KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Edi Ramwn se ka ngritur një skemë të re korruptive përmes kompanisë Albanian Digital Solutions (ADS), të cilën e cilësoi si një ‘minierë floriri’ të familjes Rama dhe një mekanizëm për transferimin e fondeve publike drejt kompanive private pa kontroll dhe pa transparencë, duke zwvendwsuar nw kwtw mwnyrw AKSHI-n.
Në konferencën e sotme për mediat, Berisha deklaroi se krijimi i ADS-së është bërë pa një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave që të përcaktojë kompetencat, objektin e veprimtarisë dhe mekanizmat e kontrollit të kësaj shoqërie. ‘Jam sot për të denoncuar para shqiptarëve kopshtin e ri privat, minierën e floririt të familjes Rama apo AKSHI-n me një emër të ri, Albanian Digital Solutions. Për ngritjen e ADS-së nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili do pasqyronte qartë kompetencat e këtij institucioni’, tha kreu i PD-së Sali Berisha.
Sipas kryedemokratit Sali Berisha, i vetmi vendim qeverie i miratuar deri tani është ai i 20 majit 2026, që parashikon dhënien e një fondi prej 7 milionë eurosh për kompaninë. ‘Ky vendim nuk përcakton objektin e veprimtarisë, nuk krijon vetë shoqërinë, nuk miraton statutin, nuk përcakton kompetencat dhe nuk shpjegon marrëdhënien me AKSHI-n. Nuk sqaron regjimin e prokurimeve dhe nuk shpjegon pse nevojitet kjo kompani. Është krijuar një monstër për të vjedhur në mënyrë të pandalshme’, u shpreh kreu i PD-së.
Lideri i demokratëve Sali Berisha e krahasoi ADS-në me skemën e kompanisë KAYO, duke pretenduar se dokumentet themeluese janë pothuajse identike dhe krijojnë mundësi për transferimin e kapitalit shtetëror drejt subjekteve private pa procedura të rregullta konkurrimi. ‘Kjo kompani shtetërore i lejon vetes të përcaktojë pa kufi veprimtaritë e saj. Kjo pikë e statutit është marrë thuajse identike nga kompania KAYO, të cilës i është dhënë e drejta të kanalizojë kapitalin shtetëror tek privatët pa tenderim’, deklaroi ai.
Sipas kryetarit të PD, Sali Berisha, formulimi në statut që i lejon kompanisë të kryejë aktivitete ‘drejtpërdrejt ose tërthorazi’ të lidhura me objektin e saj krijon hapësira të mëdha për abuzime. ‘Ajo mund të përdoret për krijim filialesh, transferim fondesh, investime në kompani private, ortakëri, favorizime dhe shmangie të procedurave të prokurimit publik. Pra, është porosia e Edi Ramës që të vjedhim me çdo kusht dhe pa asnjë kufizim’, tha ai.
Kreu i opozitës Sali Berisha shtoi se ADS do të menaxhojë infrastrukturën digjitale të shtetit, përfshirë databazat kryesore dhe sigurinë kibernetike, duke ngritur sipas tij rrezikun e përqendrimit të fondeve dhe kompetencave në një strukturë jashtë kontrollit institucional. ADS është modeli i korrupsionit absolut, produkt i korrupsionit absolut mbi ligjin dhe mbi çdo kriter. Është krijuar që familja Rama të vazhdojë të transferojë në kontot offshore qindra e qindra milionë euro të tjera’, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Jam sot për të denoncuar para shqiptarëve kopshtin e ri privat, minierën e floririt të familjes Rama apo AKSHI-n me një emër të ri, Albanian Digital Solutions.
E gjithë mafia e IT e ka në emërtimin e kompanisë fjalën solutions. Të gjitha kompanitë, me solution janë nja 35 kompani.
Për ngritjen e ADS-së, minierës të floririt të Edi Ramës, nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili do pasqyronte qartë kompetencat e këtij institucioni.
Është një mënyrë e gjetur për të kanalizuar fondet drejt kompanive të baxhos apo të kunatit të Lindës së Surrelit pa asnjë mekanizëm kontrolli si në rastin e kompanisë KAYO të famozit KAYO, vetëm se këtu skandali duket se thellohet shumë më tepër.
Siç thamë më lart, për ADS-në nuk ka asnjë ligj dhe vendim qeverie që të përcaktojë veprimtarinë e saj.
Të gjitha i janë lënë në dorë aksionarit kryesor të saj, AKSHI-t të Lindave famëzeza.
I vetmi VKM për këtë qëllim është ai i datës 20 maj 2026, i cili flet për miratimin e fondit prej 7 milionë eurosh në favor të ADS.
Ky vendim ka ardhur rreth 15 ditë pas regjistrimit të kompanisë shtetërore në QKB.
Pra, ajo që bie në sy është kjo: VKM nuk përcakton objektin e veprimtarisë. Nuk krijon vetë shoqërinë. Nuk miraton statutin. Nuk përcakton kompetencat. Nuk shpjegon marrëdhënien me AKSHI-n.
Asgjë!
Nuk përcakton modelin e kontrollit, kush do e kontrollojë, si.
Nuk sqaron regjimin e prokurimeve dhe çka është më e rëndësishme nuk shpjegon pse nevojitet kompania.
E kuptoni pra që është krijuar një monstër për të vjedhur në mënyrë të pandalshme.
E kuptoni, një vendim që nuk flet për asnjë për këto përcaktime, por vetëm t’i dhurojmë 7 milionë euro.
Ku është bazuar Rama për të ngritur një shoqëri të tillë?
Shumë e drejtë kjo pyetje.
Si mund të ngrinte Edvin Balluku një kompani pa asnjë bazë ligjore?
Këto janë ndryshimet që u bënë në ligjin 4323 për ushtrimin e funksioneve operative të mirëmbajtjes së sistemeve TIK.
AKSHI mund të bashkëpunojë me shoqëri aksionere ku shteti zotëron të paktën 51 përqind të aksioneve si dhe t’u kalojë atyre në administrim sisteme, platformë ose infrastrukturë TIK ose t’i ngarkojë për zhvillime dhe operime nga fillimi.
Në çdo rast, kompetencat mbeten tek AKSHI.
Ndryshimet ligjore janë propozuar me 11 shkurt nga deputeti Erion Xhepi, Erion Malaj.
Keni parë ju, një deputet merr përsipër të propozojë, se nuk ka qeveri, nuk ka asgjë, amendime me implikacione me pasoja të thella financiare, transparence dhe të gjithanshme.
Dhe meqenëse mbron interesat e klanit të Surrelit, votohet symbyllas.
Asnjë konsultë, asgjë.
Shikoni çfarë çmendurie, nuk ndalen para asgjëje për të vjedhur.
Por me gjithë këtë, krijimi i kompanisë përderisa janë përdorur fondet publike 7 milionë euro, duhej të shoqërohej së paku me një VKM.
Por Edi Rama do të vjedhë duke fshehur dorën, vendimin nuk e bën.
Kemi vetëm vendimin për kalimin e fondit, i cili nuk thotë asgjë për kushtet e mësipërme.
Statuti i shoqërisë. Neni 4.
Shoqëria, brenda kufijve që i lejon legjislacioni në fuqi kryen çdo operacion tregtar dhe financiar
që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me objektin e saj.
Kjo përfshin gjithashtu hapjen e veprimtarive dhe krijimin e shoqërive të reja dhe pjesëmarrjen në kapitalin e shoqërive të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Kjo pra ka autoritet të veprojë në mënyrë të pavarur pa pasur asnjë bazë ligjore.
Kjo kompani shtetërore i lejon vetes të përcaktojë pa kufi veprimtaritë e saj.
Kjo pikë e nenit të statutit të kësaj shoqërie është thuajse e njëjtë me nenin 3 dhe është marrë
nga statuti i shoqërisë KAYO, të cilës i është dhënë e drejta të kanalizojë kapitalin shtetëror tek privatët pa tenderim.
E kuptoni ju mënyrat që ka gjetur Edi Rama të vjedhë tani? Merr këto paratë, çoji në bankat offshore.
Këto janë monstruozitet të paimagjinueshme.
Pare të shtetit, pare të taksapaguesve.
Jashtë tenderit.
Por ama në rastin KAYO, firmën e hidhte kryeministri për firmat që do ishin partnere, ndërsa në rastin e AKSHI-t, ky vendim i mbetet tërësisht në dorë aksionarit kryesor, famëziut Igli Tafaj, ish-shef mafioz i sigurisë kibernetike, i implikuar gjer në vesh me Ergys Agasin, Ermal Beqirin, Lindat e AKSHI-t dhe Surrelit.
Pjesa më e rëndësishme është shprehja: drejtpërdrejt ose tërthorazi me objektin e saj. Pra në të gjitha mënyrat.
Pra i hiqet çdo kufi vjedhjes me këtë kompani.
Kjo i jep hapësirë shumë të gjerë interpretimi kompanisë për të justifikuar aktivitete të ndryshme si të lidhura me objektin.
Në rast të një kompanie shtetërore kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme sepse lejon zgjerim të madh të aktivitetit ekonomik, mund të përdoret për krijim filialesh apo transferim fondesh, mund të krijojë struktura paralele investime, rrit nevojën për kontroll dhe auditim, në mungesë kontrolli mund të përdoret për favorizime, PPP, ortakëri ose devijim fondesh.
Pra, ajo drejtpërdrejt apo tërthorazi është porosia e Edi Ramës që të vjedhim me çdo kusht dhe pa asnjë lloj kufizimi.
Çfarë efekti zinxhir sjell në praktikë një klauzolë e tillë?
Ajo mund të krijojë hapësirë për abuzime nëse nuk ka kontroll të fortë institucional, transparencë dhe procedura të qarta.
Një. Krijimi i filialeve dhe kompanive të lidhura ku kontratat kalojnë pa transparencë fare.
Dy. Investime në kompani private partnere me kushte jo të favorshme për shtetin.
Tre. Dhënie kontratash ndaj subjekteve të afërta me drejtues apo politikbërësit.
Nuk të lëshojnë, klani i Surrelit është klani më mafioz në Evropë, nuk tërhiqet.
Katër. Përdorimi i formulimit lidhet tërthorazi me objektin për të justifikuar aktivitetet që normalisht nuk do miratoheshin kurrë.
Pesë. Transferim fondesh, asetesh apo shërbimesh mes kompanive të lidhura për të shmangur kontrollin publik.
Gjashtë. Përdorim i nënkontraktorëve të përcaktuar.
Shtatë. Fryrje kostosh.
Tetë. Hyrje në ortakëri ku shteti merr riskun, kurse privat, pra klani Rama merr paratë.
Nëntë. Shmangie e procedurave të prokurimit përmes strukturave bio ose investimeve të ndërmjetme.
Në kompani me kapital shtetëror rreziku rritet kur bordet janë politike dhe i tillë është ky bord ku një ish-zëvendëskryeministre e qeverisë famëzezë të partisë së krimit kryeson bordin politik të saj.
Pra, Edi Rama e ka menduar mirë se çfarë do bëjë me AKSHI-n.
ADS do menaxhojë të gjithë infrastrukturën e këtij shteti, përfshi databasat kryesore dhe do të garantojë sigurinë kibernetike.
Për këtë ajo do prokurojë mallra dhe shërbime.
Aktet e themelimit e kompanisë i japin të drejtë të krijojë kompani në bashkëpunim me privatet pothuajse pa asnjë kufizim.
Dokumentet e ADS janë thuajse identike me ato të KAYO dhe këto dokumente lejojnë që ADS të krijojë të njëjtën skemë si KAYO.
Krijoi kompani me kapital shtetëror, kompania nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka krijuar kompani me privatë siç është me Ron Yeffet.
Mbetet për t’u parë nëse ADS do krijojë kompani me privat dhe kjo është e sigurt, por gjasat janë që të përsëritet skema e KAYO-s, duke zhveshur kështu AKSHI-n nga procesi i prokurimit publik, por duke shmangur edhe ligjin për prokurimin publik dhe ligjin për prokurimet në fushën e teknologjisë.
Faktikisht ADS është një kompani mbi ligjet, njëlloj siç është Edi Rama me Lubi Ballukun dhe Lindat e tij, i cili në vendime shkatërrimtare për shtetin ligjor, mori përsipër të mbrojë Lubinë, pavarësisht se aferat e saj ngjiteshin në 36 vite burg.
Rama pra, me këtë sistem po rikrijon de facto dhe de jure minierën e tij të floririt apo kopshtin privat.
A do jenë Ermal Beqiri apo Ergys Agasi pas këtyre skemave apo do gjenden të tjerë, apo gjithçka do krijohet me urdhër të Ramës, kjo mbetet për t’u parë.
Rama në rast ka krijuar një artificë ligjore që ia lë të gjithë përgjegjësinë Igli Tafanit.
Dhe pastaj do vijë të na thotë se edhe ai i gjori banon në shtëpi me qira, nuk ka as makinë, nuk ka as patentë, është njëlloj si Mirlinda e përdëlirë, një mafioze e kategorisë më të lartë.
Ajo çka është më e rëndësishme se kemi të bëjmë me një formë të re korrupsioni të shpikur nga Edi Rama, e cila tashmë ka filluar me kompani paralele që zhveshin institucionet nga kompetencat, fondet apo prokurimet dhe ia kalojnë njerëzve të lidhur me Edi Ramën.
ADS është pra modeli i korrupsionit absolut, produkt i korrupsionit absolut mbi ligjin, mbi çdo kriter, që krijohet në mënyrë që familja e pangopur Rama të vazhdojë të transferojë në kontot offshore qindra e qindra milionë të tjera.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Faleminderit. Zoti Berisha, duke marrë parasysh deklaratën e kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk mund të luftohet vetëm nga një institucion i vetëm, një deklaratë që e dha ditën e sotme por duhet një bashkëpunim mes institucioneve të tjera. Dhe nga ana tjetër forcimin e kushteve të IBAR lidhur në këtë aspekt, pra për luftën kundër korrupsionit. A mendoni se kjo do të jetë kushtet e IBAR, pra do të jenë një provë e re për drejtësinë, tashmë të drejtuar për SPAK-un në këtë rast të drejtuar nga Klodian Braho për një luftë më intensive kundër korrupsionit deri në nivelin e zyrtarëve të lartë? Faleminderit.
Sali Berisha: Në një aspekt kur ekzekutivi i shpall haptas luftë institucionit të akuzës, lufta kundër korrupsionit bëhet e pamundur. Në ç’kuptim? Në qoftë se kreu nuk goditet, goditja e gjymtyrëve periferikë nuk e kërcënon sistemin, përkundrazi e bën atë dhe më agresiv.
Dhe ne jemi para faktit të paparë në historinë e Shqipërisë. Për herë të parë kjo mazhorancë krimi nuk heq imunitetet dhe nuk heq imunitetet vetëm ato të lidhura me Edi Ramën.
Jeni dëshmitarë ju të Saimir Tahirit. Mos e harroni, mandatin e arrestit të Saimir Tahirit e solli Antimafia italiane bazuar në të gjitha përgjimet, bashkëpunimin e tij me klanin Habilaj.
Ashtu, dhe Edi Rama sulmoi egërsisht prokurorët dhe nuk i hoqi imunitetin. Pse? Sepse Saimir Tahiri si ministër i drogës kishte zbatuar rreptësisht, jemi të sinqertë në këtë nuk do ta lehtësoja, por në politikën e kanabizimit ai kishte zbatuar pikë për pikë urdhrat e Edi Ramës.
Ndofta ndonjë qeveri ndofta, nuk mund të them me siguri, edhe e ka kundërshtuar kanabizimin. Por Edi Rama ja ka imponuar dhe ndaj Edi Rama nuk i hoqi imunitetin sepse kishte frikë se ia plaste dhe e dërgoi Gaz famozin, Gaz Demin, nuk e njihni ju atë, është një person, një eminencë gri në Partinë Socialiste, është njeriu i të gjitha pazareve dhe e dërgoi Gaz Demin me të gjitha joshjet dhe kërcënimet që mos ta çelte gojën.
Dhe në fund pazari i tyre ishte që nuk do i hiqej imuniteti. Kjo është e vërteta. E dorëzoi vetë pas kaq kohe e të tjera e të tjera, është punë tjetër, po ai nuk ia hoqi. Nuk ia hoqi imunitetin.
Rasti i dytë akoma më fatal, është rasti i Lubisë.
Të gjitha, sot në Europë nuk ka njeri, edhe miqtë e Edi Ramës që nuk e besojnë se prapa dosjes Balluku është Edi Rama. Në të gjitha analizat që janë bërë ka dalë se aty është çështje parash dhe çështje të tjera janë të parëndësishme.
Janë bërë analiza të shumëllojta në qendrat e politikëbërjes edhe vendimmarrjeve. Edi Rama del 100% i implikuar në dosjen Balluku. Qëndrimi i tij ndaj asaj kërkese, rreshtimi i tij i detyruar, i detyruar nga Lubi Balluku edhe sot, edhe sot është Lubia që e kontrollon atë.
Absolutisht. Jua them shqiptarëve me përgjegjësi të plotë. Ajo sot në Partinë Socialiste është po aq e fuqishme sa ç’ishte kur qe zëvendëskryeministre. Ajo sot në qeveri është po aq e fuqishme, ajo faktikisht është kryeministrja në hije sot.
Është kryeministrja në hije, e cila lëviz të gjitha fjet, dhe Edi Rama ka fobi tani. Tani po vuan nga lubofobia. Absolutisht po.
E morën për pak në prani të policisë e zvarritën sikur mos ishte njeri në Zvërnec, dhe ky kthehet e thotë mund të ma ketë bërë Lubia këtë. Po, ju them unë. Mund të ma ketë bërë këtë ajo i tha. Edhe prandaj u shkarkua ai me njerëz të Lubisë, sepse atë komisarin e Vlorës e kishte emëruar ajo. E kuptoni ju?
S’ka ç’i bën, është skllav i saj se ka 25 vjet që ajo është notere e vjedhjeve të tij. Edhe ajo e hedh në erë Edi Ramën 100 herë. 100 herë! Kjo është e vërteta. Imagjinoni ë? Mund të ma ketë bërë thotë ajo atë punë. Edhe prandaj u shkarkuan ata njerëz të Lubisë.
Prit se kam një problem këtu. SPAK-u vazhdon të jetë një organ politik. Nga 43 dosje të dokumentuara, jo më shumë, po që janë të finalizuara që ata kanë shqyrtuar për krimin elektoral, kanë çuar në gjykatë vetëm një, mbyllin masivisht.
Organ i shtypjes së pluralizmit politik. Pra në qoftë se qeveria nuk çon dosje, opozita çon dosje aty dhe ata dosjet e opozitës kanë tmerr t’i prekin. Se u thotë partia. Pra kanë ata probleme të thella të brendshme aty. Po ajo qëndron.
Është e paimagjinueshme që të kesh 253 mandate, e asnjë bos mafie nuk arrestohet në Shqipëri, asnjë! Të gjithë arrestohen kur dalin nëpër botë, po si gjejnë të tjerë të kaq kollaj dhe s’i gjejmë dot ne në tokën tonë? Sepse i njoftojmë, ikin.
Është një rebus aty. Prokuroria thotë i njofton policia, policia thotë jo i njoftojnë këta. Nga të dyja palët ka leak. Kjo është e provuar, është shumë e provuar.
Natyrisht, ndofta më shumë policia, nuk mund të them, por kjo është. Ka, ka të vërteta aty.
Anisa Kadesha, RTSH: Një koment në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dje, e cila rrëzoi kërkesën tuaj për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen McGonigal, ndërsa i ka hapur rrugë ngritjes së komisionit për zgjedhjet.
Sali Berisha: Zbatoi porosinë e Edi Ramës.
Të bllokosh hetimin e një skandali të përmasave më të mëdha ndërkombëtare, de fakto rekrutimin me korrupsion të njeriut më të rëndësishëm të kundërzbulimit të FBI-së dhe përdorimin e tij kundër opozitës, kryen ose merr një vendim më të papërgjegjshëm që mund të marrësh.
Do ishte interesi më i madh i shqiptarëve dhe partnerëve tanë, zbardhja e plotë e atij super skandali.
Por natyrisht, në atë vendim mund të kenë ndikuar edhe direkt lidhjet e gjykatësve me McGonigalin.
Edhe ne do ta hetojmë këtë punë. Do ta hetojmë, do e çojmë në Strasburg.
Atë vendim ne do e çojmë në Strasburg.


