DEKLARATË PËR MEDIA DREJTORI I ZYRËS SË SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT NË PD, ALFRED LELA
Partia Demokratike u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjeve dhe të afërmve të tetë të vdekurve në aksidentin e ndodhur dje në Këlcyrë.
Tragjedia e një familjeje shqiptare dhe shtatë të huajave, eshte drama e një shteti si ky i Rilindjes, që nuk kontrollon dot kufijtë dhe territorin e vendit. Edhe pasi ia lëshon Agjencise Europiane te Kufijve, Frontex, me “PPP”, nuk bën gjë tjetër veçse dyfishon dështimin.
Humbja e tetë jetëve bëhet edhe më alarmante po të kujtojmë se, me një vendim jo-transparent dhe kundër të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës, pas një muaji, Shqipëria do bëhet strehë, jo e tetë, por e disa mijra emigrantëve, që do ambalazhohen në Shëngjin e Gjadër.
Humbja e tetë jetëve bëhet edhe më ulëritëse po të kujtojmë se, vetë shqiptarët, mbi 1 milion, kanë marrë rrugët e botës në dekadën e Rilindjes, duke zbarazur vendin, duke plakur popullatën, duke vrarë shpresën.
Edi Rama e shndërroi Shqipërinë në një vend që prodhon emigrantë me shumicë, dhe tashmë bën këmbime popullatash, duke marrë nga vende të tjera kontigjente të cilat vendet e BE-së duan t’i shmangin.
Partia Demokratike e ka në krye të agjendës shpopullimin e Shqipërisë: ky eksod nuk është emigrim për jetë më të mirë, por ikje nga sytë këmbët.
Plotësimi i dramës kombëtare të shpopullimit me kampe refugjatësh, që popullojnë një territor të policuar keq dhe të qeverisur keq e më keq, me hajgare, propagandë dhe babëzi, është një minë me sahat.
Që shtëpitë e shqiptarëve, që fshatrat e boshatisura dhe qytetet e mpakura, të mos zëvendësohen me kampe refugjatësh, reagimi më i mirë nuk është ikja, por qëndresa.
O sot, o kurrë!
Për një Shqipëri të bijave dhe bijve të vet, jo një jetimore ndërkombetare.