KRYETARI I PD, SALI BERISHA KONFERENCË ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët ditën e sotme, ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe ministres Belinda Balluku, duke u ndalur kryesisht te aeroportet e Vlorës dhe Kukësit.
Berisha kundërshtoi vendimin e qeverisë për prishjen e kontratës me kompaninë e Behgjet Pacollit për aeroportin e Vlorës. Sipas tij, konfliktet mes partnerëve privatë duhet të zgjidhen përmes gjykatave ose arbitrazhit dhe jo përmes ndërhyrjes së qeverisë. Ai theksoi se vendimi mund t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë deri në 500 milionë euro në rast të humbjes së proceseve të arbitrazhit.
Berisha akuzoi Ramën dhe Ballukun se fshihen pas aksioneve të kompanisë turke dhe se kanë interesa financiare në projekt. Ai theksoi gjithashtu se projekti i aeroportit të Vlorës është problematik edhe për shkak të ndikimit në habitatin e flamingove dhe shpendëve të zonës.
Duke iu referuar aeroportit të Kukësit, lideri i PD-së e cilësoi atë si një tjetër dështim të qeverisë. Berisha ironizoi inaugurimin e aeroportit dhe praninë e Ballukut me helikopter, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi funksionimin aktual të tij.
Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve, Berisha u pyet edhe për zhvillimet e fundit në qeveri dhe platformën e re “Pasqyra Albania”.
I pyetur nëse platforma do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin ankesat e tyre nga momenti i depozitimit deri në zgjidhje, Berisha e cilësoi “Pasqyrën” si një “mur” dhe një mjet mashtrimi, duke argumentuar se nuk sjell transparencë reale në administratë. Ai sulmoi gjithashtu sistemin e inteligjencës artificiale “Diella”, duke theksuar se nuk ka parandaluar asnjë akt korrupsioni dhe duke akuzuar qeverinë për abuzime financiare.
Berisha u pyet edhe nëse mbledhjet e Ramës me ministrat mund të sjellin ndryshime në qeveri gjatë vjeshtës. Ai tha se ndryshimet nuk do ta zgjidhnin krizën politike, ku e cilësoi qeverinë aktuale si “qeveria Balluku bis”. Sipas tij, zgjidhja e vetme është dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës nga detyra.
Për organizimin e PD-së në sesionin e ri politik, Berisha tha se strukturat e partisë nuk e kanë ndërprerë aktivitetin gjatë verës dhe se mbledhjet do të vijojnë gjatë kësaj jave dhe në vazhdim.
I pyetur për platformën e modernizimit të PD-së, Berisha tha se synimi është rikthimi i partisë te anëtarët dhe mbështetësit. Ai përmendi si prioritete përmirësimin e komunikimit, zgjerimin e rolit të anëtarësisë dhe rritjen e hapësirave për angazhimin, idetë dhe aktivitetet e tyre.
Kryetari i PD, Sali Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë për korrupsion dhe keqmenaxhim, duke e vendosur aeroportin e Vlorës dhe projektet e tjera aeroportuale në qendër të kritikave të tij politike.
Berisha tha se “Ripërtëritja” e PD-së do të përfshijë edhe një sistem vlerësimi të aktivitetit të drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve, bazuar në standarde ndërkombëtare. Sipas tij, synimi është rritja e funksionalitetit dhe hapësirave për angazhimin brenda partisë.
Në përfundim, kryetari i PD, Sali Berisha konfirmoi se PD nuk do të bojkotojë Parlamentin, pasi kjo është e përjashtuar nga statuti i partisë. Ai tha se mungesa në një apo dy seanca nuk përbën bojkot, ndërsa përjashtoi largimin e PD-së nga Kuvendi.
FJALA E PLOTË
Aeroportet e Edi Ramës janë më keq se djegësat e tij.
Në një akt skandaloz, të paprecedentë, Edi Rama vendos që problemet midis dy partnerëve privatë në aeroportin e Vlorës, të zgjidhen jo si në gjithë botën me rrugën gjyqësore apo arbitrazhet, midis tyre pa pasur asnjë implikacion për shtetin dhe taksapaguesit, vendos të bëhet palë, të prishë kontratën me Pacollin.
Prishja e kontratës me Pacollin e nxjerr Edi Ramën dhe Lubinë e tij lakuriq para shqiptarëve se ata janë aksionerë.
Se Edi Rama dhe Lubia, të cilët ndërhynë në sherrin, në grindjen, në diskordancat midis dy partnerëve privatë, dëshmojnë se partneri privat i tretë i vërtetë janë ata të dy.
Dhe mbi këtë bazë, merr përsipër aktin e pashembullt të prishjes së kontratës me koncesionarin në një kohë kur koncesionari është i gatshëm ta përfundojë aeroportin në kohën e duhur dhe ta vërë në funksion.
Me këtë akt, Edi Rama vetëm sa zbulon veten e tij se ato aksione 40 e sa përqind të kompanisë turke, ato janë për Ramën dhe Ballukun.
Sepse nuk mund të ketë një verbëri, nuk mund të ketë një akt kurrë që qeveria të futet në zjarr dhe të marrë tani përsipër gjoba që mund të shkojnë edhe 500 milionë euro.
Nuk ka çmenduri më të madhe, por kjo bëhet sepse Edi Rama dhe Lubia janë aksionerët e vërtetë të aksioneve të kompanisë turke dhe ata kanë përcaktuar për veten e tyre 130 milionë euro bileta të munguara.
Çfarë ka ndodhur, ta dinë shqiptarët.
Nuk kam asnjë lloj sentimenti apo dëshire të ndërhyje midis partnerëve. Ato janë probleme që zgjidhen me gjykata dhe arbitrazhi.
Por çfarë ka ndodhur?
Dikush i thotë Edi Ramës se aksionet turke nuk janë tuajat.
Dhe ky dikush nuk mund të jetë kush tjetër përveç atij që ka 92 përqind të aksioneve.
Ndaj dhe këtij, që de facto është në sherr me pretenduesin tjetër, jo me qeverinë, ky nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, pretendimin pas aksione ndaj tij e ka ortaku.
Këtij i anulohet kontrata.
Pacolli është drejtuar në dy arbitrazhe, në njërin arbitrazh kundërshton vendimin për revokimin e kontratës si një akt zuzar ndërkombëtar i pashembullt.
Qeveria nuk ka asnjë bazë të kërkojë revokimin e kontratës për një sherr mes dy ortakëve.
Dhe e dyta, në arbitrazhin ndërkombëtar, në të cilën minimumi taksapaguesit shqiptarë për hir të çmendurisë së Edi Ramës, të babëzisë së tij të papërmbajtur dhe të Lubi Ballukut, do paguajnë rreth 500 milionë euro.
Kjo është kur verbohesh, kur babëzia të verbon sytë dhe mendjen.
E hapa këtë takim me ju, duke deklaruar se aeroportet janë si djegësat për Edi Ramën.
Shkoni pak në aeroportin e Kukësit.
A u kujtohet kur zbarkonte Lubia me helikopter?
U lutem, tregojuani shqiptarëve, të shohin monstrën, monstër është ajo, se si mashtronte, se i thoshte se erdha për të bërë një provë para se të vijë avioni me qindra çuna nga Londra.
Duhej bërë prova, shkoi kjo dhe bëri provat, pilotja, monstër e vërtetë.
Ku është aeroporti i Kukësit sot? Më thoni pak, ku është?
Nuk ka asnjë pengesë. Klauzola që e pengonte aeroporti i Tiranës është e hequr, nuk ekziston më.
Aeroporti i Kukësit, dikush më thotë, po shndërrohet në termocentral me panele diellore, të tjera në destinacione të tjera.
Pra loja me aeroportet e Edi Ramës dhe Lubisë është një lojë e turpshme, por me pasoja financiare shumë të rënda.
Shkoi atje, e inauguroi aeroportin e Kukësit ajo, erdha tha se duhen bërë prova.
Zbriti me një helikopter.
Nxirrjani pak të shohin atë faqezezë që mbrohet nga 83 mandate krimi.
Nxirrjani pak ta shohin edhe shqiptarët edhe njëherë monstrën e korrupsionit.
Dhe tani ku është aeroporti?
Tani i ranë aksionet.
Aeroporti i Vlorës nuk duhej të ndërtohej kurrë aty, se aeroporti i Vlorës shkatërron përfundimisht habitatin e zogjve, e flamingove dhe zogjve të tjerë të asaj zone.
Prandaj edhe ne e spostuam, do e ndërtonim tek kthesa e Levanit.
I njëjti grup që na tha ne se nuk mund të ndërtohet aty për shkak të flamingove dhe zonës, i njëjti grup i tha edhe Edi Ramës në vitin 2017.
Jo, i thanë, nuk ndërtohet këtu.
Këta e ndërtuan.
Ku mund të pengoheshin ata para 130 milionë vjedhje së bashku.
Prandaj dhe ajo e merr çdo javë dhe i thotë 60 përqind je ti në dosjet e mia.
Absolutisht!
Dhe ky sillet si Konstandini me Dhoqinën, keni parë, nuk keni parë, shkon një i vdekur me të gjallë. E thotë populli.
Nuk e lëshon Dhoqina këtë.
Harrojeni.
Jo, nuk e lëshon.
Të dy do shkojnë bashkë aty ku e meritojnë.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Elda Menga, TCH: Z. Berisha, prej dy ditësh kryeministri Edi Rama po zhvillon takime të ethshme me drejtuesit politikë dhe sot me ministrat. Një ditë më parë ai prezantoi platformën e tij Pasqyra Albania, të cilën ju e konsideruat si një mur që vendoset mes qytetarit dhe administratës. Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës thotëse kjo platformë do u shërbejë qytetarëve për ta ndjekur ankesën e tyre nga momenti i fillimit, tek institucioni përgjegjës që do e marrë përsipër deri tek zgjidhja. Nëse qytetarët kanë të drejtë të ndjekin problematikën apo ankesën e tyre në çdo hallkë që shkon, ku qëndron problemi i kësaj nisme, sipas jush?
Sali Berisha: Pasqyra është që tani e verbër, është një mur për të mashtruar qytetarët.
Edi Rama, i damkosur botërisht dhe kombëtarisht, besoj e keni marrë vesh, temperaturat e urrejtjes kombëtare ndaj Edi Ramës janë më të larta se temperaturat e mjedisit.
Urrejtja kombëtare ndaj tij, nuk ka termometër që e mat.
Por e tillë po bëhet urrejtja ndërkombëtare ndaj tij.
Dhe ky njëherë nxjerr Besën, herë tjetër nxjerr Ndorjen, herë tjetër nxjerr Kanunin, tani nxori Pasqyrën.
Kush i beson atij?
Cili korrupsion, më thoni ju mua, cilin akt korruptiv parandaloi Diella?
Zero. As nuk ekziston edhe një çip në përbërjen e saj që mund t’i japë një mundësi të tillë.
Zero.
Ka zero urtësi artificiale Diella.
Pra, Pasqyra e Edi Ramës është mashtrimi i fundit i tij sepse siç e shihni është i rrënuar, besoj se e keni parë.
Nuk ka. Është i rrënuar.
E vërteta, duhet ta pranojmë, se kjo protestë ia ka gërryer shpirtin, e ka boshatisur, e ka zvetënuar.
Ai, kudo që del, del një njeri i transformuar tërësisht sepse po sheh fundin e tij me sy.
Çdo natë, ky njeri sheh veten në qeli.
Çdo natë, ky njeri sheh Lubinë pentito.
Çdo natë, ky njeri sheh koordinatorët duke e denoncuar.
Ky është i marrë fund. Ndaj dhe beson se me këto Pasqyrat, Diellat, do mund të mashtrojë shqiptarët.
Zinxhiri i mashtrimeve të tij ka marrë fund.
Asgjë, ai është një mur, një perde që kërkon t’u vërë para syve të qytetarëve se gjoja po komunikojnë në një kohë kur ka zero të vërtetë brenda.
Por do vjedhin. Prapë është vjedhja.
6 milionë vodhën për Diellën, edhe këtu do vjedhin nja 4-5 milionë.
Vjedhja nuk ka të ndalur aty.
E vetmja gjë që 24 orë në 24 nuk ndalet, është vjedhja tek ata.
Elda Menga, TCH: Po sot në takimin me ministrat pritet që të kalohet në sitë puna e çdo dikasteri. A mendoni që ky takim i sotëm në Pogradec mund të prodhojë edhe ndryshime në qeveri në vjeshtë? Dhe pyetja që mund të vijojë këtë, po ju kur do i mblidhni strukturat për të pasur një organizim për sesionin e ri politik?
Sali Berisha: Ne nuk i kemi ndërprerë. Nuk u rrezitëm gjatë kësaj vere as në jahte, as në skafe, ne kemi vazhduar punën dhe do vazhdojmë.
Strukturat tona kanë funksionar në objektivat e tyre dhe mblidhen këtë javë e në vazhdim.
Për sa i përket qeverisë Balluku bis, është qeveria Balluku kjo, mendoj se me asgjë, me asnjë ndryshim të saj, nuk mund të mashtrojë qytetarët shqiptarë.
Shqiptarët kanë gati 90 ditë, PD ka vite të tëra që kërkon dorëheqjen dhe largimin e tij.
Zgjidhja e vetme e kësaj krize të frikshme që po përpin vendin, është dorëheqja dhe largimi i tij i menjëhershëm nga detyra.
Anisa Kadesha, RTSH: Z. Berisha, cilat do jenë prioritetet e platformës për modernizimin e PD që pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ditën e enjte?
Sali Berisha: Platforma, apo do t’i referohemi Ripërtëritja, është një proces i gjithanshëm i kësaj partie.
Në rastin konkret, komunikimi, roli, hapësirat për anëtarin dhe mbështetësin e PD, do të jenë objektivat më të afërta të saj.
Pra, janë bërë studime të rëndësishme, janë nxjerrë konkluzione dhe mbi bazën e tyre do të ndodhë ajo që ne e kemi quajtur Ripërtëritje!
Por në rastin konkretin partia rikthehet tek anëtarët, mbështetësit, roli, funksionet, idetë, veprimtaritë e tyre.
Elda Menga, TCH: Në mbledhjet që keni mbajtur me dyer të mbyllura, por edhe në mbledhjet publike, ju keni kërkuar angazhim të madh të partisë në rrjetet sociale. A është e vërtetë se kjo platformë parashikon edhe një mënyrë vlerësimi për angazhimin e zyrtarëve të PD në rrjetet sociale?
Sali Berisha: Nuk ka diskutim që një nga dobësitë e PD janë rrjetet sociale.
Ka filluar të ndryshojë dhe kjo do ndryshojë pa diskutim.
Por nuk kemi të bëjmë këtu me rrjetet sociale, jo.
Kemi të bëjmë me një proces universal të pranimit të vlerësimit të veprimtarisë, e cila është kusht madhor për të vlerësuar funksionimin tërësor të partisë.
Pra, gjithçka synohet, një ripërtëritje e funksionalitetit të PD.
Janë gjëra të lidhura njëra me tjetrën.
Pra, është bërë dhe bëhet një debat me grupe pune dhe këto nuk kanë qëllim kontrollin si të tillë. Jo. Kanë qëllim hapësirën për secilin drejtues, anëtar dhe mbështetës të PD për të shfaqur, për të ushtruar veprimtarinë e tij.
Pra, ne besojmë se rruga e shndërrimit të potencialeve në vlera dhe kapital është kjo.
Ne besojmë se kemi potenciale të mëdha njerëzore, vlera të mëdha, por këto potenciale duhet të shndërrohen në kapitale dhe vlera.
Elda Menga: A e kam kuptuar gabim, qytetari, militanti do bëjë një vlerësim të punës dhe performancës së një drejtuesi politik apo një kryetari dege apo një nënkryetari partie?
Sali Berisha: Do jenë të gjitha standardet ndërkombëtare të përdorura nga partitë më demokratike në Evropë dhe në botë, të cilat nuk synojnë as kryqëzimin, as përjashtimin, por synojnë para së gjithash hapësirën në të cilën secili të tregojë veten me veprimtarinë e tij.
Është një proces i thellë transformues i kësaj partie.
Partia duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë.
Ky ishte verdikti i Kuvendit kombëtar me votimin e tij, me forumet që zgjodhi, por ai është vetëm hapi i parë.
Ky është një proces që duhet të vazhdojë.
Elda Menga, TCH: Duke qenë se jemi në prag të nisjes së sesionit të ri politik që pas dy javësh nis zyrtarisht edhe në Kuvend. A do kemi një vendimmarrje nga PD për marrëdhënien që duhet të mbajë kjo forcë politike në raport me parlamentin? Ju e keni përjashtuar opsionin e bojkotit, duke qenë se keni pasur edhe rezoluta që nuk e lejojnë këtë, por a do ketë një marrëdhënie të kushtëzuar të PD me parlamentin?
Sali Berisha: PD, siç e thatë ju bukur, e ka të përjashtuar me statut bojkotin.
E ka të përjashtuar. Natyrisht të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë përveç bojkotit.
Bojkot ne nuk bëjmë, ne jemi të përcaktuar.
Në qoftë se nuk shkojmë në një seancë, nuk marrim pjesë në dy seanca, këto nuk janë bojkote, janë krejt tjetër.
Por ne vendim për t’u larguar nga parlamenti nuk marrim.


