Shqipëria ende vijon të mbetet një vend me një ekonomi informale mjaft të madhe.
Vetëm pak ditë më parë Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Bizensit znj. Ibrahimaj deklaroi se për vitin 2022 mbi 840 milion euro ishte vlera e TVSH-së e pa mbledhur krahasuar me rreth 1.91 miliardë euro të mbledhura.
Kjo shifër prej 44% tregon njeherazi se politikat fiskale të implementuara tashmë në mandatin e tretë qeverisjes nuk e kanë përmirësuar situatën, nuk kanë stimuluar qëndrueshmërinë e sistemit tatimor, përkundrazi kanë krijuar më tepër informalitet, evazion fiskal duke sjellë të ardhura të munguara dhe mbështetje më të ulët ndaj programeve sociale, pensioneve, dhe ato të punësimit.
Informaliteti në vitin 2023 është rritur me 27% sipas po vetë Ministres ndërkohë që sipas Eurostat, remitancat, në vitin 2023 arritën në 1.9 miliardë Euro, nga të cilat 930 milionë euro në rrugë formale, me rritje prej 11.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë me 35% të mesatares europiane, nga 34% që ishte në vitin 2022.
Në raport me vendet e rajonit, Eurostat e rendit Shqipërinë si vendin me përqindjen më të lartë të popullsisë në Europë, që është e rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social.
Buxheti i shtetit cdo vit shpenzohen 450 milionë euro për të mbuluar defiçitin e skemës së pensioneve.
Raporti i zëvendësimit pensionist për kontribues është më pak se 1.1 për 1, duke njohur faktin se cdo vit në skemë hyjnë mbi 30 mijë të rinj.
Mosha e tretë po rrezikon varfëri ekstreme, ata nuk janë sot në gjendje të përballojnë shërbimet bazë, ngrohjen, barnat, ushqimet dhe sytë i kanë nga fëmijët në emigracion.
Sipas raportit më të fundit të publikuar nga EUROSTAT, 705 mijë pensionistët shqipëtar janë me pension mesatar prej vetëm 131 Euro në muaj, i cili është më i ulti nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dy herë më i ulët se sa ai i Bullgarisë i cili vlerësohet si antari i BE me pensionin më të ulët. Por poashtu më shumë ¾ e pensionistëve në vend marrin një pension i cili është dhe nën nivelin e minimumit jetik i cili ende jo zyrtar vlerësohet të jetë afro 220 euro.
Në tetor, qeveria i indeksoi pensionet me 4.1%, më pak se inflacioni i vitit të kaluar, që ishte 4.67%.
25 cent në ditë, ishte rritja për pensionet në qytet dhe 15 cent për ata në fshat.
Ndaj caktimi i minimumit jetik është një detyrim i qeverisë për të hartuar politika për arritjen e objektivit të parë dhe të tretë të agendës 2030, për zhvillim të qëndrueshëm, zhdukja e varfërisë në të gjitha format e saj.
Ekonomia shqiptare në vitin 2023, por edhe gjatë vitit 2024, vlerësohet të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike me 3.9%, pavarësisht ngadalësimit në raport me vitin 2022 (4.85%), megjithëse sektorët si Bujqësia dhe Industria kanë pësuar ulje.
Në vitin 2023, Bujqësia, sektori kryesor me kontribut në ekonominë shqiptare, për herë të parë, pati një rënie me -1.82%.
Edhe industria ishte me rënie -2.37%.
Në vitin më të lartë të turistëve, Konsumi Final i Popullatës u rrit vetëm me 2.96%, kur një vit më parë ishte 7.17%.
Rënia e konsumit vendas, është rrjedhojë e numrit të lartë të emigracionit të viteve të fundit. Emigracioni masiv, me gati 1 milion qytetarë, ka qenë aq i lartë, saqë nuk është arritur të amortizohet nga një numër rekord turistësh!
Ikja e të rinjve është kthyer në një problem vërtet shqetësues për vendin, duke ndikuar tregun e punës, konsumin, duke rrezikuar produktivitetin, mirëqenien ekonomike dhe sistemin e pensioneve.
Emigrimi ka dhe mjaft kosto të drejtëpërdrejta në ekonomi. Sipas një studimi të Fondacionit Westminister për Demokracia, Shqipërisë i mungojnë cdo vit 800 milionë euro kosto oportune për shkak të ikjes së të rinjve të mirëarsimuar.
Politikat ftuese e nxitëse për “trurin” mungojnë tërësisht, ndërsa qeveria së fundmi miratoi një ligj thellësisht kontrovers për studentët e mjekësisë i cili detyron këta të fundit të punojnë në vend për një periudhë 3 vjecare. Ligji në fjalë u konstatua pjesërisht jo kushtetues nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, dhe parashikon të ketë efekte vetëm për një periudhë 5 vjecare, duke mos i dhënë një zgjidhje afatgjatë dhe reale problemit të emigrimit të mjekëve dhe infermierëve.
Turizmi duhej të stimulonte rritjen ekonomike duke gjeneruar të ardhura, punësim, investime dhe eksporte.
Ndonëse vitet e fundit Turizmi po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe nisur dhe nga shifrat e rëndësishme të dy viteve të fundit pas pandemisë së Covid-19 vendi po përballet nga një situatë problematike punësimi.
Nga njëra anë kërkesa për punonjës të kualifikuar është tepër e lartë, e ndërsa nga ana tjetër të rinjtë gjithnjë e më shumë po braktisin vendin.
Po ashtu numri i studentëve në shkollat profesionale është gati përgjysmuar në harkun kohor prej një dekade, ku mbi 29 mijë ishin në vitin 2014, ndërsa në 2023 ishin rreth 15 mijë.
Ndërkohë mesatarisht 55% e fuqisë punëtore në Bujqësi përbëhet nga gratë por vetëm 7% e tyre drejtojnë fermat bujqësore dhe blegtorale në të gjithë vendit. Ky realitet vështirësohet edhe më shumë kur ende shumica e grave nuk kanë të regjistruar titujt e pronësisë së tokave që administrojnë apo dhe në shumicë ato nuk janë bashkëpronare me bashkëshortët e tyre, pavarësisht faktit se qeveria në vitin 2022 mori një kredi të posacme nga ADF për këtë qëllim.
Nga ana tjetër 14% e fëmijëve 5-17 vjec janë ekonomikisht aktiv, referuar vlerësimit të INSTAT për plot 57,000 fëmijë.
Ndonëse sipas kodit të punës, lejohet punësimi sezonal me kapacitet të pjesshëm për fëmijët 16-18vj, në realitet janë me dhjetra mijëra fëmijë edhe përtej kësaj shifre, të cilët kryejnë punë për shkak të nevojave ekonomike pavarësisht sanksionimit ligjor.
Ndërkohë prej vitit 2019 një ligj për nxitjen e punësimit vijon të jetë i pazbatueshëm për gati 8,300 persona me aftësi të kufizuar të cilët janë të kualifikuar se mund të integrohen në tregun e punës.
Këto kufizime në implementim krijojnë varësi të përjetshme dhe mos-integrim të mijëra personave me aftësi të kufizuar, ndërkohë që pagesat e asistencës shtetërore janë tepër të ulta dhe nuk janë as në kufirin e minimumit jetik.