DEKLARATË PËR MEDIA DREJTUESJA E DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA
Për fat të keq, po i avitemi me shpejtësi pikës më kritike të cilës aq shumë i druheshim: rënies tërësore të arsimit në vend.
Ne vijim të shkeljeve ligjore të njëpasnjëshme, papërgjegjshëmrisë, korrupsionit, politizimit e militantizmit të punësimeve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të denoncuar vazhdimisht, sjellim sot për qytetarët raste të tjera emërimesh të shumë të rëndësishme pa meritokraci dhe pa kualifikim- nga ana e znj. Manastirliu.
Ashtu si kryeministri Rama që emëroi znj. Aurora Balliu drejtuese të Qendrës së Shërbimeve Arsimore pa procedurë, pa meritokraci, ashtu edhe ministrja e arsimit, znj. O. Manastirliu, në të gjitha emërimet në MAS, ka vendosur vetëm njerëzit në lidhje të ngushtë me të. Emërime të bëra pa transparencë, pa profil formimi profesional, madje pa lidhje me arsimin e pa procedura, por vetëm përmes makinacioneve ligjore. Këto emërime të ministres së Arsimit, të vetmen karakteristikë kanë rolin e shërbëtorit të besuar të ministres dhe besueshmërinë partiake.
Ndaj gjendemi sot në mes të një tjetër katastrofë të sistemit arsimor, ku ashtu si Shëndetësi shkëlqejnë të zezat dhe korrupsioni.
Sot zyrën vendore arsimore në Tiranë e drejton znj. Bora Salaj, laborante për nga arsimi, që më parë ka punuar si drejtoreshë e operatorit të kujdesit shëndetësor – është emëruar pa konkurs, pa meritokraci, por vetëm si e besuara e saj. Madje edhe pagën zonja në fjalë e merr jo në përputhje me pozicionin e punës – pasi e vlerësonte jo të denjë pagën sipas organikës për këtë funksion.
Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Tiranë (DRAP) pritet të emërohet z. B. M. – një tjetër nëpunës i operatorit qendror shëndetësor, që aktualisht mban postin e zv./drejtorit, një tjetër person që s’ka kurrfarë lidhjeje me arsimin, por është i besuari i ministres dhe i parties, dhe besueshmëria partiake për ministren i zëvendëson të gjitha meritat që duhej të kishte në të vërtetë.
Sa i takon një institucioni tjetër të rëndësishëm, i ristrukturuar së fundmi si AKAP (Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar), ai pritet t’i jepet të besuarës së ministres, znj. M. K. e cila ka mbajtur për vite me radhë postin e drejtores së shërbimit social të Tiranës. Cila është lidhja e kualifikimit të zonjës në fjalë dhe përvojës së saj në punë me institucionin e rëndësishëm që pritet të drejtojë? Më gjeni qoftë dhe një lidhje të tillë? Asnjë pikë të përbashkët nuk e ka.
Sot, nën autokracinë Rama, arsimi, në vend që të ishte një e mirë publike dhe në shërbim të zhvillimit të vendit, më drejtimin inkompetent dhe të korruptuar që në qelizë, më një sistem rekrutimi nga ana e burimeve njerëzore vetëm mbi bazë lidhjesh nepotike dhe partiake është kthyer në mallkim për të rinjtë e të rejat e për familjet shqiptare!
OECD (Organizata për zhvillim e bashkëpunim ekonomik) vëren se qeveria shqiptare në Objektivat globalë të zhvillimit të qëndrueshëm, 2030 ka bërë hapa pas në sektorin e arsimit, me rënie të thellë të normave të regjistrimit në parashkollor dhe fillor dhe mbështetjen e ulët financiare nga shteti.
E paimagjinueshmja ka ndodhur: sot në Shqipëri janë 750 shkolla të mbyllura dhe 280 mijë nxënës më pak gjatë viteve të rilindjes.
Menaxhimi, për të thënë më paktën, skandaloz i sistemit arsimor, korruptimi, mosmbështetja buxhetore nga ana e shtetit, mohimi i statusit të mësuesit, reforma kurrikulare e dështuar, kanë përftuar një sistem të tërë të kalbur së brendshmi e së jashtmi, ka zbuar inteligjencën, ka çuar në atë që quhet ikje e trurit dhe është një nga faktorët më kryesorë edhe të shpopullimit masiv që i ka dhënë të shtyrën fatale tashmë gjithë kombit shqiptar për në fund të greminës.
OECD thekson se “Një shoqëri e arsimuar është baza për zhvillimin e qëndrueshëm në të ardhmen, ndaj rënia e nivelit arsimor në vend është një ogur i keq për të gjithë fushat e zhvillimit social dhe ekonomik në të ardhmen.”