Takimi i Arubës/ Berisha denoncon skandalin: Spanjollët sollën dosjen e plotë, Altin Dumani nxori emrat e biznesmenëve, jo të qeveritarëve. Koka e Meduzës së takimit është Edi Rama, lejtnantët e tij shkuan në Aruba

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi akuza të forta ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani duke e cilësuar atë si ‘monstër të votës së lirë të shqiptarëve’ dhe duke e akuzuar se po fsheh emrat e zyrtarëve të qeverisë të përfshirë në dosjen e takimit në Aruba. Duke folur për mediat para ambienteve të SPAK-ut, Berisha tha se drejtësia shqiptare ka dështuar të hetojë krimet zgjedhore dhe lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar, ndërsa denoncoi atë që e quajti përpjekje për të mbrojtur figurat politike të përfshira në aferën e Arubës.

‘Altin Dumani është monstra e votës së lirë të shqiptarëve. Kushtetuta e detyron të hetojë krimin zgjedhor, por nga 48 dosje të shqyrtuara kanë penalizuar vetëm një. Ndërkohë, farsa elektorale është konfirmuar nga OSBE/ODIHR, Këshilli i Europës, Parlamenti Europian dhe institucione të tjera ndërkombëtare’, deklaroi Berisha.

Duke u ndalur te dosja e Arubës, kryedemokrati Sali Berisha tha se informacionet kryesore nuk janë zbuluar nga SPAK, por janë sjellë nga autoritetet spanjolle. ‘Prej tre vitesh shqiptarët dëgjojnë për takimin famëzi në Aruba mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe bosëve të karteleve të drogës. Tani autoritetet spanjolle sollën dosjen e plotë. Këtu nuk bëhet hetim kur është fjala për qeverinë’, u shpreh ai.

Berisha u shpreh se, SPAK ka nxjerrë emrat e biznesmenëve të përfshirë në dosje, por po fsheh emrat e zyrtarëve të lartë që, sipas tij, kanë marrë pjesë në takime me eksponentë të krimit. ‘Altin Dumani nxjerr emrat e biznesmenëve, por jo të qeveritarëve. A ka njeri që nuk e di sot se në çarterin për në Aruba shkuan qeveritarë? Kush ishin ata? Pse nuk i thotë? Ky është hetimi i tij. Në këtë mënyrë ai bëhet bashkëpunëtor i klanit Aruba’, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës për gazetarët, lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi Edi Ramën si personin që qëndron pas gjithë skemës së denoncuar. ‘Shumë mirë që veprohet ndaj biznesmenëve apo trafikantëve që ishin në takim, por koka e Meduzës së takimit është Edi Rama dhe lejtnantët e tij që shkuan në Aruba. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se cilët zyrtarë udhëtuan nga Tirana në Aruba dhe çfarë marrëveshjesh u bënë atje’, tha ai. Berisha shtoi se Aruba përfaqëson ‘dëshminë më flagrante të narkoshtetit shqiptar’ dhe të bashkëpunimit të qeverisë me kartelet e drogës.

Kryedemokrati Sali Berisha shprehu mbështetje të plotë për protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë, duke e cilësuar atë si ‘një nga lëvizjet më të rëndësishme demokratike të viteve të fundit’. ‘Qeveria teknike që përgatit zgjedhjet e lira do të ishte zhvillimi më i madh dhe më i rëndësishëm i kësaj proteste. Vota e lirë duhet të përcaktojë fatin e Shqipërisë dhe krimi elektoral duhet të shpallet krim kushtetues i rëndë’, tha kryetari i PD-se, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

‘Altin Hajrit, Gjokës, Troplinit dhe Ramës (ka shumë mbiemra ky njeri) armikut të egër të pluralizmit politik dhe të votës së lirë të shqiptarëve, drejtësia vonon,por nuk harron.

Sali Berisha’.

Kjo është letra që unë i lashë një monstre të votës së lirë të shqiptarëve.

Një monstre të vërtetë të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilin Kushtetuta e detyron të hetojë krimin zgjedhor.

Dhe unë kam sot detyrimin t’u informoj se nga 48 dosje të shqyrtuara, kanë penalizuar vetëm një.

Ndërkohë që farsa elektorale zgjedhore është universalisht e konfirmuar tashmë nga OSBE/ODIHR që vëzhgoi zgjedhjet, nga deputetët e Këshillit të Evropës, nga deputetët e Parlamentit Evropian, nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian dhe IBAR.

Pra, me qindra fakte dhe dokumente të paraqitura nga opozita, por që të gjitha këto për armiqtë e votës së lirë janë hiç asgjë ose nuk ekzistojnë.

Edhe njëherë, e ripërsëris, sulmet e mia të merituara ndaj Altin Troplinit dhe paraardhësit të tij, xhelatit të Sigurimit të Shtetit, Kraja, kanë qenë të lidhura para së gjithash dhe mbi të gjitha me qëndrimin e tyre ndaj dosjeve të famshme të zgjedhjeve në Dibër dhe Durrës.

Me atë akt ata dëshmuan në mënyrë flagrante armiqësinë ndaj votës së popullit opozitar.

Por sot unë dua të informoj shqiptarët se çfarë mercenarësh të pushtetit ka kjo ndërtesë.

Prej 3 vitesh, shqiptarët dëgjojnë dhe kanë dëgjuar takimin famëzi në Aruba të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me bosët e karteleve të drogës.

Prania e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare në Aruba është konfirmuar nga gazetari investigativ, ndër më seriozët, i Italisë.

Është konfirmuar nga mediat dhe kjo dihet universalisht.

Aruba është damka më e zezë, është dëshmia më flagrante e narkoshtetit shqiptar, e bashkëpunimit të ngushtë të Edi Ramës me kartelet e drogës.

Tani, çfarë ndodh këto ditë?

Këto ditë, autoritetet spanjolle, dhe jo vetëm ato, kanë sjellë dosjen e plotë, se këtu nuk bëhet asnjë hetim.

Jo, jo, e ndaluar po të jetë për qeverinë.

Pra, sollën dosjen e plotë dhe tani Altin Troplini Rama, vërini çdo mbiemër se i meriton, nxjerr me të drejtë emrat e biznesmenëve të implikuar, por jo të qeveritarëve.

Shikoni se sa të pafytyrë janë.

Shikoni se si këta mbrojnë kriminelët në zyrat më të larta të shtetit.

A ka njeri që nuk e di sot se në çarterin për në Aruba shkuan qeveritarët?

Kush ishin ata?

Asnjëri nuk e thotë se kush ishin.

Dhe ky është Altin Troplini që e fsheh.

Ky është hetimi i tij.

Por unë e garantoj se në këtë mënyrë ai do konsiderohet bashkëpunëtor me klanin Aruba.

A mund t’i fshihet një populli zyrtari kriminel që fluturon nga Tirana në Aruba, që bën marrëveshje për thithjen e parave të drogës, ndërtimin e Malit të Tiranës dhe thuhet edhe në zona të tjera?

Dhe tani dalin emrat e biznesmenëve që kanë shkuar, por nuk dalin emrat e qeveritarëve që shkuan dhe firmosën marrëveshje.

Se mafia nuk firmos, i ka kodet e fshehta.

Tani Omertën e zbaton Altin Troplini.

Faqezi i them.

Ke detyrime ndaj shqiptarëve.

Se tani do t’u thuash se është punë sekreti.

Po në qoftë se ti kursen dhe nuk u thua shqiptarëve se Edi Rama i dërgoi ata në Aruba dhe kush janë ata, cilët janë ata.

Dhe se qeveritarët në Aruba kanë shkuar, kjo është 100 përqind e sigurt.

Janë të gjitha burimet.

Shumë mirë që vepron ndaj biznesmenëve apo trafikantëve që ishin në takim, por koka e Meduzës së takimit është Edi Rama dhe lejtnantët e tij që shkuan në Aruba.

A ishte Engjëll Agaçi, a ishte vetë Rama, a ishte Olsi Rama, se thotë aty diku Rama i gjatë, ata dy Ramat në dosje janë të shkurtër më thonë.

Mua më thonë se janë të shkurtër të dy, dhe mbetet që Rama i gjatë më thonë të jetë ose Edi ose Olsi.

Po nuk mund të them se është as Edi, as Olsi.

Atë që mund të them me siguri me 100 përqind që qeveritarët kanë shkuar nga Tirana në Aruba.

Dhe se ky është problemi më i madh i qytetarëve shqiptarë.

Po këta janë njëlloj me qeveritarët, nuk thonë emrat, fshehin emrat.

A nuk është ky një krim i vërtetë?

A nuk është kjo një fyerje, një përçmim për çdo qytetar të këtij vendi që nuk mund të dijë se cili është qeveritari që shkon dhe bën marrëveshje me paratë e krimit?

Turpi i mbuloftë!

Arsen Rusta: Doktor, gjatë dy ditëve të fundit shpesh herë është folur që pas Malit të Tiranës jeni ju dhe djali juaj…

Sali Berisha: Bravo.

Arsen Rusta: Edhe një sekondë të lutem që të më japësh përgjigje për të dyja. Dhe ju jeni kthyer në parlament, por mungon ajo pjesa e dytë e postulatit tuaj, e dini vetë. Ju e dini ose e keni vendosur kur do të riktheheni në SHBA për një vizitë qoftë personale apo zyrtare, se tani s’keni më problem?

Sali Berisha: E para, të falenderoj. Dosja faktoi, shpifjen dhe trillimin e ulët, trillimin e ulët që u bë atë kohë për Malin e Tiranës, nga opozita e opozitës, veglat e verbra të qeverisë dhe mediat e tyre. Dhe mediat e tyre.

Arsen Rusta: Si është e vërteta? Keni lidhje apo jo?

Sali Berisha: Unë lidhje? Kurrë. Asnjë njeri… kjo është një pyetje që bazohet në trillimet e ulëta të atyre që u përpoqën të mbulojnë të vërtetën. Që u përpoqën të mbulojnë udhëtimin e qeveritarëve nga Tirana, e njerëzve të Tiranës, e takimit në Aruba, se do dilte. Dhe pastaj të opozitës së opozitës që i shërben qeverisë, e cila pa asnjë fakt, pa asnjë bazë akuzonte, por besoj se gjithçka tani në dorë të Altin Troplinit është dhe ka dalë shumë qartë se kush është dosja Aruba dhe kush është Mali i Tiranës. Kjo është….

Për të dytën, natyrisht unë do shkoj, por një projekt të shpejtë nuk e kam tani, se duhet të shkoj kur të takoj miq, bashkëpunëtorë të mi atje, të takoj shumë miq.

Arsen Rusta: Pra nuk do shkoni për arsye shëndetësore siç është raportuar?

Sali Berisha: Tani këto janë një çift… është një grua dhe një burrë. Ata janë dashnorë të flaktë në shpifje dhe mashtrime. Jo në erotizma. Ata të dy kryesojnë listat, se njëra ka bërë shkollën e tjetrit dhe ata i përhapin këto. Është një turp i madh politik dhe mediatik. Janë mercenarë, kush i paguan, atë bëjnë. Dhe ata e përhapin, janë një burrë dhe një grua që s’kanë lidhje njëri me tjetrin por ashtu janë, të cilët janë dashnorë në shpifje. Shpifje, vetëm shpifje, nuk ka asnjë gjë të vërtetë ajo. As kam kërkuar kurrë ndonjëherë për të shkuar, për t’u vizituar. Vendimi është i plotë për mua dhe familjarët e mi, njëlloj për familjarët e mi dhe ky vendim më është komunikuar zyrtarisht nga përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Klodiana Lala: Zoti Berisha, meqë ishim te protestuesit, kanë thirrur në ditën e tyre të 15 me pankartën ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Si e vlerësoni ju këtë?

Sali Berisha: Kjo është opozita e opozitës që mendon tani se në këtë mënyrë, duke luftuar opozitën e vërtetë, do mund të zëvendësojë atë, por opozita s’i ka zënë vendin askujt.

Ndaj dhe i ftoj qytetarët, të rinjtë, demokratët të marrin pjesë sa më masivisht në këtë protestë, të mos ndikohen nga një slogan i opozitës së opozitës, e që është e vërteta dy tre sorosianëve. Të jemi të mirëkuptuar.

Jo, s’ka nevojë t’i them unë, i gjeni vetë aty.

Ndaj dhe unë përshëndes shumë përzemërsisht ata qindra, mijëra qytetarë dhe të rinj të cilët në fakt po çlirojnë këtë vend nga diktatura më e shëmtuar, në disa aspekte edhe më e dëmshme sesa ajo e totalitarizmit, sepse kjo ka përzënë 1 milion e 300-400 mijë shqiptarë në 10 vite.

Dhe ky është një dëm i tmerrshëm, që do të paktën në një kurs normal 40 vite, minimumi 40 vite për t’u kompensuar.

Dhe për këtë Edi Rama, ky është një gjenocid i mirëfilltë. Gjenocid i mirëfilltë sipas konventës së OKB-së dhe Edi Rama meriton të gjykohet për gjenocid.

Anila Hoxha: Zoti Berisha, ju insistoni në kritika të ashpra ndaj prokurorit Altin Dumani. Megjithatë, ky prokuror është pjesë e grupit hetimor në dosjen që u referua si dosja Aruba. Pse e paragjykoni ju, përderisa në këtë fashikull dhe në këto materiale që nuk i keni lexuar, rezultojnë të dhëna që hedhin dritë pikërisht mbi atë që është thënë ndër vite dhe ndoshta në vazhdim ky grup hetimor do të jetë i tillë sa do të gërmojë edhe në elementë të politikës?

Sali Berisha: Anila, të jemi të sinqertë. Kjo dosje, shqiptarët dhe bota kishin nevojën më të madhe të fillonte me politikën. Me politikën.

Se kjo është dëshmia, unë e kam thjesht për veten time, sepse unë qysh në vitin 2017 e këtej të paktën 500 mijë herë kam denoncuar narko-shtetin.

Por Aruba, me praninë e zyrtarëve është dëshmia më konkrete e narko-shtetit, e bashkëpunimit të qeverisë me drogën.

Dhe ky, të parat që duhet t’i thoshte, mandatet e para të arrestit që duhet të lëshonte.

Ti fyen një popull të tërë, fyen inteligjencën, memorien, ndërgjegjen e një kombi të tërë duke i mbajtur në xhep zyrtarët e Edi Ramës sepse janë vetë lakej të Edi Ramës.

S’mund t’i bësh një populli kështu. Qytetarëve u thuhet se Aruba u mbyll, nën drejtimin e Engjëll Agaçit apo tjetrit me porositë e Edi Ramës. Dhe kur të thuheshin këto, shqiptarët ndërgjegjësoheshin pastaj. Kjo fshihet, dhe unë s’bie kurrë dakord me këtë.

Ai është një shërbëtor i Edi Ramës, unë e kam denoncuar me qindra herë dhe s’do të doja kurrë ta denoncoja. E kam denoncuar, ai është i implikuar vetë….

A ju kujtohet ju që ai shëtiste nga një zyrë në një zyrë, nga Ulsi faqeziu tek tjetri e tjetri, që të zgjasnim mandatin?

A e dini një gjë, në histori, ata që kërkojnë zgjatje mandatesh, ata janë absolutisht në qoftë se janë politikanë të lartë janë diktatorë, në qoftë se jo, janë mercenarë të diktatorëve.

Si mund të kërkojë ai? Ishte një fyerje të ndryshonte Kushtetuta për Altin Troplinin.

Se Altin Troplini kishte bashkëpunuar me krimin dhe tani duhet të na mbyllte jetën si prokuror.

Në këtë vit të ri të opozitës, a ju mungon bulevardi Dëshmorët e Kombit?

Sali Berisha: Janë të gjithë aty, po të garantoj që aty janë me mijëra demokratë, po kjo është reale dhe ju mund të shkoni ta vërtetoni. Dhe i ftoj prapë të shkojnë. Natyrisht unë kam admirimin më të madh për këtë protestë e para ose më e fuqishmja protestë qytetare dhe rinore në kuptimin më të mirë të fjalës. Ata që përpiqen ta manipulojnë, ca opozita e të opozitës, ata duken si miza në atë të kalit që kujton se tërheq karrocën, siç thotë Denis Diderot.

Berisha: Qeveria teknike që përgatit zgjedhjet e lira do ishte zhvillimi më i madh i kësaj proteste

Armand Bajrami: Zoti Berisha, vetëm për koment, po xhelozi a ndjeni që një protestë qytetare nxit kaq shumë njerëz?

Sali Berisha: Jo, nuk ndjej xhelozi.

Nuk ka asgjë më të mbarë, më të bukur për një komb  se përgjegjësia qytetare.

Përgjegjësia qytetare është tipari kardinal i njeriut të qytetëruar, i cili e kupton që nuk ka përgjegjësi vetëm për veten e tij, për familjen e tij, por ka për shkallën, ka për lagjen, ka për rrugicën, ka për vendin.

Dhe këtë po e dëshmojnë, kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Unë kurrë s’mund të kem, përkundrazi, e ndjek me admirimin më të madh.

Ju vetë a do t’i bashkoheni protestës?

Sali Berisha: Jo, sepse nuk është partiake. Unë nuk mund të bëj Edi Ramën të them atë që s’është. Unë jam partiak. Kjo është e vërteta dhe unë nuk dua kurrë që ato ngjyra që i kanë dhënë qytetarët t’ia prek.

Çdo demokrat aty është pa asnjë simbol partiak. Të respektojmë këtë, të mësohemi të respektojmë këtë dukuri madhështore të paparë në Shqipëri.

Lëre çfarë thotë ai, ai është një i çmendur.

Çfarë kanë me fashizmin ata? Kjo është protesta më paqësore, më e bukura, më paqësorja që ka njohur Shqipëria. Ndaj dhe unë po të mos kisha patur këto funksione, ditë natë do isha aty.

Dhe jam i bindur që do fitojë. Dhe i them Edi Ramës, çfarëdo që të bësh, je i pashpresë. Ajo lëvizje të ka prerë biletën. Mos harro, të ka prerë biletën, mos e shtyj më tutje, mos shpik fashistë e të tjerë me radhë.

Turp i madh! Qytetarë që protestojnë që nuk kanë këputur një lule, nuk kanë këputur një lule, edhe i quan protesta fashiste, frymë fashiste e të tjerë me radhë.

Edhe ca ditë dhe do ikë.

A e mbështesni idenë e qeverisë teknike?

Sali Berisha: Sigurisht, sigurisht që ajo protestë ka kërkesa të drejta.

Qytetarët e kanë të qartë që duhet të jetë vota e tyre e lirë e pakontrolluar, që duhet të përcaktojë fatin e Shqipërisë. Dhe një qeveri teknike, e cila përgatit zgjedhjet e lira, do të ishte zhvillimi më i madh, më i rëndësishëm i kësaj proteste.

A do pranoni një ndryshim të kodit zgjedhor sipas kërkesave të protestuesve?

Sali Berisha: Tani unë kam qenë në negociata dhe jam shprehur që jam plotësisht për listat e hapura. Plotësisht.

I qëndroj asaj, i qëndroj domosdoshmërisë së disa ndryshimeve rrënjësore.

Qëndroj për sanksionimin e ndëshkimeve më madhore për krimin elektoral.

Shpalljen e krimit elektoral si krim kushtetues të rëndë, në mënyrë që ajo që ndodhi me Edi Ramën në Shqipëri të mos u përsëritet më shqiptarëve, se ajo është shkatërrimtare për vendin.

Arsen Rusta: Zoti Berisha, një pyetje e fundit. Kur të riktheheni në parlament pas disa ditësh, do t’ia thoni ndokujt në sy atë, a e kalon dot oqeanin me dashtë?

Sali Berisha: Tani prirja ime është të shoh para. Të shoh para sepse një kapitull i jetës time u mbyll me një betejë të imponuar, por në një betejë në të cilën unë ndoqa me vendosmëri rrugën e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

Jo vetëm times, por të gjithë atyre që më kishin votuar dhe më kishin besuar.

Mendoj se pyetjen Edi Ramës, a do e kalosh apo jo Atlantikun, në një kohë kur ai … e keni marrë vesh, po i përgatit Lubisë arratisjen.

Po i përgatit absolutisht Lubisë largimin në një shtet tjetër. Këtë e kam nga burime të mirëinformuara.

Janë burime të mirëinformuara!

Pse po e përgatit? Çfarë po ndodh?

Sali Berisha: Sepse mendon se mos po i sjellin ndonjë fletë-arresti tjetër nga SPAK-u dhe ajo të gdhihet në një shtet tjetër, diku tjetër.

Po ky është vetëm një informim, e kam nga burime të besueshme. E them këtu, po ua them këtu, nga burime të besueshme.

Nuk them dot 100% e vërteta se… po por burime që në të vërtetë janë burime të besueshme, janë serioze.

A po e përgatit dhe për vete ai këtë? Ju garantoj që edhe mbrapa diellit po të shkojë, do vijë këtu të japë llogari për krimet që ka kryer.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale