Të rinjtë e PD-së do t’i bashkohen sot protestës që do të organizohet sot pasdite para kryeministrisë në ditën e 11-të të saj për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Në një deklaratë për median një grup të rinjsh thanë se nuk është koha për dallime mes njëri tjetrit pasi Shqipëria sot është në pikën më kritike të ekzistencës së vet.
Nikola Kedhi: Sot nuk është koha për dallimet mes njëri-tjetrit. Ajo që na bashkon është më e madhe sesa ajo që na ndan. Shqipëria sot është në pikën më kritike të ekzistencës së vet.
Është e shkatërruar në arsim, në shëndetësi, në mjedis, në mundësi ekonomike. Është në pasiguri jete, në pasiguri juridike. Dhe këto janë çështje që shqetësojnë çdo qytetar shqiptar. Nuk janë çështje që na dallojnë në të majtë dhe në të djathtë, të angazhuar dhe të paangazhuar, apo të anshëm dhe të paanshëm. Ndaj ne kemi sot një thirrje për çdo qytetar shqiptar, për çdo demokrat, çdo të ri, veçanërisht, të djathtë apo të majtë, të angazhuar apo të paangazhuar, që të jetë në shesh sot dhe çdo ditë për ta kthyer Shqipërinë, për të ngritur zërin dhe për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë tonë sërish.
Andia Ulliri: Le të dalim në shesh, me vendosmëri, me dashuri për familjen, kombin dhe të rinjtë shqiptarë që largohen dita-ditës. Për të gjitha kauzat që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë. Prandaj shihemi sot në orën gjashtë në shesh, sot dhe çdo ditë më shumë.


