KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi këtë të enjte drejtuesit e rinj të selisë blu, duke theksuar se ripërtëritja e strukturave është rezultat i votës së lirë dhe se PD mbetet e vendosur ta ketë demokracinë e brendshme në themel të funksionimit të saj. Në konferencën me gazetarët, ai foli edhe për reformën territoriale, reformën zgjedhore dhe deklaratat e një ministreje serbe për Kosovën, duke akuzuar Edi Ramën për bllokimin e procesit dhe për ‘heshtje vasale’ ndaj Beogradit.
Në nisje të konferencës, Berisha falënderoi drejtuesit që kanë mbajtur funksione drejtuese në katër vitet e fundit, duke garantuar se bashkëpunimi me ta do të vijojë. ‘Dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë ish-bashkëpunëtorët e mi, Oerd Bylykbashin, Luçiano Boçin, Ivi Kason dhe sekretarët e PD për kontributin e tyre të çmuar. I garantoj se mbetem i vendosur për të vazhduar bashkëpunimin e gjithanshëm me ta. Të falënderoj Edi Palokën për kontributin e tij të çmuar dhe secilin prej atyre që kontribuoi katër vitet e shkuara’, u shpreh ai.
Lideri i demokratëve Sali Berisha uroi drejtuesit e rinj të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, duke e cilësuar procesin një dëshmi të demokracisë së brendshme në PD. ‘Shqiptarët kanë parë dhe shohin një forcë politike që ka vendosur votën e lirë të saj në themel të ndërtimit dhe funksionimit’, deklaroi kreu demokrat. Ai veçoi zgjedhjen e nënkryetarëve të rinj dhe sekretarëve të partisë, duke theksuar se drejtimi i PD është pasuruar me figura që përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë. ‘Siç e shihni, ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat të fushave të tyre në drejtimin e PD. Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen. Kjo dëshmon gjithashtu potencialet e saj shumë të mëdha. Kjo dëshmon gjithashtu votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të kësaj partie’, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët lidhur me reformën zgjedhore dhe kërkesën për sistem proporcional me lista të hapura, lideri i opozitës Sali Berisha tha se Partia Demokratike mbështet plotësisht kërkesat e protestuesve. ‘Siç e dini Edi Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ndërkohë, ne kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Pra këtu ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre’, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike sali Berisha reagoi edhe për deklaratat e ministres serbe, e cila kishte folur për spastrimin etnik të Kosovës, duke kërkuar shpalljen e saj ‘non grata’. ‘Ne kërkuam menjëherë shpalljen e saj non-grata dhe inicimin e një padie për mbështetje të gjenocidit dhe të spastrimit etnik’, deklaroi ai. Sipas tij, fakti që ministrja vazhdon të jetë pjesë e kabinetit serb tregon se ajo shpreh qëndrimin e presidentit Aleksandër Vuçiç.‘Për sa kohë ajo rri në atë kabinet, ajo ka shprehur mendimin e padronit të saj, Aleksandër Vuçiç’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me mediat.
FJALA E PLOTE
Siç jeni informuar, mbrëmë u kompletua krijimi i institucioneve të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Së pari, dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë ish-bashkëpunëtorët e mi, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Ivi Kaso dhe sekretarët e PD për kontributin e tyre të çmuar.
I garantoj se mbetem i vendosur për të vazhduar bashkëpunimin e gjithanshëm me ta.
Të falënderoj Edi Palokën për kontributin e tij të çmuar dhe secilin prej atyre që kontribuoi katër vitet e shkuara.
Dua të uroj nga zemra ata që u zgjodhën me votën e lirë të Këshillit Kombëtar të PD.
Shqiptarët kanë parë dhe shohin një forcë politike që ka vendosur votën e lirë të saj në themel të ndërtimit dhe funksionimit.
Uroj nga zemra Belind Këlliçin, Nikolla Kedhin, Erisa Bajazitin, të zgjedhur nënkryetarë të PD për herë të parë, personalitete të cilat përfaqësojnë shtresa dhe grupe të mëdha të shoqërisë shqiptare, të papërfaqësuara më parë në kryesi.
T’i uroj sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka, rizgjedhjen me votën e Këshillit Kombëtar të PD në postin e lartë që mban.
Klevis Balliut, zgjedhjen sekretar organizativ.
Andi Mustadaj, zgjedhjen si sekretar për menaxhimin e burimeve njerëzore.
Marash Logu, sekretar për çështjet ligjore dhe zgjedhore.
Viola Kapedani, sekretare për marrëdhëniet me publikun.
Eva Metaj, sekretare për organizatat partnere dhe shoqërinë civile.
Fjoralba Dizdari, sekretare për integrimin evropian.
Sekretar për emigracionin dhe diasporën, Ethem Aga.
Sekretar për dixhitalizimin e PD, Etjon Kapedani.
Sekretar për infrastrukturën dhe territorin, Gentian Kaprata.
Sekretare për çështje të pronave dhe luftën kundër korrupsionit, Endira Bushati.
Sekretar për të drejtat e njeriut, Franc Nuri.
Sekretar për të përndjekurit politikë, Shkëlqim Lepenica.
Sekretar për pushtetin lokal, Ylli Asllani.
Sekretar për aksionin qytetar, Erges Eskiu.
Komisioni apo gjykata e partisë: Adriana Kalaja, Besart Logu, Shaqir Manjani, Suina Asllanaj, Gentian Koçi.
Unë kam një falënderim të veçantë për të gjithë ata të cilët kandiduan për këto poste të rëndësishme.
I garantoj për konsideratën time më të lartë dhe vlerësimin më të madh pavarësisht nga rezultati i këtij votimi.
Shpresoj të vazhdojmë bashkëpunimin me ta si personalitete të shquara të PD.
Falënderoj zotin Gazment Bardhi dhe komisionin e votimit për punën serioze që bënë.
Kam një ndjesë publike për zotin Lorenc Luka, i cili ka dërguar një mesazh me të cilin ai informon se nuk dëshiron të kandidojë, por mesazhi është lexuar me vonesë.
Ndaj dhe unë duke shprehur konsideratën time më të lartë për të gjithë kontributet e zotit Lorenc, e gjej të domosdoshme t’i kërkoj ndjesë për vendosjen e tij për shkak të leximit me vonesë të mesazhit që kishte dërguar.
Pra, siç e shihni, ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat të fushave të tyre në drejtimin e PD.
Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen.
Kjo dëshmon gjithashtu potencialet e saj shumë të mëdha.
Kjo dëshmon gjithashtu votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të kësaj partie.
Edhe njëherë, urimet më të përzemërta të zgjedhurve të rinj.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Klajdi Bodlli, Syri Televizion: Ditën e sotme ju bojkotuat seancën parlamentare, ndërkohë që Konferenca e Kryetarëve vendosi që të shtyjë deri në muajin tetor afatin e komisionit për reformën zgjedhore.
Ndërkohë kemi një ngërç tek komisioni për reformën territoriale dhe ditën e djeshme dy bashkëkryetarët, zoti Çuçi dhe zoti Mazniku nuk kanë gjetur gjuhën dhe le të themi është bllokuar puna në atë komision.
A ka Partia Demokratike një platformë në lidhje me ndarjen e re territoriale, duke qenë se përfaqësuesit e Partisë Demokratike dje akuzuan Partinë Socialiste se po përpiqet që ta miratojë reformën njëlloj si në vitin 2016 e vetme. Keni ju këtë informacion dhe a ka një platformë Partia Demokratike për ndarjen territoriale për ta paraqitur?
Sali Berisha: Po, faleminderit për pyetjen, konstatimi juaj është i drejtë. Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike.
Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. S’kanë përfunduar konsultat e parashikuara e të miratuara sipas rregullave. Zoti Boçi ka bërë një punë të shkëlqyer, serioze dhe sapo zoti Boçi kërkoi atë që ne kemi pasur kusht që në fillim, që ky komision i reformës territoriale të asistohet nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, që është dhe institucioni me ekspertizën më të madhe në këtë fushë, dhe unë me këtë rast dua të falënderoj edhe qeverinë e Konfederatës Zvicerane, ambasadën e Zvicrës në Tiranë, por edhe përfaqësinë e Bashkimit Evropian për interesin e tyre dhe mbështetjen e tyre direkte të kësaj reforme, tani papritmas aty ndryshojnë gjërat. Edi Rama duket se urdhëron komisionin që të shkojnë në mënyrë të njëanshme.
Ne sigurisht që kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe e vlerësuam që të kemi një ndërmjetës, një të urtë, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën.
Edi Rama, Partia Socialiste, do të shkojë veçmas. Ajo është pastaj zgjidhja e tyre, jo e jona.
Ne qëndrojmë kundër variantit të paraqitur nga ata, kundër formës ekzistuese dhe do bëjmë gjithë përpjekjet tona për të kundërshtuar këtë reformë.
Për reformën zgjedhore është arritur le të themi një lloj dakordësie për shtyrjen e afatit të tij. Ndërkohë ju keni mbështetur kërkesat e protestuesve, ku një ndër to është proporcional, me lista të hapura. A është diskutuar kjo në këtë komision dhe a ka Partia Socialiste vullnetin për ta pranuar këtë kërkesë dhe këtë propozim?
Sali Berisha: Siç e dini Edi Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ndërkohë, ne kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Pra këtu ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre.
Klajdi Bodlli: Së fundit në lidhje me deklaratat e ministres serbe para disa ditësh, që është shprehur që nëse do të ishte ajo si Milosheviçi do ta spastronte etnikisht Kosovën.
Sali Berisha: Deklarata e saj është dënuar me forcën më të madhe nga një deklaratë e Partisë Demokratike ditë më parë, e paraqitur nga zëdhënësja e partisë zonja Floriana Garo.
Ne kërkuam menjëherë shpalljen e saj non-grata dhe inicimin e një padie për mbështetje të gjenocidit dhe të spastrimit etnik nga një ministre e vendit që i ka kryer këto akte. Por unë ju garantoj dy gjëra.
Për sa kohë ajo rri në atë kabinet, ajo ka shprehur mendimin e padronit të saj, Aleksandër Vuçiç.
Se të mbash një monstër si ajo në kabinet, e cila dëshmon me gjakftohtësinë më të madhe, shpreh keqardhjen se nuk u kompletua gjenocidi dhe spastrimi etnik në Kosovë sipas operacionit Patkoi, do të thotë të kesh vetë atë mendësi.
Së dyti, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e turpshme, heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së një ministreje të Beogradit.
Ndërkohë që shpall non-grata qytetarë të Prizrenit pse marrin pjesë në protestë, ndërkohë që shpall non-grata deputetë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të shqiptarëve, në aktin më të turpshëm, më vetëposhtërues nuk guxon të shpallë non-grata dhe ai ministri i jashtëm, turpi i të gjitha kohërave, që nuk guxon të thotë një fjalë ndaj ministres monstër që kërkonte spastrimin etnik të të gjithë shqiptarëve nga Kosova.
Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës.
Një regjim vasal ndaj Beogradit.


