EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dukje folur gjatë takimit ‘Buxheti i shqiptarëve, tepsia e pushtetit’ akuzoi Edi Ramën, se me buxhetin e vitit 2024 do u japë PPP-ve fondin më të madh se i gjithë fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se me buxhetin e vitit 2024, janë dhënë shumë më pak lekë për arsimin dhe shëndetësinë. Ai theksoi se, ky buxhet duhej të ishte organizuar ndryshe, due vendosur në qendër qytetarin shqiptar.
Teksa hodhi akuza ndaj qeverisë Rama, kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi gjithashtu se, një goditje e fortë me buxhetin e vitit 2024, do ti jepet procesioneve të lira.
‘Ky buxhet përbën një goditje pothuajse nukleare për profesionet e lira, u vendos një taksë të re që detyron mijëra zyra të mbyllen’, tha në fjalën e tij kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E HAPJES E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TRYEZËN PËR BUXHETIN
Së pari ju përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj që jeni në këtë takim për të diskutuar në një vend normal, ngjarjen më kryesore të vitit, buxhetin dhe miratimin e tij.
Ky buxhet është i pari në historinë e këtij vendi, që kalon në mënyrë klandestine, pa asnjë takim me qytetarët, grupet e interesit, që miratohet në klube me tava bakllavaje, me pretendimin se kjo do të jetë bakllavaja e popullit. Miratohet në zoom në kundërshtimin më flagrant të ligjeve, të cilat parashikojnë zoom vetëm në gjendje të jashtëzakonshme dhe pandemi.
Por në shtetin e mafias, ligji nuk ka vlerë.
E gjitha kjo që shohin shqiptarët ka lidhje me një problematikë që nuk ka ekzistuar kurrë në 32 vite në historinë e këtij vendi.
E gjitha kjo që shohin shqiptarët që buxheti, ngjarja më e madhe parlamentare e vitit, kalon mënyrë klandestine, vjen për shkak të mohimit të plotë të të drejtave kushtetuese të atyre që përfaqësojnë 600 mijë shqiptarët, të cilët me gjithë kushtet tejet të veçanta, nuk u shitën, nuk u blenë, nuk u trembën, por votuan kundër qeverisë, dhe për deputetë e saj.
Mohimi i këtyre të drejtave kushtetuese në parlament përbën defakto ekzekutimin politik të opozitës dhe përfaqësuesve të saj në parlament. Por deputetët e opozitës kanë vendosur të qëndrojnë në parlament, me një qëndresë, betejë pa kthim për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të cilat në aparencë janë të tyre, por në thelb ato janë të drejtat kushtetuese të çdo shqiptari dhe opozitari, por jo vetëm. Opozitë apo jo, shumica e shqiptarëve janë për pluralizmin politik. Ajo që ndodh në parlament është asgjësimi i pluralitetit politik.
Pra kushtet në këtë vit, buxheti diskutohet si në gjendje lufte. Ose buxheti u diskutua sikur të ishte një pandemi nga të rëndat, njërën prej të cilave e përjetuam edhe ne, ndërkohë që ky vit nuk ka gjë tjetër përveç fuqizimit të pushtetit të mafias që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj.
Ne me gjithë këtë situatë, unë e vlerësoj shumë angazhimin e departamentit të ekonomisë dhe sipërmarrjes pranë PD-së, për të organizuar këtë debat dhe për të paraqitur para shqiptarëve të gjithë analizën tonë, propozimet tona për buxhetin e vitit që vjen.
Duhet thënë, në krye të radhës, ky është buxheti i vjedhjes më të madhe shtetërore në historinë e Shqipërisë. Kjo është e vërteta, realiteti.
Të parashikosh 400 mln euro, sepse mbyll portin me kapacitet real 4 milionë ton përpunim mallrash në vit dhe me mundësi reale për të kaluar në 6-7 mln, vetëm e vetëm se Edi Rama dhe klani i tij, duan të pasurohen duke marrë 1.4 mln metër katrorë tokë truall në Durrës, duke krijuar aty lavatriçen më gjigante në Europë, në të cilën ai që paraqitet si investitor është i zotuar se do të investojë nga 4-5 miliardë euro, gjithsej 70 mln euro, por që të gjitha janë para të mafias shqiptare të depozituara në Dubai, Shqipëri apo në Meksikë që sot është një nga mafiet më potente të planetit, e lidhur e tëra me qeverinë, me Edi Ramën që do të ndërtojë parajsën e tij, Dubain e tij, Dubain e mafias shqiptare dhe asaj botërore, duke dënuar një qytet, një popull.
Durrësi dhe porti, në histori kanë qenë një binom që kurrë nuk janë ndarë. Durrësi ka mbijetuar. Qytetet janë zhdukur në mijëra vite, jo pak, por Durrësi nuk është zhdukur kurrë për shkak të portit të tij. Është zvogëluar, zmadhuar, sipas kohërave, por ka mbetur përsëri porta jonë kryesore drejt perëndimit.
Ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në histori, sepse përveç 400 mln eurove që i përkushtohen pasurimit përrallor të Edi Ramës dhe klanit të tij, janë rreth 140 mln euro të tjera që u përkushtohen përsëri, PPP-ve të Edi Ramës me botën e krimit.
Përsëri taksapaguesit tanë duhet të paguajnë për sterizilimin, i cili u kushton 83 herë më shumë seç kushtonte para këtij partneriteti. Duke marrë vetë, sepse pas kompanisë është Rama e Beqaj, duke marrë pajisjet e blera ultramoderne nga institucioni i shëndetësisë, sterilizator i fjalës së fundit, ndërtesa të reja dhe si dënim duhet të paguajnë 83 herë më shumë.
Nuk ndodh vetëm se duhet të paguhen 83 herë më shumë, por ndodh se mijëra shqiptarë nuk mund të operohen sepse spitalet nuk kanë fonde për të paguar setet e operacionit, kriminelëve barbarë si Rama, Beqaj dhe ata që ekzekutojnë këtë operacion kriminal. Nuk kanë fonde.
Çfarë ndodh? Ndodh se check up, i bashkëshortes së kushëririt të Ramës, Vilma Nushi, se është dhe grua, por do ti thoja shumë gjëra sot, shpenzon qindra milionë dhe regjistron dhjetëra mijëra njerëz që janë ndarë nga jeta prej shumë vitesh, emigrantë që kanë lënë Shqipërinë prej vitesh të tëra dhe këto janë të gjithë dëshmi e KLSH-së, janë zyrtare.
Dhe këto konstatime janë vetëm maja e ajsbergut, sepse komisioni normal nuk mund të ketë një audit ‘in ekstenso’, por natyrisht me ato kapacitet që ka merr disa mostra që i shqyrton.
Kështu janë koncesionet e tjera, por një gjë, me PPP me të cilat ndan paratë Edi Rama, fondi i tyre këtë vit është më i madh se i gjithë fondi i rritjes së rrogave dhe pensioneve për shqiptarët. Është 3 herë më i madhe se fondi i ndihmës ekonomike.
Imagjinoni se ku kanë arritur. Kanë katandisur në 64 mijë persona, ndihmën ekonomike.
Ju garantoj se Shqipëria sot në të gjithë kriteret më minimale, ka dhe duhet të ketë të paktën 200 mijë persona në ndihmë ekonomike.
Shqipëria ka plotësisht të gjitha mundësitë për ta shtrirë këtë ndihmë ekonomike në 200 mijë persona.
Shqipëria ka çdo mundësi sot për të shpërndarë, për të vendosur minimumin jetik prej 200 eurosh. Nëse Shqipëria nuk çon buxhetin për ndërtimin e portit që mbyll Edi Rama, ato para dalin e teprojnë jo për 200, por edhe 300 euro për të bërë minimumin e shqiptarëve.
Këtu nuk është problemi si të jetojnë shqiptarët në Shqipëri, çështja është si të ikin shqiptarët nga Shqipëria.
Të lexosh shifrat e buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë, janë shkatërrimtare, të turpshme, 2.3, 2.8 përqind. Dhe pastaj tallen me universitet, se universitet paskan shpenzuar kaq për roje, e kaq për ato e këto, dhe mund të ketë abuzime, nuk marr përsipër, por nëse ti nuk u jep fond, një pjesë e tyre asnjë qindrarkë për kërkim shkencor, studime, biblioteka.
Asnjë pushtues po të ishte sot në Shqipëri, nuk do të mund të sillej në këtë mënyrë ndaj universiteteve të vendit. Kurse ky mendon se si ti shkatërrojë.
Ky buxhet ka edhe një problem tjetër, jashtëzakonisht të rëndë për vendin.
Ky buxhet përbën një goditje pothuajse nukleare për profesionet e lira, për ata që janë shërbëtorët e kualifikuar të qytetarëve shqiptarë.
Atyre u vihet një taksë e re, e cila arrin në 28 mln euro, dhe me të cilën detyrohen mijëra zyra, shërbime të mbyllen, mijëra e mijëra prej tyre të marrin rrugët e dheut, me shpresë dhe besim se ato njohuri që kanë do mund të sigurojnë kafshatën e gojës në vend të tjera siç duhet.
Nuk ka vepër më antikombëtare se kjo.
Shtresa e mesme që është telendisur në këtë vend, nuk ka demokraci pa shtresë të mesme. Nuk ka kohezion social pa shtresë të mesme. Shkatërrimi i saj në një farë mënyre është shkatërrimi i shoqërisë, i shërbimeve me të cilat ajo mbahet.
Dhe tani, ky ka vendosur ti tatojë përsëri, ti largojë nga Shqipëria.
Kjo është e vërteta e këtij buxheti.
40 milionë merr një rrugë, një rrugë që ka 13 vite që ndërtohet dhe nuk ndërtohet.
Nuk ndërtohet sepse kompania është e lidhur me Olsi dhe Edi Ramën. Kompania duke qenë financues kryesor i Olsi Ramës, natyrisht ai nuk e përfundon rrugën.
Ndodh ç’ndodh, por Rruga e Arbrit me një gjerësi 10 metra po barazon një më një pothuajse në kosto Rrugën e Kombit me 27 metra gjerësi.
Rrugë që nuk mbarohen, rrugë që vidhen e vetëm vidhen. Nuk ka komb që ndërton rrugë me çmime më të shtrenjta se ne. Ky është buxheti i vjedhjeve.
Në SHBA një autostradë me të gjitha veprat e artit shkon 8 gjer në 11 mln dollarë. Në Shqipëri një rrugë 10 metrash me asfalt 5 centimetra që i del korja menjëherë shkon 11 mln euro. Ndaj dhe ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në histori.
Partia Demokratike është e vendosur. Ka nisur një betejë pa kthim. E ka nisur në parlament dhe do të bëjë gjithçka që kjo betejë të shtrihet kudo dhe të mos ndalet kurrë gjer në shpëtimin e Shqipërisë nga kthetrat e këtij narkoshteti.
Përndryshe pa diskutim që ky buxhet mund dhe duhej të organizohej krejtësisht ndryshe. Ky buxhet duhet të kishte në epiqendër qytetarin, shërbimet ndaj tij, arsimin, shëndetësinë, por do të kishte në epiqendër pa diskutim edhe një ndarje të drejtë, të dhimbshme.
Sot Shqipëria nuk mund të ketë kurrë qytetarë, nuk është më ai vend ky qytetarët e saj të jetojnë me 1 dollarë në ditë. Nuk mund të ketë. Këtu në mënyrë të frikshme polarizimi po shkon si askund tjetër.
Vërtetë ka rritje 3%, çfarë është kjo rritje 3%, ajo rritje është rritja e oligarkëve, i përfitojnë oligarkët dhe qeveritarët. Çfarë përfitojnë qytetarët nga rritja 3.8 %, nuk është rritje e vogël, por asgjë nuk përfitojnë. Qytetarët përkundrazi shkojnë gjithnjë e më thellë.
Ju falënderoj shumë për këtë debat që keni organizuar dhe ju garantoj se PD do të bëjë gjithçka në realizimin e objektivave të saj.
Faleminderit!
FJALA E MBYLLJES SË AKTIVITETIT NGA KRYETARI I PD-së, SALI BERISHA:
Faleminderit për ndërhyrjet mbi të cilat ju hodhët dritë mbi aspekte të ndryshme të këtij buxheti, i cili i parë me realizëm jo vetëm është buxheti i vjedhjes më të madhe të shqiptarëve, por fatkeqësisht edhe i gjobitjes së tyre më të madhe.
Po të kemi parasysh barrën që iu krijon për shpenzimet shëndetësore, për shkollimin këto janë një barrë në rritje që vjen nga viti në vit në një kohë kur në vendet tjera kjo barrë është 4-5 herë me e ulët se në Shqipëri.
Sot shqiptarët shkollojnë fëmijët e tyre në Shqipëri me tarifa 3-4 herë më të larta se sa t’i shkollonin në Austri apo në Gjermani. A mund të imagjinohet kjo?
Sot shqiptarët paguajnë për fëmijët e tyre qeratë të tretat më të larta në Europë pas Parisit dhe Mynihut.
Doktor Tritani e tha, të paguash 50 përqind nga xhepi dhe është aq dhe absolutisht edhe më shumë për kujdesin shëndetësor është një pamundësi reale për të përballuar problemet që krijon sëmundja për shëndetin tënd.
Pra, detyrohesh ta përballosh shkel e shko, ta përballosh pjesërisht dhe të mos sigurosh dot shërbimet dhe ilaçet që meriton në tërësi.
Spitalet kanë një degradim ekstrem në kuptimin e asaj që spitali publik të diagnostikon, por sot mbetesh në mëshirë të fatit gjer të nesërmen në urgjencë për të hequr trombin, ose për të bërë ndërhyrjen që të kërkojnë për ta bërë në sektorin privat. Nuk ndodh në asnjë vend. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
Shqiptarët vidhen, por edhe gjobiten në mënyrë të tmerrshme për shërbimin shëndetësor, gjobiten për arsimin që duhet të paguajnë. Gjobiten në transport dhe kudo për arsye se qeveria me politikat që ndjek garanton çmime ndër më të lartat në botë për naftën. Padyshim që ka spekulim të madh nga tregtarët, por e vërteta është që qeveria i ngarkon ata me atë taksë që në SHBA shiten në pompë benzina apo nafta.
Kjo është një mendësi e hajdutit, ta themi haptas. Se po të them komuniste, edhe ashtu është, që këtyre që kanë, t’ua kthejmë xhepat. Se pse këta kanë, se kanë një veturë. Po kjo është një filozofi hajduti, nuk është se këta kanë një ideologji komuniste.
Buxheti që diskutuam, shëndetësinë e le më keq, arsimin edhe më keq. Fermerët, ju diskutuat. Nuk besoj të ketë vend në planet, që t’i japë nga buxheti 31 milionë euro gjithsej një sektori ku jetojnë 40 përqind e shqiptarëve, një sektori që ka kontribut në prodhimin e brendshëm 17-20 përqind, një sektor i cili për kushte të rrethanave të Shqipërisë, një vend plot ujë me tokë të cilësisë më të lartë mund të jetë gjithnjë një burim i vërtetë mirëqenie për ata që janë dhe një burim vërtetë eksporti për vendin. Një levë e fuqishme për ekonominë e vendit.
Ju e thatë, dhe unë e ndjek. Nuk ka sektor që është shkatërruar më shumë se sa sektori i bujqësisë. Qindra e qindra milionë euro të investuara nga fermerët, të marra me kredi, mund, djersë dhe emigracion dhe çdo formë janë shpërbërë dhe janë zhdukur me një shpejtësi të paimagjinueshme.
Në 2013 ne arritëm, edhe 2012, të bëhemi eksportues qumështi. Dhe ajo ishte një arritje e madhe në vlerësimin tim. Sot ne jo që nuk eksportojmë, po përkundrazi mbytemi nga tregu serb, qumështi pluhur dhe janë zhdukur çdolloj mbështetje e ndihme. Fermerët kanë vetëm një rrugë, falimentim dhe largim. Dhe ata janë më shumë që largohen nga Shqipëria.
Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur një braktisje e tillë, edhe socializmi ishte marrëzia, ishte çmenduri, po prap kanale, gjëra, po para shpenzoheshin në atë marrëzi Oruelliane. Kurse sot, cakton në mënyrën më cinike 30 milionë euro për fermerin shqiptar.
Ik sa më shpejt se nuk ke pse rri këtu. Njeri tokës është ai. Për njeri tokë, ai fiton më shumë si njeri toke në Greqi, në Itali, Koraci, Mal të Zi, kudo që të shkojë.
Çfarë bëhet me të varfërit? Edhe me të varfërit, ikni ju thotë. Dhe jemi te shpopullimi. Jeni shumë, iu tha pensionistëve, nuk mund të rrisim pensionet. Në çdo rast pa asnjë vështirësi, pa asnjë dezekuilibri ekonomik mund të vendoset minimumi i 200 eurove.
Këtë që po them e kanë vendosur qeveri të djathta e të majta 50 vite më parë. Qeveria, sigurisht ka një detyrë zhvillimi, por ajo gjithnjë duhet të shqyrtojë si duhet të shpërndahen këto të ardhura që vijnë.
A përfitojnë edhe ata që janë në gjendje jo të mirë? A përfitojnë të sëmurët, të moshuarit, fëmijët? Kjo qeveri ka mend, a përfitojnë zyrtarët, a përfitojnë oligarkët e tyre.
Mirëpo, po të shohim zhvillimet po shkohet nga e keqja në zi. E vërteta kjo është. Çdo vit e më poshtë.
Mendoni për një moment vetëm një gjë. Gjatë qeverisjes së Edi Ramës janë investuar rreth 11 miliardë euro. Ku janë? Janë rrugë që copëtohen në 7 lote, në 8 lote në 10 lote që të vidhet sa më shumë që të ndahet çmimi në fund.
Kroacia, se m’u rikujtua tani ndërtoi një autostradë 27 metra të gjerë të standardit europian me 1.9 milionë euro kilometri, kurse po të shikosh rrugën Kardhiq-Delvinë, nga 700 mijë euro që ndërtuam 15 kilometrat e para, çmimi kaloi në 240 milionë euro.
Vetëm segmenti, se është për Guines, segmenti i rrugës autostradës Tiranë-Elbasan, nga Iba në Farkë, janë 7 kilometra, kushtoi 230 milionë euro. Po 7 kilometra sikur të ndërtoje tunel të plotë, me 20 milionë euro kilometri, shkonin 140 milionë euro. Ta marrim tunel, nga Iba të dilje në Farkë.
Pra, jemi para një situate që nuk është asnjë komb tjetër. Ndaj ka vetëm një zgjidhje, largimin e kësaj të keqe të madhe. Dhe kjo e keqe ka një emër, kjo e keqe është Edi Rama.
Sado që mund të thotë kush dhe mund t’u thonë, pse përqendroheni, ai është e keqja e të këqijave. Sepse të gjitha këto, mbajnë firmën e tij, mbajnë vulën e tij, mbajnë avokatinë e tij.
Nuk mund ta harroj kurrë, kur ky njeri, dilte nëpër ekrane televizive me pinca të thyera, me pincë me një krah, me gërshërë të thyer. Dhe u thoshte shqiptarëve në amoralitet të plotë, ja me se operoheni. Para se të fillonin sterilizimin.
Dhe kalonte nga studio në studio si shoë, vetëm për të mbuluar vjedhjen e tmerrshme që u bëhej shqiptarëve me sterilizimin. Të njëjtën gjë me djegësat. Djegësi i Tiranës u shkon 1 miliard euro taksapaguesve të Tiranës. Sepse kudo është dora e tij e zezë.
Dhe një gjë duhet ta kemi të qartë, ka një ligj në doktrinën e korrupsionit: po vodhi kryeministri, korrupsioni bëhet sistematik. Bëhet sistem. E ndjekin njëlloj si minjtë e Dino Buzatit mbrapa dhe vjedhin dhe shkatërrojnë vendin dhe shtetin. Punonjësit, vartësit e me radhë.
Ky ka sjellë këtë moral, këtë kod. Ndaj dhe largimi i tij është largimi i të keqes më të madhe që ka pasur Shqipëria në histori pas Enver Hoxhës.
Faleminderit!