Vlerat themelore

VLERAT THEMELORE POLITIKE

Partia Demokratike e Shqipërisë (në vijim: PDSH) është parti politike që bashkon në gjirin e saj shtetasit shqiptarë, brënda dhe jashtë vendit, që besojnë, respektojnë dhe mbrojnë:

a) lirinë dhe demokracinë;
b) ndërtimin e shtetit të së drejtës, demokratik e social, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dinjitetin dhe personalitetin njerëzor, si dhe prosperitetin e të gjithë kombit;
c) vlerat me te larta konservatore patriotike të kombit shqiptar si dhe vlerat themelore të familjes tradicionale në shoqëri;
ç) shenjtërinë e pronës private;
d) dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare si një mision i vazhdueshëm;
dh) humanizimin e solidaritetin shoqëror dhe frymën e tolerancës e të bashkëjetesës fetare;
e) vlerat, parimet dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s;
ë) aspiratën për integrimin e plotë europian të Shqipërisë, nëpërmjet jetësimit të dëshirës së përhershme, qasjes perëndimore dhe thirrjes së brendshme të anëtarëve të saj “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”;
f) drejtësinë, paqen, harmoninë dhe bashkëpunimin ndërmjet kombeve, si vlerat më të larta të njerëzimit.

PDSH-ja është parti e interesit kombëtar dhe e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Ajo mbron dhe promovon interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve:

a) pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, rendin kushtetues, pluralizmin, identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare;
b) të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;
c) zhvillimin e nismës së lirë e barazinë në shanse, tregun e lirë e konkurrencën si mjet të zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit;
ç) sigurinë e individit e të pronës;
d) drejtësinë shoqërore e dialogun social;
dh) paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror;
e) ruajtjen e natyrës dhe të mjedisit;
ë) autoritetin e shtetit dhe vetëqeverisjen lokale;
f) meritokracinë dhe shanset e barabarta në punësim dhe karrierë, duke nxitur një administratë publike të qëndrueshme dhe profesionale;
g) luftën ndaj korrupsionit dhe dhënies fund të fenomenit të pandëshkueshmërisë;
gj) shkëputjen e lidhjeve midis politikës dhe krimit të organizuar, përmes dekriminalizimit të plotë të jetës politike dhe publike.

PDSH-ja është anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar. Ajo udhëhiqet në veprimtarinë e saj nga të njëjtat vlera e parime që ajo ndan me partitë simotra të këtyre organizatave

QËLLIMET POLITIKE

1. PDSH-ja njeh dhe promovon pjesëmarrjen e gjerë popullore në jetën politike, shoqërore dhe në institucione, si dhe kujdeset për formimin e një vullneti të gjerë e të qëndrueshëm popullor në dobi të mbrojtjes dhe zhvillimit të traditave më të larta shoqërore, politike dhe kulturore të shqiptarëve, në dobi të realizimit dhe zhvillimit të shpejtë të aspiratave euroatlantike të Shqipërisë, si dhe rrezatimin pozitiv të imazhit të vendit kudo në botë, për përjetësimin e kombit shqiptar, identitetin e kulturës së tij.

2. PDSH-ja udhëhiqet nga vlerat tradicionale të spektrit të djathtë: liria, demokracia, besimi te Zoti, patriotizmi, familja tradicionale dhe vlerat e saj dhe shenjtëria e pronës private. Në thelb të filozofisë së saj qëndron interesi kombëtar, liria dhe dinjiteti i individit, konkurenca e ndershme dhe meritokracia.

3. PDSH-ja i realizon objektivat e veta politike nëpërmjet komunikimit e angazhimit politik, publik dhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, në përputhje dhe respektim të plotë të kuadrit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Shqipërisë.

4. PDSH-ja synon:

a) të ndërtojë një rend kushtetues demokratik të bazuar ne lirite dhe drejtat themelore te individit të njohura e të marra në mbrojtje nga dokumentet ndërkombëtare, tregun e lire të mbështetur në bashkësinë e njerëzve të lirë, të përgjegjshëm, që bashkëpunojnë, respektojnë e ndërmarrin përgjegjësi të përbashkëta;
b) të ndërtojë shtetin ligjor me raporte të balancuara e të ndara qartë të pushteteve, garant të jetës, lirive dhe të drejtave të sanksionuara me ligj të qytetarëve;
c) të zhvillojë ekonominë e tregut nëpërmjet nxitjes së nismës së lirë ekonomike e shtimit të pronës private si forma mbisunduese në krijimin dhe pronësimin e pasurisë kombëtare, nëpërmjet privatizimit të ndërmarrjeve ekonomike publike, liberalizimit të tregut e licencimeve, zbatimit të politikave favorizuese fiskale, taksave te ulta dhe qeverisjen e vogël dhe efiçente;
ç) të garantojë të drejtën e pronës private, paprekshmërinë e saj dhe të drejtën e pronarëve për ta zotëruar atë lirisht, trashëguar apo dëmshpërblyer me vlerë të plotë tregu;
d) të përfaqësojë interesat e grupeve shoqërore të të përndjekurve politikë dhe pronarëve të ligjshëm të shpronësuar gjatë regjimit komunist, duke promovuar, ndërmarrë dhe zbatuar çdo normë ligjore, që garanton vendosjen e drejtësisë dhe rikthimin e dinjitetit të munguar, si dhe duke korrigjuar të gjitha pasojat financiare të padrejtësive të bëra ndaj tyre gjatë komunizmit;
dh) të zhdukë privilegjet dhe pabarazitë që nuk përligjen as nga puna e prona, as nga talenti e as nga shërbimet e kryera ndaj vendit;
e) të promovojë respektimin e barazisë gjinore në jetën e partisë dhe pjesëmarrjen e grave në organet e zgjedhura dhe ato ekzekutive;
ë) të integrojë Shqipërinë si anëtare dinjitoze në Bashkimin Europian;
f) të garantojë sigurinë kombëtare dhe të kontribuojë si vend anëtar i NATO-s dhe në bashkëpunim me institucionet europiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjera organizma ndërkombëtarë për të siguruar paqen, lirinë, demokracinë, garancinë ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit për të gjithë rajonet dhe më gjerë;
g) të mbrojë interesat kombëtare dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve kudo që janë, duke respektuar aktet e marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke kërkuar standardet e pranuara botërisht për të gjithë;
gj) të zhvillojë mardhënie vëllazërore me Kosovën dhe partitë politike simotra të shqiptarëve në vendet tjera.
h) të nxisë një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm, që i shërben vetëm qytetarëve dhe interesit publik

Qëllimet politike dhe vlerat themelore politike të PDSH-së detajohen dhe pasqyrohen në programin e saj, si dhe në dokumente të tjera që miratohen në përputhje me Statutin nga organet e saj qendrore, si dhe janë të detyrueshme për zbatim në çdo vendimmarrje, veprimtari apo aksion politik të PDSH. Kuvendi Kombëtar ose Këshilli Kombëtar dhe referendumi i antarsisë së PDSH-së miratojnë rezoluta me fuqi detyruese ose orientuese për PDSH-në, për çështje me rëndësi themelore politike dhe/ose me ndikim elektoral.

Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjetet sociale