‘Shqipëria nën kthetrat e narko-shtetit’/ Berisha: Do ngremë agjenci të posaçme për konfiskimin e pasurive të krimit, me bashkëpunim të Policisë, SHISH dhe partnerëve ndërkombëtarë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TRYEZËN E DISKUTIMIT ‘QEVERIA E PASIGURISË –  DËSHTIMI I RAMËS DHE ALTERNATIVA E OPOZITËS’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tryezën e diskutimit, të organizuar nga Departamenti i Sigurimit në PD, me temë “Qeveria e pasigurisë – dështimi i Ramës dhe alternativa e opozitës”, artikuloi një sërë akuzash të forta ndaj qeverisë dhe gjendjes së rendit në vend.

Në qendër të deklaratës së tij, Berisha e cilësoi sigurinë publike si problemin më themelor të shoqërisë shqiptare, duke theksuar se qytetarët përballen me pasiguri në çdo dimension të jetës, nga siguria fizike dhe pronësore, te të dhënat personale dhe ushqimet. Ai tha se Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë krahasuar me vendet e tjera dhe se, sipas tij, qytetarët po largohen për të jetuar në vende më të sigurta.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit u fokusua te krimi i organizuar dhe trafiku i drogës. Lideri demokrat, Sali Berisha tha se Shqipëria është kthyer në “narko-shtetin e parë në Europë”, duke akuzuar për ndikim të grupeve kriminale në ekonomi, institucione dhe infrastrukturë kritike si portet. Ai ngriti shqetësime edhe për përfshirje të rrjeteve kriminale ndërkombëtare dhe lidhje të tyre me struktura brenda vendit.

Në aspektin ekonomik, Berisha foli për zhvlerësimin e euros në dekadën e fundit, duke e lidhur atë me aktivitetin e paligjshëm financiar dhe ekonominë informale. Sipas tij, kjo ka ndikuar negativisht në eksportet shqiptare dhe në mbylljen e bizneseve, duke sjellë pasoja në punësim dhe emigracion.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për kriminalizim të administratës publike dhe përfshirje të individëve të lidhur me krimin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shërbimeve, përfshirë edhe aktivitetet online si call center-at dhe kriptovalutat.

Kryetari i PD, Sali Berisha e konsideroi kryeministrin Rama përgjegjës për situatën e krijuar. Ai deklaroi se krimi i organizuar ka depërtuar në nivelet më të larta të pushtetit dhe institucioneve të zbatimit të ligjit.

Në përfundim të fjalës së tij, lideri i opozitës prezantoi qasjen e Partisë Demokratike, duke premtuar forcim të shtetit ligjor, “zero tolerancë ndaj krimit”, veting të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për luftën kundër krimit të organizuar dhe rikthimin e rendit publik.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju që jeni të pranishëm sot këtu. Një falënderim për Avenirin, për ekspozenë që bëri në emër të departamentit, Klevisin, për ndërhyrjen që bëri. Sot ne, debatojmë së bashku problemin më themelor, më të rëndësishëm që është problemi i sigurisë. Në një shtet, në një vend, në një shoqëri asgjë nuk ka më të rëndësishme se sa siguria e qytetarit, siguria e jetës, e pronës, e veprimtarisë së tij. Dhe në rast se shohim qytetarin shqiptar në raport me sigurinë e jetës, me sigurinë e pronës, me sigurinë e veprimtarisë së tij, me sigurinë e të dhënave të tij personale, me sigurinë e ushqimeve që hanë, e ilaçeve që merr, unë mund t’ju them ju i sigurtë se pas Haitit, nuk ka qytetar më të pasigurtë në botë se qytetari shqiptar. Por, qytetari shqiptar për të garantuar sigurinë e tij, largohet nga vendi më i pasigurtë në Europë që është Shqipëria dhe kudo që shkon, shkon në një vend më të sigurtë. Sot me dhjetra e dhjetra studiues, analistë, por dhe hetues ndërkombëtarë, prokurorë, kanë cilësuar dhe vlerësuar Shqipërinë si narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë. Si narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë! Çka do të thotë shteti është i kapur tërësisht, është në kthetrat e mafies. Në fakt, pse mafia e drogës? Është mafia e miliarderëve. Ajo është mafia e miliardave. Ajo nuk i ka për gjë milionat. Po pse Shqipëria pikërisht? Cilido nga ju të marrë një të dhënë, është i lutur, të check-ojë vetëm zhvlerësimin e euros dhe dollarit. Në qoftë se ju bëni, studioni zhvlerësimin e euros dhe dollarit në rajon, në Evropë dhe në botë, do gjeni një shtet kampion botëror, i pakrahasueshëm me asnjë shtet tjetër. Dhe ky është dheu ynë i dashur, Shqipëria, në të cilën, në 10 vite, euro është zhvlerësuar me 32%. Dhe shteti i dytë me zhvlerësim më të madh të euros është, është Meksika, me 17%. Meksika e karteleve më të fuqishme botërore të drogës. 17%. E kanë rrëzuar pezon dollarët dhe eurot e drogës. Kurse këtu, leku ka përmbysur euron dhe dollarin në mënyrën më të pamëshirë. Me pasoja katastrofale për ekonominë. Me një falimentim masiv të eksporteve. Cilido që ka njohuritë më elementare, e dinë që eksportuesit kanë një marzh të kufizuar fitimi. Dhe vetëm rënia e euros me 30% ka fshirë çdo fitim të tyre dhe i ka detyruar të mbyllin sipërmarrjet dhe dhjetra mijëra, qindra mijëra punonjës shqiptarë janë larguar në vende të tjera se kanë humbur vendin e punës nga narko-eurot. Propaganda më e fuqishme bëhet sot nga teleturizmat. Këto televizionet e qeverisë fillojnë tani dhe gjer në tetor ditë e natë vetëm, vetëm turizmi. Plazhet bosh edhe në 1 gusht. Edhe në 15 korrik, dhe në 15 gusht, plazhet e Shqipërisë janë gjysëm bosh. Janë gjysëm bosh, sepse euro e rënë përdhe, ajo që kushtonte më parë 100, tani kushton 130 euro për turizmin. Po ashtu dhe mirupafshim. Të shpenzojnë 30 euro më shumë për një dhomë, jo! Po shkojnë gjejnë diku tjetër. Një shkallë ekstreme, ndofta siç është godit në zemër ekonomia nga narko-eurot dhe narko-dollarët, është goditur e tërë infrastruktura e shtetit.

Nuk ka kriminalizim më të madh në Europë dhe në botë me kriminalizimin që ka pësuar administrata shtetërore e narkoshtetit të Shqipërisë. Pse e gjithë kjo? Sepse në qoftë se i marrim në analizë, Shqipëria është eksportuesi numër një i kanabisit në Europë. E thotë OKB-ja. Me çfarë lidhet kjo? Me një emër. Lidhet me Edi Ramën, i cili në mbledhjet e Këshillit të Ministrave e paraqiti atë si një politikë zyrtare mbledhjen e kanabisit me motivin se droga është para. Çfarë ndodhi më tutje? U kalua nga kanabisi tek kokaina. Sot, klanet shqiptare të kokainës, kartelet shqiptare, janë absolutisht ndër më të fuqishmet në botë. Janë transportuesit numër një të kokainës nga Amerika Latine në Evropë dhe po shkojnë drejt Afrikës dhe kontinenteve të tjera. Tre ditë më parë, mediat shqiptare njoftuan se i famshmi Giuseppe Grillo i thoshte Bartolo Bruzetit se na shkatërruan shqiptarët. Dy bosë kryesorë, njëri i veriut, tjetri i jugut të Italisë, në telefon për kokainën dhe i thoshte Grillo: na shkatërruan shqiptarët. Si i shkatërruan shqiptarët? Ua them unë. Shqiptarët shkuan si manarë të Ndranghetës në Amerikën Latine dhe atje prishën pazaret. Në qoftë se Ndrangheta i paguante me 30%, këta filluan me 50 me 50 me prodhuesit dhe në këtë mënyrë këta shtinë në dorë sasi më të mëdha të kanabisit. Prandaj thotë Grillo, na shkatërruan shqiptarët. Por nuk mjaftojnë këto që të bëheshin kaq të fuqishme kartelet e drogës. Jo. Kartelet e drogës kanë Shqipërinë në plan të dorës. Porti i Durrësit dhe çdo port i Shqipërisë dominohet totalisht nga kartelet e drogës. Ka të dhëna që kërkojnë hetim që flasin se karteli i Troplinit i paguan taksë Edi Ramës 300 milionë euro në vit për përdorim të lirë të portit të Durrësit, ku prej pesë vitesh nuk është kapur më një kilogram kokainë. Port i lirë për kokainën dhe drogën. Është kjo? Jo, s’është vetëm kjo. Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri që bënë shkarkimin e të gjitha të dhënave të TIMS-it, komplet, dhe që i eksportuan thonin, jo mo, nuk i eksportuan në Qipro, në Qipro po je po mundet, po i eksportuan në Durrës, në Shkozet. Dhe tani, cilido që hyn dhe del, klani i Troplinit, qoftë vendas, qoftë i huaj, e ka totalisht nën kontroll. Dhe kjo lidhet me Edi Ramën. Kjo lidhet me Edi Ramën. Kjo është, ishte politikë dhe është politikë.

Haptas, nuk e fshehën këtë. Çfarë është Adelajda Roko? Motra e dy lejtnantëve kryesorë të Suel Çelës, e cila paraqet çdo projekt ndërtimi në Shqipëri të larjes së parave, merr firmën e Edi Ramës. Pra, të gjitha fijet të çojnë tek Edi Rama. Rikthehemi pak. Sapo erdhën në pushtet, në një kohë kur absolutisht gjatë vitit 2013, sasia më e madhe e kokainës e sekuestruar në Itali që ka kaluar nga Shqipëria ka qenë 12.6 kg. Kaq ka qenë. Sapo erdhën në pushtet u instalua këtu fabrika më e madhe e kokainës me alkimistët kolumbianë, e tëra nën patronazhin e Olsi Ramës, Edi Ramës, në menaxhim të hakmarrjes për drejtësi. Pra, narkoshteti ka një arkitekt dhe ky është Edi Rama. Por, çfarë ndodh? Ky vend për fat të keq është shndërruar në plaçkitësin më të keq të qytetarëve evropianë, me një zinxhir të pafund call centrash. Absolutisht, nën patronimin dhe mburojën totale të të komisariateve të policisë, të komisarëve të paguar nga 5000 deri në 10000 euro në muaj. Nën kryesinë e Olsi Ramës. Po. Amant Josifi, i cili u diktua si eksponent kryesor i grupit Milton, që kishte grabitur, plaçkitur qytetarët evropianë mbi 2 miliardë euro, ishte një lejtnant i Olsi Ramës. Dhe sot janë me qindra call centra që ditë e natë mashtrojnë dhe vjedhin qytetarë italianë, gjermanë, francezë, austriakë, me radhë, të gjithë me radhë. Bitcoin, e ka familja Rama. Mos harroni kurrë një deklaratë të Arjan Çelës në parlament. Çfarë tha? Energjinë, ku kuçedra e energjisë në Shqipëri janë dy: shtëpitë e barit dhe shtëpitë e Bitcoin-it. Shtëpitë e Bitcoin-it janë ekskluzivitet, patronazh i Olsi Ramës. Po, e bëri deklaratën. Bëri një deklaratë shumë të guximshme. Këto janë se vendi s’kishte energji. Kuçedrat e energjisë janë shtëpitë e barit dhe shtëpitë e Bitcoin-it. Ndaj dhe kjo situatë dramatike, ku krimi vendos, psikologjia e kriminelet është një psikologji, po bëhet një psikologji e lavdërueshme, dominuese, sepse mbështetet nga pushteti.

Çfarë janë të fortët? Ta dini një gjë. Kurrë një shoqëri qytetare, të lirë, nuk mund ta mposhtin kurrë banditët. Vetëm në një rrethanë. Kur ata kanë mbrapa shtetin. Kur ata kanë mbrapa shtetin, ata janë më mizorët e të gjithë mizorëve dhe qytetari i thjeshtë terrorizohet prej tyre. Shtetin kishte mbrapa ai që i mori jetën, i forti i partisë që mori jetën dy engjëjve në Durrës. Shtetin e kishte mbrapa ai që shkoi dhe vrau Rexhep Ismailin në shtëpinë e tij. Tek po mbronte nderin, besën dhe familjen e familjes së tij. Donin të fortit, donin t’ia vrisnin. Të fortit janë ata që shtypin njerëzit si pula, i lënë dhe largohen, se kanë mbështetje. Të fortit janë ata që paguajnë gjykatës e prokurorë dhe dalin. Pra, çfarë janë të fortit? Të fortit janë mercenarë të pushtetarëve, të cilët ndërmarrin çdo akt dhe të mbrohen, dhe nuk marrin ndëshkimin e merituar. Pra, kjo është situata, një situatë ku krimi dhe mafia ka penetruar në nivelet më të larta të pushtetit. Ka penetruar në nivelet më të larta të të gjitha pushteteve.

Ju e morët vesh superskandalin e fundit me Diellën, e cila nuk ka qoftë dhe një element të vetëm të urtësisë artificiale, qoftë dhe një element të vetëm. Nuk është gjetur, këtu do të flasin specialistët se e kanë. Pra, shikoni ku jetojmë. Një emergjencë e të gjitha emergjencave. Por ju garantoj se Partia Demokratike ka një platformë për t’u dhënë një përgjigje me dorë të hekurt dhe zero tolerancë. Përparësi e çdo përparësie për ne do të jetë siguria e jetës, e pronës, e veprimtarisë, e të dhënave të qytetarëve shqiptarë. Dhe ne me programin tonë, kam bindjen më të madhe se do rikthejmë Shqipërinë, do rikthejmë në Shqipëri shtetin ligjor. Do presim me gërshërët e çelikta të ligjit, të gjitha lidhjet e krimit me pushtetin. Do godasim me forcën më të rreptë të ligjit krimin, cilido qoftë ai. Me një agjenci të veçantë do hetojmë, do konfiskojmë të gjitha pasuritë e krimit. Do pastrojmë institucionet nga krimi.

Një gjë duhet ta kemi të qartë. Edhe sot pavarësisht nga shkallë shumë e lartë e inkriminimit, absolutisht në Policinë e Shtetit, përsëri ka trima, guximtarë, burra dhe gra që duan të bëjnë ligjin. Dhe unë kam besim të plotë se në qoftë se do të çliroheshin nga banditët që i komandojnë, që ndërrojnë njëri mbas tjetrit, sepse ja u caktojnë, një herë i caktojnë Tropinët, herën tjetër e caktojnë Çelajn, drejtorin e policisë, dhe që dekonspirojnë çdo operacion.

Nicola Grattieri, një nga prokurorët më të famshëm të antimafias italiane, do të thoshte se: Shqipëria është më keq se narkoshtet, sepse nuk mund të punohet. të tradhëtojnë, të shesin. I japin të dhëna. 250 e sa mandate të paarrestuar, asnjë bos nuk u arrestua, po s’u arrestuan jashtë. Po s’të arrestuan policitë jashtë, Shqipëria harroje. Ata kanë filluar të mos shkojnë më jashtë, kanë filluar të rrinë në Shqipëri tani. Dhe ju luten që mos t’i lënë këtu, të mos bëjnë mandate se ata nuk largohen. Se jashtë i kapin, këtu s’i kap kush. Kjo është e vërteta. Po kjo do marrë fund. Zero tolerancë! Një veting i plotë i të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit, policisë, shërbimit inteligjent, i cili edhe ai nuk qëndron më. Përkundrazi, segmente të tëra bashkëpunojnë me krimin dhe do rivendosim si prioritet absolut sigurinë e jetës, veprimtarisë të të dhënave të qytetarëve shqiptarë, të shoqërisë shqiptare, do qëndrojmë fuqishëm kundër terrorizmit. Do vendosim lidhjet më solide, më luajale me të gjitha agjencitë ndërkombëtare të Euvropës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, në goditjen përfundimtare dhe në rivendosjen përfundimtare të sigurisë dhe rendit në Shqipëri. Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale