Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas rrëzimit nga mazhoranca të kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për kompaninë shtetërore KAYO. Në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit, ai e cilësoi aferën KAYO dhe marrëdhëniet me biznesmenin Ron Yeffet si një prej skandaleve më të mëdha, duke theksuar se, qeveria i ka dhënë 30 milionë euro një kompanie për blerjen e automjeteve që më pas, sipas tij, i janë shitur shtetit.
‘Ne kemi kërkuar komision hetimor për aferën e fundit, aferën KAYO dhe të Ron Yeffet që është një nga skandalet më të mëdha’, deklaroi Berisha. Më tej, kryetari i PD-së e ngriti akuzën në nivelin e trafikut të armëve, duke deklaruar se në rastin konkret nuk janë respektuar rregullat ndërkombëtare dhe kombëtare që lidhen me tregtinë dhe transportin e armatimeve.
‘Faktikisht kjo është një kontrabandë e mirëfilltë’, tha Berisha, duke shtuar se opozita do të ndjekë çështjen edhe në nivel ndërkombëtar.
‘Në këtë kuadër ne do bëjmë çdo përpjekje, brenda parlamentit, do bëjmë çdo përpjekje ndërkombëtare për të paraqitur rrezikshmërinë e lartë që ky person paraqet për NATO-n, për rajonin dhe për Shqipërinë’, u shpreh ai.
Prononcimi i Kryetarit të PD-së, Prof. Dr. Sali Berisha, jashtë Kuvendit:
Ne kemi kërkuar komision hetimor për aferën e fundit, aferën ‘KAYO’ dhe të Roni Yeffet që është një nga skandalet më të mëdha, në të cilin Edi Rama jep 30 mln euro, jo 10, 30 mln euro kompanisë së tij, për të blerë makina të cilat ja blen po vetë.
Nuk mund të ndodhë kurrë në një vend, përveç se në Shqipëri.
Së dyti, një vend anëtar i NATO-s bën një kontrabandë të shëmtuar. Ju duhet ta dini që tregtia e armëve ka rregulla shumë strikte, në vendin e blerjes, destinacionin e fundit, vendet tranzit dhe çdo gjë.
Faktikisht kjo është një kontrabandë e mirëfilltë. Blerja bëhet nga zona lufte ç’ka është krejtësisht e papranueshme. Ndryshohet vendi i blerjes, paraqitet Shqipëria si vend prodhues, e gjithë kryeministri i investuar se ne po prodhojmë armë, kur ne nuk po prodhojmë asgjë dhe transportohen në zonë lufte ku gjithashtu në meritën e atyre punonjësve të ministrisë përkatëse të Ukrainës, kërkohet tender, thonë ne blejmë me tender.
Kurse Edi Rama dhe kompania e tij thotë çfarë është tenderi. Pra kemi të bëjmë me një super skandal. Ju garantoj se çdo javë skandale të tilla ju do të dëgjoni, ndaj dhe bashkohuni me ata protestues që të gjithë në mënyrë që Shqipëria të shpëtojë nga ky regjim.
Së dyti, u komunikuan vendime në Hagë.
A e dëgjuat ju çfarë thotë një fjalë, gjoja, ai që është arkitekti i asaj gjykate. A e dëgjuat çfarë fjalë, nuk ju duk ju, se ky lau duart si Ponc Pilati?
A mund të shpjegoni ju, a ka mundësi që dhe ministri i tij i Jashtëm nuk thotë një fjalë? Unë nuk po them të sulmojë apo të mos sulmojë drejtësinë ndërkombëtare apo gjykatën, por të shprehet.
E qepi gojën, e reduktoi veten në një plak me demencë e cila kujtohet njëherë mbas e thotë fjalë të marrë, të marrë, apo s’është kështu?
Dhe kaq ishte postimi që bëri ai.
Në një kohë kur vetë i ka duart e tij në të më shumë se kushdo tjetër. Dhe në atë kohë në parlament çfarë kam thënë: i futi thikën pas shpine Kosovës. Jo se unë jam, kam qenë kundër drejtësisë, jo!
Por, por po të lexoni ju statutin mbi të cilin është ndërtuar gjykata, atë ju do të gjeni gjërat më të çuditshme. Gjërat më të çuditshme.
Pra, tani ku është ky? Ky bën sikur të jetë mision i kompletuar, mision i përfunduar, nuk flet. A e keni, apo jo?
Dhe mos harroni një gjë, ky njeri në një mënyrë absolutisht skandaloze, në një takim në Uashington ku ishte presidenti Trump, për, mos gabohem për bordin e paqes, ky paragraf të tërë për Hagën që s’kishte asnjë lidhje, s’kishte asnjë lidhje.
Pra ishte një përpjekje e tij për të shpëlarë krimin e shëmtuar që ka kryer ndaj Kosovës.
Dhe mua më thanë se unë aty nuk isha, por që presidenti mendoj se mos ishte fjala për Vjosa Osmanin në atë rast.
Pra kjo është problemi që ai po fshihet sepse qëndron prapa, në disa mënyra bëri punën e Vuçiçit, se ju e patë ajo është një pretencë e bazuar në deklarata propagandistike.
Në tërësinë e vet, unë do pres të lexoj vendimin e plotë se atëherë mund të jap një mendim më përfundimtar, por nga ato që dëgjova e kam fjalën.
Pyetje: Ndërkohë mazhoranca i ka injoruar të gjitha përgjimet që janë publikuar dhe tashmë me refuzimin e kërkesës për komision hetimor. Çfarë do të bëjë opozita për të mbajtur gjallë, ose për të kërkuar llogari për atë që mund të jetë edhe trafik armësh?
Sali Berisha: Ai është trafik armësh, të garantoj, se nuk do thoshim kurrë është trafik armësh ose s’është. Ai është trafik armësh i mirëfilltë. Në qoftë se në lëvizjet e armëve nuk respektohen rregullat të caktuara, janë rregulla të përcaktuara, janë ndërkombëtare dhe kombëtare.
Atëherë në këtë rast padiskutim që kemi të bëjmë me trafik armësh, kemi të bëjmë me kontrabandë dhe trafik armësh.
Në këtë kuadër ne do bëjmë çdo përpjekje, brenda parlamentit, do bëjmë çdo përpjekje ndërkombëtare për të paraqitur rrezikshmërinë e lartë që ky person paraqet për NATO-n, për rajonin dhe për Shqipërinë. Këto do bëjmë.
Pyetje: Ndërkohë, a kanë kuptim seancat plenare në këtë situatë ku mazhoranca vijon të mos ju japë të drejtat që ju takojnë, siç është ajo e komisionit hetimor, dhe ju vetë e thatë pak më parë për situatën në të cilën është parlamenti…
Sali Berisha: Asnjë kuptim nuk kanë. Jam dakord me ju, asnjë kuptim. Seancat këtu nuk kanë asnjë kuptim, mbasi ky parlament ka humbur plotësisht legjitimitetin e tij.
Pyetje: Gjithsesi, ju do të vazhdoni të merrni pjesë në këto seanca të cilat i konsideruat të pakuptimta?
Sali Berisha: Unë them që ky parlament ka humbur çdo legjitimitet, që së pari buron nga zgjedhje të pandershme, nga farsa elektorale. Së dyti, me votën që bëri me tre mandatet për Lubi Ballukun, parlamenti faktikisht arriti në një stad që s’duhet të ekzistojë më, se janë dy faktorë që humbasin legjitimitetin.
Pyetje: A mendoni që Rama do e lëshojë zëvendëskryeministren në rast se vjen një kërkesë tjetër për Belinda Ballukun nga SPAK-u, po ashtu e dyshuar për korrupsion?
Sali Berisha: Tani, të jemi realë. Kur unë ju thosha ju që ajo është mbesa e vrasësit serial, ju e merrnit si kështu, si ekzagjerim, unë po ju thoja të vërtetën ju.
Gjyshi i saj ka qenë një vrasës i poshtër serial. Vriste njerëz nëpër Tiranë të pafajshëm, nga ato çekistat. Edhe kjo po tregon se është mbesa e gjyshit.
Ndaj, kjo është faktikisht qeveria sot, pavarësisht se ku e sheh ti, nuk është Rama-Balluku, po është Balluku-Rama.
Pyetje: Pra, kryeministri nuk do e lëshojë, thoni ju?
Sali Berisha: Ku ta lëshojë? Po a e lëshon ajo kryeministrin? Më pyet a e lëshon Lubia kryeministrin. Sa kohë keni ju që keni dëgjuar që SPAK-u e dërgoi, e dërgoi dosjen? Ku është dosja?
Pyetje: Zoti Berisha, në fillim të seancës ju, pra Partia Demokratike përmes grupit parlamentar, kërkoi të rrëzohej apo më saktë të hiqej nga rendi i ditës projektligji për ndryshimet në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por kjo kërkesë e juaja u refuzua nga mazhoranca socialiste, e ajo sot do të diskutohet dhe miratohet. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe ju, do të merrni pjesë në diskutimet që do të zhvillohen në mbrëmje, për shkak se është në orët e fundit të rendit të ditës? Dhe së dyti, a do të merrni pjesë në votim?
Sali Berisha: Ne jemi kundër atij ligji, në mënyrë absolute. Kjo që ndodh është e paprecedentë.
Së pari, vendimi i gjykatës zbarohet. Edhe i padrejtë, zbatohet, se përndryshe s’do kemi gjykata më.
Së dyti, që ta dini ju, buxheti nuk është i qeverisë. Jo. Buxheti është i shtetit. Dhe e vërteta është që në zërin e buxhetit të shtetit, sistemi i drejtësisë ka buxhetin e vet, buxhetin e vet.
S’ka lidhje fare me administratën.
Ligjvënësi i ka vënë atij shtabit të përgjithshëm, janë disa institucione që kanë buxhetin e tyre. Këto e presin. Nuk do ta ndalojë kush buxhetin e tyre. Ai është një akt banditesk i pashëmbullt. Nuk është buxheti i Surrelit. Buxheti është i shtetit.
Dhe shteti nuk është vetëm krahu ekzekutiv. Është krahu parlamentar, krahu gjyqësor, e të tjera me radhë.
Kështu që veprimi i Edi Ramës është absolutisht antikushtetues, dhe ne do ta çonim në Gjykatë, por e kanë çuar vetë ata dhe kanë bërë shumë mirë.
Pyetje: Zoti Berisha, u shprehët kundër, po a do të jeni në momentin e votimit? Pra, grupi parlamentar i Partisë Demokratike për këtë projektligj…
Sali Berisha: Tani, për këtë pyetje drejtoja kryetarit të grupit parlamentar, unë nuk jam kryetari.
Pyetje: Ju jeni kryetari i partisë. Fjala juaj ka peshë.
Sali Berisha: Fjala ime ka peshë, por grupi ka kryetar.


