FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME ALEATËT E FEDERATËS SË OPOZITËS SË BASHKUAR
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku në qendër të diskutimeve ishte reforma territoriale dhe strategjia e opozitës për përballjen me mazhorancën.
Gjatë fjalës së tij për Reformën Territoriale, Berisha tha se PD u angazhua në këtë proces pas kërkesave të qytetarëve dhe në kuadër të rekomandimeve të Komisionit Europian. Ai akuzoi mazhorancën se e ka ndërprerë procesin e konsultimeve dhe ka vijuar me një projekt për 46 bashki, ndërsa opozita ka paraqitur një alternativë me 100 bashki.
Berisha theksoi se, ndryshimet e propozuara nga qeveria synojnë përqendrimin e pushtetit vendor dhe se kriteret territoriale janë zëvendësuar, sipas tij, nga interesa elektorale. Ai tha se PD do të vijojë të mbrojë projektin e saj në Kuvend ku përmendi edhe protestat e zhvilluara në disa bashki kundër shkrirjes së tyre.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së liderit demokrat iu kushtua qëndrimit që duhet të mbajë opozita ndaj institucioneve. Ai e cilësoi situatën politike një përballje me një regjim që nuk respekton të drejtat e opozitës dhe tha se PD ka dy alternativa: daljen nga institucionet ose vijimin e betejës brenda tyre.
Berisha u shpreh kundër bojkotit të institucioneve, duke argumentuar se largimi i opozitës nga Kuvendi do t’i shërbente mazhorancës. Sipas tij, edhe në kushtet kur të drejtat e opozitës nuk respektohen, prania në institucione mbetet e nevojshme për të denoncuar dhe kundërshtuar vendimet e qeverisë.
“Dalja e opozitës jashtë institucioneve i shërben vetëm atij”, deklaroi Berisha, duke iu referuar kryeministrit Rama.
Kryetari i PD-së tha se opozita ka përdorur Kuvendin dhe institucionet e drejtësisë për të denoncuar një numër të madh çështjesh dhe akuzash ndaj qeverisë. Ai përmendi në mënyrë të veçantë reformën territoriale, duke thënë se mazhoranca e ndërpreu procesin e konsultimeve, pasi rezultati i tyre nuk i interesonte.
Berisha u ndal edhe te funksionimi i Kuvendit, duke theksuar se opozitës po i mohohet e drejta për të kërkuar debate dhe mocione parlamentare për çështje të rëndësishme. Ai përmendi në këtë kontekst edhe çështjet që lidhen me institucionet e sigurisë.
Në pjesën përmbyllëse të fjalës së tij, Berisha tha se opozita duhet të vijojë betejën brenda institucioneve, por paralelisht të mobilizojë qytetarët për protesta.
Sipas tij, protesta është rruga që duhet ndjekur për largimin e qeverisë. Berisha tha gjithashtu se nuk pret që ndryshimi politik të vijë përmes SPAK-ut, duke theksuar se institucionet e drejtësisë nuk do të mund ta largojnë Edi Ramën.
Takimi me aleatët vjen në një moment kur reforma territoriale pritet të jetë një nga çështjet kryesore të debatit politik në Kuvend, ndërsa opozita ka paralajmëruar kundërshtimin e saj dhe mobilizimin qytetar kundër projektit të mazhorancës.

FJALA HYRËSE
Ky takim lidhet me reformën territoriale.
Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam.
Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira.
Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri.
Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do ndjekë dhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij.
Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale.
Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre.
Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij.
Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum.
Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet.
I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij.
Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët.
Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive.
Është një situatë pra në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme.
FJALA PËRMBYLLËSE
Faleminderit për diskutimin, sugjerimin, vërejtjet.
Një moment është këtu themelor, kjo është një opozitë në diktaturë.
Dhe një opozitë në diktaturë ka dy opsione.
Kjo është diktaturë e bazuar në drogën, fuqinë e jashtëzakonshme të saj.
Vetëm Salvator Aliu, që bashkëpunon me Edi dhe Olsi Ramën, ka në dorë të paktën 7 miliardë euro, minimumi, dhe që ka marrë përsipër të ndërtojë zig-zagun në emër të tyre.
Në këto kushte opozita ka dy zgjidhje, ose të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve.
Asnjë kusht për të qenë në institucione nuk ka.
Asnjë e drejtë e saj nuk respektohet.
Por, braktisja e institucioneve është interesi më i mirë i diktaturës.
Se si e bllokon kur merr 83 mandate, unë nuk e di.
E ka zgjidhur ai problemin, me 83 mandate ai i përdor ato për të gjitha gjërat që i duhen, ligje të kësaj natyre.
Në zgjedhje bllokohet, po nuk more pjesë në zgjedhje, ai zgjedhjet i zhvillon siç i zhvilloi.
Madje duhet të dish një gjë, kur u dogjën mandatet, zotëria e ekzekutoi vendimin për 24 orë, kur hapësira ligjore ishte 3 javë.
Dhe në fakt, duhet ta dimë, në qoftë se PD nuk mori ndëshkimin për precedentin që krijoi, nuk e mori sepse e panë që ky e donte atë punë, dhe e bënë share përgjegjësinë. Se PD mandatet nuk kishte asnjë lloj tagri t’i digjte.
Kështu kemi të bëjmë me një njeri që e do me çdo kusht opozitën jashtë institucioneve.
Kur të doni marrim vendimet dhe i diskutojmë, por dalja e opozitës jashtë institucioneve i shërben vetëm atij.
Se të paktën janë përdorur, për asgjë tjetër, sot ata që numërojnë me shumë të drejtë me dhjetëra e qindra akte kriminale të kësaj qeverie, të gjitha janë të denoncuar në parlament dhe SKAP nga kjo opozitë.
Kjo ka ndodhur. Por vetëm kaq, se ky i ka nën kontroll të gjitha, siç e shihni vetë.
Ky reformën territoriale e ndërpreu vetë, e pa se konsultimet janë kundër tij, tha ik se nuk më duhen konsultimet mua.
Kjo është e vërteta.
Ky fakt është fakt nga i cili përcaktohen qëndrimet.
Këtu kemi të bëjmë me një regjim, i cili nuk njeh as ligj, as Kushtetutë.
Ja tani do mblidhemi si grup parlamentar ne, çfarë do bëjmë ne? Ai nuk pranon mocionet, që janë një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë.
As për KAYO-n, as për SHISH-in. Del bandë ajo dhe opozita nuk ka të drejtë të thërrasë mocion debati.
Këto janë.
Gjithnjë është kjo. Se janë të thjeshta. Duhet të qëndrojmë brenda institucioneve apo të dalim.
Vetëm një gjë, ua them me përgjegjësi të plotë, dalja është interesi i tij absolut. Atë do.
Kjo është, ky është realiteti shqiptar.
Ndaj dhe këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij.
Zgjidhje tjetër, ne këtu do jemi… por të presësh se atë do ta largojë SKAP-i, nuk e largon kurrë, nuk i afrohet dot kurrë.
Të gjitha këto që i bën tani ai, i bën vetëm për veten e tij.
Edhe ligjet që i paraqiti për të ndryshuar, vetëm për veten e tij.
Ky është realiteti!


