KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar udhëtimin e tij të fundit drejt Berlinit, duke theksuar se ai përbënte një hap të rëndësishëm në procesin e fitores për Partinë Demokratike. Në konferencën për shtyp, Berisha shpjegoi se ky udhëtim ishte një kthim në një moment historik të ngjashëm me ato që ai ka përjetuar gjatë karrierës së tij politike. Ai e krahasoi këtë udhëtim me atë të para 32 vjetësh, kur, si kryetar i PD-së, takoi Helmut Kohl dhe mori pjesë në një samit të OSBE-së.
Berisha nënvizoi se, siç ndodhi atëherë pas rënies së regjimit komunist, kësaj radhe PD-ja është duke dalë nga një periudhë e vështirë e izolimit nën qeverisjen e narkodiktaturës. Ai shprehu besimin e tij të thellë se Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet dhe se e ardhmja e saj është e ndritshme. Lideri demokrat gjithashtu theksoi mbështetjen që ka marrë nga partia më e fuqishme e Europës, CDU, dhe presidentin e saj, Friedrich Merz, i cili e ka shprehur publikisht mbështetjen për fitoren e PD-së.
Kreu i PD-së, zhvilloi një konferencë me mediat pas vizitës së tij në Gjermani. Me PD në pushtet tha Berisha, “nuk do ketë më emigrantë që të përdorin territorin e Shqipërisë për të ecur drejt Perëndimit”. Në konferencën për gazetarët, Berisha, kritikoi veprimet e Edi Ramës, duke i krahasuar ato me taktikat autoritare të liderëve të tjerë dhe duke i konsideruar si një përpjekje për të fituar zgjedhjet me mjetet e ndaluara.
Berisha shprehu se qëndresa e tij dhe provat e suksesshme e bën atë dhe Partinë Demokratike më të fuqishme dhe më afër fitores se kurrë. “Edi Rama do të mbyllë Tik Tok-un se nuk duron kritikat”. Kështu deklaroi kreu i opozitës shqiptare Sali Berisha gjatë një konference shtypi. Ai ka komentuar edhe qëndrimet e medias shqiptare ne politikat e tyre editoriale.
Kryetari i PD Sali Berisha tha se Edi Rama ka një qeveri që nuk ka program. “Po ta dëgjosh Edi Ramën, çdo ditë ripërtyp gënjeshtrat e tij”, tha kreu demokrat. Në konferencën për shtyp, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar se protesta e opozitës më 8 shkurt do të jetë një manifestim fitores. Ai shprehu besimin e tij se fitorja është e sigurt, duke e quajtur protestën një akt të pashmangshëm deri më 11 maj. Berisha përmendi angazhimin e madh të opozitës dhe akuzoi Edi Ramën për manipulimin e zgjedhjeve, duke vazhduar kërkesat për krijimin e një qeverie teknike.
Në konferencë për shtyp, kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër Partinë Socialiste për tentativën e saj për të përjashtuar shqiptarët jashtë Shqipërisë nga e drejta e votës, duke theksuar se ky veprim është antikushtetues dhe antidemokratik. Ai argumentoi se pasja e dokumenteve shqiptare, si letërnjoftimi apo pasaporta, nuk është një kusht për të qenë shtetas shqiptar dhe për të ushtruar të drejtën e votës.
Berisha e konsideroi këtë kërkesë të PS-së si një tentativë për të kufizuar pjesëmarrjen e diasporës në proceset zgjedhore, duke e lidhur këtë me urrejtjen e shqiptarëve jashtë vendit për qeverisjen e Edi Ramës. Ai theksoi se shqiptarët jashtë vendit nuk ia falin qeverisë largimin e një milion qytetarëve dhe theksoi se kjo situatë po shfaqet ndryshe nga sa mendonin socialistsët. Për kryetarin e PD-së, është thelbësore që të respektohet e drejta kushtetuese e shqiptarëve jashtë vendit për të votuar.
Në konferencë për shtyp, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi qëndrimin e tij lidhur me marrëdhëniet me institucionet e SHBA. Ai theksoi se PD nuk ka bojkotuar asnjëherë institucionet amerikane, pavarësisht tensioneve të krijuara nga vendime politike të administratës së mëparshme.
Berisha kritikoi ndikimin e Xhorxh Sorosit dhe ish-sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, duke i akuzuar ata për ndërhyrje në politikën e brendshme shqiptare. Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mënyrën se si ndihmat amerikane janë përdorur për qëllime politike, duke e cilësuar këtë si një formë korrupsioni.
Në konferencën me gazetarët, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi angazhimin e tij për rritjen e menjëhershme të pensioneve sapo të vijë në pushtet. Ai kujtoi premtimet e tij të mëparshme dhe faktin se gjatë qeverisjes së tij pensionet u dyfishuan, ndërsa pagat u rritën ndjeshëm.
Berisha akuzoi qeverinë aktuale për shpërdorim fondesh dhe korrupsion, duke argumentuar se paratë që mund të shkonin për pensionistët dhe qytetarët në nevojë po keqpërdoren në projekte të fryra dhe shpenzime luksoze. Ai përmendi rastin e rrugëve që ndërtoheshin me kosto shumë më të ulët në kohën e tij, krahasuar me çmimet e sotme, të cilat sipas tij janë shumëfishuar për shkak të vjedhjeve. Duke bërë krahasime me vendet fqinje, Berisha e cilësoi situatën aktuale të pensionistëve dhe qytetarëve shqiptarë si pasojë direkte e keqqeverisjes dhe abuzimit me fondet publike.
FJALA E PLOTE:
Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores.
Natyrisht unë e kuptoj që ju keni kuriozitet të shpreh opinionin tim për këtë udhëtim, pra, ishte udhëtim drejt fitores.
Një koincidencë shumë interesante, kam qenë kryetar i PD 32 vjet më parë, kur jam nisur drejt kryeqytetit gjerman, në atë kohë ishte Boni, dhe nuk ishte kongresi i CDU-së, ishte një samit i OSBE-së, por Helmut Kohl do të ishte kryeministri i parë që unë do të takoja si politikan disamujor.
Historia përsëritet, në atë kohë pak muaj më parë kishim dalë nga izolimi komunist.
Edhe kësaj herë, pak muaj më parë dola nga izolimi i narkodiktaturës.
Atëherë fitova. Atëherë fituam zgjedhjet, PD fitoi zgjedhjet.
Këtë herë, PD fiton zgjedhjet.
Kjo është esenca.
Dhe unë mund t’u them demokratëve dhe shqiptarëve, se partia më e fuqishme e Europës, presidenti i të cilës merr në pak javë timonin e shtetit udhëheqës të Europës, Friedrich Merz, presin me padurim fitoren e PD.
Dëshirojnë fitoren e kësaj force politike si një forcë me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta.
Por duhet ta them këtu, sot në axhendën e të gjitha qeverive më serioze, përfshi presidentin e SHBA, Trump, është problemi i trafikut njerëzor, i emigracionit, i refugjatëve.
Partnerët, aleatët tanë e kanë shumë të qartë se me PD-në në pushtet, zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera.
Nuk do ketë më emigrantë që të përdorin territorin e Shqipërisë për të ecur drejt Perëndimit.
Ligji, ata e dinë që është forcë e ligjit, shteti ligjor, PD.
Me një vokacion të palëkundur për tregun e lirë, por dhe trajtimin e çështjeve sociale me përgjegjësi të madhe.
Mund t’u them se ishte udhëtim drejt fitores pasi e kuptoni vetë, pjesëmarrja pas kaq vitesh në një kongres, unë mund t’ui them ju se përzemërsia ndaj nesh, ndaj përfaqësuesve të PD-së, ishte më e madhe se asnjëherë.
Nuk kam gjetur ndonjëherë një përzemërsi të tillë në ndonjë konventë ndërkombëtare.
Ishte një udhëtim drejt fitores, pasi aty pata rastin të takoj shumë miq gjatë gjithë ditës.
Miq të vjetër, që kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, por edhe miq të rinj, që ishin të informuar për qëndrimet e PD-së, vendosmërinë e saj për të nxjerrë Shqipërinë nga narkodiktatura.
Aty patëm shkëmbime miqësore mendimesh, shtrëngim duarsh, por që të gjitha asgjë spontane, të gjitha të organizuara, të llogaritura, të suksesshme, domethënëse.
Kancelari i ardhshëm, Friedrich Merz paraqiti platformën e emergjencës, si të themi 100-ditëshen, pak a shumë kjo ishte.
Ai premtoi ndërhyrje transformuese ekonomike, ulje të çmimit të energjisë.
Premtoi ulje të taksave mbi ushqimet.
Premtoi një përmirësim të madh të tregut të punës.
Premtoi zhvillimin e burimeve të fuqishme energjetike.
Faktikisht, me Friedrich Merz, Gjermania njeh një transformim dhe një impetus të ri të madh, çka është interesi më i madh i gjermanëve, por edhe i gjithë Europës, për aq sa ekonomia gjermane është lokomotiva e ekonomisë së Europës.
Por gjendja ekonomike nuk është ajo që duhej të ishte.
Merz premtoi dhe u zotua se teknologjia dhe inovacioni do jenë drejtimet kryesore të ekonomisë gjermane.
Pra, në këtë aspekt, ajo që është emergjente për Gjermaninë, është superemergjente për vende si Shqipëria.
Kështu që ky ishte edhe një rast për të përfituar nga programi i emergjencës së shpallur nga kancelari i ardhshëm, por edhe një certifikim i programit që kemi shpallur para shqiptarëve.
Me këtë rast dua të falënderoj me shumë përzemërsi dhe mirënjohje kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë për ftesën, për ndjenjat miqësore që dëshmoi ndaj meje.
Kryeministrin e Vestasfalisë veriore, kryetarin e Bashkisë së Berlinit, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU, deputetë, personalitete të kësaj partie, në veçanti Kristian Kramer, Sekretar për Marrëdhënie Ndërkombëtare i kësaj partie, Jurgen Hard, zëdhënës i Politikës së Jashtme në grupin parlamentar të CDU/CSU, Piter Bajer, një mik i çmuar i Shqipërisë, Elmar Brok, një mbështetës kryesor i demokracisë shqiptare në dekada, Doris Pak, një mike e shquar e vendit tonë, Olaf Guting, raporter për financat në Bundestag.
Të falënderoj shumë miq të tjerë që takova aty nga fondacioni Adenauer, që kanë ndihmuar e ndihmojnë, japin ndihmën më të çmuar për PD-në.
Pra, ua thashë edhe njëherë, udhëtimi im ishte udhëtim drejt fitores.
Dhe unë kam bindjen se mbështetja e CDU për PD-në, parti që ka prioritet kryesor marrëdhëniet me CDU-në, do jetë një energji që shtyn para demokratët shqiptarë drejt fitores.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Isa Myzyraj, OraNews: Gazetarët e portaleve janë ftuar se, ju mendoni se jemi të censuruar apo ne ju censurojmë juve, apo thjeshtë keni hapur dyert për të gjithë?
Sali Berisha: Tani ka një transformim. Jo se ju keni censuruar, ju që keni qenë unë kam respekt për punën që keni bërë, por unë nuk mund të mohoj, unë i kam bërë deklarata e mia, i censurojnë. Ato marrin politikat editoriale të Edi Ramës dhe jo vetëm politika, editoriale, por më e keqja, dhe e kam marrë vesh nga gazetarët, marrin lista se, cilin person mund të ftoni në studio dhe cilin nuk duhet ta ftoni.
Kjo është llahtar.
Dhe se, cilin duhet ta ftoni dhe ta denigroni në studio. Kjo është transformim i medias në armë të qeverisë. Këto janë të vërteta. Mund të ju duken të habitshme, por janë të vërteta, janë nga gazetarët që i kanë njohur në lëkurën e tyre këtë.
Nuk bëhet fjala për ju këtu. Tani siç e shihni një rol të veçantë po luajnë edhe portalet dhe podcastet. Janë një realiteti i ri podcastet. Mos e gjykoni nga podcasti mërzia i Edi Ramës. Nëqoftëse ai është podcasti neveria, ka të tjerë podcaste të pavarur, njerëz të cilët tregojnë talentin dhe pasionin e tyre për komunikim dhe po ecin. E unë bëj vlerësim.
Është normale besoj, që tu japim hapësirë.
Tani nëse Facebook do kishte një përfaqësues unë do ta ftoja këtu, ose Instagrami, apo Tik Tok. Më fal, ndalu pak te Tik Tok. Ua them me sinqeritetin më të madh se Edi Rama më duket xhelat si i ati, sepse i ati kur ka firmosur për Havzi Nelën, i ati i tij ishte skulptor, intelektual, dhe i vetmi që nuk duhej të firmoste, se ka të tjerë që nuk kanë firmosur nga anëtarët e presidiumit. Ky ka firmosur i dyti pas Ramiz Alisë. Pse? Sepse mendime armiku.
Edhe ky tani, të mbyllë Tik Tokun sepse e kritikojnë dhe nuk i duron dot kritikat, se i konsideron si gjilpëra helmi siç i ka shprehur e shoqja e vet në fjalën më të lig që ka njohur ndonjëherë Pallati Presidencial për shtypin. U tha gazetarëve mos ma kritikoni burrin, se i fusni gjilpëra helmi me ato kritika.
Isa Myzyraj, OraNews: Ju thatë se 32 vite më parë, keni udhëtuar në Gjermani dhe PD ka fituar zgjedhjet, duke e lidhur vizitën tuaj të tanishme. Përveç se jemi në kohë të ndryshme, kushtet kanë ndryshuar. Ato kohë nuk kishit as akuza nga prokuroria dhe as nuk ishit ‘non grata’ nga SHBA dhe Britani. A mendoni se këto faktorë do të ndikojnë në fitoren e 11 majit?
Sali Berisha: Ato akuza morën përgjigjen më të merituar nga Sali Berisha, por një gjë të jesh i sigurtë. Që ftesa ka qenë një vendim dhe ai vendim është marrë jo për akuzat, por përkundrazi. Kështu që në këtë aspekt, ata që u përpoqën, Edi Rama që mendoi të fitojë zgjedhjet duke arrestuar kundërshtarët, mori pardje përgjigjen më të rëndë, një përgjigje si Llukashenko. Se ai për këtë qëllim e bëri.
Politika është politikë. Ai vendosi kundërshtarin në ‘arrest shtëpie’ i bindur se nuk fitonte dot ndryshe. Por kundërshtari ja ku është.
Mendoj se qëndresa dhe provat e suksesshme e bëjnë Sali Berishën sot, dy herë më fitimtar sot se në 1991. Dy herë më shumë shanset.
Bekim Bici, TopNews: Prej disa ditësh mediat ndërkombëtare dhe Amerikane flasin lidhur me non gratën tuaj, e disa prej tyre e kanë cilësuar këtë vendim si politik. A i keni filluar ju lobimet në SHBA për të kërkur heqjen e non grata nga presidenti Donald Trump.
Sali Berisha: Jo, unë nuk e kam filluar lobingun sepse janë gjithsej 14 ditë që ka filluar administrata e re. Dhe unë nuk besoj që në ditët më të para të saj, të jetë përparësi ky problem.
Kështu që unë jam i vetëdijshëm se duhet të plotësohet administrata, d.m.th është një proces konfirmimesh që duhet të kalojë në Kongres.
Dhe procesi i konfirmimeve të zyrtarëve nuk ëshët vetëm për sekretarët e shtetit, por edhe për persona nën rangun e tyre. Unë pres që të plotësohet administrata e re dhe pa asnjë diskutim do i drejtohem administratës së re. I vetmi shkak që nuk i jam drejtuar është kjo.
Dhe jam besimplotë sepse është kuptuar universalisht që ai ishte një akt politik i Xhorxh Sorosit dhe se Sekretari i Shtetit e ka bërë atë pa respektuar asnjë ligj të vendit të vet, pa asnjë dokument në dosje, thjesht me lobimin korruptiv të Xhorxh Sorosit.
Bekim Bici, TopNews: Protesta e 8 shkurtit. Çfarë do të ketë ndryshe kjo protestë, ka një skenar ndryshe, apo do të jetë një protestë si të gjitha ato, për të matur forcat para zgjedhjeve.
Sali Berisha: Kjo do jetë një protestë madhështore, në të cilën populli shqiptar, shqiptarët në të katër anët e vendit dhe qytetarët e Tiranës zbresin në shesh si dëshmitarë të agut të fitores.
Tani ka vetëm një fjalë, fitore. Dhe kjo fitore nuk ndalet më. Ju, po të vini re palën tjetër, është në autodigjestian.
Çfarë dua të them? Ripërtyp mashtrimet e veta, mbulon krimet e veta.
Po ta dëgjosh Edi Ramën, çdo ditë ripërtyp gënjeshtrat e tij.
Mendon se shqiptarët kanë humbur memorien, janë në amnezi të plotë dhe mund t’u thotë çfarë të dojë atyre.
Kështu që e keni konstatuar edhe vetë, diaspora nuk do t’ua dëgjoj as emrin. Me dhjetëra takime të tyre dështojnë. Me njëri-tjetrin e kanë kuptuar se nuk kanë gjë në vijë.
Kështu që nuk ka program, një qeveri që nuk ka program, që merr një tezë timen të vitit 2012 dhe në vitin 2025 e shndërron në program.
Unë nuk bëhem xheloz për këtë, por tregon sterilitetin e plotë të saj.
Se e kanë mendjen si të vjedhin.
A e keni marrë vesh ju se kanë sjellë me urgjencë ligjin për Delina Ficon?
A u kujtohet kur unë e denonova me forcën më të madhe marrëveshjen Llagami-Juri Kim si një marrëveshje korruptive? E kam denoncuar jo njëherë, por dy tre herë. Tani që lavdi Zotit, sekretari Rubio i pezulloi financimet, tani sjellin ligjin me urgjencë për këshilltarët e Delinës.
Pra, nuk kanë të ndaluar në pangopësinë e tyre. Do shtohen 50 rroga të tjera në OJF-në e Delinës.
Osman Stafa, News24: Teksa flasim për protestën e 8 shkurtit, kemi parë mosbindjen civile, por edhe protesta të mëparshme kombëtare. Protesta e 8 shkurtit do të jetë xhiro në bulevard apo një revoltë?
Sali Berisha: Do të jetë një protestë e fitores. Do të jetë fryma e fitores, protesta e fitores. Nuk ka të ndalur tani opozita, nuk ndalet më gjer më 11 maj ditën e fitores. Quajeni si të duash, unë nuk kam term tjetër përveçse protesta e fitores.
Osman Stafa, News24: Ne ju kemi dëgjuar edhe teksa komunikonit për qeverinë teknike. U bënë disa javë që ju nuk e artikuloni më. Keni hequr dorë, apo jeni i bindur se Rama nuk e jep.
Sali Berisha: Kemi bërë punë shumë me të. Kemi fituar shumë mbështetje për të dhe Edi Rama është tashmë i damkosur si një njeri që grabit zgjedhjet. Ne vazhdojmë përpjekjet tona përsëri për qeveri teknike.
Osman Stafa, News24: Ku janë negociatat mes jush dhe PS-së përsa i përket votës së diasporës, sepse ditët kalojnë?
Sali Berisha: Negociatat janë, Partia Socialiste kërkon të përjashtojë të gjithë shqiptarët me të drejtë vote jashtë Shqipërie, që nuk disponojnë dokumente shqiptare dhe ky është një akt antidemokratik, antikushtetues.
Pasja apo jo e letërnjoftimit apo pasaportës shqiptare nuk ka asnjë implikim me qenien apo jo shtetas shqiptar. Pra, mund të jesh shtetas shqiptar dhe të mos kesh pasaportë shqiptare, por të kesh dokumente të një, dy apo tre vendeve të tjera që lejojnë dyshtetësi. Nuk e pranojnë socialistët.
Kështu që unë e deklaroj këtu, asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni, që është krejtësisht pa asnjë lloj anësimi politik, por strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit.
Për ne, ky është kushti.
Vota e diasporës vihet në rrezik nëse përjashton dy të tretat e shqiptarëve jashtë vendit. Ti e bën me këtë qëllim këtë, se këta e shohin që diaspora e urren PS-në. Shqiptarët e kanë turp të kujtojnë narkoshtetin që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri. Shqiptarët nuk ia falin të largojë 1 milion persona në 10 vite. Këta menduan se do ishte ndryshe, por u del krejt tjetër. Ndaj dhe duan tani t’i kufizojnë.
Andon Kello, AbcNews: Ka dy qasje e PD në raport me ndërkombëtarët, një është qasja juaj që prej muaj proklamoni fitoren e Donald Trump dhe po ashtu shkuat dhe në kongresin e CDU-së. Por nga ana tjetër ka një qasje që vjen nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili dje në DASH, bashkë me një delegacion të parlamentit, bashkë me deputetë të PS, takuan Aleksandër Kazanof, i cili është një zyrtar që i përket administratës së Biden.
Si i shihni ju këto qasje të ndryshme të PD, a jeni dakordësur.
Sali Berisha: Së pari, ne nuk kemi deklaruar që kemi bojkotuar institucionet e SHBA. Jo, ishte grushti i shtetit brenda shtetit që u ndërmor ndaj PD-së nga sekretari Blinken nën ndikimin e Xhorxh Sorosit, ai që krijoi problemin. Por ne asnjëherë, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, ne nuk kemi pasur jashtë çdo lloj ideje që ne të bojkotojmë institucionet e SHBA. Por ne kemi shprehur haptas mendimet tona, këtë e kemi bërë ne.
Dhe sado që dikush mund të thotë se ç’po ndodh me këto ndryshime rrënjësore që po ndërmerr presidenti Trump, e vërteta është se në shumë aspekte, këto ndryshime janë të rëndësie, në vlerësimin tim, për atë vend dhe për botën e lirë.
Kështu që merr ndihmat. Unë u them ju, që unë kam ngritur tek ambasadori Donald Lu, me shumë shqetësim, por të mos thënë me zemërim, faktin se paratë e taksapaguesve amerikanë përdoreshin kundër partisë sime, kundër opozitës. Dhe ai më betohej duke gënjyer se nuk ndodh. Dhe u zbulua më vonë se ndodhte. Unë nuk mund të nxi kurrë projektet që kanë pasur sukses dhe janë jo të pakta, por ama këto forma…
Ose dilte tjetri, gjente në Lezhë një djalë, e bënte heroin e Shqipërisë, dhe e nxirrte se po persekutohej nga Berisha se ishte gej, në një kohë kur Shqipëria kishte qindra ose mijëra gej dhe nuk persekutohej asnjë njeri. Çfarë ishte ajo? Korrupsion ishte ajo.
Me një fjalë, unë përshëndes këtë përpjekje, sepse transformimi i SHBA është interesi më i madh i qytetarëve amerikanë dhe njerëzve të lirë në botë. Natyrisht Amerika nuk heq dorë nga ndihmat, por nuk mund të lejojë korrupsionin. Nuk mund të lejojë që të përdoren për qëllime politike kundër partive politike kundërshtare të qeverisë.
Kjo është një akt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Pra takimet janë normale.
Almer Toska: Ju njiheni si politikan i fjalës së mbajtur dhe pas kësaj beteje që zhvilluat këto dy vite, ju u rikthyet në krye të PD se njerëzit ju mbështesin për këtë arsye. A do tregoheni fjalëmbajtur dhe me partinë e Ilir Metës, i cili sot ndodhet në burg, por ndërkohë ka zëra që nuk e duan koalicionin tuaj. A do i ofroni Ilir Metës ato 5-8 mandate, meqenëse në ditë të vështira ju gjend pranë.
Sali Berisha: Ne jemi të hapur për koalicion me Partinë e Lirisë, negociatat vazhdojnë, por jemi të hapur për koalicion me PL-në dhe Ilir Metën.
Almer Toska: A do jenë ata në listë të sigurtë si një shenjë mbështetje, si kthim i asaj mbështetje që ju dha Meta në ditët tuaja të vështira.
Sali Berisha: Kur bëhet koalicion, nuk ka diskutim që ndahen edhe ato vendet e sigurta. Kjo nënkupton atë që thoni ju, por si do jetë e sa do jetë, kjo është çështje negociatash.
Almer Toska: Në Shqipëri është krijuar një perceptim se nëse ke mbështetje ndërkombëtare vjen në pushtet. Vizita juaj në Gjermani a përkthehet një sinjal për Sali Berisha se po vjen në pushtet edhe me mbështetjen e Gjermanëve.
Sali Berisha: Sali Berisha vjen në pushtet me mbështetjen masive të shqiptarëve, natyrisht mbështetja ndërkombëtare siç është CDU është një faktor shumë i rëndësishëm në bashkëpunimin e ardhshëm të saj me qeverinë, por dhe në opozitë kemi pasur bashkëpunim. Unë e bazoj fitoren tek vota e shqiptare dhe unë e kam paralajmëruar me kohë fitoren, e shoh kudo. Edi Rama është në shuarje. Vini re fushatën e tyre, se si shkon dhe mbush një kriminele, merr nxënësit nga të katër anët e Shqipërisë Ogerta, korba e korrupsionit, merr nxënës nga të 4-anët dhe mbush pallatin e kongreseve. E bën njëlloj si Kim Jong Un i Koresë apo Llukashenko i Bjellorusisë. E bën i tmerr nga fitorja e PD-së.
Almer Toska: Primaret, shihen si një avancim i demokracisë së brendshme në partitë politike. Mos do ishte mirë që primaret e PD për të shmangur pakënaqësitë e brendshme të bëheshin në rang qarku.
Sali Berisha: Nuk dua të prononcohem për nivelin. Janë 3 propozim. Një është në rang kombëtar, por sistemi rajonal. Tjetrit është në rang dege dhe i treti është sistemi rajonal, në rang qarku. Cila do të pranohet do vendoset nga forumet e partisë.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Sot Edi Rama bashkë me FMN ka mbajtur një konference përsa i përket reformës së pensioneve. Kryeministri ka premtuar se do të ketë bonuse për pensionistët dhe rritje të herëpashershme. Ndërkohë ka cilësuar premtimet tuaja si të pambajtshme. Si komentoni këto deklarata?
Sali Berisha: Së pari, premtimet e mia janë premtimet e një njeriu, i cili ka dyfishuar gjatë kohës që ka qeverisur, pensionet e ulëta, ka rritur me 70-80 përqind pensionet e mesme, dhe rritur me 30 përqind pensionet e larta.
Dhe kjo rritje nuk ka ardhur se janë shumuar fondi i pensioneve nga investimet, por kjo rritje ka ardhur direkt nga transferimi i shumave të nevojshme nga buxheti i shtetit në fondin e pensioneve.
Pra, në mënyrë absolute ajo do bëhet që 100 ditët e para. Sepse ka një moral ajo.
Në qoftë se kjo Shqipëri sot prodhon 5 mijë, kjo i prodhon kaq për shkak të djersës, mundit, kontributit që ka shkrirë kjo gjeneratë.
Dhe të thuash që këta tani nuk janë më aksionerë në vendin e tyre dhe të marrin aq sa kanë mbetur me sigurime. Të tjerët i marrin me sigurime, por të tjerët fondet e pensionit i përdorin dhe i shumojnë me forma të ndryshme.
Gjersa të vijë kjo kohë, Sali Berisha dhe PD do rrisë nonstop pensionet.
Do vendosë njëherë në radhë të parë 200 euro minumimin jetik.
Kjo do të thotë që të gjithë pensionistët me pension 160 euro, pas tre muajsh do marrin 200 euro pension dhe pastaj vitin tjetër llogaritet rritja tjetër.
Të gjithë pensionistët që e kanë pensionin 120 euro, do marrin 200 euro.
Mos harro se 57 përqind e pensionistëve kanë pension jo të plotë, janë me pensione të pjesshme. Çfarëdo të jetë, do marrin 200 euro.
Këto, qeveria e ardhshme do i bëjë me të njëjtin model siç ka bërë dyfishimin e pensioneve.
Dhe në atë model, në atë kohë u bë dyfishimi i rrogave.
Nuk është se dyfishimi i pensioneve penalizmi rrogëtarët. Jo, rrogat u dyfishuan më shumë pensionet.
Por problemi është, thuaj Edi Ramës, se këta ndërojnë rrugë, në qoftë se ne ndërtonim rrugë me 1 milionë euro në fushë, këta ndërtojnë rrugë me 20 milionë euro në fushë.
Në një kohë kur indeksi i çmimit për materialet e ndërtimit është rritur gjithsej me 30 përqind që nga ajo kohë.
Pra, ajo rrugë që kushtonte 1 milion, duhet të kushtonte 1.3 milionë, por sot kushton 20 milionë euro se vjedhin.
Nuk e ke parë ndonjëherë Sali Berishën me aeroplan taksi. Ishte në atë kohë kancelari i Austrisë, një vend 10 herë më i pasur se ne, udhëtonte me linja tregtare. Nuk kishte aeroplan taksi qeveria austriake siç mban ky. 140 udhëtime, 20 milionë euro dhe e falimenton linjën.
Dhe linja del si zyra e Edi Ramës dhe bën përgënjeshtrime.
Vazo 5 milionë euro në oborrin e kryeministrisë. Po 20 milionë euro janë 120 mijë pensione.
Shishja e verës Romanee Conti, 33 mijë euro.
Sot po lexoja, nuk kishte bursa për studentët në nevojë, që u takonte, dhe kishte bursë për vajzën e Ulsiut. Ajo merrte bursë. I ati milioner, ndërtues, me dokumente do i nxjerr të gjitha për të, vajza merr bursë.
Prandaj këto janë gënjeshtra të një njeriu që i ka katandisur shqiptarët në varfërinë më ekstreme.
Sot, një pensionist malazez merr trefishin e pensionistit shqiptar. Nga doli kjo? Çfarë ka Mali i Zi? Nuk ka as çerekun e çerekut të asaj që kemi ne.
Është vjedhja, vjedhja.
Izmir Akulli, Dosja.al: Si mund ta mbroni votën e diasporës, pasi ekziston mundësi të ketë votim familjar, votuesit të fotografohen, apo një përfaqësues i PS të votojë për qindra emigrantë. Çfarë masash pretendoni të merrni.
Sali Berisha: Ne po i ndjekim të gjitha përpjekjet e tyre, për të blerë votën, për të falsifikuar votën në diasporë. Kemi bërë denoncime publike dhe do ti bëjmë.
Izmir Akulli, Dosja.al: Dje Ilirjan Celibashi, deklaroi se regjistrimet duhet të bëhen nga vetë emigrantët dhe jo nëpërmjet partive. Deri tani janë regjistruar rreth 90 mijë votues nga diaspora. A keni informacione se sa nga këta janë regjistruar nga PS.
Sali Berisha: Tani, nuk kemi synuar ne të bëjmë regjistrim, këtu ka të drejtë kryekomisineri. Portalin e kemi hapur vetëm për të ndihmuar, asistuar, sepse ka njerëz që kërkojnë ndihmë, asistencë dhe sapo klikon në këtë portal, merr një email që shpjegon të gjithë procedurën për tu regjistruar në KQZ.
Neta Fero, Politiko.al: A mendoni se emisionet e mbrëmjes do të trajtojnë vizitën tuaj në Gjemani, e para në një vend perëndimor pas shpalljes ‘non grata’.
Sali Berisha: Urdhrin e kanë që ta censurojnë në maksimum. Ky ka qenë urdhri. Tani a do e trajtojnë apo jo, varet. Por urdhër kanë pasur të mos përbëjë asnjë lajm. Gjithnjë flas për mediat kombëtare që kontrollohen nga qeveria, si TVSH, bile ndonjeherë TVSH është me e harru se ato.
Neta Fero, Politiko.al: Nëse rezultati i zgjedhjeve të 11 majit nuk do të jetë favorin tuaj, a do e konsideronit këtë si një sinjal për të formatuar PD.
Sali Berisha: Zgjedhjet PD, do ti fitojë, kështu që nuk mund të bëjë supozime që nuk do të ndodhin, kështu që PD del fitimtare nga këto zgjedhje dhe PS-ja reduktohet në rezultatin më mjeran që mund të ketë pasur që nga 1992 e gjer sot.
Robert Hasa, VoxNews: Kjo ishte vizita e parë e juaja jashtë vendit pas 1 viti. Nga informacionet që keni, vota e diasporës a do të jetë për PD.
Sali Berisha: Informacionet që kam është se, po. Vota e shqiptarëve jashtë vendit është një e drejtë kushtetuese e tyre dhe Shqipëria në mënyrën më të turpshme ishte i vetmi vend që di unë, që ua mohonte. Ata janë votues. Tani në epokën digjitale mund të votojnë në mënyrë digjitale. Për fat të keq, regjistrimi do bëhet digjital e votimi me zarfe, sepse qeveria kontrollon e-albanian dhe nuk e pranuam ne.
Robert Hasa, VoxNews: Ju keni denoncuar një sërë skandalesh, nëse vini në pushtet këto skandale do i çoni para drejtësisë.
Sali Berisha: Absolutisht një e nga një dhe duhet ta dinë mirë se në krye të ndëshkimit do të qëndrojnë kriminelët elektoralë. Krimi elektoral dhe korrupsioni do të shpallen krime të rënda. Për këto dy vepra penale, do të ketë ndëshkime ekzemplare dhe nuk ka parashkrim. Do të hiqet parashkrimi për këto dy vepra. Nuk mund të ketë parashkrim. U bëj thirrje punonjësve të administratës të mos dëshmohen skllevër të ministrave hajduitë që kanë përdorur dhe përdorin pushtetin për pasurimin e tyre.
Robert Hasa, VoxNews: Në korridoret e politikës dhe medias flitet se ju nuk do të jeni kandidat për kryeministër i opozitës përballë Ramës? Në 11 maj do të jetë Sali Berisha përballë Edi Ramës, apo një tjetër eksponent i PD?
Sali Berisha: Unë kurrë nuk ndjek veprimet e kundërshtarit përveçse një fakti, që unë e kam ftuar atë në mënyrë të përsëritur që të vijë të përballemi në një studio televizive. Atij nuk ia mban, ai ka frikë nga vetja e tij dhe e di se del nga emision në mënyrë figurative lakuriq me ato që unë do t’u faktoj shqiptarëve për bëmat e tij. Dhe kjo është arsyeja pse ai nuk mund të dalë. Dhe tjetra, se ai ka probleme me memorien. U kujtohet kur shkruante në dorë dhe shihte dorën si nxënës i klasës së parë. Unë i kam thënë hajde edhe me suflerë me vete, por hajde të përballemi se e kërkon rregulli, e kërkojnë shqiptarët, duan të na shohin përkarshi njëri-tjetrit. Nuk vjen, nuk ia mban.
A do jemi kandidat i PD për kryeministër? Po ajo vetëkuptohet, ajo është afërmendsh. Nuk ka diskutim. Natyrisht me shpjegimin që pasi të fitoj zgjedhjet, do hapet një votim për kryeministrin. Kush të dojë, ta sfidojë Sali Berishën. Tani kur hapet gara, nuk hapet për nga PS-ja, gara hapet nga opozita, ose edhe qytetarët. Kush të dojë, është normale.