Teliti: E patë se si u tall Rama me pensionistë. Rritja e pensioneve me objektiv dyfishimin e tyre brenda mandatit të parë qeverisës, është angazhim madhor i PD

Deklarata e këshilltarit për çështjet ekonomike në PD, Dorian Teliti:

Të dashur qytetarë!

Pamë se si Kryeministri, ministrat dhe zëdhënësit e tij zyrtarë ose jo, mundoheshin, të justifikoheshin para shqiptarëve, dhe sidomos pensionistëve të harruar prej tyre.

Pamë sot sesi kreu i qeverise dhe stafi i tij na flisnin për arsyet e rreme të mos rritjes sa duhet të pensioneve, dhe për deficitin e skemës së pensioneve. 11 vite më parë ishte i njëjti Kryeministër që na shiste si mrekulli reformën e re të pensioneve, që sipas tij do zgjidhte njëherë e përgjithmonë problemet e pensionistëve. Sot është i gjithëpranuar dështimi i saj nga çdo aktor i tregut, dhe nga pensionistet vetë, dështim të cilin ne e paralajmëruam.

Z. Kryeministër dhe ju ministra të qeverisë shqiptare.

Ju sot duhej të dilnit para pensionistëve dhe të kërkonit të falur, pasi në këto 11 vite të qeverisjes tuaj, ndonëse çmimet janë rritur me nga 2-3 herë, pensionet janë rritur me pak se 30%.

Jeni ju që pak javë më parë u tallet me 790 mijë pensionistë duke u dhënë 25 lekshin ditor, ndërkohë që Kosova fqinje, me një qeverisje serioze i rriti pensionet 5 herë më shumë.

Ishit ju që vendosët të rrisnit kostot e ilaçeve të pensionistëve, duke futur në tregun vendas ilaçe jo cilësore, të cilat përkthehen në barrë shtesë për pensionistet.

Ishit dhe jeni ju që çdo vit ndryshoni listën e barnave të rimbursueshme, duke shkaktuar që rreth 60% e faturës shëndetësore të paguhet nga xhepi i pensionistëve.

Ishit ju që rritet kostot e energjisë elektrike për pensionistët, duke u treguar atyre gishtin drejt batanijes për tu ngrohur në ditët e ftohta të dimrit.

Ishit ju që rritet, si kostot e furnizimit me ujë anembanë Shqipërisë dhe kostot e transportit urban.

Ishit ju z. Kryeministër që rritët taksat, tatimet dhe tarifat në kurriz të shqiptarëve dhe pensionistëve, ndërkohë që paratë i dërguat në llogaritë e tenderimeve pa garë, lukseve qeveritare, koncesioneve të pakërkuara klienteliste e korruptive dhe “rrugëve të florinjta”.

Jeni ju që mbyllni sytë shifrave të Eurostat sipas të cilave 46% e shqiptarëve, kryesisht pensionistë, janë të zhytur në varfëri.

Hiqni dorë nga propaganda dhe gënjeshtrat!  

Të dashur qytetarë!

Vendosja e minimumit jetik prej 220 eurosh është sot një domosdoshmëri kombëtare në luftën tonë të përbashkët ndaj varfërisë.

Rritja reale dhe serioze e pensioneve me objektiv dyfishimin e tyre brenda mandatit të parë qeverisës, është angazhim madhor i Partisë Demokratike.

Shqipëria i ka burimet dhe buxheti i shtetit i ka të gjitha mundësitë financiare për ta fituar betejën me kafshatën e gojës, mjafton të largojmë abuzuesit e taksave tuaja nga karriget qeveritare.

Ju faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale