçka. Pasi mori licencën, lexoni si sulmonte sot me egërsinë më të madhe sistemin, shoqatat.
Dhe duhet të bëjë një sqarim për mashtrimin e tij të paskrupullt. U thotë qytetarëve se duhen me çekiç të thyejnë arkën e buxhetit të shtetit, pse e kanë paditur. Jo, është gënjeshtër. Është Edi Rama shkaku i saj, sepse i ka caktuar Altin Dumanit, në kundërshtim me parimet kushtetuese, me ligjet, një rrogë që nuk e merr kush në Ballkan. 7300 euro.
Kryegjykatësit të lartë dhe kryegjykatësit të Gjykatës Kushtetuese, një rrogë shumë më të ulët se e saj.
Pra, çfarë kërkojnë gjykatësit? Kërkojnë atë që ka parim kushtetuta, proporcionalitetin. Se në qoftë se ti i jep prokurorit, jo të përgjithshmit, se as atij s’mund t’i japësh këtë, por prokurorit special 7300 euro rrogë për të mbyllur dosjet e familjes së tij, të gjithë ata kanë të drejtë të shkojnë në gjykatë, të kërkojnë proporcionalitet.
Ata kanë kërkuar proporcionalitet në gjykatë. Dhe këtë e ka krijuar Edi Rama. Ata kërkojnë barazim që u takon me ligj. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë në krye të piramidës së sistemit të drejtësisë vendoset një prokuror. As Enver Hoxha nuk e kishte këtë. Jo. I kishte të tmerrshëm prokurorët, i kishte xhelatët, i kishte, po nuk ishte ata në krye të piramidës. Në krye të piramidës ishte kryegjykatësi.
Ervin Tafa: Përshëndetje. A do të ketë dorëzim mandatesh nga deputetët që firmosën kandidaturën e Shabanit, Avokat i Popullit, apo të largohemi ne nga Partia Demokratike?
Sali Berisha: Nuk besoj se justifikohet. Pse? Së pari, ato firma, unë theksova, janë gabim dhe apologjia dhe ndjesa është akti i merituar në këtë rast. Por ato firma u vendosën në një klimë kur u krijua një lloj koalicioni për kandidatin e Tiranës.
Ato firma u tërhoqën me firmë. Ju do të kishit të drejtë të mbani revoltën tuaj në qoftë se ata firmatarë nuk kanë firmosur për tërheqjen e firmave të tyre. Kështu që e pranoj kritikën, por jo idenë që të largohesh nga Partia Demokratike për këtë gabim.
Se kjo do ishte një lehtësim për Edi Ramën, një luftëtar më pak. Edi Rama e emëroi Endri Shabanin, Avokat Populli pa firma. S’është e vërtetë, po u tërhoq, firma është tërhequr. Dhe firma mund të tërhiqej edhe në parlament në momentin e votimit.
Firma është propozim, nuk është votë.
Syl Islamaj: Doktor, ju po bëni një punë të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet për ndryshimin e kësaj gjendjeje katastrofale që mund ta quajmë. Ama strukturat e tjera nuk janë në sinkron me ju. Kur do të vihen në eficencë strukturat e në veçanti seksioni si qelizë e organizimit të Partisë Demokratike? Pa funksionim të seksioneve është shumë e vështirë fitorja.
Sali Berisha: Jam shumë dakord me ju Syl.
Pa diskutim që problemi i organizimit është një problem kyç themelor i Partisë Demokratike. Por, në të gjitha qarqet janë krijuar grupe dhe janë shpërndarë dhe kanë nisur puna. Punë e cila do të vazhdojë gjer në analizën dhe organizimin e Partisë Demokratike.
Unë shpalla cili do jetë misioni, por cili do jetë për partinë brenda saj, detyra kryesore është organizimi, organizimi, organizimi.
Dhe një organizim me dy qëllime.
Së pari, një organizim që i përshtatet realitetit të krijuar nga ndryshimet e shumanshme gjatë këtyre dekadave.
Së dyti, një organizim që synon përtëritjen dhe angazhimin e vlerave të reja në Partinë Demokratike.
Meri Lika: Përshëndetje. Kush ua dha urdhrin deputetëve që të firmosnin kandidaturën e Endri Shabanit?
Sali Berisha: Kandidatura e Endri Shabanit nuk është firmosur me urdhër. Për këtë ju garantoj.
Nuk ka patur një urdhër nga drejtues të PD-së që të firmosin. Firmosja e saj ka ardhur në kontekstin e klimës së krijuar nga bashkëpunimi për bashkinë e Tiranës.
Pastaj, ka patur më shumë të interesuar, ka patur më pak të interesuar, ka patur që kanë refuzuar, të gjitha këto janë reale.
Por asnjë urdhër nuk ka patur që të firmoset Endri Shabani. Ndaj dhe kjo është e vërteta për të.
Por edhe një herë Meri, firmat ishin gabim, akt i nxituar, ndaj dhe ndjesa publike.
Kurse zgjedhja e tij nuk ka asnjë lidhje me firmat, sepse firmat ishin tërhequr.
Sigurisht Edi Rama përdori si pretekst për të mashtruar qytetarët, por qytetarët duhet ta dinë se firmat ishin tërhequr po me firmë.
Alban Marko: Zoti Berisha, përshëndetje. Të uroj shëndet dhe jetë të gjatë. Pyetja ime është, Partia Demokratike ka patur pushtetin në drejtimin tuaj. Përse nuk miratuat ligjin e dekomunistizimit me qëllim që pjellat e Partisë së Punës dhe gjakpirësit e sotshëm mos të merrnin pjesë në vendimmarrje, ligjvënës apo aq më keq në drejtim të vendit? Ju faleminderit.
Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Kjo ka pak histori. Në vitin ’94, ne kemi miratuar ligjin që nxjerrim jashtë ligjit Partinë Komuniste, miratuam ligjin e lustracionit që nxirrnim jashtë administratës publike të gjithë ish-bashkëpunëtorët, oficerët e sigurimit të shtetit dhe nomenklaturën e diktaturës komuniste. Ky ishte ligji i lustracionit.
Me dekret, hoqëm të gjithë titujt dhe dekoratat, ndryshe krejtësisht nga ç’përsëritet, por është dekreti në fuqi, për Hitlerin e popullit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhën, dhe nomenklaturën e tij kryesore.
Përveç kësaj, ne jemi vendi i parë, se ligj lustracioni kishte dhe Çekosllovakia, Çekia më vonë se u nda, po e bëri Presidenti Havel.
Por ne jemi vendi i parë në vendet ish-komuniste që miratuam ligjin e dënimit të gjenocidit komunist. Ligj që i jepte të drejtën çdo të persekutuari të ndiqte penalisht persekutorin e tij. Konkretisht, familjet e të persekutuarëve mund të ndiqnin persekutorët e familjarëve të tyre.
Të gjitha këto u anuluan, përveç ligjit kundër gjenocidit që nuk u anulua po u modifikua, nga ardhja e socialistëve në pushtet në vitin 1997.
Përsëri në vitin 2006, ne sollëm në parlament dhe miratuam ligjin e lustracionit, por këtë ligj e rrëzoi Gjykata Kushtetuese mbasi 5 gjyqtarë, nuk duhej të ishin aty për shkak të së shkuarës së tyre.
Ky është historiku i betejës tonë për dekomunistizimin.
Sot, Shqipëria është në duart e një njeriu, i cili në vitet ’90 bënte radikalin, por sot kur i thuhet të kërkojë ndjesë për të atin që firmosi për varjen e Havzi Nelës, jo që s’kërkon ndjesë, po thotë se ai qëndroi në anën e drejtë të historisë, i ati i tij. Në anën e drejtë të historisë, domethënë në anën e atyre që firmosën varjen e njerëzve të pafajshëm.
Në fakt, tregon se parimet që zbatonin etërit e tij, në histori mbeten të drejta, kur ato janë parime çnjerëzore, gjenocidale, por ky, për hir të së vërtetës duhet të themi, se po kryen një gjenocid shumë, shumë herë më gjigant sesa gjenocidi komunist i Enver Hoxhës.
Ka larguar nga Shqipëria për kushte të llogaritura, vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian 1.1 milion shqiptarë në 10 vite dhe ka bërë që shqiptarët sot të kenë atë lindshmëri që kanë patur 100 vite më parë.
Pra, në këtë rrafshin e materies, e lëndës kombëtare, Edi Rama është armiku më i egër i shqiptarëve, sikundër në qëndrimet e tij ndaj Kosovës, Edi Rama tejkalon të gjithë të tjerët, ndonjëherë edhe vetë Aleksandër Vuçiçin dhe e kanë krahasuar me të drejtë me Pashiçin, kryeministrin e ultranacionalizmit serb.
***
Për ta mbyllur këtë bisedë, ju falënderoj me shumë mirënjohje ju që e ndoqët dhe ju që do ta ndiqni në rrjetet sociale.
Dhe ju ftoj që me datën 22 dhjetor të jetë fillimi ynë i fuqishëm, të jetë dita jonë në të cilën ne nisim një betejë që nuk duhet ta ndalim kurrë gjer në rifitimin e së drejtës së votës së lirë, qeverinë teknike dhe fitoren e PD.
Faleminderit!


