DEKLARATË E KOORDINATORES PËR DEPARTAMENTET NË PD, SILVI BARDHI:
Shqipëria, vendi i pasur me burime natyrore, klimë të jashtëzakonshme për të mbjella të të gjitha kulturave bujqësore, reliev të përshtatshëm për mbarështimin e prodhimeve blegtorale, ka fëmijë të kequshqyer.
Një raport me shifra alarmante është publikuar nga UNICEF ku Shqipërinë e pozicionon në nivele skandaloze të të kequshqyerit të fëmijëve.
Shqipëria është thuajse ne nivelin e vendeve në konflikt të armatosur si Iraku, Kenia, Çadi, Ruanda etj.
76 mijë nga mosha 0 deri 5 vjeç, ose 47% e fëmijëve shqiptarë janë në varfëri ushqimore, pra pa minimumin e ushqimit.
Kjo grupmoshë e cila e ka të nevojshme zhvillimin fizik dhe mendor, nuk ka kushtin minimal.
Këto pasoja të kequshqyerjes tek fëmijët, sipas UNICEF mund të zgjasin përgjatë gjithë jetës.
Sipas raportit 47% e fëmijëve shqiptarë ushqehen vetëm me qumësht gjiri, produkte qumështi, një lëndë bazë niseshteje, orizi, misri ose gruri.
Po të analizojmë, një pjesë e madhe e fëmijëve të familjeve shqiptare rriten në kopshte dhe çerdhe publike, një pjesë rritet në shtëpi ndërsa një pjesë e vogël në institucione private me çmime tepër të kushtueshme.
Bazuar te ky fakt dhe te raporti i UNICEF, barra e fajit bie mbi institucionet e varësisë qeveritare.
Vjedhja dhe abuzimet që bëhen me dietën e fëmijëve është makabritet.
Të mos harrojmë se shumë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme në fshatra dhe zona të varfra ku prindërit i rrisin pa asnjë mbështetje nga shteti.
Është kriminale të shohësh statistika të cilat të rendisin të fundit bashkë me vendet me burime të varfra natyrore apo ne lufte.
Lakmia e këtij pushteti nuk njeh kufij as tek fëmijët.
Ndaj edhe shqiptarët largohen, sepse mendojnë vetëm për të ardhmen dhe sigurinë e fëmijëve të tyre.
Partia Demokratike ka alternativën e saj të sigurt për të fituar betejën ndaj varfërisë.
Që në muajt e parë të qeverisjes tonë do të vendoset minimumi jetik në masë prej të paktën 210-220 euro.
Një qeveri që vjedh bukën e përditshme të fëmijëve duhet larguar një ditë e më parë.
Ne nuk jemi të varfër, por të vjedhur!