FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NE TAKIMIN ME MËSUESIT NË KAMËZ
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në Kamëz me mësuesit për të festuar 7 Marsin, një ditë simbolike për arsimin në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri një krahasim të periudhës së qeverisjes së tij (2005-2013) me situatën e arsimit sot.
Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij, profesioni i mësuesit ishte vënë në piedestal, pasi rrogat e mësuesve u rritën më shumë se të gjitha pagat e tjera, duke i dhënë një vlerë të lartë këtij profesioni të rëndësishëm.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha kritikoi masat e ndërmarra nga qeverisja aktuale, duke theksuar se gjatë këtyre viteve janë mbyllur 760 shkolla, mësuesit janë degraduar dhe janë zëvendësuar me patronazhistë. Ai gjithashtu theksoi se rrogat e mësuesve nuk kanë arritur të mbajnë ritmin e inflacionit, duke u përmendur si një pasojë e qeverisjes aktuale, që ka sjellë një rrokullim të madh në sistemin arsimor, një sistem jetik për përparimin e çdo kombi.
Berisha gjithashtu shpjegoi se koncepti i ‘Shqipërisë Madhështore’ është i lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit. Ai shpalli një plan ambicioz për të forcuar arsimin në vend, duke theksuar se ‘Shqipëria Madhështore’ ka një kusht themelor-arsimin madhështor. Ai premtoi se pagat e mësuesve do të jenë mbi pagën mesatare që do të jetë 1200 euro dhe e lidhi këtë me një rritje të buxhetit për arsimin dhe kërkimin shkencor. Berisha po ashtu njoftoi se do të dyfishohet buxheti për arsimin dhe kërkimin shkencor, duke theksuar se kombi nuk ka asgjë më serioze se investimi në shkollim.
Në takimin e organizuar në kuadër të festës së mësuesit në Kamëz, kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe për një tjetër projekt madhor, që lidhet me energjinë diellore. Ai garantoi se qeveria e ardhshme do të financojë instalimin e paneleve diellore në të gjitha çatitë e Shqipërisë, duke mundësuar që pas instalimit, qytetarët të paguajnë koston e instalimit për tre vite si çmim energjie, dhe më pas të marrin energji falas. Ai theksoi se Shqipëria është një vend i bekuar, me 280 ditë diell, dhe se ky projekt do të ndihmojë qytetarët të kenë energji të lirë dhe të rinovueshme.
Gjatë fjalës së mbajtur para mësuesve dhe të ftuarve të tjerë në takimin në Kamëz, kryetari i PD-së Sali Berisha po ashtu foli për rëndësinë e diasporës shqiptare në realizimin e projektit ‘Shqipëria Madhështore.’ Ai u shpreh se emigrantët do të jenë promotorët kryesorë të këtij projekti në mbarë botën, duke ndihmuar në rikthimin e investimeve dhe duke kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë.
Sipas kryedemokratit, qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka që emigrantët të rikthehen dhe të investojnë në Shqipëri, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një Shqipërie më të fuqishme dhe të zhvilluar.

FJALA E PLOTE:
Të dashur mësuese e mësues, prindër, demokrate e demokratë të qytetit të Kamzës.
Të dashur drejtues të PD-së në qendër dhe Kamzë, kandidatë të kësaj partie për deputet të Kamzës dhe kryeqytetit.
I dashur z. Mediu, të dashur miq, të pranishëm në këtë takim, në një ditë nderimi, në një ditë do të thosha edhe më shumë se nderimi të mësueses, mësuesit, të kontributit të tyre, të përpjekjeve të tyre të mëdha në fushën e dijes, të edukimit qytetar, të atdhetarisë, por dhe njerëz që sot përballen me vështirësi të mëdha dhe të pamerituara.
Sot ne nderojmë këtë ditë, nderojmë figurën e mësueses dhe mësuesit, në një kohë që nuk meritonim kurrë këtë gjë. Kur vështron disa tregues, kur konstaton se pak muaj më parë, fëmijët tanë të mrekullueshëm renditen të fundit në botë për mendimin kreativ, në testin e cilësisë.
Kur kujton se arsimi ynë në cilësi nga një ngjitje vertikale që pati në vitet 2007-2014, pësoi një rënie dramatike vertikale, një rënie e cila nuk është parë, nuk është konstatuar në asnjë nga vendet e planetit, një rënie me 69 pikë në njërën prej shkencave më themelore të njeriut dhe njerëzimit, që është matematika.
Këto tregues nuk janë rastësor. Këto tregues janë dëshmi e një rrokullisje të madhe të sistemit të arsimit në këto vite të narkodiktaturës, të narkoshtetit.
Në rast se kthehemi së bashku mbrapa, në vitet 2005-2013 gjatë atyre dy mandateve, u rindërtuan mbi 1300 shkolla, kopshte dhe këtu në Kamzë, nga 3 apo 4 turne u kalua në mësimdhënie normale.
Në Kamzë dhe Shqipëri, interneti dhe kompjuteri që ishte mollë e ndaluar, u vu në dispozicion të nxënësve në të gjitha shkollat e vendit. Nga 48 shkolla që ishin në vitin 2005 me internet dhe laborator informatike, me 940 kompjutera gjithsej, 24500 kompjuter u ndanë në të gjitha shkollat e vendit.
U krijuan laboratorët e informatikës në shumicën dërmuese, apo në të gjitha shkollat e mesme.
Por mbi të gjitha, të jemi këtu, ne vendosëm mësuesin në piedestalin që e meritonte. Rrogat e tyre u rritën më shumë se të gjitha rrogat e tjera.
Shqipëria në piramidën e rrogave vendosi mësuesit në 1/3 e epërme të saj. Nuk janë kaq shumë vende që e kanë atë pozicion për pagat e mësuesve.
Numri i mësuesve pa arsim përkatës u reduktua, pasi arsimi tashmë u bë një profesion i vlerësuar, profesioni i mësuesit.
Dhe të gjitha këto së bashku bënë të mundur disa arritje shumë të rëndësishme.
U bë e mundur që nga 68% që ishte përqindja e nxënësve që kalonin nga shkolla 9-vjeçare në
shkollën e mesme, të arrihet në 90% dhe jo me detyrim, por me mirëorganizim dhe investime.
U bë e mundur që Shqipëria nga 12 studentë që kishte për 1 mijë banorë, në një kohë kur mesatarja Europiane ishte 43 studentë, të kalonte në 50 studentë për 1 mijë banorë.
U bë e mundur një ngjitje vertikale në testin e PIZA-s.
Pra, u shënuan arritjet e para serioze, u shumuan programet me qindra.
Çfarë ndodhi këto vite.
Këto vite janë mbyllur 760 shkolla.
Këto vite numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë.
Këto vite është regjistruar ajo që ndofta nuk është regjistruar asnjëherë në historinë tonë mijëravjeçare. Një qytet, një qendër e banuar si Kolonja, si Erseka, ka patur në vitin 2023 vetëm një lindje.
Në vitin 2030, në klasën e parë të këtij qyteti ulet vetëm 1 vogëlush.
Kombi nuk është goditur kurrë në materien e tij, në qenien e tij nga asnjë pushtim, nga asnjë pushtues, nga asnjë fatkeqësi natyrore, nga asnjë luftë, siç është goditur këto 12 vite të qeverisjes së një njeriu, i cili ka patur mision shkatërrimin e këtij kombi.
Ka patur si mision dhe ka, shkatërrimin e këtij kombi.
Edi Rama përbën ndofta antishqiptarin më të zi të historisë. Siç e kanë quajtur me shumë të drejtë analistë ndër më të mëdhenjtë të kohës, gjermanë e të tjerë, ‘Pashiqi Shqiptar’. Këtë gjëmë që i bëri Shqipërisë me politikat e tij, e shoqëroi me thika të tmerrshme pas shpine Kosovës.
Një vend vëlla, vëlla gjaku, një vend që u bë i pavarur sepse qëndroi i pamposhtur nga pushtuesit më të egër.
Pas ardhjes së tij në pushtet përballet me një presion të egër mes Tiranës e Beogradit.
Në fakt jo vetëm që ndaloi procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, por mori anën e Beogradit, vuri sanksione Kosovës, i pari, me urdhër antishqiptar.
Pra kjo që pësoi Shqipëria dhe shqiparët me Edi Ramën është e pashembullt në tërë historinë.
Unë e kam përjetuar diktaturën komuniste dhe unë e di se dhjetëra e mijëra shqiptarë, u ekzekutuan për fjalën, mendimin e liri, dinjitetin njerëzor. Dhjetëra mijëra të tjerë u internuan, u dëbuan. Një popull i tërë ra në varfëri dhe mjerim.
Por kurrë, ky komb, ky popull nuk ka humbur në 10 vite, 45% të materies së tij, siç kemi humbur në këtë periudhë.
U ndala në këtë analizë, për të thënë se në këtë regjim, diktaturë të dytë, arsimi ka qenë dhe viktima më tragjike e tij.
Mësuesit u degraduan, u zëvendësuan me patronazhistë. Rrogat e tyre në vend që të ndiqnin trendin sot nuk kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit 12-vjeçar.
Një shkollë drejtorësh, si shkollë partie. Një portal që quhet ‘Mësues për Partinë’. Të gjitha këto së bashku, sollën rrokullimën e madhe të sistemit jetik, më të rëndësishëm për një komb, në rrugën e tij drejt përparimit, progresit.
Ju jeni dëshmitar që ne kemi shpallur moton tonë ‘Shqipëria Madhështore’ dhe unë garantoj secilin prej jush se kjo moto, sado që mund të tingëllojë si e largët, mund të tingëllojë si jo realiste, por unë ju jap fjalën dhe ju garantoj se ‘Shqipëria Madhështore’ do yë jetë një realitet shumë më i afërt nga ai që mendoni ju.
‘Shqipëria Madhështore’ është dhe do të jetë para së gjithash, projekti i burrave dhe grave që e duan Shqipërinë, që e saksifikojnë për Shqipërinë, që i besojnë Shqipërisë.
‘Shqipëria Madhështore’ është vendi të cilit natyra dhe Zoti i kanë dhënë pasuritë më përrallore për tu ngritur në zenitin e madhështisë, në zhvillimin e saj.
‘Shqipëria Madhështore’ është vend në të cilin mund të prodhohet kudo dhe çdo gjë.
Është vendi në të cilin rezervat natyrore të gjithanshme janë botërore, rezervat energjetike janë të jashtëzakonshme.
‘Shqipëria Madhështore’ është vendi në të cilin kurrë nuk mund të ishin këto rroga e pensione.
Por ‘Shqipëria Madhështore’ ka një kusht të të gjitha kushteve ‘Arsimin Madhështor’.
Ëndrra e madhe e shqiptarëve për një ‘Shqipëria Madhështore’, nuk mund të realizohet pa një arsim madhështor. Pa transformimin e thellë të arsimit.
‘Shqipëria Madhështore’ nuk mund të jetë Shqipëria e njerëzve që numërojnë kafshatën.
Nuk mund të jetë Shqipëria e të sëmurëve që nuk blejnë dot ilaçet.
Nuk mund të jetë Shqipëria e prindërve që nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre.
Jo. Të gjitha këto marrin fund në tre muajt e parë të qeverisjes.
Shqiptarë, 3 muajt të parë të qeverisjes që prodhon varfëri ekstreme nuk ka dhe nuk do të ketë. Paketa jonë është paketë asgjësuese për varfërinë ekstreme.
‘Shqipëria Madhështore’ është Shqipëria e arsimit madhështor, në të cilin mësuesi e mësuesja, do të jenë në piedestalin e nderit që u takon atyre për misionin e madh që kanë.
Nuk ka mision më të madh, nuk ka mision më të rëndësishëm, më serioz se misioni i mësuesit.
Ndaj dhe ne i rikthehemi përsëri besimit tonë tek arsimit.
Ne i rikthehemi përsëri trajtimit dinjitoz të mësuesit dhe mësueses në Shqipëri.
Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri.
Nëqoftëse rroga mesatare në Shqipëri do të jetë 1200 euro, e mësuesit do të jetë mbi mesataren. Për këtë ju garantoj unë miq.
E pedagogut do të jetë qartësisht mbi mesataren.
Pra do i rikthehemi me forcën më të madhe, trajtimit të merituar të mësuesit e mësueses.
Do dyfishojmë buxhetin për arsimin. Kombi nuk ka asgjë më serioze se shkollimin.
Sot buxheti për arsimin është qesharak.
E premtoi 5%, a sa e premtoi, sot është 2.45%. Buxheti për shkencën, për kërkimin shkencor në Shqipëri është 57 herë më i ulët, se sa mesatarja e vendeve anëtare të OSBE-së. Është inekzistent dhe tani kryetari i shkencës në Shqipëri, u vetëshpall Edi Rama.
Krijoi Këshillin Shkencor Kombëtar të kryesuar nga kryeministri. Ju garantoj se diktatori i Koresë së Veriut nuk është kryetar i Këshillit Shkencor të Koresë. I ka të gjitha, por nuk e ka marrë këtë funksion, siç e merr kreu i narkoshtetit shqiptar.
Investimi për shkencën, për arsimin e lartë do të shumëfishohet.
Nga 11 mijë pedagogë dhe asistentë që kishte vendi në vitin 2013 sot janë përgjysmuar. Kanë ikur, kanë mbetur vetëm 6 mijë.
Goditje e rëndë shumë. A kishte mundësi që ata të qëndronin edhe pse mund të binte numri i studentëve? Po kishte shumë mundësi, sepse ne kemi raportin pedagog-student e kemi të papranueshëm dhe atë ne duhet ta përmirësonim. Por alternativa e vetme për ta, mbeti largimi nga Shqipëria.
Së fundi para 1 viti goditi profesionet e lira, për të shpartalluar plotësisht shtresën e mesme të vendit.
Ne qëndrojmë për një ‘Arsim Madhështor’ dhe ju garantoj ju se, jo vetëm buxhetet sipas arsimit parauniversitar, universitar, kërkimit shkencor do të 2-3 fishohen, por programe të tjera zhvillimi, përpjekje të tjera të mëdha do të bëhen që arsimi dhe shkenca ti prijë përjekjeve të shqiptarëve për ‘Shqipërinë Madhështore’.
‘Shqipëria Madhështore’ i ka zënë në befasi kleptokratët dhe narkoqeveritarët.

Natyrisht përpiqen me çdo kusht që të zhvlerësojnë këtë term.
Por ne që kemi paraqitur këtë program, ne kemi paraqitur atë me bindjen më të thellë se është plotësisht i realizueshëm.
E kemi paraqitur me bindjen më të thellë, sepse ishte për shqiptarët madhështi, kalimi nga njerëzit më të varfër, nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta, kalimi në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
E gjithë elita ekonomike botërore e vlerësoi atë moment si ‘quantum liptum’ si një hap kuantik
të jashtëzakonshëm.
Askush nuk e imagjinonte dot se në dy mandate mund të ndërtoheshin dhe rindërtoheshin 11 mijë km rrugë. Ju them këtu unë ju, nuk i harroj kurrë fytyrat e bashkëpunëtorëve të mi. Kur kemi deklaruar se do të ndërtojmë Rrugën e Kombit, qoftë dhe me vathë dhe byzylykë ata janë zbehur. Ka patur prej tyre që janë zbehur. Por ne ndërtuam 2-3 herë më shumë se atë që shpallëm.
Nuk i ndërtuam me vëthë dhe byzylykë, por i ndërtuam me paratë tuaja, taksat tuaja. Ato i përdorëm për të bashkuar kombin.
Shqipëria nga vendi më i pasigurtë u bë anëtare e NATO-s. Unë besoj se ky ishte një akt madhështie për vendin më të pasigurtë që i kishte provuar të gjitha pushtimet në kohëra.
Nga vendi që kishte gjithsej 4.8% të penetrimit të internimit të internetit në shoqëri, kaloi në 63% dhe u bë vendi më i hapur ndaj internetit, për shoqërinë.
Shqipëria është vend plot me ujëra. Dhe kur deklaruam në vitin 2007 se do të bëheshim superfuqi e vogël rajonale e energjisë së rinovueshme u tallën, përqeshën, por në fakt Shqipëria sot është eksportuesi i energjisë së rinovueshme. Dhe janë edhe qindra hidrocentrale të tjera për tu ndërtuar.
Por miqtë e mi. A kemi ne të drejtë të themi se Shqipëria do të jetë Madhështore në prodhimin e energjisë?
Ju garantoj se brenda një mandati, nga jugu në thellësitë e Alpeve qeveria do të financojë instalimin e paneleve diellore në të gjitha çatitë e Shqipërisë.
Do ta bëjmë ne këtë, që qytetarë shqiptarë pas instalimit të tyre do të paguajnë dhe tre vite të tjera koston e instalimit si çmim energjie, dhe pastaj do i kenë falas ato. Do ta marrin energjinë falas, e kanë nga Zoti, e kanë nga dielli.
Vend me 280 ditë diell, vend i bekuar nuk ka si Shqipëria.
Burime të tjera energjetike disponohen në këtë vend, ndaj dhe ekziston çdo potencial që ne këtë ëndërr, ëndërr dite. Ëndërra e ditës e njerëzve që e dashurojnë Shqipërinë, e njerëzve që i besojnë Shqipërisë, do ta bëjmë realitet shumë më shpejt nga çmendojnë të tjerët.
Por përsëri kushti i kushteve është një sistem arsimor, i zhvilluar, cilësor në lartësinë e madhështisë së Shqipërisë.
Të dashur miq!
11 maji ndan histori, ndan epokën.
Me 11 maj çdo shqiptare dhe shqiptar që ushqen ndjenjat më minimale të dashurisë ndaj këtij vendi, i jep me votën e tij ndëshkimin e merituar kësaj narkokrature, këtij regjimi dhe firmos për ‘Shqipërinë Madhështore’.
Këtë vit, në Milano e kam shpallur dhe e shpall dhe këtu, viti i Diasporës shqiptare.
Ne shqiptarët në kohëra të vështira kemi patur një shprehje; Mbahu nën mos ki frikë, se i ke djemtë në Amerikë.
Në fakt, sot kjo shprehje është aktuale përsëri. Por sot nuk janë djemtë, por gjysma e kombit jashtë vendit. Është gjysma jonë në dhera të huaja.
Ju e keni parë, unë kam bërë një seri takimesh dhe në këto takime, ju them unë ju, kam gjetur një shpërthim entuziazmi, optimizmi dhe energjie që nuk e kam parë kurrë që nga vitet ’90, në kohën e përmbysjes së diktaturës komuniste.
Pra regjimi i Edi Ramës është i dënuar në mënyrë përfundimtare nga kombi shqiptar, kësaj here të themi më shumë se nga kushdo tjetër, nga gjysma e lirë e kombit që jeton në dhera të tjera.
Dhe unë jam sot këtu, para jush për tu zotuar, në emër tuaj dhe para jush, se ‘Shqipëria Madhështore’ do të jetë edhe vepër e tyre. Se mundi, djersa, investimet, dijet e tyre do të jenë promotor kryesor i projektit më të madh, më të bukur, që ka njohur Shqipëria ndonjëherë, projektit të ‘Shqipërisë Madhështore’ dhe se qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka që ata të rikthehen me investimet e tyre, me miqtë e tyre dhe të investojnë në Shqipëri, ëndërrën e tyre, ëndrrën shqiptare.
Qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka për të mbrojtur gjuhën, për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare, kudo që ndodhen, nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut, nga Alaska në skajin tjetër të dheut.
Shqiptarët do të kenë pas 11 majit, një qeveri e cila do të bëjë gjithçka për mbështetjen e tyre.
Ndaj dhe ftoj, meqë jemi në ditën e mësuesit, të gjithë mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë, të gjithë prindërit, ftoj të bashkohemi në këtë përpjekje në 11 maj të ndajmë epokën e narkodiktaturës dhe të rikthehemi në epokën e lirisë, dinjitetit, zhvillimit, të hymë, të ecim krenar drejt ‘Shqipërisë Madhështore’.
Gëzuar dhe njëherë 7 Marsin, festën e mësuesit.
Faleminderit!


