Shqipëria financon arsimin më pak se Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi/ Lili Sula: Rama premtoi Europën, por na la pas rajonit

DEKLARATË PËR MEDIA DREJTUESJA E DEP. TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA

Sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria vijon të financojë arsimin në nivel shumë më ulët se vendet e Bashkimit Europian. Në vitin 2023, shpenzimet publike për arsimin përbënin vetëm 2.9% të PBB, kundrejt mesatares prej 4.7% në vendet e BE-së.

Edhe në raport me vendet e rajonit Shqipëria çalon, me 2.9% të PBB-së, në krahasim me mesataren e Ballkanit Perëndimor, e cila është 3.9% e PBB. Financimi i arsimit nga buxheti i shtetit për Kosovën shënon 4.7% të PBB-së, Bosnjë-Hercegovina 4.4%, Mali i Zi 4.1%, Maqedonia e Veriut 3.7%, ndërsa Serbia 3.3%.

Thënë ndryshe shteti shqiptar duhej ta rriste me rreth 60% financimin e arsimit për të arritur nivelin mesatar të BE-së.

Edhe nëse do të përfshihej në renditjen e 27 vendeve anëtare të BE-së, Shqipëria do të renditej e fundit në listës – pas Rumanisë, me 3% të PBB-së; që ndiqet nga Greqia me 3.3% dhe Malta me 3.4%.

Po japim vetëm një problem shumë konkret: testimi ndërkombëtar PISA, 2022, tregoi se vetëm 26.3% e 15-vjeçarëve shqiptarë ishin mbi Nivelin 2 në aftësitë e të lexuarit, që do të thotë se rreth 73.7% ishin nën nivelin bazë të aftësisë së leximit.

Edi Rama premtoi para 13 vitesh se do ta financonte arsimin me 5% të PBB-së, ndërsa realisht, financimi i shtetit mbetet në nivele më të ulëta se periudha e viteve 2009–2013 kur qeveriste Partia Demokratike. 

Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Europian (OECD) dhe Fondacioni Evropian i Trajnimit (ETF) kanë theksuar në raportet e vitit 2023 se Shqipëria ka një sistem arsimor të nënfinancuar, dhe kanë kërkuar rritje të buxhetit për të përmbushur standardet e BE-së. Këto institucione kanë ngritur shqetësimin mbi pjesëmarrjen në arsim, mbi rënien e regjistrimeve, sidomos në arsimin profesional, gjë që rrezikon përgatitjen e fuqisë punëtore.

Qeveria nuk i ka marrë parasysh, përkundrazi ka propaganduar rezultate dhe vlerësime patronazhistësh. 

Raportet evidentojnë se niveli i të rinjve jashtë sistemit të arsimit dhe të punësimit në Shqipëri është alarmues me rreth 25% e të rinjve 15–29 vjeç gjenden jashtë arsimit, punësimit dhe trajnimit  – duke u renditur në fund të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së që ka një nivel mesatar dukshëm më të lartë (~11%).

Migracioni dhe plakja e popullsisë për strukturat ndërkombëtare përbën një tjetër shqetësim – që po e dobësojnë bazën e studentëve dhe fuqinë punëtore, por qeveria përmes politikave dearsimuese, rritjes së pandalshme të çmimit të jetesës për studnetët, kapjes politike të gjithë  sistemit arsimor, e ka nxitur shpopullimin.

Ndërkohë që raportet e ETF dhe OECD kanë theksuar domosdoshmërinë e zhvendosjes së prioriteteve kryesore të qeverisë, nga ndërtimi dhe turizmi -tek arsimi dhe investimi në kapitalin njerëzor -qeveria shqiptare ka vazhduar të përqendrojë strategjinë te ndërtimi, korrupsioni dhe pastrimi i  parave.

Ndërkohë që vendet e BE-së e trajtojnë arsimin si investim strategjik për konkurrueshmërinë afatgjatë, qeveria shqiptare e ka lënë arsimin të degradojë vit pas viti.

Rekomandimet ndërkombëtare nënvizojnë se pa rritje të financimit dhe të cilësisë së arsimit, Shqipëria mbetet prapa në integrimin europian dhe në tregun global të punës.

Partia Demokratike do ta ndryshojë këtë realitet me nje program bashkëkohor dhe me financim të përafërt me vendet e BE.

Vetëm me një arsim cilësor dhe me politika pro dijes mund të ndalet shpopullimi dhe ikja e trurit.

Sa për Edi Ramën, të vërtetën e thotë protestat 80 ditore e mijra qytetarëve që kërkojnë largmin e tij.

Dorëheqja e Ramës është kusht për të ardhmen e arsimuar dhe europiane të vendit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale