DEKLARATË PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha deklaroi në një deklaratë për media ditën e sotme se programi i ‘Shqipërisë Madhështore’ do të jetë programi i Shqipërisë që do të përjetojë një ‘bum energjitik’ duke dyfishuar prodhimin e energjisë brenda një mandati. Fokus do të jetë në burimet e rinovueshme si energjia eolike dhe diellore, përfshirë përdorimin e platformat e erës dhe potencialin solar.
Berisha premtoi investime të mëdha në energjinë e rinovueshme dhe ndërtimin e mikrohidrocentraleve për energji falas për komunitetet lokale. Kryedemokrati, Sali Berisha tha se këto hapa do të bëjnë Shqipërinë një superfuqi energjetike në rajon, me përfitime për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Lideri hisorik i PD, Sali Berisha deklaroi gjithashtu se Shqipëria do të shfrytëzojë potencialin e gazsjellësit TAP për të ndërtuar termocentrale me gaz dhe për të realizuar gazifikimin e qyteteve si prioritet kryesor. Ai theksoi se investime serioze, përfshirë nga sektori publik, do të bëhen në këtë drejtim, duke respektuar standardet mjedisore të larta. Berisha e konsideroi të pafalshëm mosshfrytëzimin e mundësive që TAP ofron për Shqipërinë, duke shtuar se ky projekt do të kontribuojë në forcimin e Shqipërisë si një superfuqi energjetike rajonale. Berisha solli në rikujtesë sukseset e mëparshme, si ndërtimin e hidrocentraleve dhe Kaskadës së Devollit, si prova të mundësive të mëdha për energjinë në Shqipëri.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se Ilir Meta do të jetë në listat e sigurta të PD dhe koalicionit, duke theksuar se kjo është një nxitje për ata që besojnë në një Shqipëri të lirë. Berisha kritikoi me tonë të ashpra Ramën për mbajtjen e Metës në burg, duke thënë se Rama po përdor këtë taktikë për të kontrolluar kundërshtarët politikë dhe për të marrë mandate.
Kryedemokrati, Sali Berisha, tha se nëse Agaçi ka bërë sikur është i sëmurë për të mbrojtur veten dhe Edi Ramën, Berisha e quajti atë “të pashpresë”.
Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu mbështetje të plotë për protestën e banorëve të Tragjasit, duke kritikuar kryeminsitrin Rama për marrjen e ujit nga banorët me forcë. Berisha theksoi se PD ka zbatuar gjithmonë ligjet dhe konventat ndërkombëtare, duke dënuar përdorimin e forcës për të marrë burimet natyrore. Berisha e quajti këtë veprim të Ramës si “kuçedër”, duke theksuar se nuk mund të lejohet që të shterrohen burimet që kanë mbështetur jetesën e banorëve për breza. Ai e konsideroi këtë një shkelje të parimeve dhe rregullave.
Lideri demokrati, Sali Berisha kritikoi ashpër kryeministrin Rama, duke e akuzuar për mashtrim publik dhe shmangie të transparencës. Berisha theksoi se Rama krijon pyetje të sajuara dhe i përgjigjet vetes për të manipuluar mediat dhe qytetarët. Berisha shtoi se nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë që një kryeministër të sillet në këtë mënyrë dhe se Rama ka frikë të përballet me gazetarët.
Kryedemokrati, Sali Berisha u shpreh para gzetarëve se Rama ndërron fetë sa herë martohet, duke e quajtur atë politeist dhe jo monoteist. Berisha e akuzoi Ramën për fyerje të Kuranit me krijimin e shtetit islamik bektashi, duke thënë se një gjë e tillë nuk ka asnjë bazë në Kuran. Berisha tha se Rama po përdor fenë për qëllime elektorale, duke e konsideruar këtë një manipulim të rrezikshëm.
FJALA E PLOTË
Shqipëria Madhështore do të jetë Shqipëria e bumit të madh energjetik.
Do të jetë Shqipëria e investimeve madhështore në energjetikë.
Unë jam këtu për të garantuar qytetarët shqiptarë se prodhimi i energjisë nga era, dielli dhe gazi, me përparësi prodhimin e energjisë së rinovueshme, do të dyfishojë prodhimin total të sotëm gjatë mandatit që vjen.
Parqet eolike, parqet solare do të marrin një përparësi absolute.
Shqipëria ka ndër platformat e erës më të fuqishme në Europë.
Këto platforma shtrihen nga thellësitë e Alpeve në jugun e vendit.
Zona të mëdha mund të prodhojnë me mijëra megavatë në energji eolike.
Por dielli është një burim i pashterrshëm dhe unë garantoj qytetarët shqiptarë që Shqipërinë do ta shndërrojmë në vendin më tërheqës në Europë për investimet në fushën e energjisë.
Dhe përfituesit më të mëdhenj të këtij bumi në prodhimin energjetik do të jenë qytetarët shqiptarë, do të jetë biznesi shqiptar, do të jetë Made in Albania, prodhimi shqiptar.
Do të përdoren të gjitha potencialet ujore, në përputhje ne rregullat rigoroze të mjedisit, për të shndërruar në energji ujërat që derdhen të fjetura në det.
Do autorizohet ndërtimi i mikrohidrocentraleve për të prodhuar nga fshatra, nga komunitete, nga lagje, energji falas për veten e tyre.
Këto burime fantastike, këto burime të mëdha, të pashtershme energjie do ta bëjnë Shqipërinë një ndër nyjet më të fuqishme energjetike, një superfuqi rajonale energjetike.
Investime shumë serioze do bëhen qoftë dhe nga sektori publik, në termocentrale gazi, të cilat kanë standardet më të larta të respektit mjedisor.
Kontratat ekzistuese me TAP-in i bëjnë të mundur Shqipërisë të ndërtojë mbi 500 megavat termocentrale me gaz.
Energjia si një nga shtyllat kryesore të programit tonë do të ndryshojë jetën e mbarë qytetarëve shqiptarë.
Gazifikimi i qyteteve të vendit do jetë nisma ndër më kryesoret e qeverisë shqiptare.
Buxhetet e ardhshme do i përkushtohen infrastrukturës dhe gazifikimit të Shqipërisë.
Është mëkat, është e pafalshme të kesh në territorin tënd, në mbi 200 kilometra trajektore, një nga gazsjellësit më të fuqishëm të kontinentit, të kesh qenë kontribut kryesor në fitoren e këtij projekti, dhe tani të pretendosh të marrësh gazin e lëngët, të mos shfrytëzosh potencialin e jashtëzakonshëm të tij.
Pra, të gjitha këto marrin fund.
Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria e superfuqisë energjetike në rajon.
Ata që e vënë në dyshim këtë që them, u rikujtoj këtu se në vitet 2009-2013, u firmosën kontratat për ndërtimin e 434 hidrocentraleve në Shqipëri, dhe u inauguruan punimet për dhjetëra prej tyre, ndër të cilës Kaskada e Devollit, që në kohën kur ndërtohej ishte hidrocentrali më i madh në Europë dhe ndërtohej nga kompania numër një në botë për ndërtimin e hidrocentraleve, Statkraft.
Pra, ëndrra shqiptare në fushën e energjisë do të bëhet realitet.
Pasuritë përrallore, natyrore që shqiptarët kanë në këtë fushë, do kthehen në mirësi, do kthehen në të ardhura, do kthehen në begati për qytetarët shqiptarë.
Osman Stafa, News 24: A do e pranojë Sali Berisha kërkesën e Ilir Metës për të kandiduar në qarkun e Fierit si deputet në listat e sigurta?
Berisha: Ilir Meta do të jetë, sot ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i parlamentit, i burgosur politik, do të jetë në lista të sigurta të PD dhe koalicionit, mbi votat dhe rezultatin elektoral të Partisë së Lirisë.
Dhe jam i bindur se prania e tij në lista është një nxitje e madhe për të gjithë shqiptarët që besojnë se një Shqipëri e lirë nuk ekziston me të burgosur politikë dhe që vlerësojnë kontributin e tij 30-vjeçar në politikë.
Janë të tjerë që po merren me negociata, por unë mund t’u konfirmoj ju se ai do jetë në listë të mbyllur.
Dhe, mendoj se përderisa të ekzistojë këtë listë, nuk mund të ketë asnjë koment.
Një njeri i burgosur, të cilin Edi Rama e mban në burg për shkak të frikës dhe tmerrit që ka, Edi Rama kërkon të marrë mandate duke burgosur kundërshtarët politikë, atëherë ai do të jetë në parlament dhe do të jetë fitimtar.
Osman Stafa, News 24: Engjëll Agacci u shfaq në krah të kryeministrit, Edi Rama. A keni ju një koment?
Berisha: Komenti im është ky.
Në rast se ai është operuar, unë kam koment si për çdo të sëmurë: shërim të plotë.
Në rast se ai për llogari të vetes dhe Edi Ramës ka bërë të sëmurin imagjinar, atëherë ai është i pashpresë.
Kaq i them!
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, prej muajsh banorë të Tragjasit në Vlorë janë duke protestuar, ditën e sotme ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Edi Rama duke deklaruar se projekti do të zbatohet. PD, a është në mbështetje të plotë të këtyre banorëve?
Berisha: PD është plotësisht në mbështetje të protestës së Tragjasit.
PD ka qeverisur, PD nuk ka rrëmbyer prona komunitare me forcë asnjëherë.
PD në të gjitha rastet ka zbatuar ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare që e detyrojnë qeverinë të ulet me banorët, e detyrojnë qeverinë të marrë parasysh të gjithë shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Në çdo rast, dhe kanë qenë shumë të rralla, absolutisht qeveria është ulur dhe i ka zgjidhur siç kërkon konventa dhe rregulli ndërkombëtar dhe kombëtar, gjer edhe në forma konkrete shpërblimi dhe dëmshpërblimi.
Pra, ai që ua merr me forcë ujin, ai merr rol kuçedre, ua shterron burimet.
Nuk mund të bëhet, ata me atë burim uji janë aty dhe kanë ndërtuar jetën në breza. Ndaj dhe të ulen.
Nuk jam unë që të mos ndërtohen ujësjellësa, por nuk mund të pranoj kurrë dajakun kundër banorëve për t’u marrë burimin e ujit. Jam i prerë në këtë mes.
Këtë e bën Edi Rama që nuk ndjek asnjë lloj parimi, rregulli.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Z.Berisha, prej tri ditësh keni shpallur koalicionin ‘Shqipëria Madhështore’, ku deklaroni se Shqipëria do të jetë madhështore nëse ju vininë pushtet në 11 maj. Kryeministri Edi Rama, ditën e sotme ka komentuar koalicionin tuaj, duke ironizuar aletatët tuaj dhe thotë se është njëkëntë që nuk i hyn në punë as dreqit. Si i përgjigjeni deklaratës së kryeministrit?
Berisha: Detyra ime është të paraqes para jush, të dal i hapur para gazetarëve që mbrojnë interesin publik, me programin dhe projektin e PD.
Nuk mund të komentoj, nuk dua të harxhoj asnjë minutë kohë me njeriun e mashtrimit publik, i cili- duhet të informoj mediat dhe shqiptarët- se i sajon vetë pyetjet që don dhe mashtron qytetarët dhe mediat sikur ato i vijnë.
Unë dua t’u them qytetarëve shqiptare dhe medieve, se nga verifikimi i fakteve, në 1400 komente, nuk ekzistonte as pyetja, as emri i atij që Edi Rama pretendonte se e ka pyetur.
Dhe unë do i kërkoj zyrës së shtypit të bëjë një njoftim për këtë se ky përbën mashtrim publik.
A mundet unë t’i përgjigjem një mashtruesi publik?
Që në momentin që ai del dhe thotë se filani, e zëvendëson me gazetarin, më pyeti dhe përgjigjet pa e pyetur fare, do të thotë se ai i ka bërë vetes një pyetje dhe ka hartuar një përgjigje, ky meriton përçmim.
Dhe unë, të isha gazetar, unë i bëja padi publike atij për mashtrim publik se ka gjetur mënyrën më skandaloze për të shmangur transparencën para gazetarëve.
Nuk ka ndodhur kurrë kjo në historinë e Shqipërisë, hera e parë që ndodh.
Aq i kriminalizuar është, aq i zhytur është, sa ka frikë edhe nga rojet e ndërtesave të gazetave dhe televizioneve, se mos po i bëjnë një pyetje.
A ia vlen t’i komentojmë pyetjet e tij? Nuk ia vlen fare. Le ta lëmë çdo ditë të flasë zhaba, hardhuca, zhapinj, bretkosa. Lëreni në botën e tij, të mos i nxjerrim atij.
Anisa Kadesha, Tvsh: Kryeministri në bashkëbisedimet me qytetarët i është referuar librave të shenjtë dhe besimit në Zot. Ju besoni se vërtet është kaq besimtar kryeministri?
Berisha: Po një njeri që ka ndërruar fetë sa herë është martuar, ai është politeist, ai nuk është monoteist.
Si mund t’i besojmë ne atij? Dhe del tani, do të ndërtojë në një anë citon Kuranin, në anën tjetër thotë do krijojë shtetin islamik bektashi, ta gjejë në Kuran ku ekziston kjo.
Nuk ka fyerje më të rëndë për Kuranin se sa kjo.
Mos harro një gjë, Kurani është fjala e Zotit, siç e ka dërguar i gjithëfuqishmi.
Pra, ky edhe ato i përdor për propagandë, për qëllime elektorale.
Në analizë, një njeri që është konvertuar disa herë, është politeist.
Anisa Kadesha, Tvsh; Z.Berisha, një ditë na latë porosi të lexonim për zogun sqepkëpucë, dhe na rezulton ashtu sikundër ju thatë që ushqehet me zogjtë e vet. Tani, këtë zogun sqepkëpucë, kush e ha?
Berisha: Tani, ai komenti im është që, ai po jeton një komë politike.
Njeriu në komë politikë, nuk duhet të kemi asnjë lloj vëmendje për të.
Fakti që nuk guxon të paraqesë një program para shqiptarëve, dëshmon se Edi Rama është e shkuara e këtij vendi.