KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për korrupsion masiv dhe vjedhje të fondeve publike, ndërsa ka paralajmëruar edhe intensifikim të aksionit opozitar pas përfundimit të proceseve të brendshme në parti. Gjatë konferencës për mediat, Berisha e cilësoi dramatike situatën ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë se ka çuar Shqipërinë në një krizë të thellë sociale dhe ekonomike.
Lideri i demokratëve Sali Berisha theksoi para gazetarëve se, kostoja e jetesës për shqiptarët është rritur ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit, ndërsa akuzoi qeverinë për korrupsion sistematik dhe keqmenaxhim të investimeve publike. ‘Katër vitet e fundit, kostoja e jetesës së shqiptarëve është rritur 60 për qind. Është rritja më e madhe pas Iranit dhe Haitit, të cilët dihet që janë në problematika, njëri në luftë dhe diktaturë, tjetri në sundimin e bandave si Shqipëria,’ u shpreh Berisha. Sipas tij, Shqipëria renditet mes vendeve me çmimin më të lartë të naftës në botë, ndërsa fondet publike po shpërdorohen përmes tenderave. ‘Qeveria shqiptare kryen vetëm një detyrë: vjedhjen, vjedhjen, vjedhjen e fondeve publike,’ tha kreu demokrat.
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se, korrupsioni në tendera arrin në rreth 1.2 miliardë euro në vit, duke shtuar se vetëm një pjesë e vogël e projekteve publike përfundojnë. ‘Vetëm pesë deri në tetë për qind e projekteve përfundojnë. Të tjerat avullojnë, grabiten,’ deklaroi ai. Berisha hodhi akuza të forta edhe ndaj Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke e cilësuar atë si një ‘model mafioz’ të centralizimit të tenderave në fushën e teknologjisë së informacionit. ‘AKSHI është model i krijuar me firmën e Edi Ramës, sepse në vitin 2017 ai vendosi që të gjithë tenderat në fushën e IT të centralizohen në duart e AKSHI-t dhe Surrelit,’ u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetarët mbi vijimin e aksionit opozitar dhe nëse opozita do të ketë një ‘verë të nxehtë’, kreu i PD-së Sali Berisha paralajmëroi vazhdim të protestave kundër qeverisë. ‘Opozita nuk ka pushime. Opozita ka kryengritje paqësore, betejë të pandërprerë me mafien më të rrezikshme të Evropës,’ deklaroi kreu i PD-së. Sipas tij, pas përfundimit të proceseve të brendshme në parti, opozita do të vijojë me ‘serinë e kryengritjeve paqësore’ deri në largimin e qeverisë. ‘Pas përfundimit të proceseve në parti, vazhdojmë serinë e kryengritjeve paqësore gjer në largimin e narkoshtetit të Edi Ramës nga qeveria,’ tha Berisha.
FJALA E PLOTE:
Gjendja ekonomike e shqiptarëve po rrokulliset me shpejtësi.
Institucione serioze të pavarura dëshmojnë se katër vitet e fundit, kostoja e jetesës së shqiptarëve është rritur 60 përqind.
Është rritja më e madhe pas Iranit, Haitit, të cilët dihet që janë në problematika, njëri në luftë dhe në diktaturë, tjetri në sundimin e bandave si Shqipëria.
Çmimet rriten çmendurisht.
Sot, Shqipëria është njëri nga tetë vendet me çmimin e naftës më të lartë në botë.
Qeveria shqiptare kryen vetëm një detyrë, vjedhjen, vjedhjen, vjedhjen e fondeve publike.
Treguesit janë katastrofikë.
Vetëm pesë gjer në tetë përqind e projekteve, përfundojnë.
Të tjerat avullojnë, grabiten.
Korrupsioni, vjedhja në tendera arrin në vit në 1.2 miliardë euro.
Vjedhja në tendera tejkalon fondin e pensioneve të Shqipërisë. Vetëm në tendera.
Shpalljet se Shqipëria investon 10 përqind të Prodhimit të Brendshëm janë një mashtrim i paskrupullt.
Për të arritur në këtë shifër të pavërtetë, qeveritarët llogarisin tenderat e dështuar, e anuluar.
Fakti është se investimet arrijnë gjithsej 4.9 përqind, arrijnë në shifrat më të ulëta në Evropë.
Akoma më katastrofik është finalizimi i projekteve. Gjithsej pesë deri në 8 përqind.
Do thoni ju, shtet i falimentuar. Shtet hajdut!
Kompanitë nuk përfundojnë asgjë në afat sepse ndajnë paratë me qeveritarët.
Ndaj dhe rruga ku ndërton shkon siç shkoi rruga Qukës- Qafë Pllocë 16 vite, Rruga e Arbrit 14 vite, dhe punët publike me radhë.
Në themel të të gjithë këtij, në pamje dështimi të madh, është vjedhja e madhe e fondeve nga qeveritarët.
Ndaj dhe rënia katastrofale e transparencës në prokurime nga 80 pikë që ishte në vitet 2010-2012 nga Tender Europe, ka zbritur në 64 pikë në vitin 2026.
Rrokullisje e paimagjinueshme!
Siç tregon dosja Balluku, famëzeza Balluku, rrugët ndërtohen me çmimin 8 deri në 12 herë më të lartë se në BE.
Paratë vidhen nga ministrat, drejtorët dhe mediat e tyre.
AKSHI shënon modelin më mafioz. Në qoftë se 5D ishte një model i bashkisë, AKSHI është modeli i Lindave dhe Edi Ramës.
AKSHI është model i krijuar me firmën e Edi Ramës sepse në vitin 2017, ai vendosi që të gjithë tenderat në fushën e IT në Shqipëri të centralizohen në duart e Lindave të AKSHI-t dhe Surrelit.
Në një kohë kur praktika kërkon që çdo institucion të ketë të drejtën e mirëmbajtjes dhe përmirësimit të tyre.
Por duhet që paratë të vinin, që ajo të bëhet një sukses i madh, siç thoshte Edi Rama, dhe paratë të përfundonin në Surrel.
Pra, situata është dramatike.
PD ka një program, ka një përgjigje për të gjitha këto probleme.
Programi i saj është programi më i shkëlqyer, i studiuar nga institucione më serioze në Evropë dhe në botë.
Por ky program kërkon angazhimin e shqiptarëve për të larguar këtë të keqe të madhe, për të larguar Edi Ramën.
Ndaj dhe ne, pas përfundimit të proceseve në parti, vazhdojmë serinë e kryengritjeve paqësore gjer në largimin e narkoshtetit të Edi Ramës nga qeveria.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, ju paralajmëruat për vijimin e protestave. Si do jetë aksioni opozitar dhe a do jetë kjo një verë e nxehtë për opozitën apo do marrë pushimet?
Sali Berisha: Opozita nuk ka pushime. Opozita ka kryengritje paqësore, betejë të pandërprerë me mafien më të rrezikshme të Evropës dhe njërën prej më të rrezikshmet në botë.
Ndaj dhe ne, që i kemi shpallur luftë mafies në emër të shtetit ligjor, nuk mund të kemi asnjë pushim.
Betejë, betejë dhe vetëm betejë.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Zoti Berisha, në datën 23, demokratët do të thirren për t’u votëbesuar sërish juve për një mandat tjetër katërvjeçar në krye të PD. A do të bëni fushatë apo jeni të qetë duke qenë se nuk keni kandidat përballë për këto zgjedhje?
Sali Berisha: Unë të bëj fushatë?
Po, fushatë, siç është zakoni kur i drejtohesh anëtarësisë për të marrë votat.
Sali Berisha: Me datën 23, anëtarët e PD janë të ftuar në një proces ‘një anëtar-një votë’ të shprehin votëbesimin e tyre për Sali Berishën. Dhe me këtë mbyllet në votimin më transparent procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD.
Ky proces, duhet të sqaroj, i cili u përfol nga ligësitë në mënyrën më të papërmbajtur, shënon formën më demokratike, procesin më demokratik të zgjedhjes së një lideri partie.
Por, natyrisht prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në këtë proces. Por e vërteta është se në 75 përqind të rasteve kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerët nuk hyjnë në garë.
Pse nuk hyjnë në garë? Jo se nuk mund të hyjnë në garë, mund të hyjnë plotësisht, por sepse nuk dëshirojnë të angazhohen në një garë që nuk kanë të sigurt rezultatin.
Dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri, kjo është në Evropë dhe në botë. Kjo është statistika e kësaj lloj gare.
Shumica e partive politike në botë nuk e zgjedhin me ‘një anëtar-një votë’ kryetarin, e zgjedhin me forume, e zgjedhin gjer me aklamacion, me duartrokitje dhe merret si ekuivalent vote.
Ne e zgjedhim me praktikën ‘një anëtar-një votë’.
PS e ka në statut ‘një anëtar-një votë’, por nga viti 2009 gjer tani, asnjë anëtar i PS apo i rilindjes mafioze nuk është thirrur, nuk ka pasur mundësi, nuk është lejuar të votojë për Kreun e Meduzës.
Dhe tani, mediat e kontrolluara nga Edi Rama, në mënyrë që të sfumojnë procesin ‘një anëtar-një votë’ që zhvillohet tek partia opozitare dhe mungesën totale të tij tek partia tjetër, tek partia e krimit, merren me procesin e partisë opozitare.
Kërkojnë me çdo kusht t’i krijojnë kandidatë, madje edhe ata që kanë themeluar vetë parti të tjera.
Personazhe të vërteta të realizimit fantastik të Garsia Markezit apo të ndonjë shkrimtari tjetër të kësaj rryme.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Kandidati apo aspiranti për kandidat, që më pas u përjashtua nga KOKOE, Ervin Salianji, i ka dërguar një letër Partive Popullore Evropiane dhe drejtuesve të partive evropiane të qendrës së djathtë ku thotë se në PD po asgjësohen standardet demokratike dhe pluralizmi i brendshëm. A i druheni ju një krisje të marrëdhënieve me PPE pas kësaj letre ku pretendohen fakte rreth garës së PD?
Sali Berisha: PD është anëtare e të gjitha këtyre institucioneve dhe ai që shkruan letër është një i vetëpërjashtuar nga kjo parti.
Por ai natyrisht ka të drejtat e tij, mund të shkruajë letra ku të dojë, është i lirë.
Sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin.
Ndaj dhe letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës apo ndonjë tjetri, nuk kanë asnjë vlerë për Sali Berishën.
Secili mund të shkruajë letra.


