EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në selinë blu në kuadër të sensibilizimit për kancerin e gjirit, ‘Tetori rozë’.
‘Mblidhemi për të dhënë një mesazh në mbarë Shqipërinë, për të rritur ndjeshmërinë ndaj kancerit të gjirit’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha në fillim të fjalës së tij.
Gjatë përshëndetjes për pjesëmarrësit në aktivitet, kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi në fjalën e tij, se në vend që të investohet për ‘check up-in’ e kontrollit të kancerit të gjirit të gratë, harxhohen miliona euro për një ‘check up’ ku ka futur duart e korrupsionit, Edi Rama dhe nuk ka asnjë rezultat.
FJALA E PLOTË:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt. Një nderim të veçantë për të gjitha ju zonja dhe zonjushe, të pranishme sonte në këtë aktivitet me një domethënie shumë të madhe humane, njerëzore. Me një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat e këtij vendi të cilat janë padiskutim pjesa, ose gjysma e kombit më aktive, më kreative, më vitale dhe më e rëndësishme.
Unë dua të falënderoj Erjetën që ka bërë të mundur të hapim këtë aktivitet me veprat e saj në mozaik që shkrijnë të gjithë ndjenjat e Erietës për gruan, femrën, Tiranën, qytetin e saj, me të vërtetë mozaik shumë i veçantë, me frymëzime nga impresionistë, nga piktorë të tjerë me frymëzime nga qyteti.
Ka aty një vepër ‘Tirana që qan’, është një kryevepër kushtuar barbarisë së vërtetë që përjetoi qyteti në rrafshin urbanistik, arkitekturor.
Të nderuara të pranishme!
Sot ne mblidhemi për të dhënë një mesazh në mbarë Shqipërinë, për të rritur ndjeshmërinë e nënave, motrave, vajzave, grave shqiptare ndaj një armiku të egër, pa mëshirë, që merr çdo ditë në mënyrën më të pamerituar jetët e tyre dhe në çdo moshë.
Kanceri është një armik i egër i njeriut, siç është sëmundja në tërësi, ndaj duhet luftuar, duhet ruajtur vetëdija e madhe konstante e përditshme kundër tij. Nga format e përhapura jo pak, është kanceri i gjirit, por ky lloj kanceri ka një raport të veçantë me kapjen, zbulimin e tij të hershëm. Dhe nëse ne rritim vetëdijen e vajzave, grave për rëndësinë e jashtëzakonshme për kapjen e hershme, ne shkojmë në kufijtë e shërimit, të fitores mbi të, e shpëtimit të jetës.
Fatkeqësisht procedurat e shoshitjes, të cilat duhet të ishin ndër më rutinoret nuk janë, ndaj mbeten format e kontrollit vetjak të vazhdueshëm me gjakftohtësi, me vëmendje në mënyrë që çdo ndryshim i dyshimtë të kapet në kohën më të parë.
Sot lufta kundër kësaj sëmundje është në Shqipëri më e dhimbshmja. Situata në Shqipëri kundër sëmundjes kanceroze është më jo humania. Mungesa e ilaçeve në spitalin onkologjik për fëmijët dhe sëmundjet e tyre që i prekin, për gratë, vajzat dhe të tjerë, është i rregullt.
Sot shpenzohen në vit mbi 10 mln me të famshmin ‘check up’ ku janë brenda duart e zeza të Edi Ramës, i cili është faktuar se ka zero leverdi, bërja e tij.
I cili mban në regjistrin e vet qindra e mijëra qytetarë që janë ndarë nga kjo botë, ose janë jashtë, vetëm për të marrë pagesa, në një kohë kur me më pak se çerekun e kësaj shume, mund të instalohej në vend, sistemi i ‘check up’ i kësaj sëmundje që e ka të nevojshëm që të kapej jo në fazën fillestare, por në fazat parafillestare, në fazat kur ai nuk është i tillë, por indet tregojnë se ato mund të ecin në këtë drejtim.
Mirëpo problemi ynë është ky. E ka thënë John Kenedy; njeriu në jetë përballet me tre armiq, sëmundja, varfëria dhe tirania. Në fakt një situatë e tillë u bie sot shqiptarëve. Nëse sëmuren, ua them unë ju me dhimbjen më të madhe, ky dezorganizim që është sot në sistem absolutisht në të gjithë memorien time, nga student në mjekësi e deri sot, nuk ka ekzistuar.
Këto praktika ç’njerëzore që e diagnostikon tjetrin, i thotë tjetrit rri aty se nuk të mjekoj, por të shkon të mjekohesh atje ku marra paratë. Praktika më e zakonshme. Ky ç’organizim bën që spitalet të mos bëjnë analizat, që kirurgët të mos operojnë të sëmurët për shkak të atyre që me sipërmarrjet që kanë krijuar si shushunja, u pinë gjakun të sëmurëve shqiptarë.
Megjithatë sot jemi në një ditë ku duhet të përqendrohemi dhe duhet të bëjmë gjithçka për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve në luftën kundër këtij armiku.
Dua ta falënderoj shumë Albanën për angazhimin e saj që në shtator në mënyrë që të mund të organizohej sa me më sukses dhe sa më mirë këtë aktivitet për sensibilizimin.
Dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në këtë aktivitet dhe dua ti siguroj se PD, do të bëjë gjithçka për një organizim të veçantë në betejën kundër kancerit të gjirit dhe sëmundjeve të tjera malinje, në përpjekje për shëndetin e njerëzve dhe natyrisht edhe në luftën e pamëshirë kundër dy armiqve të tjerë, tiranisë dhe varfërisë.
Edhe njëherë ju uroj nga zemra, shëndet e sukses në këtë mision shumë të rëndësishëm.
Faleminderit shumë!