DEKLARATË PËR MEDIA E KËSHILLTARIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE NË PD, DORJAN TELITI
Të nderuar qytetarë!
Si pasojë e zhvillimeve në ekonominë botërore dhe europiane, të cilat gjatë 4 viteve të fundit, që prej periudhës së pandemisë, janë karakterizuar shpeshherë edhe në riorientime të flukseve të investimeve të huaja, rajoni i Ballkanit ka fituar një vëmendje të veçantë në arenën ndërkombëtare duke thithur flukse më të larta si sasiore ashtu edhe cilësore të investimeve të huaja direkte.
Ky fenomen automatikisht ka bërë që gara midis vendeve të Ballkanit, se kush e kush të thithë sa më shumë investime të huaja direkte, të bëhet gjithnjë e më shumë e ethshme.
Po ku qëndron Shqipëria në këtë garë? Si renditet vendi ynë?
Sipas Indeksit Glogal të Mundësive 2024, të publikuar këto ditë nga Milken Institute në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe rezulton të jetë vendi më pak tërheqës në sytë e investitorëve, apo e thënë ndryshe Shqipëria është vendi më pak i dëshiruar.
Sipas këtij indeksi, Shqipëria renditet në vendin e 73.
Për më tepër, në vend që Shqipëria të përmirësohej në renditje të paktën krahasuar me veten e tij, raporti i Milken Institute vlerëson se Shqipëria është përkeqësuar me plot 6 vende në renditje vetëm gjatë vitit të fundit.
Vendet e tjera të rajonit janë treguar më të afta për të tërhequr vëmendjen e investitorëve të huaj dhe financimet e tyre, dhe këtë e tregon qartë edhe indeksi në fjalë, i cili ka vlerësuar se Mali i Zi renditet në vendin e 50, Maqedonia e Veriut në vendin e 54 dhe Serbia në vendin e 59.
Ndër komponentët që kanë ndikuar në këtë vlerësim ngelës të Shqipërisë në klasën ballkanike të thithjes së investimeve të huaja direkte, janë (i) komponenti i standarteve dhe politikave ndërkombëtare, (ii) shërbimet financiare dhe ai (iii) i kuadrit institucional, ku ky i fundit shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë pengesat institucionale ndaj aktivitetit të biznesit të shkaktuara shpeshherë nga performanca e dobët e administratës dhe të drejtat e cënuara të investitorëve.
Të dashur qytetarë,
Përfundimet e këtij raporti nuk janë surprizë për askënd.
Prej 11 vitesh ekonomia shqiptare është goditur, vit pas viti, nga vendimmarrje të gabuara dhe shpeshherë të qëllimshme të qeverisë Rama që kanë patur për qëllim dobësimin e shëndetit të sipërmarrjeve vendase dhe dekurajimin e investitorëve të huaj për të ardhur dhe financuar paratë e tyre në vendin tonë.
Rritja e taksave dhe ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal, procedurat e komplikuara dhe shpeshherë të pakuptueshme, kontrollet abuzive dhe pa paralajmërim, cënimi selektiv sipas dëshirës i sigurise juridike, mungesa e garës së ndershme dhe korrupsioni në sektorin publik dhe prokurime, mungesa e theksuar e konkurencës së lirë dhe të ndershme, ekonomia e madhe informale dhe fenomeni tejet i përhapur i pastrimit të parave, kanë qenë dhe mbeten edhe sot problematikat kyçe që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të ekonomisë shqiptare.
Shqipëria dhe ekonomia jonë ka potenciale të mëdha. Duhet thjesht vullnet politik për të ndërmarrë hapat dhe vendimet e duhura, duke bërë atë që bëjnë vendet e tjera të rajonit, të cilat në qëndër vendosin interesin e qytetarëve dhe sipërmarrjes, e jo të miqve dhe shokëve të interesave të ngushta financiare.
Kjo mazhorancë dhe kjo qeveri ka patur kohë boll për të bërë punë, por jo vetëm që nuk e ngriti Shqipërinë në piedestalin që i takon, por e kanë fundosur ate në vendin e fundit të rajonit.
Ndaj zgjidhja nuk duhet parë më te qeveria e majtë në fuqi, por o sot o kurrë Shqipërisë i duhet ndryshimi politik i drejtimit të punëve.
Dhe për të siguruar një jetesë normale dhe dinjitoze, këtu në tokën tonë, për cdo shqiptar, pavarësisht moshës së tij, zgjedhjet e lira e të ndershme të zhvilluara nga një qeveri teknike është sot më shumë se kurrë një domosdoshmëri për ti dhënë vendit tonë dhe shqiptarëve atë që meritojnë. Ju faleminderit