DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr.Sali Berisha, pas një seri takimesh në Strasburg, ka dhënë një deklaratë për media ditën e sotme në Selinë e Partisë Demokratike, ku theksoi se ishte “zëri i shqiptarëve” në Këshillin e Europës, duke paraqitur një panoramë të situatës në Shqipëri dhe duke denoncuar qeverinë Rama për abuzimet e saj.
Gjatë takimeve, Berisha u shpreh se e përshkroi Shqipërinë si një vend të përfshirë në një “narkoshtet” dhe kritikoi lidhjet e ngushta mes politikës dhe krimit. Berisha u shpreh për media se informoi Komitetin e Antitorturës për abuzimet dhe torturat publike të Ilir Metës, dhe në burgje, për kushtet e tmerrshme të të burgosurve, duke përmendur torturat në komisariate dhe përdorimin e drogës për të helmuar të rinjtë shqiptarë. Berisha deklaroi gjithashtu se e akuzoi Edi Ramën për sjelljen e tij të papërshtatshme në këto takime, duke e krahasuar atë me figura të njohura të krimit.
Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë një pyetje drejtuar nga gazetarët për vizitëne znj. Kallas, akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama për shpërndarjen e dezinformatave lidhur me qëndrimin e zonjës Kallas, përfaqësuese e lartë e BE-së, dhe për përpjekjen e tij për të manipuluar situatën për të mbështetur vetveten, ndërkohë që Kallas nuk ka investuar asnjë përpjekje të dukshme në realizimin e zotimeve të Ramës. Sipas Berishës, Rama ka shpërndarë këto dezinformata për të ngushëlluar mbështetësit e tij dhe për të krijuar një narrativë pozitive për veten. Berisha theksoi se PD-ja është e angazhuar për integrimin e Shqipërisë në BE, bazuar në reforma dhe meritokraci, dhe kritikoi idenë që Shqipëria mund të integrohet si një “narkoshtet”.
Në fund të deklaratës së tij, lideri opozitar, Sali Berisha ka premtuar se LaCivita, kryestrategu i fushatës, do të jetë i pranishëm në hapjen e fushatës dhe sqaroi se spekulimet që ai do të ikte ishin shpërndarë nga zyra e Ramës për të manipuluar opinionin publik. Berisha theksoi se PD-ja është e angazhuar të ndërmarrë reforma të thella dhe të luftojë lidhjet e krimit me politikën, duke garantuar se Shqipëria do të çojë përpara procesin e integrimit në BE mbi bazën e meritave dhe ligjit.
DEKLARATA E PLOTË
Sot në mëngjes, u ktheva nga një udhëtim, qëndrim dhe vizitë njëditore në Strasburg, i ftuar nga grupi i Partisë Popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, por edhe grupi i demokratëve konservatorë në këtë asamble, për të shkëmbyer mendime për gjendjen në Shqipëri.
Në këtë vizitë, u prita në një takim të veçantë nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Rusopulos.
U takova në takime të veçanta me delegacionin parlamentar në këtë asamble të Italisë, Suedisë, Greqisë.
Zhvillova një takim të veçantë në komitetin prestigjioz të antitorturës në këtë institucion.
Takova zyrtarë dhe miq të shumtë.
Në karrierën time politike, ky institucion është institucioni i parë që unë kam vizituar si President Republike.
Këshilli i Europës është institucioni më i vjetër evropian pas Luftës së Dytë Botërore, i cili në themel ka zgjedhjet e lira, liritë dhe të drejtat e qytetarëve evropiane.
Me këtë institucion kam pasur marrëdhënie intensive, qoftë si president apo kryeministër, qoftë si kryetar i partisë më të madhe opozitare.
Këshilli i Europës me bankën e tij dhe me ekspertizat e jashtëzakonshme i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë shumë ët madhe financiare, teknike në betejën kundër korrupsionit, në të gjitha problemet e autonomisë lokale dhe rajonale, në çështjet e demokracisë.
Ai këshill, me iniciativën e Sali Berishës ka votuar rezoluta kundër regjimit socialist në kohën kur isha në opozitë.
Kësaj here, pas 13 vitesh, unë përsëri aty isha në shtëpinë time dhe pata një pritje shumë miqësore dhe të përzemërt.
Ishte një kënaqësi e madhe që unë dje isha zëri i të gjithë shqiptarëve në atë institucion, zë që ka munguar kaq e kaq vite.
Por duhet t’u them këtu, ishte një kënaqësi shumë e veçantë, pas të themi pothuajse skandalit ndërkombëtar të Edi Ramës, çka kishte detyruar në një akt të pashembullt me një lider evropian, kishte detyruar drejtuesit e këtij institucioni të anulojnë darkën zyrtare të parashikuar për kryeministrin e Shqipërisë, pasi ai nuk ishte i denjë për këtë darkë.
Nuk ishte i denjë, ia anuluan darkën.
Nuk po ndalem në reagimet e tij pas anulimit të darkës që janë një turp i madh për të mos thënë dhe gjer më shumë.
Por tani po informoj shqiptarët se unë aty isha zëri i tyre, zë që u paraqiti grupeve parlamentare të vërtetat mjerisht pak të njohura mbi regjimin e Edi Ramës, narkoshtetin dhe narkodiktaturën në Shqipëri.
Mendoj se ishte shumë e dobishme dhe e domosdoshme që parlamentaret e grupeve kryesore parlamentare siç është grupi i PPE në këtë institucion, të mësonin me dokumente dhe fakte të pakundërshtueshme, të vërtetat e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, të cilat u ndoqën me interes shumë të madh.
Unë informova audiencën e nderuar të parlamentarëve nga e gjithë Europa se Edi Rama arrestoi në vit elektoral, apo vuri në proces penal, tre liderët e partive kryesore opozitare dhe tre të tjerëve u mori mandatet, i mban në arrest shtëpie apo i mban në burg.
Një vend të dytë si Shqipëria nuk ka në këto shkelje.
Shqipëria tejkalonte Bjellorusinë e Lukashenkos dhe ngjiste diku me një vend si Tunizia apo më keq.
Në këto takime bëra historikun e shkurtër të kanabizimit të Shqipërisë, me të cilat u hodhën themelet e narkoshtetit.
Hapjen e Shqipërisë ndaj kokainës.
Shkrirjen në një sipërmarrje të përbashkët të shtetit me drogën dhe krimin.
Vendimarrjen në të gjitha nivelet të krimit të organizuar në Shqipëri.
Këto ishin tezat kryesore që unë paraqita aty të faktuara me dokumente dhe që mund të them se ishin tronditëse për audiencën e nderuar.
Natyrisht impakti, receptiviteti i kësaj ekspozeje ishte shumë pozitive.
Një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, shprehën direkt angazhimin e tyre për të ardhur si vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pata një takim të veçantë në komitetin antitorturë. Ai është një komitet i vetëm i kësaj natyre, me lidhje të fuqishme me institucionet e tjera. E informova për gjendjen dramatike të burgjeve dhe jo vetëm të burgjeve, për torturën që ushtrohet në komisariate, në qeli. Për serialin e vdekjeve të të rinjve shqiptarë si kurrë ndonjëherë me potencialin më të madh të helmuar nga droga.
Për gjobën e tmerrshme që paguajnë të burgosurit gjer në 2 mijë euro për të pasur kushtet më minimale.
Një vëmendje të veçante kishte këtu tortura publike që ata i bënë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta.
Këta zotërinj i informova se shqiptarët kanë humbur përfundimisht parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi në burgjet e tyre, 67 përqind janë të paraburgosur. Nuk ka një vend të dytë në botë. Nga 15-20 përqind që është norma e fryrë, këtu është 67 përqind dhe kjo nuk ka ekzistuar as në diktaturën komuniste.
Mendoj se ky ishte një takim shumë i çmuar, shumë i dobishëm me komitetin e antitorturës.
Së fundmi, gjatë darkës që u shtrua, grupi parlamentar i PPE, na ftoi dhe ne ishim të nderuar të darkonim me presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotin Rusopulos dhe kryetarin e grupit parlamentar të PPE, Pablo Hispan.
Tani unë këtu jam për të falënderuar me shumë mirënjohje kryetarin e grupit parlamentar të PPE për seancën që i kushtoi problemeve të Shqipërisë dhe opozitës shqiptare, zotin Pablo Hispan.
Të falënderoj me mirënjohje kryetarin e grupit parlamentar të demokratëve konservatore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotin Zolt Nemet.
Një mirënjohje të veçantë kam për kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zoti Rusopulos.
Për zëvendëspresidentin e komitetit antitorturë të Këshillit të Europës dhe ekipi që e shoqëroi atë.
Për kryetarët e delegacioneve dhe delegacionet e Italisë, Greqisë, Suedisë për takimet që na rezervuan.
Unë mund t’u them se me këto takime, u shkrinë të gjitha mashtrimet, dezinformimet që Edi Rama me veglat e tij ka bërë në atë institucion dhe u bë më e qartë se ç’përfaqëson ky person, të cilit për herë të parë në historinë dhjetëra vjeçare, ky institucion i anulon darkën zyrtare.
Ia anuluan darkën zyrtare.
Pra, mendoj se këto informacione desha të paraqes para jush.
Jam i hapur për pyetje rreth kësaj teme të rëndësishme. Nuk po merrem pastaj me atë pjesën tjetër. Pjesa tjetër është nga historitë më të turpshme, u them këtu, pas anulimit të darkës, reagimet. Por, ai kur nuk ka turp, as nuk skuqet, as nuk zverdhet, thotë çdo gjë, bën çdo gjë.
Andon Kello, Abc Neës: Kryeministri Edi Rama po e fillon këtë fushatë me kryepremtimin se, deri në vitin 2027 do të çelë negociatat me BE, dhe në 2030 do e anëtarësojë Shqipërinë në BE. Një objektiv, që sipas shefes së politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila ndodhet në Tiranë, është realist nëse Shqipëria realizon të gjitha reformat. Në vitin 2021, PD ka patur objektiva të bazuara në afate kohore, si për negociatat, edhe për anëtarësimin. A keni ju një premtim se kush Shqipërinë mund ta anëtarësojë në BE?
Berisha: Kalibroje pak më mirë citimin e zonjës Kallas.
Zonja Kallas tha se Shqipëria ka ambicie.
Ambicie, që është mashtrimi i Edi Ramës.
Por, kjo është një rrugë e vështirë dhe kërkon reforma.
Ajo nuk investoi asnjë nanogram në zotimet e Edi Ramës.
I tha edhe tjetrën, që është rrugë gjithëpërfshirëse.
Kurse, Edi Rama u përpoq të asociojë mashtrimin e tij me praninë e përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE, zonjës Kallas.
Por ajo mbajti vendin e vet dhe qëndrimin e vet.
Me një fjalë, ajo u tha shqiptarëve, unë nuk kam punë me ato që thotë ky, këto janë ambiciet e tij.
Ato janë mashtrimet e tij me fjalë të tjera, por ajo nuk mund të thoshte mashtrime se e kishte në krah.
Besoj se e sqarova.
A ka PD? Po, pa diskutim. PD ka deklaruar dhe deklaron se ylli polar i programit të saj do jetë integrimi i Shqipërisë në BE.
Si do jetë? I bazuar në reforma dhe merita.
PD ka deklaruar dhe deklaron se ajo në pushtet do ndërmarrë çdo reformë, do miratojë çdo ligj, çdo vendim, për të kapur çdo standard, për të realizuar çdo kriter që kërkohet për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Tani, të mendosh ti se Shqipëria do integrohet si narkoshtet në BE, Shqipëria do integrohet me Bajrët, Çelët dhe Ponjat, ministra e mbiministra, se këta janë më të ligj, është njëlloj si të imagjinosh se do shohësh veshin tënd pa pasqyrë.
Ndaj dhe unë, me këtë rast e garantoj përfaqësuesen e lartë të BE se kjo forcë politikë, që ka qenë e faktuar lokomotivë e të gjitha proceseve integruese në BE dhe NATO, qëndron e përqendruar, e gatshme, e vendosur që rrugën drejt BE ta ndërtojë mbi bazën e meritave, reformave, dinjitetit të vendit, të presë me gërshërët e ligjit dhe zero tolerancë lidhjet e krimit me politikën.
Unë e informova Strasburgun për 1 milion faqe që kanë ardhur.
Edhe për nismën e Komisionit të të Vërtetës.
Edhe për telefonat e koduar të Edi Ramës, Taulant Ballës, gjykatësve, etj.
Prandaj, PD e shpall integrimin si interesin numër 1 të saj, si numrin 1 kombëtar i saj, si ylli polar i programit të saj. Kjo është.
Mos më shty të flas më shumë, se sapo jam kthyer nga atje çfarë thashë.
Lëre mos e pyet. Është famoz, kur shkon ai atje, të del para asaj audience dhe bën gjeste e gjëra sikur të ishte Suel Çela apo Safet Bajri.
Edhe ata do silleshin më mirë, më me dinjitet.
Prandaj, është kuptuar se çfarë përfaqëson Edi Rama tani, është kuptuar gjerësisht.
Dhe siguroj se do kuptohet çdo ditë e më shumë.
Se kishte bërë gjithçka për të krijuar zhurmuesit rreth këtyre institucioneve. Por ja, që të vërtetat që do të dalin një nga një.
Mariglen Kume, MCN: Z.Berisha, po me opozitën a do të ketë takim znj.Kallas në Shqipëri, dhe pse nuk takohet me ju? Më datë 11 keni lajmëruar se do të çelni fushatën për zgjedhjet e 11 majit, a do të jetë, LaCivita, personi të cilin e keni quajtur kryestrategu i fushatës në çeljen e fushatës suaj?
Berisha: Me sa kuptoj unë, zonja Kallas është në një udhëtim rajonal.
Më duket se e dëgjove që tha se, do shkojë nga këtu në Bosnjë.
Udhëtimet rajonale janë për qëllime rajonale dhe normal që ajo takon qeveritarët, cilido që të jetë qeveritar, ata do takojë.
Ky është rregulli i udhëtimeve rajonale, nuk kanë synimi vendin.
Së pari.
Së dyti, do jetë pa diskutim, siç u kam thënë, unë u kam njoftuar se ai do jetë në hapjen e fushatës dhe këtu është përfaqësuesi i tij prej disa ditësh dhe ne jemi në lidhje.
Unë nuk e kuptoj si i krijoni këto dyshime?
E di çfarë kuptoj unë? Se këto i përhap zyra e Edi Ramës.
Aq i tmerruar është, sa tani për t’u dhënë zemër të vetëve, thotë që ai iku, nuk është më.
Po kur ta shohë, çfarë do t’u thotë të vetëve?
Këto i hap ai, tjetër kush nuk mund t’i hapë.
A keni dëgjuar ju se kush është konsulenti i tij? Jo, fare.
Se kjo është normale.
Ky tani, i tmerruar nga ekspertiza e tij dhe shumë faktorë të tjerë, iku, u thotë socialistëve. I mashtron në media.
Jo, ai do të vijë, do jetë i pranishëm në një hapje të jashtëzakonshme…
Skenarin ta mbajmë surprizë… jo çdo gjë mund të thotë njeriu, unë edhe nga udhëtime mbajta shumë gjëra pa i thënë, po kishte gjëra plot.