Statistikat e Eurostat/ Berisha: Rroga minimale nuk rritet, kurse çmimet janë stratosferike! Nuk është çudi që të shpërthejë morri dhe zgjebja me këto çmime. Narko-eurot e shkatërruan ekonominë familjare!

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar stanjacionin e pagës minimale në Shqipëri që prej ardhjes së Edi Ramës në pushtet në vitin 2013. Në një konferencë për gazetarët nga selia blu, Berisha theksoi se rroga minimale ka mbetur aty ku ishte, ndërkohë që kreu i SPAK, Altin Dumani, e ka rrogën 7 mijë euro, pra 15 herë më të lartë.

Lideri i opozitës u ndal edhe tek çmimet stratosferike të produkteve bazë, duke vënë në dukje se ndër të gjitha vendet evropiane, Shqipëria ka pagën minimale më të ulët, ndërsa rrogat e larta të zyrtarëve janë të jashtëzakonshme dhe të papërballueshme për qytetarët e thjeshtë.

Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeverinë se nuk ka rritur pagat minimale që nga viti 2023, duke theksuar se çmimet e produkteve të përditshme, si ilaçet për larje dhe djathi, janë dy deri tre herë më të shtrenjta se në vendet e tjera. Ai paralajmëroi se kjo situatë mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore dhe higjienike për qytetarët, duke e krahasuar krizën me epideminë e zgjebës në vitin 1992. Sipas tij, qeveria duhet të ndërmarrë veprime urgjente për të rritur pagat dhe për të përballuar kostot e larta të jetesës.

Kreu i Partisë Demokratike shtoi se “narko-eurot kanë shkatërruar ekonominë shqiptare, duke goditur rëndë financat e familjeve dhe duke krijuar papunësi masive”. Ai akuzoi kryeministrin se “Edi Rama mendon vetëm për pasurimin e tij personal, ndërkohë që qytetarët përballen me varfëri dhe paga minimale ndër më të ulëtat në rajon”.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha solli gjithashtu në kujtesë një bisedë me një ambasador amerikan, i cili i kishte thënë se “oreksi për korrupsion rritet gjithmonë, sa më shumë pasuri të përfitojë një politikan”. Ai shtoi se rritja e fundit e pensioneve është qesharake, nga 3 mijë deri në 6 mijë lekë, ndërsa vetë kryeministri gëzon një pension prej 4 mijë eurosh.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha akuzoi Ramën se “po bën gjithçka që të mbyllë kanalet e komunikimit dhe zërin e opozitës”, por paralajmëroi se “do të dështojë edhe në këtë nismë të tij”. Ai e krahasoi gjithashtu autonominë vendore nën qeverisjen e Ramës me periudhën e diktaturës, duke thënë: “Edhe në diktaturë pushteti vendor ishte më i decentralizuar se sa me Ramën. Pas çdo kg pleh, sheh diçka për të futë në xhep”.

FJALA E PLOTE

Eurostat jep lajmin damkosës për ekipin drejtues të narkoshtetit shqiptar.

Shqipëria është sot vendi me hendekun më të madh midis rrogave maksimale dhe rrogës minimale të qytetarëve shqiptarë.

Eurostat konstaton se rroga minimale në Shqipëri nga viti 2023 gjer sot ka mbetur aty ku ishte, 408 euro.

Ndërkohë rroga maksimale në Shqipëri, paga neto e Altin Troplinit është 7 mijë euro. Është 15 herë më e madhe se paga minimale.

Ndërkohë që rroga minimale nga viti 2023, siç deklaron Eurostat, është gjithsej 408 euro, rrogat e larta janë rritur me 30-40 përqind.

A mund të imagjinoni ju që Edi Rama përcaktoi pension minimal për veten e tij, pensionin 4 mijë euro. Përcaktoi pra pension 10 rroga minimale.

E imagjinoni ju se çfarë pashpirtësie dhe amoraliteti i plotë.

Para jush me dhjetëra e dhjetëra herë kam denoncuar hendekun e madh midis rrogave minimale dhe rrogave maksimale.

Ky hendek në Shqipëri është ndër më të thellët në botë. Në Europë po e po, por në botë.

E thashë, Altin Troplini merr sa 15 rroga minimale.

Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo.

Këto janë parime çnjerëzore të përcaktimit të pagave.

Por prisni, ka edhe tjetrën.

Kjo tabelë, ky grafik, çfarë tregon?

Tregon se ndër të gjitha vendet evropiane, Shqipëria ka pagën minimale më të ulët.

Ndërkohë që Shqipëria ka pagën maksimale, asnjë njeri në Ballkan, asnjë president, asnjë kryeministër, asnjë gjykatës, asnjë prokuror nuk merr rrogën e Altin Troplinit.

Jo, nuk i merr 7 mijë euro.

Rroga 7 mijë euro nuk njihet në Ballkan.

Por ku është problemi tjetër?

Në qoftë se nga viti 2023 në vitin 2025, rroga minimale nuk janë rritur, thotë Eurostat- mos dëgjoni gënjeshtrat e Edi Ramës dhe INSTAT-it të Edi Ramës- nuk janë rritur thotë, çmimet janë stratosferike.

Pyesni ju një amvisë, shkon dhe blen ilaçin për lavatriçe 35 euro pakon, në një kohë kur në Gjermani DASH shitet me 17-18 euro.

Shkoni blini djathin. Jo, pse mora këtë, ju garantoj se me këto çmime, do plasë morri në të katër anët e vendit. Dhe zgjebja.

Kush është ai që mund të lajë?

Kjo është një çmenduri mo.

Në qoftë se ti e shet ilaçin larës me 35 euro…

Domethënë, çfarë do hanë njerëzit nëse blejnë në këtë mënyrë.

Jo, nuk e dini ju këtë. Kthehemi në vitin 1992.

Shqipëria përjetoi epideminë e zgjebes në mbarë vendin.

Nuk mund ta blejë ai më. 35 euro për një DASH pluhur.

Shikoni djathin, e keni tre herë më shtrenjtë se në SHBA. E keni dy herë e gjysmë më shtrenjtë se në Greqi.

Po këto janë gjërat më elementare.

Pra, rroga minimale mbetet ajo, në një kohë kur të gjitha mjetet e higjienës, të gjitha produktet ushqimore rriten mbi mesataret e çmimeve në BE.

Kjo është e vërteta.

Narko-eurot e shkatërruan ekonominë dhe godasin shumë rëndë ekonominë familjare, krijojnë shpunësim masiv dhe qeveria, Edi Rama mendon se si të pasurohet çdo muaj edhe më shumë.

E kam treguar njëherë, do e tregoj edhe 100 herë, atë që më tha pak vite më parë një ambasador i shquar i SHBA në Vjenë.

Pati një takim këtu me një zyrtar shumë të lartë, e pyeta se si t’u duk ai në atë takim: ç’të të them, më tha, kam pasur klientë, jo një, por disa, që kishin vjedhur nga një miliard, por nuk ishte asnjëri prej tyre që nuk donte të vidhte miliardin e dytë.

Se problemi është sa më shumë të vjedhësh, aq më shumë të shtohet oreksi për të vjedhur.

Kjo është.

A e morët vesh ju sa rriten pensionet në tetor? 3 mijë gjer në 6 mijë lekë. Kaq është rritja.

Për vete ka vënë ligjin, kryeministri e ka pensionin 4 mijë euro.

Presidenti e ka 3500 euro.

Por problemi është i tmerrshëm, problemi është tek këta njerëz, sepse kjo nuk shpreh vetëm rrogën minimale të sektorit shtetëror, kjo shpreh rrogën minimale të shtetit, të vendit, se kur qeveria rri me një rrogë të tillë minimale, sipërmarrësi rri dhe rri.

Programi ynë ishte shumë i qartë, ishte i menjëhershëm.

A e dini ju sa është diferenca e rrogës minimale me rrogën minimale në vendet e Ballkanit?

Rroga minimale në Shqipëri është 34 përqind më e ulët se në vendet e Ballkanit.

Maqedonia e Veriut e ka 584 euro, Serbia e ka 618 euro, Mali i Zi e ka 670 euro.

Pra çdo punonjës në Malin e Zi merr 262 euro më shumë se në Shqipëri si rrogë minimale.

Çfarë ka Mali i Zi? As një të dhjetën e pasurive që ka Shqipëria. Asnjë prej këtyre vendeve nuk e kanë.

Por kanë një gjë, që nuk vidhen. Qeveritë e tyre janë si janë, me shumë problematika, por nuk vjedhin popullin e tyre siç vjedh Edi Rama me Lubinë.

Urdhëroni. Vodhën 50 milionë tunelin e Llogarasë, tani duan të vjedhin 60 milionë në aeroportin e Vlorës.

Nuk kanë të ndalur në asgjë.

Shqiptarët nuk kanë pse të pranojnë të jenë më të keqpaguarit në Europë.

Shqiptarët nuk kanë kurrë pse të pranojnë këtë qëndrim prej shpirtkazme të qeveritarëve që përcaktojnë për vete rrogat më të larta në Europë në raport me rrogat e ulëta.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Isa Myzyraj, OraNews: Gjatë fjalës tuaj përmendët prokurorin e SPAK, Altin Dumani. Ditën e djeshme Dumani ka takuar në Departamentin e Shtetit, shefin për çështjet Europiane dhe EuroAziatike duke u bërë personi i parë shqiptar, që takon një nivel kaq të lartë të administratës Trump. Keni ndonjë koment?

Sali Berisha: Nuk kam asnjë dijeni se kë ka takuar dhe kë nuk ka takuar. Ajo ç’ka mund të ju them mu, Altin, ti i thua Dumani, me njoftimin që i bëri Elvis Doçit, ai nuk quhet më Altin Dumani, por quhet Altin Troplini.

Isa Myzyraj, OraNews: Në fakt tek njoftimi i DASH ishte Altin Dumani.

Sali Berisha: Dakord, nuk kam dijeni, nuk kam parë një komunikatë për takimin.

Isa Myzyraj, OraNews: Me gjasë PS është duke shkuar drejt shkrirjes së Komisionit të Integrimit që është drejtuar nga opozita dhe për ta bashkuar me Komisionin e Jashtme për tu drejtuar nga PS. A ka PD një koment për këtë, sepse edhe kjo pak hapësirë që ju keni në Parlament është duke u marrë nga duart dhe ju nuk keni reaguar. Ka reaguar BE ditën e djeshme.

Sali Berisha: Edi Rama bën gjithçka që të mbyllë kanalet e komunikimit dhe zërin e opozitës. Por të garantoj që është i dështuar dhe do të dështoj.

Zëri i opozitës, pavarësisht se do kryesojë apo jo, këtë apo atë komision, do të jehojë më fuqishëm se kurrë ndonjëherë kundër këtij narkodiktatori dhe regjimin e tij.

Isa Myzyraj, OraNews: Po e bëj këtë pyetje sepse përgjigja juaj është në terma përgjithësues. Çfarë konkretisht ka në plan të bëjë PD për ta ndalur PS-në të ua heq komisionet opozitës sepse terma të përgjithshëm kemi dëgjuar prej 12 viteve të fundit.

Sali Berisha: Partia Demokratike do i shqyrtojë. Këto që thoni ju, qarkullojnë, por PD nuk ka një gjë zyrtare. Përgjigja ime vërtetë ishte e përgjithshme, por ishte dhe konkrete. Këto do jenë qëndrimet tona.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Edi Rama prezantoi sot projektin më të ri të qeverisë, për Operatorin Kombëtar të Ujit. Cili është qëndrimi i PD rreth strategjisë së re të PS-së, pas zgjedhjeve dhe, a mendoni se do ti japë kjo zgjidhje, problemeve të përvitshme për keqmenaxhimin dhe mosfunksionimin e ujësjellësave në vend.

Sali Berisha: Çdo ditë, fatmirësisht që në Shqipëri vijnë mijëra e mijëra turistë dhe miliona, por Maldiveve të Europës i doli kallaji.

Çdo ditë e më keq, Shqipëria paraqitet si vendi i gjirizeve, vendi i mungesës së madhe të ujit, ndonëse vendi më me ujëra në Europë dhe Edi Rama pasi shpenzoi 400 mln dhe e quajti reformën e të gjitha reformave, atë të plehut, u katandis si gjel mbi pleh, duke paraqitur para pak ditësh, një alternativë krejt tjetër, pa djegës dhe incenerator, ndonëse e garantoj se flakët e djegësit të Tiranës, do ta ndjekin gjithë jetën atë.

Tani, doli Agjencia Kombëtare e Ujit. Përpara ka patur një Këshill Kombëtar. Këshilli Kombëtar i Ujit është këshilli i cili përcakton reformën, por siç është ent rregullator, siç është edhe për Energjinë Elektrike.

Edi Rama pasi e shkriu Këshillin dhe e emëroi veten, kryetar të Këshillit Kombëtar të Ujit, tani mesa duket do të shkrijë, do ta marrë përsipër me një agjenci në mënyrë që ato para të ujësjellësve ti vjedhin vetë dhe të mos i vjedhin kryetarët e bashkive.

A ka gjë më qesharake, më të turpshme që të dëgjosh një kryeministër se ujësjellësat, një kryeministër që ka 12 vjet që qeveris, se ujësjellësat janë mbushur me të paaftë dhe militantë. Kush ja mbushi me të paaftë dhe militantë? Opozita.

Në këtë mënyrë narkoshteti po degradon dhe po copëtohet në mënyrë të pashmangshme. Po reduktohet në një person i cili beson se, ka të gjitha aftësitë, në fakt nuk është gjë tjetër, veç një hajdut ordiner që zhgarravit gjithë ditën dhe nuk ka absolutisht asnjë haber, as nga qeverisja as nga politika, por që shkon nga një vend në një tjetër, thashë dhe njëherë si zhgarravitës.

Të mendosh se, tu heqësh bashkive atributet më themelore, furnizimin me ujë dhe pastrimin e qytetit, zgjidhjen e depozitave, do të thotë se je njeriu më i pangopur, që edhe pas çdo kilogrami pleh, sheh diçka të fusësh në xhep.

Si mundet më thoni ju mua. Por ky ka parasysh ministrinë e Enver Hoxhës. Megjithatë ju garantoj se, decentralizimi i pushtetit vendor gjatë diktaturës, ka qenë absolutisht më i madh shumë se sot, më i madh. Një fshatar për të ndërtuar një shtëpi, paraqiste në Komunitet Ekzekutiv ose në lokalitet, dokumente dhe merrte lejen. Shtëpinë do ta ndërtonte brenda vijës së verdhë, që ishte plani urbanistik i diktaturës. Brenda vijës së verdhë, nuk paguante kujt, të jem i sinqertë me ju, askërkujt, asnjë gjë, përveç projektit, ndonjë inxhinier që mund të bënte.

Kurse sot, sot a e dini ju që është dhjetëfishuar, ua them me përgjegjësi të plotë, rryshfeti për një ndërtim, që kur e ka marrë Edi Rama në varësi dhe çdo ndërtim duhet të marrë firmën e tij. Çdo ndërtim.

Ua tregova historinë e një të njohuri tim që bleu dy motorra uji. Bleu motorët e ujit, të fitojë të paktën gjatë verës. Shkoi në kapitenerinë e Durrësit mori lejen. Shkoi në portin e Durrësit, mori lejen. Shkoi në bashkinë e Durrësit, mori lejen. Jo i thanë, duhet edhe nga qarku tani. Shkoi tek qarku, pagoi, mori lejen. Jo i thanë, duhet një leje nga ‘x’ drejtori në ministri. Shkoi dhe atje, pagoi, jo i thanë duhet edhe një firmë e asaj ministres.

Këta janë të shpërfytyruar. Pra kjo është, ndaj dhe sot nuk ka ministër që ka ndën 50 mln euro pasuri. Minimumi.

Anisa Kadesha, RTSH: A keni përcaktuar ndonjë datë kur do të mblidhet grupi i ri parlamentar për të përcaktuar aksionin politik të opozitës në Kuvend.

Sali Berisha: Shumë shpejt do e caktojmë! Shumë shpejt.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale