Sterilizimi/ Berisha: Beqaj përvetësoi investimet e bëra me fondet e Bankës së Këshillit të Europës

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur në foltoren e Kuvendit shprehu falënderimin për Bankën e Këshillit të Europës dhe për të gjitha angazhimet dhe projektet e saj në Shqipëri.

Berisha tha së kërkon që të informojë Bankën e KE se Shqipëria është vrima e zezë për fondet e saj, pasi investimet e saj të cilat shkojnë për investime spitalesh dhe aparatura moderne u shpërdoruan nga ministri Beqaj.

Berisha tha se, sterilizimi, i quajtur vjedhja e dytë më e madhe e shekullit i ka pikërisht rrënjët e saj nga ministri Beqaj, duke blerë me kredinë e kësaj banke aparaturën e sterilizimit 1.7 milionë euro.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, me kontratën e firmosur nga Ilir Beqaj përreth 100 milionë euro në 10 vite, në 5 vite janë shpenzuar dhe i janë paguar kompanisë së tij 76 milionë euro.

“Ilir Beqaj me kushëririn e tij, Byrazerin, deklaruan se koncesioni do të ulte me katër herë çmimin e sterilizimit në krahasuar me atë që bëhet në shtet. KLSH, auditet e pavarura, kanë provuar se çmimi i sterilizimeve, krahasuar me atë që ishte para koncensionit u rrit me 80 herë”, u shpreh Berisha në fjalën e tij në Kuvend.

Berisha tha se, Prokuroria Felaj e Tiranës në një akt kriminal të pashembullt, shpalli plagosje të lehtë, çarjen e kockës frontale dhe parietale dhe thyerjen e ulnës te një qytetar nga fisi Rraja.

FJALA E PLOTË

Zonja deputete. Zotërinj mbatharak që braktisni seancën se jeni në parlament që keni frikë nga vetja. Jeni deputetë që keni frikë nga vetja juaj, nuk kryeni seanca.

Rrogat i dyfishuat për veten tuaj, dhe pastaj ia mbathni nëpër mejhane dhe kazino.

Së pari, dua të falënderoj Bankën e Këshillit të Europës për të gjithë angazhimin e saj dhe projektet e saj në Shqipëri, të cilat janë dëshmi e një interesi të veçantë të këtij institucioni dhe të KE, për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët në zgjidhjen e problemeve madhore sociale, shndëtësore, arsimore të cilat janë të natyrshme.

Por sot, unë dua të informoj Bankën e KE, bordin e guvernatorëve të saj se Shqipëria është vrima e zezë e fondeve të saj. Se investimet e kësaj banke jashtëzakonisht të dobishme dhe nevralgjike në ndërtim spitalesh, në pajisje më aparatura më moderne në sistemin e mjekësisë, u shpërdoruan si në asnjë vend tjetër të Europës, duke krijuar ministri Beqaj sipërmarrjen e tij private.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Ajo që quhet vjedhja e dytë e shekullit, ajo i  ka rrënjët në përvetësimin e Ilir Beqajt, si ministër të një investimi jashtëzakonisht të rëndëshishëm, ndërtimit të spitalit të Urgjencës dhe diagnozës, një kat të plot të tijin për sipërmarrjen me muratorin Rrapaj, dhe përvetësimin për sipërmarrjen e tij të aparaturës ultramoderne të sterilizimit të blerë me kredinë e kësaj banke 1.7 milionë euro.

Ajo që është po kaq dramatike, se me kontratën e firmosur nga Ilir Beqaj përreth 100 milionë euro në 10 vite, në 5 vite janë shpenzuar dhe i janë paguar kompanisë së tij 76 milionë euro.

Sterilizimi pra, kontrata u shoqërua me faljen nga Ilir Beqaj për kompaninë e tij të impiantit ultramoderne të sterilizimit, dhe të një kati të tërë të spitalit të ri të ndërtuar me fondet e Bankës Europiane të KE.

Ilir Beqaj i amnistuar në mënyrën më të papërgjegjshme nga SKAP-i i partisë me urdhër të Edi Ramës, është personi që përzgjodhi byrazerin, kushëririn e tij të parë me mbiemër Byrazeri, për të bërë studimin e leverdisshmërisë.

Ilir Beqaj me kushëririn e tij, Byrazerin, deklaruan se koncesioni do të ulte me katër herë çmimin e sterilizimit në krahasuar me atë që bëhet në shtet. KLSH, auditet e pavarura, kanë provuar se çmimi i sterilizimeve, krahasuar me atë që ishte para koncensionit u rrit me 80 herë.

Ilir Beqaj, dhe jo vetëm ai. Po ku është kjo, iku kjo Manastirliu. Ilir Beqaj dhe Manastirliu. Ku janë këto minsitret, zonjë? Ulusi, po ti, hiqe atë tabelë dhe shkruaje aty Eliza Fali. Emri i saj i ri do të jetë sot e tutje, Eliza Fali, jo Pali. Pali, vazhdojmë.

Pra, u rrit 4 herë më shumë se në Gjermani, për të vjedhur bashkë me byrazerin e tij, Ilir Beqaj. Vetëm për promovime dhe testime nga 40 mijë euro që ka shpenzuar, ka deklaruar se janë shpenzuar 6 milionë euro. Për të vjedhur me sete, ka deklaruar si të shpenzuara për operacion, 400 milionë lekë, të cilat janë abuzuar duke shpallur lindjet normale me ndërhyrje cezariane, të pabëra asnjëherë.

Pra, është një seancë kjo në të cilën duhet të dënoni, sikundër do ta mbyll me dy probleme madhore.

Prokuroria Felaj e Tiranës në një akt kriminal të pashembullt, shpalli plagosje të lehtë, çarjen e kockës frontale dhe parietale dhe thyerjen e ulnës te një qytetar nga fisi Rraja.

Kjo është ndërhyrje direkt e Edi Ramës dhe Taulant Ballës dhe është një akt kriminal.

Dënoj sot me forcën më të madhe mega-mashtrimin publik.

Sot Rrumbullaku në sqetullën e Ramës, u thotë shqiptarëve se në një ditë u arrestuan 200 trafikantë.

I kërkoj këtu nga parlamenti të nxjerrë emrat, ose seancën tjetër do të quhet 200 herë gënjeshtar. Të nxjerrë emrat e të arrestuarve, të nxjerrë grupet se thotë 23 grupe.

Pra, e kuptoni ju propagandën Rama-Balla të mashtrimit dhe mbulimit të krimit me shifra të rreme.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale