Takimi me demokratët në Shkodër/ Berisha: Dëshmia më flagrante e batërdisë elektorale ishte 14 maji në Shkodër. Me Ramën nuk ka zgjedhje!

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME DEMOKRATËT NË SHKODËR

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha ka zhvilluar takimin e radhës në Shkodër me qytetarët dhe demokratët, në kuadër të turit ‘Opozita në Aksion’. Gjatë  fjalës së  tij të  mbajtur me qytetarët në Shkodër, Berisha tha se, Berisha është shprehur takimi i sotëm është më i veçanti në 32 vite.

Ndër të tjera lideri demokrat bëri me dije se qeveria dhe bandat e Pëllumb Gjokës kanë intimiduar çdo votues që vinte në qendrën e votimit me qëllim deformimin e rezultatit zgjedhor.

Berisha tha nga Shkodra se, kur Rama mohoi edhe vajzën e tij, imagjino çfarë u bën shqiptarëve. Berisha tha se, do bëjmë gjithçka për përmbysjen e tij.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama gabon duke menduar se duke e vendosur në arrest, do i mbyllë gojën. Berisha tha se, burrat dhe gratë liridashës të Shkodrës do ngrihen fuqishëm në mosbindje civile dhe do japin kontributin e tyre historik.

Berisha tha nga Shkodra se, mosbindja civile do jetë si vullkan. Ai tha se, ky vullkan nuk mund të jetë askund tjetër më i fuqishëm se në Shkodër.

Berisha i bëri thirrje Benet Becit të japë dorëheqjen. Berisha tha se, është mirë të japë dorëheqjen një minutë e më parë, sepse qytetarët do flasin vetë.

FJALIMI I PLOTË

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Shkodrës të pranishëm në këtë sallë dhe kudo që jeni sonte. Përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të thellë dhe gjithnjë mirënjohjen më të pakufishme për qëndrimet tuaja.

Vij sot në këtë takim, më i veçanti në 32-vite pas takimit të parë që kemi bërë, në mos gabohem në Sheshin Isa Boletini.

Por me ju do flas haptas.

Pas 32-vitesh Shkodra ra në duart e pushtuesve. E them këtë me bindjen më të thellë. Në rast se nuk do të ishte kjo sot, ju garantoj se të gjithë së bashku sonte do të diskutonim për defektet dhe të metat e Sali Berishës në fushatë, të gjenerimit të Bardh Spahisë dhe të Greta Bardelit, dhe të përfaqësuesve tuaj të tjerë, sepse në rezultatin e 14 majit në mënyrë të padiskutueshme kanë peshën e tyre gabimet, qëndrimet, defektet e këtyre që unë përmenda dhe të tjerëve që janë vetëkuptuar.

Por sot mesazhi im është tjetër, sepse kam ndjekur çdo ditë, dhe ua them pse fushatën tuaj në një kohë kur të gjitha kodet tregonin kandidatin ku ndodhej 8% më shumë, 15% më shumë, 3% më shumë, lajmet vinin të sigurta se Edi Rama po bën gjithçka për të përmbysur rezultatin. Ky lajm qarkullonte, dua të jem shumë i hapur me ju, në të gjithë skakierën diplomatike të Tiranës. Qarkullonte tek vetë vëzhguesit ndërkombëtarë.

Dhe unë e ndiqja çfarë po ndodh dhe ku po ndodh. Ditën e zgjedhjeve duke ditur që bandat do ushtrojnë terror mbi qytetin kam mbajtur gjatë gjithë ditës lidhje me përfaqësuesit tuaj. Kam nisur bashkëpunëtorë të mitë nga Tirana në Velipojë.

Ditën e zgjedhjeve të dashur miq, ne e kemi akt civiliteti, e kem festival lirie. Ne nuk dalim me pushkë, nuk dalim me çifte për t’u përleshur me të tjerët. Ditën e zgjedhjeve, përfaqësuesi, i dërguari nga Tirana, më raporton se Velipoja është në pushtim të plotë. Se bandat e Pëpllumb Gjokës, çdo votues që vinte, ia kapnin kokën, ia afronin te veshi, e shoqëronin, dhe janë të filmuara edhe dilte nga qendra dhe kur këta përfaqësuesit tanë përpiqeshin t’i filmonin reagonin ndaj tyre.

Të njëjtën gjë, të gjitha këto të organizuara nga qeveria, dhe mos mendoni ju se ka banditë të guximshëm. Banditët bëhen të guximshëm kur kanë pushtetin, se nuk ka njerëz, nuk ka qenie më frikacake se ata, ua them unë ju.

Të njëjtën gjë me bandat e tjera. Çfarë ndodhi? Autokolonë! Po pse e them pushtim unë? Sepse na është dashur shumë kohë të marrim videot e autokolonës. Na është dashur shumë kohë që të dilnin njerëz që mund të fotografonin banditët, vrasësit serialë që ishin liruar nga burgjet për të dhunuar qytetin e lirisë, për të dhunuar Shkodrën.

E them edhe njëherë, në gjithë bindjen time, e kisha shumë të konsoliduar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. E kisha dhe vazhdoj të konsoliduar se ne si opozitë kemi problemet tona, por kur një kryeministër vendos të marrë votën me çdo kusht, askush nuk duhet të jetë naiv, askush nuk duhet të jetë iluziv se ai ka të gjitha mjetet për ta realizuar këtë.

Si u vendos sundimi i partisë së krimit në Shkodër?

Ky sundim u vendos së pari duke liruar njerëzit nga burgjet dhe duke aktivizuar të gjitha bandat. Së dyti, u vendos duke hequr nga fleta e votimit, emrin e PD dhe drejtuesit të saj.

Së treti, u vendos duke shpërndarë sasi të pakontrolluara parash për të blerë të drejtën e votës dhe për të blerë votën.

Së katërti, u vendos duke hequr të drejtën e komisionerëve në gjysmën e qendrave.

Së pesti, u vendos duke përdorur patronazhistët dhe aktivistët si polici sekrete terroriste elektorale. Mund të numëroj një seri faktorësh.

Së gjashti, u vendosur duke shpërndarë 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë pensionistëve në Shkodër dhe në mbarë vendin në kundërshtim flagrant me çdo ligj.

U vendos duke e shpallur Kodin Zgjedhor, ligjin që i jep garanci opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, një kinezëri nga Edi Rama. U vendos duke përdorur levat si partia e Tom Doshit, e cila brenda 2 vitesh, vetëm në sajë të thasëve me para, rritet me 240 përqind.

A ishin të reja këto?

Jo, për ne ishin lehtësisht të parashikueshme.

Por midis asaj që të bojkotonim zgjedhjet dhe të firmosnim monizmin me dorën tonë dhe të merrnim pjesë në zgjedhje, ne zgjodhëm këtë të dytën. Zgjodhëm të dytën me betimim se do mbrojmë votën e shqiptarëve. Ka pasur keqkuptime ndoshta, njerëz që kanë menduar se ne nuk do i lejojmë Edi Ramës të bëjë këto që ka bërë. Po kjo është e pamundur, ti nuk e ndalon dot qeverinë të marrë vendim për të shpërndarë 683 mijë zarfa, ti nuk kontrollon dot gjykatat, nuk kontrollon dot KQZ-në. E vetmja gjë që mbetet është bojkoti, por bojkoti nuk ishte opsion.

Ama në fund të këtij procesi, ne në mbrojtje të kësaj vote, arritëm të disponojmë dhe të prodhojmë dokumentin më serioz në historinë e vendit për dhunën elektorale. Për grabitjen e zgjedhjeve. Për plaçkitjen e zgjedhjeve. Por një vend që nuk voton nuk mund të jetë kurrë një vend i lirë. Një vend ku grabiten votat, nuk mund të jetë kurrë një vend i lirë.

Dhe dëshmia më flagrante e kësaj batërdie elektorale ishte 14 maji në Shkodër.

Miqtë e mi!

Ne sot jemi në një alternativë, më të vështirën që kemi qenë në tërë ekzistencën tonë. Shkodrën kur e humbëm njëherë e humbëm për gabimin tonë, ua them unë. Se ai që fitoi, e përfaqësonte qytetin. Si e përfaqësonte? Me traditën familjare, me vuajtjet e tij, me qëndrimin e tij. Ai ka qenë një leksion shumë i fortë që Shkodra i dha PD.

Kurse kësaj here, Edi Rama përdori të gjithë fuqinë e narkoregjimit të tij për të rrëmbyer votën e qytetit të Shkodrës.

Pas rrëmbimit të votës, Edi Rama nuk ndalet në asgjë. Sot ai ka pushtet në dorën e tij më shumë se Ramiz Alia në vitin 1990. Nuk ndalet!

Tani, meqenëse mori pushtetin, e rrëmbeu, tani do u rrëmbejë edhe këto të drejta kushtetuese deputetëve të parlamentit. Ato të drejta kushtetuese në parlament nuk janë personale, ato janë tuajat.

Ajo e drejtë kushtetuese që na njihet ne për të krijuar komisione hetimore parlamentare, është e drejta juaj për të ushtruar sovranitetin si njerëz sovranë. Dhe sovraniteti i brendshëm nuk është asgjë tjetër veçse e drejta juaj për të kontrolluar pushtetin e qeverisë. Dhe ai pikërisht këtë nuk e lejon. Nuk lejon ai të kontrollohet për konfliktin e interesit sepse ai ligj është thyer prej tij me dhjetëra dhe qindra herë.

Po tani a u përfaqësojmë ne ju në atë sallë, nëse ne nuk guxojmë t’i themi se thjeshtra jote po fiton dhjetëra tendera duke përdorur pushtetin tënd, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën?

A duhet të jemi ne të vërtetë me ju apo duhet të tërhiqemi? Ne nuk duhet të tërhiqemi për sa kohë u përfaqësojmë ju.

Cili qe reagimi i tij? Pasi deklaroi se nga familja ime nuk ka fituar asnjë njeri nga fondet publike, të nesërmen ia rreshtova, nesër pasnesër do ua rreshtoj të jitha prap me dokumente. Çfarë bëri? Si e zgjidhi? Familja ime, tha, përbëhet nga dy djemtë, bashkëshortja dhe unë vetë. Mohoi vajzën. A mund të imagjinoni një njeri që mohon vajzën e tij se çfarë mund të bëjë për ty dhe shqiptarët?

Pra, ndalem në këtë rast për të kuptuar se çfarë po ndodh në parlament. Ajo betejë që bëjmë ne aty, është betejë për të drejtat tuaja kushtetuese. Por ai e kuptoi tani, ai e pa se mori fund kontrolli i opozitës. Ai e pa se do të përballet çdo ditë me një opozitë të vërtetë. Ai e pa se kjo opozitë ka vendosur të mos mashtrojë më shqiptarët dhe t’u thotë se do fitojë zgjedhjet dhe t’u thotë të vërtetën se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.

Dhe pa përmbysur Edi Ramën, ne do mbetemi në diktaturë dhe do bëjmë gjithçka për të përmbysur atë.

Cili është reagimi?

Kaloi në aktin më ekstrem, të padëgjuar ndonjëherë. Ajo që deklaron ai se do reagojë ndaj

mosbindjes sonë civile është vetëm përjashtimi 60 ditë, por de facto heqja për 60 ditë e mandatit të deputetit. Ata, Edi Rama shkruan se për dy muaj përjashtim, deputeti nuk mund të ketë asnjë të drejtë për asnjë aktivitet të çfarë do lloji si deputet.

Pra, Bardeli, Ludoviku, nuk mund të takohet me ju, nuk mund të diskutojë me ju.

A ka mendje? Nuk kam dëgjuar kurrë. Por një opozitë të tillë, ju garantoj që nesër do e firmoste Kim Jong Un me kënaqësinë më të madhe në Korenë e Veriut.

Pra, ku jemi sot?

Sot jemi në një diktaturë, një shtet në të cilin çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu. Ai mendon se duke vendosur në arrest Sali Berishën, do mund t’ia mbyllë gojën. Gabon, përkundrazi! Zotohem këtu se mosbindja civile, pavarësisht çfarë qëndrimi do mbajë ai, do jetë vullkani që do përmbysë këtë narkodiktaturë njëherë e përgjithmonë.

Ky vullkan nuk mund të jetë askund tjetër më i fuqishëm se në Shkodër.

Shkodra ka qenë në kohërat më të vështira, epiqendra e qëndresës njerëzore për liri, dinjitet dhe vlera.

Kam bindjen më të madhe se qytetarët e Shkodrës, burrat dhe gratë liridashës të këtij qyteti, do ngrihen fuqishëm në mosbindje civile dhe do japin kontributin historik, siç kanë dhënë në diktaturën e parë, në përmbysjen e kësaj diktature.

5 javë në parlament mosbindje civile. Çfarë arritëm? Arritëm shumë, ua them unë ju. Aritëm t’i tregojmë të gjithë botës se çfarë përfaqëson Edi Rama. Pavarësisht nga skenat, grumbulli i karrigeve ato tymueset dhe flakadanët, por ato ndriçuan vëmndjen e botës se çfarë ndodh në Shqipëri.

Ato treguan se këto po ndodhin se një kryeministër nuk lejon kontrollin parlamentar të tij dhe të qeverisë së tij. Kjo është jashtë çdolloj koncepti. Kjo tregon se ai është i inkriminuar dhe ka frikë dhe tmerr nga kontrollet. Kjo tregon se ai ka të gjitha pushtetet në një dorë, sepse kjo është një e drejtë kushtetuese që nuk mundet kurrësesi kur ¼ e parlamentit firmos për ta ndryshuar atë, nuk njeri, kompetencë që ta bllokojë.

Ndaj dhe mosbindja jonë civile në parlament është një aksion pa kthim, një betejë pa kthim, e cila do të udhëheqë në një betejë pa kthim mbarë shqiptarët. Ku qëndron forca? Ku qëndron besimi im?

Besimi im është te luani që fle në gjokset tuaja. Zgjimi i tij, asgjë nuk mund ta mposhtë atë.

I shihni aktet që ndërmerr si një frikacak.

Një ditë mohon vajzën, ditën tjetër thotë ç’më duhet mua, ç’është kjo. Të tretën flet përçart. Mban ligjërata për SKAP-in e tij. Pra, është në një kaos të vërtetë psikik. Dhe është absolutisht i tmerruar nga luani që po zgjohet dhe që do zgjohet, në Shkodër, në Tiranë, në mbarë Shqipërinë.

Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, këtë mesazh: Mandati yt qendron mbi krimin. Është mirë të japësh dorëheqje një minutë e më parë, sepse qytetarët do flasin vetë. Edhe e garantoj atë dhe cilindo, se po të mos ishin ato zhvillime, do respektoja me përuljen më të madhe votën e qytetarëve të Shkodrës, cilado që të ishte ajo.

Por në atë mënyrë siç ke ardhur, më mirë gjej momentin, gjej kohën, ik kthehu në profesion të lirë ose bëju nëpunës i Elisa Spiropalit se të ardhme si qeveritar vendor si përfaqësues i bandave nuk mund të kesh në Shkodër.

Rroftë Shkodra! Rroftë Shqipëria!

PJESE NGA BASHKWBISEDIMI ME QYYTETARWT:

-Shpreh nderimin më të thellë në këtë ditë për ju, për të gjithë ata burra, gra, djem e vajza që nisën të parët në këtë qytet me rrëzimin e bustit të diktatorit, revolucionin demokratik të viteve ’90 që përmbysi diktaturën. Në datën 8 nderuam lëvizjen studentore, në 11 dhjetor themelimin e PD, sot 13 dhjetorin.

E vërteta është se në një mënyrë apo në një tjetër mund të themi se ato lëvizje që përmbysën një diktaturë kujtohen sot në një diktaturë të re. E thotë një studiues i madh amerikan që; revolucionet pësojnë rikthimet e atyre që përmbysin në dekada. Kjo ka ndodhur sot në Shqipëri.

Ndaj dhe 13 dhjetori, 8 dhjetori, të gjitha datat e atij viti të bekuar që solli çlirimin e shqiptarëve nga diktatura janë dhe duhet të jenë një frymëzim i madh për ne. Të ngrihemi sot kundër kësaj diktature.

Më e keqja e të gjithë diktaturave, është diktatura e bandave dhe këtë e kanë vlerësuar të tillë studiuesit më të mëdhej që kanë studiuar diktatura. Diktatura e bandë nuk la ligj e rregull, por ka kodin moral pervers të atij që mban gjithë pushtetin në duart e tij. Diktatura e bandës është fuqia e krimit të cilin ai e përdor për të realizuar ato qëllime që nuk i realizon dot në një mënyrë tjetër.

Diktatura e bandës  është ajo e vjedhjes së pakufishme. Vjedhjet e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, tejkalojnë miliardat. Njëlloj si diktatura komuniste kishte drejtësinë e vet me të cilën bënte ligjin, ky ka krijuar drejtësinë e tij me të cilën bën ligjin. Nëse shkojmë dy ditë pas, pardje, çfarë kishte? Një dokument 110 faqesh për djegësin e Tiranës, aferë në 30 vite 1 miliardë euro. Dokumenti tregonte se si janë lëshuar 15 urdhëra arresti. Epo njeriu thoshte pastaj se këtu drejtësia po funksionon.

Çfarë ishte ajo. Ajo ishte gjithçka në funksion të mbrojtjes së autorëve kryesorë të vjedhjes, Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Erion Veliaj në atë proces ka një seri firmash, dhe kushdo e di që me Edi Ramën është ndërmarrja e tij. Në 110 faqe emri i Erion Veliajt nuk përmendet njëherë të vetme, sepse po të përmendej, i tërë mashtrimi u binte. Jo se ata që u arrestuan nuk kishin përgjegjësi, kishin, por përgjegjësi absolute, vjedhje që shkon në 1 miliardë euro në 30 vite, ka Rama e Veliaj. Sot keni lexuar konluzionet e Brukselit, nuk hapen kapitujt. Vendosen 7 kushte. Ai do të fillojë të thotë  e kemi nga Beleri, nga greku. Nuk është e vërtetë, ai një nga 7 kushtet respektimi i minoriteteve, kushti i parë është dialogu, kjo që bën kundër opozitës, janë liritë. Ajo që kërkuat ju është jashtëzakonisht e drejtë, ne duhet të ngrihemi në përmbysje të kësaj diktature. Diktaturat përmbysen me mosbindje civile.

-Ju falënderoj shumë për diskutimin dhe thirrjen që bëtë. Është e domosdoshme në fakt, në një mënyrë nuk ka patur tradhti më të madhe se tradhtia që u është bërë ju demokratëve, në 21 prill. Pse? Unë shihja kudo fitoren, unë konstatoja se opozitarët ishin populli i fitores dhe këtu keni një meritë shumë të madhe.

Por absolutisht ajo fitore u shit.

U shit që të qeverisej me Edi Ramën. Mirëpo ajo sigurisht ka krijuar tek secili prej jush dëshpërim, mosbesim, mërzitje, dekurajim. Të gjithë këta faktorë janë kundër nesh, ndaj dhe ne në veten tonë duhet ti luftojmë, duhet të kemi besim të madh se do të fitojmë. Ne do të fitojmë. Më mirë se kushdo tjetër, këtë e ka ndjerë Edi Rama.

E ka ndjerë se me një opozitë që ai nuk e kontrollon, ai i ka kohërat e numëruara. E ka ndjerë dhe prandaj i ndërmerr këto masa njëra pas tjetrës. Është shumë e drejtë ajo që ju thoni se ne duhet të bashkohemi. Ne duhet të krijojmë frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë, me të gjithë ata të cilët janë të bindur se kjo është një narkodiktaturë, se ne me këtë nuk kemi të ardhme, se kombi po rrënohet dhe ky po pasurohet çdo ditë e më shumë.

Revolucionet e mëdha, përmbysjet e mëdha, gjithmonë kanë pasur në krye të rinjtë, kanë patur rininë në linjë të parë. Ajo sot është pakësuar në Shqipëri, është pakësuar shumë. Duhet të bëjmë gjithçka  që çdo të ri që kemi në familje apo që njohim ta motivojmë në mënyrë që të angazhohet në këtë betejë.

Dy muaj më parë më erdhën nga Kavaja tre miq. Më thotë Sali fitova në Kavajë në zonën që nuk e fitonim që nga 1992. Po çfarë bëre i thashë unë. Mora të gjithë të rinjtë dhe i bëra anëtarët kryesorë të shtabit tim, dhe gjithë fushatën unë u mora vetëm me ta dhe dola me këtë rezultat. Nuk ka faktor më përcaktues të fitores tonë, se sa aftësia jonë për të afruar dhe motivuar të rinjtë në këtë betejë.

-Të siguroj se në mënyrë absolute nuk ka asnjë tërheqje, kjo është betejë pa kthim gjer në fitoren tonë, se kauza jonë është e drejtë. Ne kemi të drejtë në këtë betejë dhe ne do të fitojmë. Asgjë në botë nuk na tërheq ne.

-Në kushtet që jemi, ne do të mund të diskutojmë sot për problematiket tona dhe do të ishte gjëja më normale. Nëse ne nuk u adresohemi zgjedhësve, mbështetësve tanë, qytetarëve, ne qëllimin tonë nuk e realizojmë. Në fakt ky është moment shumë kritik jo veç për PD, por për Shqipërinë dhe kombin, si moment.

Jemi në kushtet e një diktature shkatërrimtare. Ka larguar nga vendi 35% të popullatës në 10 vite dhe merr një e nga një të drejtat e qytetarëve, deputetëve. Përqendron të gjitha pushtetet në dorën e një njeriu. Jemi nga ana tjetër, në një moment tjetër po kaq të vështirë, sa që njerëzit e kanë jo të lehtë të realizojnë se janë në një diktature, se kushdo që ka lexuar kujton kampet e përqendrimit, burgjet, skuadrat e pushkatimit.

Por diktaturat ekzistojnë edhe me ato edhe pa ato. Kemi një vështirë tjetër të madhe, sepse si njerëz të civilizuar që duhet të mbajmë përgjegjësitë tona, gjatë këtyre viteve nuk kemi krijuar bindjen e plotë se me një kryeministër që vendosur të grabisë zgjedhjet, zgjedhje nuk ka. Ju garantoj se ky është një mësim i historisë.

Kryeministri që vendos të grabisë zgjedhjet shndërrohet në një autokrat, diktator, ata nuk rrëzohen me votë. Sepse ata këtë mekanizëm që dhunuan këtë palë zgjedhje e shumëfishojnë në zgjedhjet  e ardhshme e përdorin edhe më fuqishëm në zgjedhjet e tjera. Ata kanë për qëllim jo të respektojnë vullnetin e qytetarëve, por të ruajnë karriget e tyre. Të gjitha këto janë një seri faktorësh që kanë krijuar tek ne edhe paqartësira, apati.

Kanë dobësuar instinktin e njeriut të lirë që të kundërshtojë çdo lloj shtypje, dhunimi dinjiteti të lirive të tij. Pra është komplekse situata, veç se po flas haptas. Të kthehemi në ’90. Në Shkodër u ngritën disa mijëra qytetarë. Ata ishin të parët, kishin pa diskutim jo vetëdijen për diktaturën, se Shkodra e kishte atë, por kishin dhe guximin për tu përballur me të.

Sot demokratë dhe demokrate është koha e guximtarëve, koha e atyre që vendosin të përballen me këtë të keqe të madhe të sigurtë se do të fitojnë.

Ju garantoj se përsëri shoqëria shoqëria shqiptare përjeton mbretërinë e frikës. E ndjej çdo ditë, nga mëngjesi në darkë dhe unë nuk kam keqkuptim. Përkundrazi është faji ynë, këtu kemi përgjegjësi ne demokratët. Të parin që duhet të kapnim, duhet të kapnim mekanizmin dhe të ngriheshim kundër mekanizmit të ngulitjes së frikës tek qytetarët.

 Arrestoheshin me mijëra për çështje civile që nuk arrestoheshin askund dhe ne i kalonim sikur spo ndodhnin. Nuk po bëjmë ne analizën e saj, por ajo që duhet ti apelojmë instinktit tonë për liri, luanit tonë të fjetur, ta zgjojmë dhe të vazhdojmë betejën.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale