Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kongresmenin republikan Pete Sessions, ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike në Shqipëri, trafiku i drogës, korrupsioni dhe proceset zgjedhore.
Berisha, i shoqëruar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se gjatë takimit u diskutua për ndikimin e krimit të organizuar dhe parave të drogës në politikë dhe zgjedhje. Sipas tij, këto fenomene po minojnë demokracinë dhe institucionet e pavarura në Shqipëri.
Në takim, Berisha ngriti gjithashtu shqetësimin për kontrollin e qeverisë mbi institucionet e drejtësisë, duke akuzuar kryeministrin Rama se po e përdor drejtësinë si “armë politike” kundër opozitës. Ai përmendi edhe çështjen e Belinda Ballukut, duke pretenduar se Rama ka bllokuar hetimin ndaj saj përmes mbrojtjes së saj politike.
Sipas Berishës, u diskutua edhe nevoja për një qeveri teknike në Shqipëri, si një hap për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe rikthimin e besimit te institucionet.
Në takim u trajtua gjithashtu lufta kundër karteleve të drogës dhe partneriteti strategjik SHBA-Shqipëri. Berisha falënderoi kongresmenin Sessions për interesin ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe rajon.
Në takim morën pjesë edhe Bert Misuzawa, kandidat republikan për Senat në shtetin e Virxhinias, si dhe gjenerali Zapanta.
Reagimi i plotë:
Takim me Kongresmenin Pete Sessions: Diskutuam mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsën zgjedhore, nevojën për qeveri teknike në Shqipëri
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me anëtarin e Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes, kryetarin e Nënkomisionit të Operacioneve Qeveritare, Kongresmenin Pete Sessions. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsioni galopant dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në manipulimin e proceseve zgjedhore.
Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim.
Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës, të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes, po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.
E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se qeveria kontrollon plotësisht drejtësinë dhe po e përdor atë si armë politike kundër opozitës, me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heqë imunitetin Ballukut, duke i bllokuar kështu haptas drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.
Në këtë takim e falënderuam Kongresmenin Sessions për interesin e tij për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, luftën kundër karteleve të drogës dhe politizimin e drejtësisë. Takimi ishte i hapur. Në takim merrnin pjesë z. Bert Misuzawa, kandidat republikan për Senat në Shtetin e Virxhinias, dhe Gjenerali Zapanta.


