Sula: Rilindja fundos arsimin, mbyllen 295 shkolla 9-vjeçare brenda 8 vitesh. Thellohet braktisja këtë vit të ri shkollor!

DEKLARATË PËR MEDIA E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA

Të dashur qytetarë, mësues e nxënës,
ky vit shkollor po fillon me thellimin e braktisjes masive të arsimit tonë.
Gjatë viteve 2013-2022 – janë mbyllur 295 shkolla 9-vjeçare në vend ose 22% e shkollave të arsimit të detyruar – dhe këtë janë të dhëna zyrtare të dala nga INSTAT.

Po t’i shtojmë kësaj shifre mbylljen e institucioneve të arsimit parashkollor dhe atyre të mesëm të lartë, tabloja e zhbërjes dhe gremisjes së arsimit bëhet më e plotë.
Arsimi 9-vjeçar është i detyruar dhe u garantohet në Kushtetutë nxënësve, por emigrimi i shqiptarëve në nivele më të larta se vendet e rajonit, pagat e ulëta të mësuesve, mungesa e infrastrukturës digjitale, mosmbështetja financiare e sistemit arsimor, politizimi i tij, mosgarantimi i cilësisë, reforma e dështuar e kurrikulave, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të tyre e mbi të gjitha projekti i shpopullimit të vendit, janë shkaqe të forta për të ardhur në këtë ditë.

Vendi ynë shënoi rënien më të madhe në nivel botëror në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2022 , nxënësit tanë u renditën të fundit në botë për mendimin krijues – rezultate që e plotësojnë edhe më shumë tablonë mjerane të arsimit shiptar.

Rilindja sot e financon arsimin më pak se sa financohej para viteve 1990: shteti diktatorial e financonte arsimin në shumën 4-5% të PBB, nivel që ishte i krahasueshëm për kohën me vendet e tjera të OECD-së.
Rilindja e ka financuar arsimin gjatë kësaj dekade më pak se financimi që i jepte qeveria e Partisë Demokratike në vitet 2005-2013. Sot arsimi financohet në nivelin gati 40% më të ulët se vendet e zhvilluara dhe 20% më pak se vendet e rajonit.

Arsimi ynë ka shkuar në pikën fundore dhe mësuesit shprehen se reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve i kanë shndërruar ato në burokratë, duke i rrirur ngarkesën që nuk ka lidhje me përçuesin e dijes.
Të nderuar qytetarë!
Partia Demokratike premton që do e ngrejë arsimin nga humnera ku e ka gremisur Rilindja dhe figura e mësuesit do të gëzojë statusin që i takon, për t’i edukuar fëmijët tanë me arsim të barabartë dhe cilësor për të gjithë.

Është detyrim ligjor, është mision profesional e human, ndaj Partia Demokratike e ka shpallur prioritet kombëtar dritësimin i nxënësve sot që të kemi një shoqëri të zhvilluar e moderne nesër.




Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale