Skandali i mbetjeve të rrezikshme/ Fjoralba Dizdari: Qeveria shqiptare në heshtje, ndërsa 800 ton lëndë toksike po kthehen në Durrës. Rrezik për jetën dhe mjedisin!

Deklarata e anëtares së Këshillit Kombëtar të PD, Fjoralba Dizdari:

Pas denoncimit të 800 Ton mbetje të rrezikshme me destinacion Azinë Juglindore, kjo ngarkesë aktualisht po rikthehet në portin e Durrësit, si vendi i origjinës. Qeveria Shqiptare akoma nuk ka bërë transparente për publikun, planin e masave për sistemimin e kësaj situate emergjente.

Depozitimi i këtyre mbetjeve në portin e Durrësit, rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe cënon turizmin e qytetit.

Kompania KURUM nga viti 2022, ka prodhuar mbi 10 mijë Ton mbetje të rrezikshme.

Ku ka përfunduar kjo sasi lëndësh?

Kush mund të na thotë se, sa Ton mbetje të rrezikshme ka eksportuar Shqipëria vitet e fundit?

Pse hesht Qeveria Shqiptare dhe, akoma nuk e ka sqaruar opinionin publik, se si ka mundësi, që Kompania “Sokolaj” shpk, transportoi me qindra Ton lëndë të rrezikshme, pa licencën përkatëse të Ministrisë së Mjedisit dhe të pa shoqëruar me fletëa nalizash?

Pse heshtin “Doganat Shqiptare” përballë deklarimit të rremë të firmës Sokolaj shpk. jo vetëm për llojin e materialeve që eksportonte, por edhe për çminin e blerjes. Ajo ka deklaruar se e ka blerë ngarkesën 50 Euro për Ton. Ndërkohë që në burse, Oksidi i Zinkut blihet me 1500 Euro për Ton dhe, ai i Hekurit 500 Euro për Ton.

Por, ky rast është vetëm maja e Ajzbergut pasi, ekspertët tanë pretendojnë se Shqipëria prodhon edhe 20 mijë Ton të tjera mbetje të rrezikshme. Nga të cilat, vetëm 15 mijë Ton janë mbetje të prodhuara nga demontimi i pajisjeve elektrike dhe elektronike, dhe rreth 2 500 Ton të tjera, vajra industial të përdorur, pa përmendur 1000 Ton mbetje organike.

Ndërkohë, çfarë ka bërë Partia Socialiste që ende pas 11 vitesh, nuk kemi, asnjë lloj strategjie për marrjen e masave të menjëhershme për trajtimin e këtyre mbetjeve?

Për më tepër, që prej vitit 2015 e vetmja qëndër për grumbullimin dhe trajtimin e kimikateve të rrezikshme ndodhet në fshatin “Balëz e Poshtme”, në qytetin e Elbasanit.

A janë janë të informuar banorët e këtij fshati për rrezikshmërinë e këtij vënd depozitimi dhe a janë marrë të gjitha masat, për të siguruar jetën dhe, shëndetin e banorëve të të gjithë zonës?

Kjo qëndër është në kundërshtim me standardet e BE-së, ndërkohë që ne ngremë alarmin se ajo mund të kthehet në një bombë ekologjike me pasoja të rënda, jo vetëm për këtë njësi administrative.

Referuar aktit të “Politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar përMenaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020 – 2035”, botuar në Fletoren Zyrtare, më 27 maj 2020, qeveria shqiptare pranon zyrtarisht dështimin.

Ja çfarë thotë dokumenti:

“… Për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri nuk ekziston infrastruktura bazë. Për më tepër nuk ekzistojnë të dhëna mbi sasinë dhe rrymat e mbetjeve. Vendet për ndërtimin e objekteve për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme apo të qendrave pritëse nuk janë përcaktuar ende në asnjë rajon apo qytet të vendit …..”

Kjo është një aferë korruptive, e cila përfshin shume Institucione njeherazi.

Partia Demokratike ngre alarmin, se situata e mbetjeve, është një emergjencë kombëtare, prandaj ftojmë qytetarët të bashkohemi kundra qeverisjes së dështuar, e të korruptuar të Edi Ramës dhe, të ndalim katastrofën mjedisore në emër edhe të brezave të ardhshëm.

Faleminderit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale