KRYETARI I PARTISË DEMOKRATIKE, PROF. DR. SALI BERISHA BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, foli për vizitën e tij në SHBA, zhvillimet politike në Shqipëri, çështjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, reformën territoriale dhe përgatitjet e opozitës për zgjedhjet lokale. Berisha tha se gjatë vizitës në SHBA zhvilloi takime me kongresmenë, senatorë dhe zyrtarë të administratës amerikane, ku sipas tij ngriti shqetësimet e opozitës për trafikun e drogës, korrupsionin, zgjedhjet dhe drejtësinë në Shqipëri. Ai deklaroi se ka marrë sinjale për mbështetje më të madhe amerikane në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.
Duke iu referuar mesazhit të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Berisha theksoi se lufta kundër karteleve të drogës dhe organizatave kriminale mbetet një çështje me rëndësi për SHBA-të. Një pjesë të rëndësishme të fjalës e zuri situata politike në Shqipëri. Berisha akuzoi qeverinë e aktuale për kontroll mbi institucionet dhe drejtësinë, ndërsa deklaroi se protestat e opozitës dhe qytetarëve kanë krijuar një situatë të re politike. Ai kërkoi gjithashtu ripërtëritjen e Partisë Demokratike, përfshirë modernizimin dhe digjitalizimin e strukturave të saj.
Për zgjedhjet lokale, Berisha theksoi se opozita duhet të përshpejtojë përgatitjet dhe tha se personalisht mbështet përdorimin e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve, por me një proces seleksionimi paraprak. Berisha foli edhe për vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Ai tha se krimet konkrete duhet të ndëshkohen, por shprehu rezerva për mënyrën se si është trajtuar përgjegjësia përmes linjave të komandimit. Ai kërkoi që ish-drejtuesit e UÇK-së të ndjekin rrugën e apelimit dhe vlerësoi luftën çlirimtare të Kosovës si një kapitull të rëndësishëm të historisë shqiptare.
Në lidhje me shëndetësinë, lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi gjendjen e sistemit dhe koncesionet në këtë sektor, ndërsa deklaroi se Shqipëria ka profesionistë të aftë që mund të kontribuojnë në reformimin e shërbimit shëndetësor.
Një tjetër çështje e ngritur ishte reforma territoriale. Berisha kundërshtoi bashkimin e bashkive dhe tha se PD do të ndjekë një politikë për ripopullimin e vendit. Sipas tij, rikthimi i emigrantëve dhe rritja e lindjeve duhet të jenë objektiva prioritare të një qeverisjeje të ardhshme.
Në përfundim të bashkëbisedimit, Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve të mbështesin protestën rinore që po zhvillohet në Tiranë. Ai deklaroi se protesta duhet të mbetet qytetare dhe pa simbole partiake.
Berisha e mbylli fjalën duke përsëritur mesazhin e tij politik se “Edi Rama është e shkuara” dhe duke e lidhur ripërtëritjen e Partisë Demokratike me atë që e cilësoi si “ripërtëritje të Shqipërisë”.

FJALA HYRËSE
Gjatë kësaj periudhe që nuk kemi bashkëbiseduar ka pasur disa zhvillime shumë të rëndësishme.
Njëri nga këto zhvillime ishte edhe udhëtimi im në SHBA, për të marrë pjesë në konventën zgjedhore të afatit të mesëm të Partisë Republikane, që u zhvillua në Teksas në datën 9 dhe 10 shtator.
Ajo ishte një ngjarje elektorale më madhështore që unë kam parë në të gjithë karrierën time politike.
Ishte një fantazi e vërtetë.
Presidenti Donald Trump iu drejtua konferencës ato dy ditë me dy fjalime, me të cilat, ai atë konferencë të zjarrtë e elektrizoi totalisht.
Siç kam theksuar, në atë konferencë, presidenti paraqiti dy rreziqet kryesore: komunizmin dhe kartelet e drogës, drogën.
Për fatin më të keq, ato janë dy shtyllat kryesore të regjimit të Edi Ramës.
Në këtë kuadër, nuk ka dyshim se fjalimi i tij dhe konventa ishin një mbështetje e madhe për të gjithë ata që përballen me këto dy rreziqe në vendet e tyre.
Por udhëtimi në Teksas kishte një dimension tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Kongresit të SHBA, kongresmenë, kryetarë të komisioneve ndër më të rëndësishmet, senatorë, zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump.
Në këtë kuadër, mund të them se u shfrytëzuan në maksimumin e mundshëm ato ditë për të paraqitur Shqipërinë dhe problematikat e saj.
Natyrisht, siç kam theksuar dhe e theksoj prapë, dy janë çështjet themelore në të cilat ne u ndalëm në takimet tona. Narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, me efekte shkatërrimtare mbi ekonominë, mbi demokracinë, mbi rendin, mbi të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Pasojat e tij, shndërrimin e zgjedhjeve në një farsë elektorale si dhe kontrollin total të Edi Ramës mbi drejtësinë, përdorimin e saj si armë politike.
Mendoj se me paraqitjen tonë, ne bëmë vërtet një avokati të interesave të çdo shqiptari, por edhe gjetëm mirëkuptim të madh tek bashkëbiseduesit tanë.
Faktikisht, këtë javë që lamë pas u zhvillua një hearing në Kongresin e SHBA, hearing në të cilin kryetari i Komisionit të Helsinkit të këtij Kongresi, kongresmeni Xho Uillson shtroi pyetje shumë të rëndësishme mbi krimin transnacional, përdorimin e mjeteve publike dhe ndikimin e tyre në zgjedhjet në Shqipëri.
Pra, mund të themi se me takimet tona, ne paraqitëm realitetin shqiptar sipas versionit tonë të opozitës, por që në fakt duhet të them se nuk është se ato ranë si rrufe në qiell të pasur. Njohuritë për Shqipërinë ishin mjaft të avancuara.
Mund t’u them se Sekretari Rubio, në mesazhin e tij që i dërgon Edi Ramës për pavarësinë e Shqipërisë, shprehet se kartelet e drogës, bashkëpunëtorët e tyre dhe organizatat kriminale janë një rrezik për qytetarët amerikanë dhe duhet t’i luftojmë me efikasitet.
Po kështu, lufta kundër korrupsionit është një problem tjetër madhor, për të cilin administrata e presidentit Trump e ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e saj.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë miqve tanë në Partinë Republikane, IDU-së për ftesën dhe mikpritësve në takimet e rëndësishme që patëm.
Por, dua të jem i sinqertë, pjesa më emocionale e udhëtimit tim ishin takimet me diasporën tonë të mrekullueshme.
Takime që rikthyen atmosferën e zjarrtë të viteve ’90-’91, kur së bashku me diasporën bëmë gjithçka për të përmbysur diktaturën komuniste në Shqipëri.
Në atë kujtim, e kujtoj gjithnjë, ne kërkuam ndihmën dhe mbështetjen e saj për të rrëzuar diktaturën komuniste në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës.
Diaspora dha kontribut historik.
Kombi aty ka disa nga personalitetet më të shquara të atdhetarisë, të çështjes kombëtare.
Por njëlloj kësaj here, me të njëjtin entuziazëm, me të njëjtin shpirt vëllazërie na pritën së bashku me Fatmir Mediun, Belind Këlliçin, Enri Çenon, Klevis Balliun dhe Albana Vokshin.
Një pritje e jashtëzakonshme. Një angazhim i madh, një preokupim i madh i tyre për gjendjen në Shqipëri dhe vendosmëri për të kontribuar në mënyrë që shqiptarët të shpëtojnë nga diktatura autoritare e Edi Ramës dhe narkoshteti i tij.
E njëjta atmosferë në Dallas, në Teksas. Më pak numerike, por jo më pak aktive. Po aq atdhetare dhe e flaktë, diaspora jonë në Dallas dhe në Teksas. Personalitete të shquar të cilët kanë kontribuar shumë si për Shqipërinë, ashtu edhe për çlirimin e Kosovës.
Të gatshëm të kontribuojnë përsëri me të gjitha lidhjet e tyre të fuqishme me ligjvënësit amerikanë, me zyrtarët amerikanë për çmontimin e narkoshtetit në Shqipëri, por edhe për problematikat me të cilat përballet Kosova.
Pra, mund t’u them se ky udhëtim i fillimit të shtatorit të vitit 2026, ndonëse ishte 35 vite larg të parit, për sa i përket rëndësisë dhe për sa i përket mikpritjes vëllazërore, ngjasonin shumë njëri me tjetrin.
Me këtë rast, dua të përshëndes të gjithë përfaqësuesit tanë të shkëlqyer në diasporë për atë pritje jashtëzakonisht të ngrohtë që na rezervuan dhe angazhimin e tyre të plotë për të mbështetur përpjekjet e forcave demokratike dhe opozitës për çmontimin e këtij regjimi.
Natyrisht, java që lamë pas nuk ishte një javë e mirë për shqiptarët.
Ish-udhëheqja politike e UÇK dhe Kosovës mori nga Gjykata e Dhomave të Specializuara verdikte ndër më të rëndat.
Duhet të sqarohemi, asnjeri dhe askush nuk mund të jetë kundër dënimit të krimeve konkrete, vrasjeve konkrete, akteve të tjera.
Dhe, në këtë kuadër, në çdo rrethanë drejtësia duhet të japë fjalën e saj.
Por në këtë rast, duhet të jemi të hapur, nga ai lexim i vendimit të shkurtuar nga gjykatësi Çarls Smith, krijohet përshtypja se të akuzuarit u dënuan për linja komandimi dhe kjo natyrisht është absolutisht e paqëndrueshme në rast se ajo nuk është e faktuar me dokumente.
Sepse është shumë e njohur, vërtet UÇK ishte një lëvizje e fuqishme guerile, por ajo nuk ishte një ushtri e rregullt siç e paraqiti në vendimin e tij.
Përfaqësuesit e saj në Tiranë, z. Thaçi, z. Krasniqi kanë qenë pa dyshim figurat kryesore, por distanca me terrenin ishte shumë e madhe.
Ndaj, përveç kësaj, shqiptarët e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë që arkitektët e Operacionit famëzi Patkoi, operacionit të spastrimit masiv etnik dhe të gjenocidit në Kosovë, të marrin dënime shumë më të lehta se sa çlirimtarët e Kosovës.
Pra, edhe njëherë, ne kemi mbështetur dhe mbështesim ndëshkimin e autorëve konkretë dhe të krimeve konkrete.
Por linjat e komandës dhe dënimi me linja komande nuk ka një bazë solide dhe mendoj se në këtë kuadër, problem shumë serioz përbën kuadri ligjor mbi të cilin ka vendosur ligjvënësi gjykatën.
Meqë jemi tek gjykata, jashtë emocioneve, ngritja e Gjykatës së Kosovës, çdo shqiptar në Kosovë duhet ta dijë se ngritja e saj në Hagë është bërë për shkak të një detyrimi.
Në qoftë se Serbia e ngriti në Beograd, Kroacia në Zagreb, kjo gjykatë e Kosovës u ngrit në Hagë për një motiv, për shkak të vrasjes së dëshmitarëve. Kjo është e vërteta.
Dhe gjykata nuk mund të mos ngrihej.
Gjykata u ngrit edhe për një arsye të dytë, në mënyrë që tribunali për ish-Jugosllavinë të mos aplikohej më tutje në rastin e Kosovës.
Pra, nuk është një akt i paprecedent, secili nga vendet… por problemi është se Kosova ishte e pushtuar, Kosova ishte viktimë e një agresioni barbar, e një pushtimi barbar. Nuk mund të akuzosh tjetrin se ka ngritur institucionin e zbulimit. Të akuzosh se ka marrë në pyetje.
Po cila ushtri në luftë, cila lëvizje guerile në luftë nuk merr në pyetje?
Pra, shumë elementë që dëgjuam nga vendimi i shkurtuar, vendimin e gjatë nuk e kam parë, ishin larg në vlerësimin tonë justifikimit të atyre dënimeve që dëgjuam.
Duke shprehur këtë, shoh një diskutim intensiv për këtë problem tashmë që ka vetëm përgjigje juridike.
Ky problem ka apelimin si rrugë të vetme.
Të gjitha përpjekjet e tjera, i garantoj qytetarët veçse sa ndërlikojnë tashmë jo vetëm ish-udhëheqësit politikë të Kosovës, por edhe vetë Kosovën.
Ndaj dhe ajo që unë mendoj është e domosdoshme, një ekip mbrojtje sa më kompetent dhe i fuqishëm, ndonëse unë nuk kam asnjë fakt aktual të them se mbrojtja aktuale nuk ishte e fuqishme, por pasi të shqyrtohet vendimi përfundimtar i plotë, unë mendoj se apeli që duhet të ndiqet pa humbur kohë pasi vetë gjykata ka përcaktuar afate.
E përfundoj këtë, asgjë nuk mund të errësojë, nuk mund të zvogëlojë lavdinë e luftëtarëve të lirisë, e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila është pa dyshim faqja më e ndritur e luftërave shqiptare për liri dhe dinjitet që nga koha e Skënderbeut.
Ajo luftë, në kombinim të plotë me ofensivën ajrore të NATO-s, të udhëhequr nga presidenti Bill Klinton, çliroi Kosovën nga pushtimi serb dhe në atë rrugë e sipër ajo u bë e pavarur.
Ndaj dhe nuk duhet askush të mendojë se lufta çlirimtarë e luftëtarëve të lirisë mund të nxihet ose mund të damkoset. Aspak!
PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT
Klevis Haziraj: Pas vizitës në SHBA dhe takimeve me përfaqësues të politikës amerikane, cili ishte mesazhi më i rëndësishëm që morët nga kongresmenët për Shqipërinë?
Sali Berisha: Mesazhi më i rëndësishëm nga partnerët tanë është mbrojtja e atyre vlerave që janë të përbashkëta për shqiptarët dhe amerikanët si dhe konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit miqësore, partneriteti me SHBA.
Në fakt, duhet të jemi të hapur, asnjë vend në botë pa mbështetjen e tyre nuk mund të luftojë trafikun e drogës me sukses.
Asnjë vend në botë pa mbështetjen e tyre nuk mund të luftojë me sukses terrorizmin. Por presidenti Donald Trump i ka vlerësuar si organizata terroriste kartelet e drogës dhe kjo është një rëndësi e shumë të madhe, shumë, shumë të madhe.
Dalila Myrtaj: Ju thatë se pas kthimit, ju thatë pas kthimit se një nga objektivat ishte të kërkonit mbështetjen amerikane dhe të diasporës për ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. A morët ndonjë angazhim konkret nga partnerët amerikanë?
Sali Berisha: Dalila, faleminderit për pyetjen. E theksoj që në të gjitha bisedimet tona me partnerët amerikanë, ne shtruam problem kryesor, problemin e narkoshtetit.
Shtruam një problem që po e shkatërron Shqipërinë.
Sot narkoeurot dhe narkodollarët që futen me kontejnerë nga deti, toka dhe ajri në Shqipëri kanë zhvlerësuar dy monedhat më të mëdha të planetit, më shumë se në çdo narkoshtet tjetër të botës. 32% euro, sot euro ka zbritur në 91 lekë dhe 35% dollari. Sigurisht që lufta kundër narkoshtetit dhe trafiqeve gjeti mbështetje të plotë, dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara.
Vetë sekretari Rubio, në mesazhin që dërgon për Ditën e Pavarësisë shprehet se kartelet e drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre, janë një rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara.
Pra, unë mendoj se zëri ynë u dëgjua.
Them dhe njëherë, nuk ishte një rrufe në qiell të hapur që po e dëgjonin për herë të parë, jo.
Kështu që kam besim se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë edhe më shumë, do të angazhohen dhe më shumë në këtë aspekt.
Griselda Selimaj. Doktor, përshëndetje. A mendoni se zhvillimet e fundit në çështjet Balluku, KAYO dhe protestat kanë krijuar një situatë të re politike në Shqipëri? Besoni se me kaq shumë skandale, PD-ja është sot më shumë se kurrë pranë ardhjes në pushtet?
Sali Berisha: Pa diskutim qëndrimet e opozitës, nuk duhet të harroni se janë tetë rezoluta ndërkombëtare, të cilat denoncojnë publikisht narkoshtetin, farsën zgjedhore të Edi Ramës, shtypjen e të drejtave kushtetuese të opozitës dhe burgosjet politike. Protesta e fuqishme, që ka kaluar 100 e sa ditë, ka damkosur më shumë se çdo gjë tjetër regjimin e Edi Ramës.
Lubi Balluku, Ergys Agasi, Ermal Beqiri de facto janë padronët në krim të Edi Ramës. Kjo është e vërteta.
Ndaj dhe Partia Demokratike duhet të bëjë gjithçka për ripërtëritjen e saj.
Dhe këtu nuk është fjala e ripërtëritjes vetëm të drejtuesve, por ripërtëritja është një koncept shumë i gjerë.
Në radhë të parë funksionimin e saj, modernizimin, dixhitalizimin e saj, vizionin e saj për t’u dhënë përgjigje më të sigurt, më të shpejtë të gjithë këtyre problematikave të mëdha, sepse Edi Rama është e shkuara, për këtë nuk ka më asnjë dyshim.
Ndaj dhe ne duhet të punojmë fort për të fituar besimin masiv të shqiptarëve në betejën e ardhshme me të.
Linort Gërmenji: Edi Rama ka deklaruar se Balluku mbron veten e vet. Ju keni folur për një përplasje Rama-Balluku. A mendoni se kemi përpara një konflikt real brenda mazhorancës? Përse SPAK nuk vepron dhe hesht përballë gjithë këtyre skandaleve?
Sali Berisha: E vërteta është, dhe ua them me fakte, se personat që kontrollojnë sot totalisht Edi Ramën janë tre. Është Lubi Balluku, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Pse janë këta? Sepse të paktën minimumi 60 gjer 70% të krimeve të tyre janë të porositura nga Edi Rama.
Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se Lubi Balluku është notere ose bashkë-autore në të gjitha vjedhjet, që Edi Rama ka bërë që kur është bërë kryetar bashkie dhe atë e ka vendosur shefe kabineti, gjer sot.
Ndaj dhe do më falni, kur SPAK-u kërkoi për herë të parë arrestimin e Lubi Ballukut, e vërteta është se në prani të Ulsi Manjës dhe të famëziut Don Agaçio, Edi Rama bëri përpjekje shumë-orëshe për të bindur Lubinë që t’i jepte dorëheqjen dhe të paraqitej.
Por e vërteta është që pas asaj seance pesë orë takim, ishte Lubia që bindi Ramën të hiqte dorë, se 60% e dosjes së saj nuk ishin Balluku, por ishin Rama. Ishin dosja Rama.
Ndaj dhe, ajo që ju kam thënë ju them prapë, ata të tre e kanë në dorë.
Nuk mundet kurrë që të shkarkohet i gjithë sistemi i TIMS, me arkivën totale të kriminalitetit e të dhënat e qindra e miliona njerëzve, të eksportohej në duart e krimit dhe të mos hynte një gjemb në këmbë, sepse u bë me urdhër të padronit. Vetëm padroni mund të jepte një urdhër të tillë.
Unë e kam akuzuar në atë kohë Ballën. Por zhvillimet e mëvonshme treguan që ai ishte urdhër direkt i Edi Ramës.
Pra, në këtë kuadër është Rama ai që kontrollon SPAK-un. Nuk janë këta, asnjëri prej tyre. Por Rama, po.
Po të jap një shembull tjetër. Merr dosjen e Arubës. Çfarë është dosja e Arubës? Është takim kriminal trepalësh i trafikantëve të mëdhenj të drogës, ndërtuesve të mëdhenj shqiptarë dhe qeveritarëve shqiptarë.
Urdhër-arrestet janë lëshuar për ndërtuesit, janë lëshuar për trafikantët, dhe asnjë fjalë për qeveritarët që ishin organizatorë të mbledhjes.
Atëherë, çfarë tregon kjo? Kjo tregon kontroll absolut, dhe kjo e bën SPAK-un ortak me narkoshtetin.
Pse, thoni ju? Përkufizimi i narkoshtetit: implikimi i elitës me trafikantët është një nga hallkat më kryesore të ekzistencës së tij. Dhe këtë hallkë duhet ta fshehin tani. Po nuk fshihet.
Ajo dihet në Spanjë, ajo dihet në Berlin, ajo dihet në Bruksel, ajo dihet kudo. Veçse sa faktojnë që ata zbatojnë urdhrat e Edi Ramës.
Bruna Keçi Lleshi: Pas 13 vitesh qeverisje, shëndetësia vazhdon të jetë shqetësimi kryesor i shqiptarëve. Ndërsa koncesionet dhe PPP-të në këtë sektor kanë qenë objekt debatesh dhe hetimesh, tani marrim vesh që kemi dhe një ministre që paska bërë plagjiaturë në diplomë. Cili është hapi juaj i radhës pas interpelancës së të enjtes me ministren?
Sali Berisha: Shëndetësia është në gjendjen më të vajtueshme. Më të vajtueshme, më të mjerë, më të shpartalluar.
Dhe unë do t’u them shqiptarëve sot një gjë. Në qoftë se do ekzistonte vullneti politik, ky vend sot mund të kishte një shëndetësi absolutisht krejt tjetër. Shumë herë më cilësore se kjo që kemi sot.
Pse e them këtë?
Sot ka personalitete botërore shqiptare në shëndetësi.
Sot ka shqiptarë liderë botërorë në fusha të caktuara.
Sot ka shqiptarë, të cilët për një apo disa arsye, për shkak të pensionimit apo të tjerë, në qoftë se ky vend i thërret në përputhje me kushtet që kërkojnë, sepse ai për të ardhur do kushtet për të treguar veten, mund t’u japë shqiptarëve shërbimet e cilësisë më të lartë. Ky është një realitet krejt tjetër.
Sot ka ekspertë në organizimin e shëndetësisë që dërgohen nga OBSH-ja për të organizuar shëndetësinë në vende të tjera. Ka kirurgë, ka kardiologë, ka radiologë. Kjo ministrja që iku, kjo në fushën e saj, absolutisht nga më të mirat, në imazheri. Dhe në vend se t’i jepej fusha ku ajo ka kontribuar në Kembrixh, ka kontribuar në Nju Jork, ka kontribuar në Romë, ajo u emërua ministre se e donte Edi Rama për ta përdorur për të vjedhur. Pra, sot ka një oportunitet.
Si u vu kjo? U vu për të marrë tezaken e Surrelit. Për kaq u vu ajo. U vu në mënyrë që dora e zezë e Surrelit të shtrihet… Tani a mund të imagjinoni ju? Një ekonomiste, unë nuk e njoh fare, nuk mund ta paragjykoj pse është kushërira e z. kryeministër, po problemi është se si mund të vësh një ekonomiste në krye?
Po pse nuk kishte dikush tjetër? Çfarë ka ajo që mund ta bëjë të jetë e vetmja që të zgjidhet? Përveç dorës së zezës së Surrelit, asgjë.
Ajo tjetra nuk e bëri. Ajo e pa që ky po krijonte KAYO-n e dytë në shëndetësi. Jo, tha, nuk e firmosi. Tregoi një karakter, të themi të vërtetën.
Kështu që, shëndetësinë e mori në dorë Edi Rama tani, nuk ka më, ajo është kot fare, është një kukull në duart e Surrelit.
Tit Sadiku: Rama largoi Besfort Lamallarin nga Ministria e Brendshme dhe emëroi Ervin Demon, duke kaluar edhe çështjet e pushtetit vendor nën këtë ministri. Si e shihni ju këtë ri-formatim të ri të qeverisë?
Sali Berisha: Z. Sadiku, në rast se ju kujtohet, në fjalën time në parlament ju drejtova këtij Lamallarit, thashë se ky është Hiçollari.
Ai u tërbua, në fakt ishte Hiçollari, po në një kuptim që atij s’i shkonte mendja. Në kuptimin e asaj që s’kishte asnjë peshë. E vuri figurant, se aty peshë ka vetëm po të jesh i lidhur me krimin.
Të themi të vërtetën, ky nuk është se ishte një tip pozitiv të themi, jo s’ishte fare, por lidhje me krimin nuk di të kishte. Dhe siç u vu, iku hiçollar.
Erdhi Demo, i gatuar me bandat më të rrezikshme të Shqipërisë. Prandaj erdhi aty.
Nuk e di a e lexuat apo jo, kryetar bashkie, e shtruan në dru bandat, sipas qytetarit dixhital, sepse tenderin e rrugës nuk ia dha njërit prej atyre eksponentëve të krimit aty, po ia dha sekserit që në atë rast thuhej Baton Haxhia.
Pra, çfarë u bë? U vu një i sojit të vet, të krimit, i lidhur me krimin dhe kështu i duhej Edi Ramës. Kaq është puna e tij.
Ka dhe lidhje, ky është mik i ngushtë me kreun e SPAK-ut, se Edi Rama nuk është se nuk përjeton terrore, se mendon se do t’i shkojnë ta arrestojnë në zyrë. Mendon se do t’i shkojnë t’ia kontrollojnë zyrën. T’ia kontrollojnë shtëpinë. Sado që i ka në kontroll, prapë i ka frikë.
Endri Maho: O Doktor, që t’i biem kështu drejtpërdrejt, çfarë tha ai Prokurori i Përgjithshëm, do ta ngrejë zgupthi dhe këtë tonin si Maduron e Venezuelës?
Sali Berisha: Tani, ajo nuk do ndodhë. Do ta ngremë ne Maduron e Shqipërisë, se atë nuk mund ta them, por ne paraqitëm rastin, dhe faktet, argumentet për narkoshtetin e para dhe të vetëm në Europë dhe problemet që ekzistojnë, mungesën e shtetit ligjor në Shqipëri.
E. Breçani: Doktor, si ka mundësi që një president të veprojë sikur të ishte sekretari i paradhomës së Edi Ramës? Shkoi firmosi dekretin për pagat e gjyqtarëve brenda natës. S’e ka bërë asnjë gjer më sot, sado servil të kenë qenë.
Sali Berisha: E ke shumë të drejtë. E keni shumë të drejtë. Sepse ky u vu aty si kukull.
Ky është një delinkuent, i cili me dosjet që ka së bashku me Edi Ramën për Gjirin e Sarandës, për Limanin, për zonat e tjera ushtarake, ky mund të shkojë… se këtë e kap gjyqi ushtarak dhe mund të ketë dënimet më të rënda që ka kodi për to.
Prandaj dhe ky është bashkëautor në krime.
Po nga doli ky? Si doli ky mjek, shef i shtabit të përgjithshëm? Që ky e vetmja gjë që diti t’ua plaçkisë pronat dhe t’i ndajë me Edi Ramën.
Greta Beqiri: Përshëndetje z. Berisha. Çfarë komenti keni për ata që për një kohë të gjatë e përdorën çështjen ‘Non Grata’ si argument politik, dhe pas udhëtimit tuaj në SHBA nisën të pretendojnë se kishit shkuar fshehurazi, për arsye shëndetësore, apo se edhe rrezikonit arrestimin? Në këtë kontekst, çfarë mesazhi përcjell fakti që gjatë qëndrimit në SHBA ju u takuat me zyrtarë të lartë edhe të drejtësisë amerikane?
Sali Berisha: Së pari, ju siç e theksuat vetë, një makineri e tërë shpifjesh, trillimesh, fantazirash u ngrit me udhëtimin tim drejt Shteteve të Bashkuara. E tëra nga zyra e Edi Ramës. E tëra drejtohej nga Edi Rama.
Kjo tregonte tmerrin, ferrin e tij nga ky udhëtim.
Tani, ata që e përdorën, nuk janë pak. Ata përdorën një fakt, një akt që ishte i vërtetë, pavarësisht nuk ishte non grata se nuk ka qenë non grata.
Non-grata është akt që bazohet në marrëveshjen e Vjenës dhe mbi bazën e asaj marrëveshje çdo shtet ka të drejtë të shpallë të padëshirueshëm diplomatë apo politikanë.
Jo, unë kam qenë i ndaluar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, kjo quhet ‘ineligible’, i papërzgjedhshëm për vizë, së bashku me familjarët e mi bazuar në një ligj 7031C dhe nuk kam pasur asnjë sanksion tjetër, megjithëse u bënë shumë përpjekje që të kaloja tek ligjet e tjera me të cilat merrej Thesari, por Thesari e shqyrtoi, i mori, nuk gjeti asgjë, dhe kjo i la me duar bosh. Tani, kjo kategori e përdori këtë si argument politik. Nuk kam ndonjë gjë të veçantë për ta, por natyrisht ata të cilët e ndërmorën këtë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, dhe Lulzim Basha në një masë të caktuar këtu në Shqipëri, ata janë ligësitë ekstreme njerëzore. Ata treguan se janë të aftë të bëjnë gjithçka kundër kundërshtarit politik apo rivalit politik.
Dhe unë, mbetem më i motivuar se kurrë, që Edi Rama të lëshojë duart me pushtetin dhe të shkojë aty ku e meriton.
Nuk loboj unë për ndalimin e vizës së tij, por do bëj gjithçka që të përballet me drejtësinë, nga e cila ai, për veprat e tij penale, dënohet pafundësisht.
Vebi Alzeneli: Përshëndetje Doktor! Të hënën është mbledhja e Këshillit Bashkiak Mat, ku votohet dakordësia për bashkimin me Bashkinë Klos. Këshilltarët janë para një presioni të lartë për votimin pro bashkimit. A keni ndonjë prononcim për këtë shkatërrim që po i bëhet Klosit? Faleminderit!
Sali Berisha: Ata që votojnë pro bashkimit, ata shkelmojnë mbi besimin e qytetarëve të Klosit.
Kryejnë një akt tradhtie ndaj qytetarëve, dhe meritojnë mallkimin e tyre. Në qoftë se ka bashki, e cila ka specifika të shumta që duhet të jetë e tillë, është Klosi.
Ndaj dhe, të shesësh interesat e qytetarëve, për një kryeministër kryehajdut dhe padrino i Shqipërisë si pak shembuj në histori, dhe vasalin e tij në Bashkinë e Matit, Agron Malaj, është një tradhti e shëmtuar.
Prandaj dhe, i ftoj këshilltarët të mbrojnë interesat e qytetarëve të Klosit.
Ani Malaj: Çfarë mendimi keni për muzeun hebraik që po ndërtohet në Vlorë?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.
Së pari, Partia Demokratike është një parti e tolerancës fetare dhe e respektit të pafund.
Ajo nuk pajtohet, në mënyrë absolute, me asnjë qëndrim antisemit. Dhe këtu jemi shumë të përcaktuar. As anti-feve të tjera. Jo.
Tani vijmë pak tek problemi. Cila është e vërteta e problemit? E vërteta është se shqiptarët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm që s’morën pjesë në Holokaust, siç morën pothuajse gjithë të tjerët, por përkundrazi, i mbrojtën, duke rrezikuar jetën e tyre, të fëmijëve të tyre, familjet hebraike. Dhe shqiptarët nuk duhet ta harrojnë këtë. Kjo është një nga trashëgimitë më të shkëlqyera morale të tyre.
Por prapë, ka një gjë tjetër, se unë e shoh që forca antisemite kërkojnë ta shndërrojnë në një debat të madh.
I kam dëgjuar me shumë të drejtë: Pse Izraeli nuk ndërton vetë një muze për shqiptarët?
Tani, në qoftë se ju shkoni në Jerusalem dhe vizitoni Yad Vashem, emrat e shqiptarëve janë të gdhendur me germa të arta në atë muze. Janë familjet, emrat… Dhe e vërteta është, jo vetëm në atë muze, por dhe në muzeun e Holokaustit në Nju Jork.
Por a është vetëm kaq historia? Jo, nuk është vetëm kaq historia. Të jemi realistë. Në periudhën e Inkuizicionit, qindra mijëra hebrenj u përzunë nga Spanja, dhe ata i mori në mbrojtje dhe u dha strehë Perandoria Otomane. Gjë e cila mbetet një nder historik i kësaj perandorie.
Perandoria Otomane i shpërndau në vende të ndryshme të perandorisë. Nga të cilat janë shpërndarë edhe në Vlorë, edhe në zonën e bregut, dhe në Elbasan, mundet dhe në zona të tjera. Tani, ata kanë pasur jetën e tyre të përbashkët me shqiptarët, bashkëjetesën e shkëlqyer me shqiptarët, historikun e tyre bashkë me shqiptarët.
Por përderisa ata kanë pasur një, jo lagje, po një bllok të tyre, një zonë të tyre ku kanë jetuar ato familje, ndërtohet pra një muze në kujtim të kësaj historie, unë e quaj pozitive, dhe u bëj thirrje demokratëve dhe u bëj thirrje qytetarëve të Vlorës: Mos dëgjojnë ata të cilët duan të nxisin luftërat ndëretnike, fetare, e debate të tilla.
Ajo ka qenë një realitet aty. Ata nuk janë më aty. Jo, kanë ikur në shtetin e tyre, kanë ikur në Izrael.
Po marr një zonjë, Anna Cohen. Unë e kam njohur edhe e njoh atë, ka qenë bashkëstudente me mua. Po u them unë juve, sigurisht një ditë ajo dha një statistikë të gabuar. Dha një statistikë të gabuar, por në mënyrë absolute, ajo ka qenë një nga shqiptaret më të flakta në mbrojtje të çështjes së Kosovës në Nju Jork.
Ajo ka kryesuar shoqatën e motrave Qiriazi dhe ka bërë gjithçka për promovimin e rolit më shumë se në Shqipëri.
Ndaj dhe nuk duhet të nguteni se këto i nxit Edi Rama. I nxit qeveria.
Si i nxit? Tani t’ju pyes unë ju që më pyesni mua: Kush shkoi dhe e grisi flamurin izraelit tek ambasada? Kur ndodhi një gjë e tillë, policia thotë që këtë flamur, se nuk griset flamuri tek ambasada, ambasada është territor i dhënë, ka një status, ka të gjitha. Policia shqiptare nuk e dha gjë sot emrin. Sepse e futi vetë. Për të bërë një akt antisemit, anti-izraelit.
Ajo që është shqetësuese shumë, u them vlonjatëve dhe shqiptarëve, është projekti që ka bërë për të shkatërruar ndërtesën themelore të Vlorës.
Ka bërë projekt për t’i vënë një ballkon xhami sipër. Për të thënë se është pjesë e tij kjo.
Shikoni ç’do të bënte ky me ndërtesën e parlamentit. Kur ne po bënim parlamentin, vendosëm të bëjmë parlamentin, ky solli një projekt ku i vinte ndërtesës ekzistuese një kub sipër, asaj ndërtese afrodiziake. Të njëjtën gjë po bën me ndërtesën e shoqatës Labëria tani.
Jo, ajo ndërtesë nuk duhet preket. Ajo ndërtesë është ndërtesë historike, është me mbrojtje të kategorisë së parë. Një ndërtesë me mbrojtje të kategorisë së parë nuk mund ta prekë kush.
Ajo po, përforcohet që t’i rezistojë kohës, kurse ky po i vë, kushedi me çfarë biznesmeni është marrë vesh, po i bën një restorant dhe një klub xhami sipër ndërtesës, dhe ky është rikonstruksioni.
Ajo është tepër shqetësuese, të dashur, edhe atë s’duhet ta pranoni në asnjë mënyrë.
Fatos Merllaj: Doktor, çfarë veprimesh do të ndërmerrni për ta ndaluar reformën territoriale, shkurtimi i mëtejshëm i bashkive do të ishte katastrofë dhe do të nxiste akoma më shumë shpopullim. Sa për ilustrim, Greqia po ofron deri në 10.000 euro për familje për ripopullimin e zonave të zbrazura. Po Partia Demokratike në qeverisje, ka ndonjë program për ripopullimin se po kthehet vërtet në një plagë të rëndë?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.
Partia Demokratike ka shpallur një parim për ripopullimin. Ripopullimi i Shqipërisë është parimi ynë. Është i vlefshëm për çdo çmim.
Kur ti deklaron këtë parim themelor të programit të ripopullimit, kjo do të thotë që ti do mobilizosh të gjitha resurset në mënyrë që ripopullimin, pavarësisht sa kushton, në mënyrë që ripopullimin ta bësh realitet.
Dhe unë ju garantoj që kjo është hera e dytë në jetën time që unë shpall një parim të tillë. E kam shpallur në 2007 kur Shqipëria ishte e mbushur me gjeneratorë dhe kam deklaruar që garantimi i furnizimit me energji është i vlefshëm me çdo çmim, se çmimi më i lartë i saj është mungesa. Ndaj dhe ne i zhdukëm ata, filluam import masiv pavarësisht sa kushtonte dhe garantuam furnizimin.
Tani, sado që të kushtojë ripopullimi, është kusht për ekzistencën tonë dhe ne do e ndërmarrim atë me një politikë të gjerë, me një seri masash, në të cilat do bëjmë gjithçka të rikthehen shqiptarët, do bëjmë gjithçka që lindjet të shtohen. Sot ne kemi në Shqipëri lindje aq foshnje sa ç’kanë lindur 100 vite më parë kur ne kemi qenë nën 1 milion banorë. Për ta rritur ku ishim në 2013-ën, do të duhet të paktën 30 vite, mos më shumë, me politikë aktive. Por prapë jam optimist.
Pse jam optimist? Sepse në vitin 2008-2012, 180.000 familje shqiptare u kthyen nga emigracioni. Me disa kushte, me heqje taksash, me gjëra të tjera, kurse tani ripopullimi do të njohë praktikat, vendimet më të rëndësishme pavarësisht nga çmimi në mënyrë që kjo të bëhet realitet.
Sazan Skuka: Përshëndetje z. Berisha. Pyetja ime ka të bëjë me zgjedhjet lokale, të cilat duke llogaritur muajin e fushatës, janë 6 muaj larg dhe ju akoma nuk keni filluar takimet me forca të tjera të cilat nuk janë të lehta dhe duan kohë fizike. Çdo ditë që ikën nuk është në favor të opozitës, duke pasur parasysh se kandidatët duhet të paraqiten para zgjedhësve sa më parë të jetë e mundur.
Sali Berisha: Shumë të drejtë e ke shqetësimin.
Ju garantoj se e ndaj plotësisht shqetësimin me ju, por ne po punojmë në atë drejtim, por duhet të shpejtojmë.
Jam dakord me ju.
Agustin Molla: Përgjigjen për kandidatët për kryetar bashkie ju lutem, me primare apo nga qendra?
Sali Berisha: Personalisht jam për primaret. Të jemi të hapur. Por, çfarë u mungon primareve tona?
Primareve tona iu mungon seleksioni.
Në Europë primaret i ka aplikuar për herë të parë Partia Konservatore britanike. Por Partia Konservatore britanike, praktikat e të cilës ne i kemi studiuar, ka një komision seleksionimi shumë të fortë.
Dhe te ne tani këtu, për momentin ka ide pa primare, ka ide për primare me seleksion, dhe unë jam më shumë me këtë të dytën.
FJALA PËRMBYLLËSE
Unë ju falënderoj shumë për pyetjet, për komentet, interesin që treguat.
Ju ftoj të vazhdojmë përpjekjet tona të gjithanshme për ripërtëritjen e Partisë Demokratike.
Edi Rama është e shkuara. Dhe procesi i Ripërtëritjes sonë është një proces jetik për Ripërtëritjen e Shqipërisë.
Pra, duhet ta kuptojmë ripërtëritjen e Partisë Demokratike si një proces jetik për ripërtëritjen e vendit.
Ndaj dhe ftoj të gjithë demokratët dhe demokratet të angazhohen me të gjithë potencialin në këtë proces.
Ftoj gjithashtu të gjithë demokratët dhe demokratet të mbështesin fuqishëm protestën qytetare rinore. Një protestë e cila de facto, moralisht, po zvarrit çdo natë në bulevardin dhe rrugët e Tiranës, Padrinon e shqiptarëve, armikun më të egër të qenies dhe ekzistencës së tyre, hajdutin më të madh në historinë e kombit, Edi Ramën.
Ndaj dhe ju ftoj t’i bashkoheni kësaj proteste duke respektuar totalisht kodin e saj qytetar. Ajo është një protestë qytetare dhe aty nuk ka vend për simbole partie. Po të mos isha kryetar i Partisë Demokratike, unë ju garantoj se çdo ditë do të isha në atë protestë.
Ftoj të rinjtë, ftoj studentët, është rast unik në jetën e tyre për t’i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm vendit, t’i bashkohen kësaj proteste.
Edi Rama është e shkuara. Edi Rama të ardhme nuk ka. Ata të rinj, ata burra, ata gra që kanë nja 110 ditë, çdo ditë në bulevard, faktikisht në rrafshin moral po e zvarrisin Edi Ramën njëlloj siç zvarritën dikur në ’91-shin shtatoren e Enver Hoxhës në rrugët e Tiranës.


