FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dënoi reprezaljen e shtetit shqiptar në kampin e muxhahedinëve, ndërkohë që kujtoi edhe marrëveshjen që bëri me amerikanët për pranimin e tyre në vendin tonë.
‘20 qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës si një ditë turpi. Si një ditë në të cilën, narkoshteti shqiptar pikërisht zgjodhi ditën e refugjatëve, për një reprezalje, përmasat e të cilës, sipas medieve, janë krejt të tjera nga ato që thotë ministri Çuçi dhe zëdhënësi i tij, Rrumbullaku’.
Berisha bëri të ditur se, është Edi Rama ai i cili firmosi për kampin e muxhahedinëve në Manzë, të Durrësit. Kryetari i PD-së tha se qeveria që drejtohej prej tij, mori 220 muxhahedinë dhe më pas Rama mori 2800 anëtarë të MEK.
‘Erdhi grupi i parë, nja 220 vetë. Më vonë, qeveria mori edhe 2700 të tjerë a 2800 të tjerë. Në mos gaboj, ata blenë tokën në Manëz, Edi Rama firmosi lejen e ndërtimeve dhe të kampit të tyre’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati, Sali Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha foli sërish për projektligjin e minimumit jetik. Berisha tha se, çdo shqiptar të ketë të paktën 200 euro në muaj, po paguhet më shumë për një qen.
Berisha në mbledhjen e organizuar komentoi dhe rastin e skandalit të ish kryetarit të Bashkisë Kukës, Safet Gjicit, duke e cilësuar këtë skandal si fytyrën e vërtetë të regjimit, i cili e ka humbur të drejtën për qeverisje me kohë.
FJALA E PLOTË NË GRUPIN PARLAMENTAR
20 qershori do të shënohet në historinë e Shqipërisë, Europës dhe botës, si një ditë turpi, si një ditë në të cilën narkoshteti shqiptar, zgjodhi ditën e refugjatëve për një reprezalje, përmasat e të cilës, sipas medieve janë krejt të tjera nga ato që thotë ministri Çuçi dhe zëdhënësi i tij, Rrumbullaku.
Mediat përveç viktimës, informojnë për gjymtyrë të thyera, të cilat nuk mund të ndodhnin kurrë me spraj, për koka të çara, plagosje të rënda. Pra, një brutalitet dhe një dhunë e egër e dënueshme, e papranueshme.
Tani për ju dhe për shqiptarët, dua të saktësoj disa momente. Marrëveshja për sjelljen në Shqipëri të muxhahedinëve të popullit ka nisur negocimin dhe zbatimin gjatë qeverisë së mëparshme. Në atë kohë, muxhahedinët e popullit, ndodheshin në një kamp në Irak. Ishin objekt sulmesh, granatimesh të egra dhe të pamëshirë nga qeveritarët irakenë.
Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bëra në Uashington për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje; së pari po, do të marrim një kontingjent pilot, për të parë si po ecën, sistemimi dhe qëndrimi i tyre. Së dyti kërkesa e dytë për ti marrë ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist, sepse ata ishin të listuar nga DASH, grup terrorist. Kërkesa e tretë ishte që ata në Shqipëri do të vinin nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tani të ndalemi tek kjo kërkesë, sepse pavarësisht nga mikpritja shqiptare, ata duhet të gëzonin të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë të përcaktuar nga të gjitha konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre.
Autoritetet e SHBA-së i kanë pranuar këto kërkesa.
Tani, në atë periudhë apo gjatë periudhës që negociuam apo i sollëm, nuk parashikohej ngritjen e një kampi. Ne kishim alternativë tjetër, alternativa jonë ishte, marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe natyrisht asistenca për jetën e tyre normale, si mysafir që do të ishin dhe OKB nuk e thirrëm për të ndihmuar për ushqime, por për të drejtat e tyre.
Padyshim që kërkesë tjetër ishte se nga territori i Shqipërisë nuk mund të zhvillohej veprimtari në dëm të një shteti tjetër. Ata e kishin patur këtë etiketën, grup terrorist dhe ne nuk mund të pranonim që akte, veprime të armatosura, veprime të tjera të nisura nga territori i Shqipërisë, të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve të popullit.
Këto ishin kërkesat. Erdhën grupi i parë 220 vetë, më vonë qeveria mori edhe 2800 të tjerë. Në mos gaboj ata blenë tokën në Manzë, Edi Rama firmosi lejen e ndërtimeve dhe të kampit të tyre. Kjo deri këtu.
Tani vijmë tek një moment tjetër, se po e dëgjoj shpesh. Muxhahedinët janë Fronti i Rezistencës Kombëtare të Iranit, një organizatë e mirëfilltë politike, nuk janë organizatë humanitare. Kanë organizimin e tyre në Europë, Iran dhe më gjerë. Personalitete të shquara të SHBA dhe Europës, nuk besoj se kanë ardhur ndryshe, veç si tek miqtë, tek një organizatë politike. E këta që dëgjoj tani se po merren me politikë, po këta me politikë merren, nuk janë pa politikë.
Por se cilat janë kushtet që ka vendosur qeveria e mëpasshme me ta, nuk e bën publike as marrëveshjen gjë që duhet të jetë transparente. Di që ombrella e OKB-së ka vazhduar dhe di gjë Organizata e Refugjatëve të SHBA i ka nën mbikëqyrje.
Tani nuk po ndalem këtu unë në aktet e rezistencës së tyre, por këta kanë luftuar me të gjithë mundësitë që kanë patur kundër regjimit absolutar të Shahut dhe kanë vazhduar betejën kundër teokracisë së Ajatollahëve.
Ajo që ndodhi dje, ishte një akt i shëmtuar, jo se qeveria shqiptare dhe autoritetet nuk kanë të drejtë të ushtrojnë kontroll. Në të gjithë territorin, autoritetet kanë të drejtë të plotë të ushtrojnë kontroll, kjo nuk diskutohet, jashtë çdo lloj diskutimi.
Por të dyndësh me mijëra policë, të vritet tjetri dhe të thuhet se ska viktima, tu thyhen këmbët e duart dhe të thuash nuk është përdorur dhuna, këto janë shumë të rënda. Nga ana tjetër motivet. Ju i dëgjuat dje. Njëri thoshte po merren me politikë dhe kanë publikuar gazetë, por çfarë do të thotë po të publikojnë gazetë, çfarë krimi qenka publikimi i gazetës. Kanë një televizion, Diaspora Iraniane nuk e di ka qenë në SHBA dhe mund të jetë edhe në Europë që transmeton 24 orë kundër Ajatollahëve. Kjo është gjëja më normale, propaganda dhe sipas tyre, mëkati i madh është se kanë botuar gazetë.
Por këtë të gazetës këta nuk e thonë në gjykatë. Në gjykatë ka motive me të cilat të vërtetuara, vërtetë është shkelur marrëveshja, të paktën marrëveshja që kemi pasur ne, se këta nuk e di si e kanë marrëveshjen.
Regjimi i Ajatollah ka dërguar të dhëna se këta kanë nisur komando, apo këta hakeruar sisteme në Republikën e Ajatollahëve. Përsa i përket të parës, është e palejueshme, e papranueshme nëse është e vërtetë, por të marrësh të mirëfilltë një akuzë të një regjimi që dhunon dhe shtyp gjithë ditën njerëzit e vet, nuk është e lehtë, ështe e rëndë, është përgjegjësi e madhe ti besosh Ajatollahëve, për të ndërmarrë atë lloj dhune që u ndërmorr dje ndaj tyre.
Përsëri janë shumë jo transparentë. Zëri i Amerikës thotë se sulmi, mund të ndërmerrnin një sulm kibernetik ndaj një vendi tjetër, mund. Kurse Fox News, se ne duhet ti marrim vesh nga mediat ndërkombëtare, se këta këtu nuk japin këta, Fox News thotë se i akuzojnë se kanë bërë hakerimin e sistemeve shqiptare. Kërkesa që kanë bërë në gjykatë, ka lidhje me Teheranin. Të gjitha këto kërkojnë një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB-ja që i ka nën mbikëqyrje, sepse janë refugjatë me një status të caktuar.
Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin urgjentisht para gjyqit. Vrasësi, si u vra ai që vdiq, ata që kanë thyer kockat refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se këtej thonë spraj, por spraj kocka nuk thyen. Është e domosdoshme një hetim që të nxjerrë abuzuesit me të drejtat e njeriut të cilat plagosjet e rënda, kocka e thyer, jeta e humbur dëshmojnë se nuk janë respektuar, janë shkelur.
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit ka dhe një element shumë të rëndësishëm, që vetë këta shkelin të drejtat e njeriut. Kjo është absolutisht e rëndë. Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të dhunuar të drejtat e njerëzve të komunitetit të cilët nuk bien dakord, se ai nuk është kamp ushtarak, është kamp refugjatësh. Por kjo është qeveri si kjo. Ai duhet të jetë një kamp që respekton të gjitha liritë dhe të drejtat e banorëve të kampit.
Pra, këto janë problemi i një ngjarje që tronditi shoqërinë. Se janë njerëz që kanë një histori të gjatë, të dhimbshme. Kanë edhe gabime në qëndrimet e tyre, por prapë kanë qëndruar për lirinë e vendit të tyre më së shumti dhe janë këtu si miq të themi në kuptimin tradicional të fjalës, refugjatë. Unë nuk kam qenë për kamp fare, por që të strehoheshin, të ndihmoheshin dhe të integroheshin në jetë. Por në atë kohë pati ksenofobë, pat të tjerë, por çfarë do të pësonin, asgjë, përkundrazi mund të jetonin jetën e tyre dhe mund të integroheshin në shoqërinë shqiptare, por ky variant u ndryshua nga kjo qeveri.
Tani, rikthehemi te problemi ynë. Problem kryesor ne kemi minimumn jetik. Unë e kuptoj që këta nuk e pranojnë, se këta janë me kompleksin e mohimit dhe të pashpirtësisë, se të refuzosh sot minimumin jetik, më së paku tregon që nuk ta ndjen për ata që janë në nevojë, por janë shumë.
Tani, ju e keni konstatuar. Të gjitha statistikat tregojnë që varfëria është rritur dhe është përgjysmuar ndihma ekonomike. Kanë qenë 120 mijë familje në vitin 2013, dhe studimi ynë tregonte se duhej të ishin edhe 180 mijë, pra duheshin të shtoheshin 60 mijë të tjera. Këta i kanë përgjysmuar dhe arrin puna që sot bashkitë paguajnë më shumë për një qen, paguajnë 60 mijë lekë për një qen, dhe paguajnë 40 mijë lekë për një njeri. Tek qeni mos kujtoni se i merr qeni, i marrin vet ata, se këta i vjedhin, qenit të shkretë nuk i bie asgjë.
Ne duhet ta mbrojmë me forcë çështjen e minimumit jetik. Një çështje që jep një impakt të menjëhershëm. Nuk duhet të ketë shqiptar që të mos ketë 200 euro në muaj. Dhe kjo është një goditje e fortë e mjerimit, jo varfërisë tamam, se varfëria prap, por edhe e varfërisë jo ekstreme, por më pak se ekstreme, por dhe ajo goditet.
Përfitojnë 1.3 milionë deri në 1.5 milionë shqiptarë. Natyrisht, prej tyre mbase më shumë se 1 milionë janë me pensione, me ndihmë ekonomike, me ndihmë invalidi, etj. me rradhë. Por, edhe po të jetë, kjo nuk është më shumë se 30% e asaj që vidhet. Është 30% e shumës që vidhet në 9 muaj.
Vidhen 122 miliardë lekë, në 12 muaj kjo shumë është 150 miliardë lekë. Pra, nuk shkon kurrë tek një e treta e tyre. Ne duhet ta mbrojmë këtë, e kemi premtuar gjatë fushatës elektorale, por ka një bazë tjetër.
Minimumi jetik është i sanksionuar me ligj në çdo vend. Kjo është arsyeja pse varfëria ekstreme nuk ekziston më, është e zhdukur. Sepse japin minimumin jetik, që njerëzit të mos bien në humnerë.
Rasti tjetër, ai i Kukësit është fytyra e vërtetë e këtij regjimi, është dëshmia e sundimit të të gjitha formave të korrupsionit, përfshi korrupsionin erotik. Është një dëshmi flagrante e një regjimi të kalbur, që ka humbur prej kohësh të drejtën për të qeverisur.
Sa të jetë, vetëm skandale do kemi.
Duhet të bëjmë gjithçka për të aktivizuar më shumë nervin e protestës qytetare. Ky regjim, përveç protestës, nuk njeh gjuhë tjetër. Duhet ta kemi shumë të qartë dhe duhet të qartësojmë te zgjedhësit tanë. Unë ju falënderoj shumë!