FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha në konferencën e mbajtur me gazetarët ka denoncuar Korporatën e Investimeve Shqiptare, duke e cilësuar atë si një mekanizëm për shpërdorimin e pronave shtetërore nga kryeministri Edi Rama dhe drejtuesja e saj, Elira Kokona. Sipas Berishës, vendimi qeveritar nr. 127, datë 16.3.2024, i jep korporatës autonomi të plotë për të dhënë me qira, shitur ose përdorur si kolateral pronat shtetërore, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet për prokurimet publike dhe pronësinë. Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe rrethin e tij për manipulim të procesit, duke i lejuar të tjetërsojnë çdo pronë shtetërore sipas dëshirës.
Berisha solli në vemendje projekte të rëndësishme si Biblioteka Kombëtare, rezidencat qeveritare në Vlorë, Stadiumi “Dinamo” dhe Pallati i Kongreseve, që po tjetërsohen për interesa private. Berisha kritikoi rolin e drejtoreshës së korporatës, Elira Kokona, duke e quajtur një marionetë që vulos vendime pa kontroll, duke eliminuar mekanizmat e balancës që më parë ishin në dorë të Ministrisë së Financave. Sipas Berishës, ky proces shkel ligjet dhe çon në grabitjen masive të pronave shtetërore.
Kryetari i PD, Sali Berisha paralajmëroi drejtoreshën e Korporatës së Investimeve Shqiptare, Elira Kokona, se çdo vendim i marrë prej saj për tjetërsimin e pronave shtetërore nuk do të njihet dhe do të konsiderohet si vjedhje. Ai e cilësoi këtë proces si një grabitje të pashembullt dhe akuzon qeverinë për shkelje të ligjit mbi pronat. Berisha garantoi pronarët se vendimet e kësaj agjencie nuk do të kenë vlefshmëri dhe se të gjithë ata që përfitojnë nga ky proces do të ndëshkohen. Ai e krahasoi këtë situatë me mbretëritë absolute, ku pasuritë kombëtare trajtoheshin si pronë private e sundimtarit, duke e dënuar këtë veprim si aktin më skandaloz të 32 viteve të fundit.
Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi që komunitetet do të autorizohen të ndërtojnë mikrohidrocentrale për prodhimin e energjisë elektrike falas, pa taksa. Qeveria e ardhshme do të financojë gjithashtu instalimin e paneleve diellore në banesa, me kusht që për tre vitet e para familjet të paguajnë të njëjtën shumë që shpenzojnë aktualisht për energjinë elektrike. Pas kësaj periudhe, energjia do të jetë pa pagesë. Berisha theksoi se Shqipëria do të bëhet një superfuqi energjetike rajonale dhe qytetarët do të jenë përfituesit kryesorë. Po ashtu, Berisha foli mbi planifikimin e gazifikimit të qyteteve dhe shfrytëzimin e rezervave të gazit nga TAP për prodhimin e energjisë.
Kryedemokrati, Sali Berisha u bëri thirrje nxënësve dhe studentëve të protestojnë më 15 mars kundër vendimit për censurimin e TikTok-ut, duke e quajtur këtë akt një hap drejt diktaturës. Berisha iu drejtua të rinjve që të bojkotojnë mësimin, duke munguar në orën e parë të hënën si një formë greve kundër censurës. Berisha siguroi se askush nuk do të ndëshkohet për këtë veprim dhe u kërkon prindërve të mbështesin fëmijët e tyre në këtë protestë.
Berisha deklaroi para gazetarëve se Rama do të ekstradohet në SHBA pas 11 majit. Ai theksoi se dosja McGonigal është duke ecur dhe se Rama do të përballet me pasojat e veprimeve të tij, duke shtuar se mund të përballet me një gjyq të përbashkët ose të ekstradohet për të gjykuar atje ku ka kryer krimet. Berisha përjashtoi mundësinë e udhëtimit të tij personal në SHBA para kësaj date.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzou kryebashkiakun e Tiranës nën akuzë, Erion Veliajn dhe figura të tjera të lidhura me qeverinë për korrupsion dhe për lidhje me të burgosurit. Berisha tha se Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”, ka vizituar Veliajn në burg, duke diktuar një kod për të ndihmuar në mbrojtjen e tij. Berisha denoncoi gjithashtu se ka pasur përpjekje për të fshehur lidhjet dhe korrupsionin, duke theksuar se këtë informacion e kanë mbështetur burime të besueshme. Kryedemokrati, Sali Berisha ftoi ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja të mohojë këto vizita dhe akuzat, ndërsa kërkoi hetime të thelluara për këto veprime të dyshuara.
FJALA E PLOTË
Jam sot për të denoncuar një nga aktet më antikushtetuese, piramidën më të madhe të vjedhjes dhe mashtrimit në tërë historinë e vendit, Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila është krijuar me destinacionin për menaxhimin e investimeve si pronare publike mbi bazën e një ligji thellësisht antikushtetues.
Me një vendim qeverie 127 të datës 16.3.2024, për përcaktimin e procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira amfiteoze dhe përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare, të cilat i ofrojnë korporatës autonomi të plotë, në administrimin e pronave shtetërore, përfshirë dhënien me qira amfiteozë, shitje, përdorim si kolateral dhe zhvillimin e projekteve përmes procedurave specifike të konkurrencës dhe negocimit të drejtpërdrejtë.
Pra, kemi të bëjmë me dorëzimin e të gjitha pronave të vlefshme shtetërore në duart e kryeministrit Eid Rama dhe të një mafiozeje par excellence që quhet Kokona, që ka qenë në zyrat e kryeministrit.
Tani ajo drejton Korporatën e Investimeve Shqiptare.
Sipas vendimit të Edi Ramës, Kokona ka tagër të bëjë në kundërshtim me çdo kriter ligjor, në kundërshtim flagrant me ligjet e prokurimeve publike, në kundërshtim flagrant me ligjin e pronave, i cili përcakton në mënyrë taksative se në momentin kur një pronë shtetërore tjetërsohet, i kalon vetvetiu pronarit.
Në kundërshtim me Kushtetutën, e cila e shpall të drejtën e pronës të drejtë të pacenueshme, Edi Rama ka gjetur një pëllumbeshë, se u bë famoze kjo Eliza me atë punën e Pëllumb Gjokës, ka gjetur një tjetër si kjo, me të cilën tjetërson çdo pronë shtetërore sipas dëshirës, urdhrit të Edi Ramës.
Mbi bazën e këtij ligji dhe të këtij vendimi, Edi Rama dhe Olsi Rama mund të marrin çdo pronë që dëshirojnë në kryeqytet dhe kudo në Shqipëri.
Konkretisht, prona, godina e re e Bibliotekës Kombëtare, rikonceptim i rezidencave qeveritare në Vlorë, të dini ju betejën e Edi Ramës me kushërinjtë për rezidencat në Vlorë, ka kufi vetëm qiellin.
E keni dëgjuar ju një kushëri që thotë më grabiti pronën, jo ky që e bëri prefekt, një kushëri tjetër thotë më ka marrë pronën mua.
Një kushëri e akuzon Ramën se i ka marrë pronën dhe tani del se Rama fut në hyqmin e vet personal, se kjo Kokona është thjesht një marionetë, është e njohur kjo, njeri problematik, do marrë konceptimin e rezidencave qeveritare në Vlorë.
Aty do ndërtohet kompleksi i rezidencave të mafies më të rrezikshme të Europës.
Stadiumi Dinamo, rikonceptim, shndërrohet në kulla.
Nuk kursehet as Pallati i Kongreseve, jo, jo, iku.
Urdhëroni, janë 17, për të mos vazhduar gjer në fund.
Kadastra shqiptare, ndërtimi i kompleksit guvernativ në bulevardin Zhan D’ark.
Do ndërtojmë një kompleks qeveritar tjetër, ky që është, është nga komplekset më monumentale në Europë, absolutisht ndër më të bukurit, por nuk ka se do vjedhin, do vjedhin, do vjedhin.
Ai është kompleks i njërit prej arkitektëve më të mëdhenj të kohës dhe tani duhet të ndërtojmë një tjetër për të vjedhur Edi Rama me klanin e tij.
Janë të detyruara t’i dorëzojnë Kokonës pronat, Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Infrastrukturës, agjencia kombëtare e ujësjellës-kanalizimeve, autoriteti i aviacionit civil, kudo ku i ka vënë ky syrin pronave, janë të detyruar për t’i dorëzuar.
Janë prona të kësaj drejtoria.
Është plotësisht normale që qeveria mund t’i lëshojë, por duhet t’ua japë pronarëve. Qeveria nuk mund t’ua japë kurrë të tretëve.
Ligjet e vendit janë këto. Ky faktikisht çrrënjos me këtë vendim qeverie çdo gjë.
Pra, e tëra prona shqiptare e vlefshme, de facto shndërrohet në pronë të klanit më të rrezikshëm të Europës, klanit Rama.
Se si një agjenci e vetme, mund të bëhet edhe pronare, edhe shitëse e pronës, kjo nuk ka ekzistuar kurrë.
Ka një check and balance, ky mekanizëm shuhet.
Pronari i pronareve në Republikën e Shqipërisë ka qenë Ministria e Financave.
Pronat që i kanë pasur dikasteret e tjera, ato kanë marrë vendime për to, por gjithnjë pas miratimit nga Ministria e Financave, që ka qenë një kontroll i fortë.
Kurse tani zonja Kokona shkruan vetë, vulos vetë, vendos vetë. Tejkalon kjo gjë çdo imagjinatë.
Kjo është një vjedhje e përmasave të paimagjinueshme.
Këto çështje janë ngritur edhe nga mediat në mënyrë të përsëritur.
Por ka një heshtje totale se çdo aferë korruptive e Edi Ramës nuk mund të hetohet në këtë vend.
Tani, jam këtu për të paralajmëruar Kokonën se në mënyrë absolute do mbajë përgjegjësinë më të rëndë për çdo metër katror tokë apo pronë tjetër që do ta trajtojë bazuar në vendimin e Edi Ramës për të vjedhur pronat dhe për të caktuar atë në krye të agjencisë.
Jam këtu për të deklaruar publikisht se asnjë përfitues nga vendimet antiligjore të kësaj agjencie të vjedhjes së pronave, nuk do njihet, por do ndëshkohet rreptë si bashkëvjedhje publike, private e pronës shtetërore.
Prona, në çdo vend ka rregullat, ligjet e menaxhimit, administrimit, shitjes, etj.
Në këtë vend, çdo vendim për tjetërsim të pronës publike, ligji i pronave ia kalon automatikisht atë privatit.
Kjo që ndodh është një grabitje, një plaçkitje e paimagjinueshme.
Garantoj pronarët se nuk do njihet asnjë vendim i marrë nga kjo agjenci dhe nga kjo zyrtare, e cila ka qenë asistente e Don Agaçios. Pasi bëri shkollën e Agaçios, u lartësua në drejtoreshë të kësaj korporate.
Është skandaloze, është unike, është jashtë çdo lloj koncepti.
Këtë mund ta kenë vetëm mbretëritë absolute, ku toka, deti, ajri janë pronë e mbretit.
Pas këtyre mbretërive, kush në botë një agjenci të tillë nuk e ngre. Ato, po, se kanë një ligj ata, ne e kemi pasur 500 vite atë ligj, që toka, ajri dhe ujërat janë pronë e perandorit.
E dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe, gjë e paimagjinueshme.
Është akti më skandaloz i 32 viteve.
PYETJE-PËRGJIGJE
Bekim Bici, Top News: Z.Berisha, do të ndalesha te programi juaj që keni paraqitur para disa kohësh, dhe prej dy ditësh jeni ndalur dhe te programi energjitik i PD. Ju jeni shprehur se do ta risillni Shqipërinë në planin e superfuqisë rajonale për energjinë, por duhet të dimë që një nga problemet kryesore të viteve të fundit kanë qenë ndërtimet pa kriter i HEC-eve, marrja e ujit dhe futja e ujit nëpër tuba, ccka ka sjellë një dëm të konsiderueshëm në jetën e banorëve të shumë fshtrave duke i lënë pa ujë, po ashtu edhe të florës dhe faunës së atyre vendeve. Cila do të jetë zgjidhja e PD, pikërisht lidhur me këtë?
Berisha: Së pari, në qoftë se në mandatin 2005-2013, motoja jonë ka qenë Shqipëria superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon, tani motoja jonë do jetë Shqipëria, superfuqi energjetike rajonale.
Dhe kjo është 100 përqind e realizueshme.
Vijmë te hidrocentralet.
Asnjë përplasje me komunitetet gjatë periudhës sonë për hidrocentralet nuk ka pasur.
Asnjë përplasje!
Pse? Sepse kontratat janë shumë të qarta. Kontratat i japin përparësi komunitetit.
Ti nuk mund të shkosh aty si kuçedër t’ua shterrosh ujin atyre. Jo, ka ligje kombëtare dhe ndërkombëtare që nuk të lejojnë. Por ti lësh aty atë përqindje uji që atyre u mjafton.
Tjetër, kontratat parashikojnë që ti do shfrytëzosh këtë burim uji në stinët vjeshtë e vonë, dimër, pranverë. Mbyllet hidrocentrali në qershor. Dhe e ke të shkruar në kontratë këtë. Në qershor, uji shkon për të vaditur.
Por kur nuk ka shtet, por ka xhep që paguajnë dhe bëjnë pastaj, krijojnë çdo lloj konflikti me komunitetet.
Nuk ka konflikte në 8 vite në pushtet, kemi pasur një konflikt me banorët e Selitës së Vogël dhe atë e kemi zgjidhur në mënyrë tregtare. I kam kërkuar ministrit të kohës, të ndjerit Sokol Olldashi, që t’ua plotësojë atë çfarë kërkon komuniteti.
Kështu që përveç kësaj, ka një fazë tjetër shumë interesante me hidrocentralet.
I garantoj komunitetet se ata do autorizohen të ndërtojnë vetë hidrocentrale të vogla dhe të marrin energjinë falas nga ato hidrocentrale jashtë çdo lloj takse.
Kjo është ajo që thashë, ndërtimi i mikro-hidrocentraleve. Tani ka teknologjia, e fut turbinën në një vijë uji dhe prodhon energjinë e duhur dhe e merr për vete dhe nuk çrregullon as ambientin.
Shqipëria është plot me ujëra. E ka bërë Zvicra këtë para nesh, do autorizojmë mijëra mikro-hidrocentrale, jo për sektorin publik, por për komunitetet.
Aty ku komuniteti do të vendosë turbinën, do e vendosë dhe do marrë energjinë falas.
Tre, qeveria do ndërmarrë investimet më të fuqishme me bankat, por edhe me buxhet, në panelet diellore.
Sot, panelet fotovoltaike kanë rënë në çmime plotësisht të leverdishme. Atëherë çdo familje shqiptare që merr përsipër ta instalojë panelin diellor, do ia instalojë qeveria.
Natyrisht instalimi do ketë një kusht, që për 3 vitet e para, familja do paguajë qiranë që ka paguar për energjinë. Pas tre vitesh do e ketë gratis.
Pra, imagjinoni ju 800 mijë vila dhe banesa me panele fotovoltaike se çfarë fuqie dhe sa miliardë kilovatë orë energji prodhojnë ato në vit.
Ne, nga jugu në veri, do financojmë me përparësi absolute vendosjen e paneleve fotovoltaike.
Tjetër, do bëjmë gazifikimin ne. Gazifikimi është një hap në vetvete drejt zhvillimit.
Komunitetet e gazifikuara, qytetet e gazifikuara kanë një jetesë më të mirë në çdo aspekt.
Tjetër, ne kemi rreth 700 milionë metër kub gaz të drejtë në TAP për prodhim energjie. Do bëjmë gjithçka që të shfrytëzohet edhe metër kubi i fundit për prodhim energjie në Shqipëri.
Pra, në qoftë se ka një projekt që është vërtet 100 përqind i afërt dhe i realizueshëm, është Shqipëria superfuqi energjetike rajonale dhe përfitues absolut numër 1 do jenë qytetarët shqiptarë.
Osman Stafa, Neës 24: Keni lajmëruar ditën e djeshme një protestë në 15 mars pas vendimit të qeverisë shqiptare për mbylljen e Tik Tokut. A mund të na jepni ndonjë detaj më shumë rreth kësaj proteste? Ju keni deklaruar se nëse Rama do e mbyllë Tik Tok dhe nëse fitoni zgjedhjet ju do ta hapni, i qendroni këtij zotimi?
Berisha: Së pari njëherë, protesta e nxënësve, studentëve dhe të rinjve para kryeministrisë me datën 15 do jetë protesta më e bukur, më madhështore që ka parë Shqipëria gjer sot.
Protesta kundër censurës, protesta me të cilën çdo fëmijë i çdo moshe, që ka smartfonin, përballet, del, bëhet luftëtar kundër diktaturës në mbrojtje të TikTokut dhe kundër censurës.
Unë u them këtyre të rinjve se aty ku fillon censura, fillon diktatura.
Ndaj, dhe pavarësisht nga mosha e njomë, ju me aktin tuaj, pjesëmarrjen në protestë, bëheni luftëtarë kundër narkodiktaturës së Edi Ramës, i cili ka një trashëgimi të tmerrshme.
Babai i tij ka firmosur varjen në litar të Havzi Nelës me 10 gusht 1988 vetëm për vargjet që ai shkroi kundër babait të Edi Ramës dhe miqve të tij.
Edi Rama rikthehet tek instinktet e tij atërore sepse ju i keni bërë kritika apo e keni tallur për arrogancën e tij dhe ai tani kthehet dhe e mbyll.
Por unë kam edhe një thirrje tjetër se e shoh që temperatura e kësaj revolte tek të rinjtë po ngjitet me shpejtësi.
Kam një thirrje tjetër, të fillojë bojkoti i mësimeve.
Po, ia vlen.
Të dashur fëmijë, të dashur të rinj dhe të reja, ai që u vë censurën, ai shkelmon mbi të ardhmen tuaj.
Këtu problemi është se një njeri pa asnjë tagër, pa asnjë ligj, kërkon të varë në sheshin ‘Skënderbej’ TikTokun, pse e kritikoni ju, atëherë ju keni të drejtë të filloni grevat dhe greva juaj është të bojkotoni mësimet.
Që ditën e hënë për shembull orën e parë, do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë.
U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët e tyre në shkollë fëmijët të paktën orën e parë si një akt i betejës së fëmijëve tuaj për lirinë e shprehjes dhe kundër censurës.
Atëherë ua lë në dorën tuaj ta çojnë të martën, por doja ta fillonit të hënën me një bojkot të orës së parë.
Dhe u garantoj që nuk do guxojë shkollë apo mësues të marrë masa ndaj jush se do përballet me pasojat më të rrepta ligjore.
E drejta e grevës është e drejtë kushtetuese.
Osman Stafa, News 24: Në fakt, non grata juaj nuk është se po përdoret më nga kundërshtari juaj politik, kryeministri Edi Rama, dhe duke qenë se jemi shumë afër zgjedhjeve, a pret Sali Berisha ndonjë dhuratë nga SHBA-të që mund të ndikojnë në betejën elektorale të 11 majit? A ka mundësi dhe a flitet që z.Berisha të udhëtojë drejt SHBA-ve përara 11 majit?
Berisha: Unë nuk kam një projekt që të udhëtoj para 11 majit drejt SHBA.
Por, siç e keni parë ju, ato ndryshime epokale në SHBA flasin vetë, nuk ka nevojë t’i komentojë Sali Berisha.
Gjarprit iu pre koka.
Edi Rama heq dhe vë fotografitë, bën ‘ëoke culture’ me fotot e Aleksis Soros dhe Xhorxh Soros.
Dosja McGonigal ka filluar të ecë, është në këmbë.
Dy gjëra mund t’u them, në rast se unë nuk kam në plan një vizitë në SHBA, unë u garantoj se Edi Rama do ekstradohet pas 11 majit në SHBA.
Atë e pret ekstradimi. Ose pastaj do vijnë të gjykohen këtu, një gjyq i përbashkët.
Por më shumë të shkojë atje ku ka kryer krimin!
Ermal Rizaj, Syri Tv: Përse z.Veliaj sulmon prokurorin Olsi Dado dhe nuk sulmon Altin Dumanin, i cili ka firmosur edhe ai si Olsi Dado, po në dosjen e Erion Veliajt? Dhe përse z.Veliaj nuk sulmon prokurorët e tjerë, Dritan Prenccin, i cili ka dosjen e inceneratorit dhe Klodian Brahon, që ka dosjen e 5D? Duke parë gjuhën e përdorur dhe frekuencën e postimeve nga z.Veliaj kohët e fundit, keni ju ndonjë informacion, a ka marrë z.Veliaj ndonjë mesazh nga zyrtarë të lartë të lidhur me Edi Ramën?
Berisha: Pse Erion Veliaj nuk sulmon Dritan Prençin, prokurorin e 5D dhe Altin Dumanin, mercenarin?
Natyrisht se këta i ka kolegë.
Rastisi njëri që nuk e ka koleg dhe ai është armik.
Tani, të themi atë që është, këto që ky është akuzuar mbi bazën e letrës së Anesti Ballukut, janë shumë të rënda, pa diskutim.
Dhe ka një dukuri të shëmtuar shumë se tani del Lajla Asadi me 1 milionë euro garderobën, del Ajola Xoxa me 870 mijë euro garderobën.
Por e keni vu re ju, Arbër Veliaj ka marrë 1 milion euro për One, një rrjet komunikimi.
Mirëpo këto që të gjitha i kanë kapërdirë, qoftë Kraja. Kraja ka qenë me Prençin dy javë para se të mbyllej dosja e inceneratorit, se Kraja kishte mbesën shefe të prokurimeve në bashki, edhe nipin po aty.
Pra, këta janë kolegë për Erion Veliajn. Rastisi që Olsi Dado nuk është koleg sepse Olsi Dado, me guximin e vet, me inkurajimin e Lubisë, me shkeljen e syrit të Edi Ramës, ato nuk e di, por ai e lëvizi dosjen.
Ky ka paraqitur para publikut faktet më të tmerrshme që mund të paraqiten. Gjenden topa me 500 euro, 100 e ca mijë euro.
Gjenden 260 mijë euro blerje TVSH.
Gjenden vilat të rrafshuara dhe të parrafshuara dhe ky nxjerr një foto të vjehrrit dhe asnjë dokument e thotë se kjo është vila e vjehrrit?
Ndërkohë që janë dhjetëra dokumente që faktojnë se vila është e Erionit dhe Ajolës.
Tani, Olsi Dado del fajtor se ka qenë në klasë me Argitën, do e pyes Gitën, por ka rrezik të mos ketë qenë..
Dhe thonë se unë, kur doli çështja e Altin Hajrit, e denoncova këtu para jush, por Skapi bëri deklaratë, nuk është Olsi Dado dhe unë i kërkova ndjesë sepse natyrisht nuk mund të besoja se ka gënjyer Skapi. Skapi e dinte atë. Ishte Olsi Çela, atë Skapi nuk e tha se Skapi funksionon me pengmarrje.
Pra, të gjitha këto…
Po, ky është instruksion.
Uluziu shkon para 8 ditësh në burg dhe i përcakton një kuadër të ndryshëm nga të burgosurit e tjerë.
Por tani unë do t’u them shqitparëve se para Uluziut në ora 11 e gjysëm apo 12 të natës, në qelinë e Erion Veliajt, ka shkuar sipas burimeve shumë të besueshme, Poja.
Po, dhe Poja i ka diktuar kodin atij.
Njëlloj siç kam denoncuar takimin me të burgosur qeveritarë të tjera.
Poja është Xhevdet Troplini.
Pra, i çon Pojën Edi Rama. Xhevdeti i thotë 1, 2, 3 po e çele gojën më.
Dhe të nesërmën falenderonte Edi Ramën.
Kjo është histori mafioze.
E ftoj Uluziun të përgënjeshtrojë vizitën e tij në qelinë e Erion Veliajt. Aty janë të gjitha kamerat dhe këto janë të vërtetat për të dy këto vizita të fshehtë.
Tani Ilirjanën e sëmurën, Ilirjana Olldashin, një gjykatëse që duhej të gjykonte Erion Veliajn.
Po Skapi, jo se kjo ka pasur Encrochat por i thonë se dy persona kanë thënë këto për ty, ndaj më mirë largohu nga ky proces. Dhe ajo merr një raport afatgjatë.
Kanë gjetur këtë tjetrin tani për datën 11. Do lëshojë një seri akuzash ndaj meje tani se unë e drejtoj edhe gjykatën, edhe prokurorinë.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Kam një pyetje në lidhje me deklaratat e Edi Ramës. Pak ditë më parë, kryeministri kishte kritika shumë të ashpra ndaj SPAK. Një ditë më parë tha se ka respekt maksimal për Altin Dumanin. Si i komentoni deklaratat e Ramës?
Berisha: Kjo është një linjë e kristalizuar qartë, marrëveshjet Rama-Dumani janë denoncuar nga unë në mënyrë të përsëritur. A ju kujtohet ju. Ka qenë gusht-shtator 2024, kur unë kam denoncuar takimin e tyre në zyrën e kryeministrit, në Dajt, por kanë ndodhur dhe takime të tjera.
Faktikisht, nuk është e rastit që edhe Erion Veliaj vërsulet me të gjithë bateritë. Dosja Veliaj ka dy firma. Firma Dado dhe firma Dumani. Por nëse është firma Dado dhe Dumani, ska diskutim se firma më me peshë është Dumani, se është kryetari. Dhe Dumani në rregullin e tij të brendshëm, ka të drejtë të marrë çështje. Pra Dumani është bashkautor në dosjen Veliaj.
Po si thua, pse nuk ja përmend njëherë emrin Dumanit. Të themi kështu, e urdhëron Dado, Dumanin apo Dumani, Dadon. Kush e ka? Çfarë ndodh këtu. Se këtu ky do të krijojë përshtypjen se Dumani nuk ka dashur dhe ja kanë marrë firmën me zor. Po firmën me zor nuk ja kanë marrë, se nuk shkon deri aty problemi. Ai ka firmosur aty. Ai është bashkautor, por edhe më shumë, se është kryetari i prokurorisë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë.
Në këtë raport, Dado ngjet si ndihmësi i Dumanit, sepse kanë të dy. Nuk është firma e Dumanit në rastin e Ilir Beqajt. Në këtë rast, Dumani bëri një vërejtje për hetimin, të drejtë. Dhe ajo vërejtje ishte e drejtës. Kurse këtu është bashkautor i akuzës, si ta kuptojmë ne këtë. Pra a është kjo një ujdi, akord mes Edi Ramës dhe Altin Dumanit? Nuk mund të them, se nuk e di. Por këta janë takuar periodikisht, se këtu janë dy persona të zi. Më i zi njëri se tjetri, Uluziu dhe Arben Rakipi. Këta të dy janë, bashkë me Ymer Lalën, njerëzit që kontrollojnë Dumanin.
Mariglen Kume, MCNTV: Ju denoncuar agjencinë e zonjës Kokona të parën dhe paralajmëruat biznesmenët se nuk do ti gëzojnë këto prona që do të marrin. A e keni këtë paralajmërim edhe për vëllain e aleatit tuaj, i cili është përfituesi i parë nga kjo Agjenci, tek ish-Atsh dhe pyetja e dytë është, kandidatët e PD-së i vendosët në primare dhe po ashtu kushtin për të bërë lista për emigrantët. Po drejtuesve politikë çfarë kushti i keni vendosur, sepse nuk i futët në primare dhe nuk i kërkuat as lista për diasporën.
Berisha: Ky qëndrim i imi është për cilindo pa asnjë përjashtim në rastin e Agjencisë së Investimeve Strategjike. Në bindjen më të thellë, kjo është veprimtari antikushtetuese, antiligjore, totalisht e papranueshme nga PD. Besoj se e qartë, cilido, nuk përjashtoj asnjë njeri.
Së dyti. Drejtuesit politikë janë drejtuesit politikë të qarqeve, udhëheqin fushatën, organizojnë të gjithë veprimtarinë zgjedhore brenda qarkut. Këto janë detyrat e tyre. Janë marrë intensivisht me fushatën në diasporë dhe kanë pa diskutim meritat e tyre. Pra si drejtues këto kanë qenë detyrimet e tyre.
Tani të vijmë tek momenti tjetër. Janë vendosur në listë të mbyllur thuhet. Për fat të keq, këtë e dikton ligji. Nëqoftëse ligji do ishte tjetër, do ishin si të gjithë të tjerët në një sistem mazhoritar në zonat e tyre. Por ky ligj imponon që, disa të qëndrojnë në përkushtim total për organizim fushate dhe mbledhje votash për partinë. Përndryshe votat e partisë, meqenëse Edi Rama nuk pranuar që të jenë të njëjta vota e partisë me të kandidatit, që është gjëja më normale, atëherë dikush duhet të merret me votat e partisë.
Daniela Maloku, ReportTV: A do të jetë të 26 kryetarët e partive të koalicionit, pjesë edhe e listave të kandidatëve për deputetë, siç është Jenisheri, Kostaq Papa apo të tjerë, do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë.
Berisha: Ka një marrëveshje me secilin prej tyre, kanë vende të caktuara në listën e mbyllur dhe në listat e hapura. Por se cili do të jetë nuk mund të them, se listat nuk janë të hartuara akoma. Do përpunohen listat, por natyrisht marrëveshjet me aleatët janë bërë mbi bazën e bashkëqeverisjes, mbi bazën e listësave të deputetëve dhe ndarjes së qeverisjes pas 11 majit.
Daniela Maloku, ReportTV: Flas për krerët e partive të vogla, jo ato të partive aleate që mund të kenë një peshë të caktuar elektorale. Pra do të kenë përfaqësim të 26 partitë që janë pjesë e koalicionit në lista, qoftë të hapura.
Berisha: Janë çështje të marrëveshjes që është në finalizim e sipër dhe sapo të finalizohet marrëveshja do të marrësh përgjigje të saktë.
Mirupafshim!