EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me drejtuesit e degëve të Tiranës ka deklaruar se, kupa po derdhet, duke krahasuar situatën ku ndodhet parlamenti ditët e fundit, pas vendimit të ti emëruar opozitës bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se duke nisur nga kjo e enjte do të nisë qëndresa e opozitës në parlament. ‘Të hidhemi në veprim! Do bëjmë gjithçka për të mobilizuar çdo potencial opozitar kundër kësaj pseudomazhorance’, tha gjatë fjalës së tij kryetari i PD-së, Sali Berisha.
‘Shpresa ka munguar se ne nuk kemi vepruar! Tani nis etapa e dytë e një rëndësie jetike, betejën do e nisin deputetët’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij me degët e Tiranës.

FJALA E PLOTË:
Së pari dua të ju përshëndes ju, si drejtues të degëve të PD-së për Tiranën dhe të gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit tanë, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.
Thirra këtë takim me ju, pasi PD dhe opozita hynë në një fazë të re. Të themi të vërtetën në një betejë të re, e cila imponohet nga kushtet dhe rrethana që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë për opozitën shqiptare në 30 vite. Opozita, PD-ja kaloi në këto 2 vitet e fundit një nga periudhat më të vështira të ekzistencës së saj dhe të një force politike, ndonëse ajo mbart në vete sot të gjitha transformimet e mëdha të Shqipërisë në dekada.
Ajo dhe mbështetësit e saj përballen me një represion të gjithëanshëm të të drejtave të tyre ligjore, kushtetuese, me një agresion të vërtetë nga qeveria, që synon dhe ka synuar mos asgjësimin e saj tërësisht, ka synuar shndërrimin e saj në një force politike të pavlerë, apo në një fasadë të saj. Asgjë nga këto që them unë, nuk është se ju nuk i dini dhe qytetarët nuk i dinë. Por ka një moment që në gjuhën e thjeshtë të popullit thuhet, kupa po derdhet.
Pas mbijetesës tonë, nuk po bëj historikun e këtyre dy viteve, pas dhunimit masiv të zgjedhjeve, Edi Rama me një seri vendimesh defakto politikisht bën të paqenë opozitën në parlament. Pra, ne si përfaqësues të themi të atyre 600 mijë qytetarëve që me 14 maj, nuk po flas për 21 prillin, nuk votuan për qeverinë, por kundra saj, ne defakto në parlament shkojmë sot si kurrë në historinë e parlamentit, faktikisht në rrafshin politik të paqenë.
Sot opozita e vërtetë hyn në parlament pasi asaj nuk i lejohet më asnjë Komision Hetimor Parlamentar, e drejtë kjo Kushtetuese e opozitës. Pas komisionit parlamentar të djegëseve, ne kemi dërguar deri tani edhe 4 kërkesa për komisione hetimor parlamentare. Që të gjitha më mënyrën më antikushtetuese janë bllokuar në parlament dhe hedhur poshtë si kërkesa.
Qëndrimet ndaj opozitës në parlament kanë arritur në atë shkallë sa çdo kërkesë për transperancë e deputetëve tanë ndaj ministrave, që është gjëja më normale për tu paraqitur në komisione dhe dhënë llogari, për çka ndodh, që të gjitha marrin një refuzim banditesk dhe dërgohen përfaqësues që nuk kanë asnjë tagër. Sepse nëse thirret ministrit, rregullorja e parlamentit dhe Kushtetuta parashikon ministrin, nuk parashikon as zv/ministrin as drejtorin, por kjo nuk ndodh më.
Deputetët tanë nuk përfillen, por përkundrazi shpërfillen ndaj çdo gjëje.
Procesi i bashkimit të deputetëve, ne nuk e injorojmë, ishim të ndarë ç’është e vërteta, u përballe me një ndërhyrje brutale nga ana e qeverisë. Së pari përpjekja për të caktuar kryetarin e grupit parlamentar sigurisht ka gjetur pengun e vet, pengBashën dhe me të bën të gjitha skemat. Këto qëndrime janë shoqëruar nga përjashtimi i opozitës në tërësi, me ndonjë rast të veçantë, të rrallë, nga çdo lloj përfaqësimi, dhe përfaqësimi i qeverisë me ndonjë përjashtim nga të gjitha rastet, nga pseudo opozitar dhe përfaqësues të vet.
Në këtë proces qëndrimet armiqësore ndaj opozitës shqiptare, kulmuan me vendimin e Edi Ramës për ti caktuar opozitës bashkëkryetarin e saj në Komisionin Zgjedhor të parlamentit, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë në tërë historinë 32 vjeçare të parlamentit. Pra 43 deputetë të PD-së vendosin që bashkëkryetari ynë në komision të jetë Oerd Bylykbashi, njeriu që me njohuritë më të thella në të drejtën elektorale, me një eksperiencë të gjatë në këtë komision, por edhe e vërteta është edhe në OSBE e institucione të tjera. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të imagjinohet që bashkëkryetarin as pozita as opozita ti caktojnë njëri tjetrit.
Pasi u caktua bashkëkryetari i opozitës, parlamenti me urdhër të Edi Ramës, votoi në vend të Oerd Bylykbashit, Enkelejd Alibeajn. Pra sipas Edi Ramës ne do të kemi bashkëkryetar në komisionin të reformës zgjedhore, atë që do ai, të cilin e ka blerë me lecka dhe jo atë që propozojnë me firma 43 deputetë të opozitës.
Pra siç e shikoni, jemi në kushtet kur qeveria shkelmon dhe shpërfill votën e qindra mijërave qytetarëve që votuan kundër saj dhe nuk pranon të ketë një opozitë të vërtetë e cila ka një mbështetje dhe i përfaqëson ata në parlament.
Këto janë zhvillime absolutisht jo të paparashikueshme.

Pse ne kemi arritur gjer në këtë gjendje. Sepse ne e kemi toleruar Edi Ramën në çdo akt që ai ka bërë, jo vetëm kundër nesh, po e po, por që ka bërë kundër Shqipërisë, kundër kombit shqiptar. Unë i them çdo shqiptari që ka një grimcë atdhetarie dhe patriotizmi për këtë vend, si ndjehet ai kur Tirana është shndërruar në rrafshin politik në raport me kombin shqiptar, një replikë e Beogradit, madje në propagandë edhe më agresive.
A mund të ketë imagjinatë normale, a mund të ketë njeri që mund ta pranojë që çdo javë kryeministri i këtij vendi të vërsulet, nuk po dua të prish gojën, kundër gjysmës së kombit, të lakojë, mallkojë, denigrojë kundër udhëheqjes politike të një vendi të pavarur. Ai i trajton kryeministrat e Kosovës, sikur të ishin kryebashkiakë të Vlorës.
Pra, ai është kthyer në një altoparlant të Beogradit!
Çfarë duhet të bëjë ai më shumë se kaq që ne të pranojmë këto qëndrime të tij?
Ne duhet ta kemi të qartë se jemi dy shtete të pavarura, sovrane.
Nëse ta supozojmë nuk do ta ndihmojë, por kjo është njëra anë. Por jo ta sulmojë çdo ditë.
Bëni pak, kthejeni pak videon e këtyre tre ditëve.
Këtu u bë samiti evropian. Bëri gjithçka të tregojë se ky ishte samiti anti-Kosovë.
Po ndodh në botë kjo? I erdhi presidenti francez, çështja më kryesore ishte Kosova. Vizat për qytetarët e Kosovës.
Më thoni ju, a mund të ndodhë që një vend fqinj, normal, të shndërrohet në një platformë propagande kundër vendit fqinj tjetër? Ndërkohë kur atje nuk ekziston asnjë propagandë antishqiptare.
Përkundrazi, aq sa është.
Ndërkohë që këta që rrahin gjoksin për turistë sot, këta e thonë se 40 përqind janë nga Kosova. Ata vijnë dhe lënë edhe një taksë në rrugë.
Shqiptarët përballen me një situatë që kurrë nuk mundet dhe duhet ta tolerojmë.
Edhe në luftën e fundit për Kosovën kanë derdhur gjak, me dhjetëra e qindra shqiptarë nga Shqipëria janë vrarë aty, përveç ndarjes së kafshatës së gojës.
Si mund të sillet një vend?
Sot ishte presidenti i Kroacisë, i shkuam për nderim atij, nuk mund të mos i shkonim se ai është kroat, por ka folur si mik, ka folur në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ka folur në përputhje me ligjin e fqinjësisë së mirë.
Krahasoni deklaratat e tij me deklaratat e Edi Ramës.
Ti e urren Kosovën, dakord, ti nuk e do. Por janë disa rregulla që ti je i detyruar t’i respektosh. Pastaj nëse ti e urren Kosovën, ne të tjerët e duam. Ose janë indiferentë, por nuk e urrejnë ama. Pse e urren ti, unë nuk di shqiptar që ka një arsye të urrejë Kosovën. Pse do e urrejë?
I ka bërë vendit dëmet më të mëdha me shërbimet që i ka bërë Vuçiçit, por për ne kombi është komb!
Ua thashë që në fillim, asgjë të re nuk do them.
Por problemi është se ne të gjitha këto i kemi përcjellë, sigurisht me dhimbje të madhe, por jo me reagimin e duhur.
Ne jemi sjellë, ta themi të vërtetën, si opozitë e topitur.
Edi Rama është në pushtet, i bën të gjitha këto dhe mund të bëjë gjithçka tjetër, vetëm për shkak tonë.
Po! Sepse atë ligji nuk e lejon, sepse atë Kushtetuta nuk e lejon, sepse atë normat e qeverisjes të një vendi demokratik nuk e lejojnë kurrë.
Kurse ai, duke parë të gjitha këto, ai mori guximin, kaloi nga akti në akt dhe tha se këtyre ua caktoj, do kenë Enkelejdin se atë dua unë përfaqësues.
Koha e një qëndrimi të tillë të opozitës merr fund.
Duhet t’i japim fund, miqtë e mi.
Një opozitë që pranon të shtypet, e meriton shtypjen.
A mund të ishim ngritur më parë? Po, por proceset ishin të tilla, nuk mund t’i injorojmë. Se tani kanë dalë të qarta të gjitha operacionet që ai ka bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë kundër opozitës. Të gjitha kurthet ndërkombëtarë që ka organizuar kundër saj. Të gjitha proceset gjyqësore që ka organizuar kundër saj. Të gjitha dhunimet elektorale që ai ka bërë.
Dhe në këtë rast, unë dua t’u informoj ju dhe të gjithë demokratët se qëndresa do të fillojë nga parlamenti.

43 deputetët e PD nisin ditën e enjte, qëndresën e tyre në parlament.
Nuk ka më nënshtrime dhe poshtërime nga një horr, nga një kriminel, nga një njeri i cili nuk ka asnjë parim, nga një njeri që është i gatshëm të shesë dhe blejë gjithçka për pushtetin e tij.
Ndaj dhe ne do e nisim vetë betejën në parlament për të mos e ndalur më gjer në rivendosjen e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve.
Nuk është betejë e lehtë, por është absolutisht e fitueshme.
Deputetët në mbledhjen e tyre dje, në të gjitha diskutimet kanë qenë të mendimit që beteja të fillojë në parlament.
Nuk shkohet më kështu.
Unë në mënyrën më të përsëritur i kisha thënë kryetares së parlamentit: këto që bën ti janë banditeske, janë të turpshme, këto nuk i bën kurrë një kryetare parlamenti.
Por gjërat rrodhën derisa ai mori përsipër të na përcaktojë kryetarin dhe t’u thotë 600 mijë qytetarëve se ju keni përfaqësues atë që do ai dhe jo atë që duan përfaqësuesit tuaj.
Në këtë betejë, ne do bëjmë gjithçka për të mobilizuar çdo potencial opozitar kundër kësaj pseudomazhorance.
Nuk ndalemi këtu, se ju i keni dëgjuar dhe ka një moment këtu që çfarë do të thuash, merr nga lista e atyre që janë thënë për aktet e tij. Dhe nuk ia vlen më të konsumojmë kohën me akuza ndaj tij, por të hidhemi në veprim.
Të hidhemi në veprim!
Jam i sigurt se ka qytetarë, ka anëtarë tanë, ka mbështetës, të cilët janë të mërzitur dhe janë skeptikë, do të jenë skeptikë ndaj këtij qëndrimi tonë.
Por ju garantoj se asgjë më shumë nuk do i bindë ata se veprimi ynë. Se nuk është se e duan Edi Ramën ata, e urrejnë. Por duan të shohin udhëheqjen, duan të shohin dritën, duan të shohin shpresën për shpëtimin.
Ndaj dhe pa diskutim që dega e Tiranës, në të gjithë këtë përpjekje ka peshën më të madhe. Degët e Tiranës, qarku i Tiranës ka peshën absolute më të madhe në të gjithë përpjekjet tona dhe unë kam shumë besim te drejtuesit e degës së PD, tek anëtarësia dhe mbështetësit tanë se do ta shndërrojnë Tiranën në epiqendrën e lëvizjes opozitare më të fuqishme.
Ndërkohë, ne do të punojmë për një bashkim sa më të gjerë të opozitës, për një front sa më të gjerë opozitar.
Mendoj se çdo njeri, çdo analist, çdo gazetar, çdo qytetar, sot pret nga ne.
Pret nga ne të ndërpresim këtë rreth të tmerrshëm vicioz ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.
Nuk mund të ecim më kështu.
Pas kësaj mbledhje, unë kërkoj nga ju që të mblidhni të gjitha strukturat, të gjitha seksionet dhe të paraqisni gjendjen dramatike të demokracisë shqiptare.
Askush përveçse ne nuk mund të sjellë ndryshimin dhe shpresën.
Flitet shumë për shpresë dhe ajo është mungestarja e madhe, nuk mund ta mohojmë këtë.
Por a e dini pse është mungestare? Se ne nuk kemi vepruar. Se nëse ne do ishim në këmbë të gjithë, absolutisht, shpresa do ishte në këmbë bashkë me ne.
Dhe sa më shumë të qëndronim ne kundër Edi Ramës, aq më e madhe do ishte shpresa e shqiptarëve ndaj nesh.
Pra, kemi bërë punë të madhe këto dy vite, kemi luftuar për ekzistencën tonë. Ia kemi dalë! Ia kemi dalë në të drejtën tonë.
Tani është beteja, kapitulli i dytë, etapa e dytë e një rëndësie jetike për demokracinë shqiptare.
Përndryshe, Edi Rama…
Edhe dje i thoshte presidentit francez, kjo puna e integrimit, ne ato para na duhen. Ju garantojmë se absolutisht nuk i duhet integrimi. Jo mo jo! Se integrimi i ka kushtet e shkruara. Ai kushte nuk plotëson. Ai do karrigen, bjerini edhe paratë thotë, kaq jemi mirë këtu.
Por ne na duhet integrimi, se ne u themeluam si parti e vokacionit perëndimor, parti e integrimeve. Për kohën që ishim në pushtet, ishin lokomotivë e integrimeve. Ne e kemi yll polar atë tani.
Ne na duhet bashkëpunimi me Kosovën. Është gjysma e kombit. Kosova sot është një vend shumë më demokratik se Shqipëria. Në Kosovë nuk vendos krimi.
Nuk vendosin familjarët e Edi Ramës dhe ministrave, vendos ligji, ky është problemi.
Ndaj dhe e nisim këtë betejë me bindjen më të thellë në fitoren tonë të padiskutueshme.
Kjo betejë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Por, do e nisin deputetët e PD. Ne na takon, ne do e nisim aty!